OpEd

Drejtësia do guxim

Sistemi i drejtësisë kosovare nuk ka gjasa të këndellet me gjykatës e prokurorë frikacakë. Pasi ilaç kundër frikës nuk ka, ata do të duhej t’ua lironin vendin njerëzve profesionistë dhe të guximshëm, të cilët nuk bëjnë kompromis me ligjin

Seanca fillon. Mbrojtja e dy të dëmtuarve, nga një grup fajdexhinjsh, jep një propozim. Kërkon që klientët e tij të pranishëm në gjykatore të dëgjohen nga trupi gjykues me videolink, me arsyetimin se ata ndihen të kërcënuar nga të akuzuarit, të cilët janë gjithashtu të pranishëm në sallë. Pranë rreshtave të bankave, ku janë të ulur të dëmtuarit dhe të akuzuarit, qëndrojnë pesë a gjashtë policë (sic!). Gjykatësi ia miraton kërkesën mbrojtjes pa hezitim, pa u kërkuar prova nëse janë reale kërcënimet apo vetëm frikë e të dëmtuarve.

I dëmtuari-dëshmitar hyn në dhomëzën e audioincizimit, që ndodhet në njërin qosh të sallës dhe fillon të japë deklaratën. Flet sikur të ishte spiker lajmesh. Prokurorja e dëgjon pavëmendshëm. Nuk i bën pyetje. Ndërhyn kohë pas kohe me një “po…, vazhdo…, pastaj çfarë ndodhi?”, në vend se t’i parashtrojë pyetje të drejtpërdrejta, siç e parasheh ligji.

I dëmtuari vazhdon të rrëfejë storien e vet, gjersa përfaqësuesit e drejtësisë dhe publiku e shikojnë në ekran. Gjatë gjithë kohës shihet tek rri me kokë ulur, pa e ngritur shikimin. Mbrojtja e të akuzuarve shpreh dyshimin se ai është duke e lexuar deklaratën e njëjtë që e ka dhënë më herët në prokurori. Kërkon që të vërtetohet nëse dëshmitari është duke e lexuar deklaratën në letër apo nga telefoni celular. “A mos ke ndonjë letër apo telefon aty brenda?”, e pyet kryetari i trupit gjykues dëshmitarin që ndodhet në dhomëzën disa metra larg tij. “Po, e kam përpara aktakuzën dhe deklaratën e dhënë në prokurori”, përgjigjet i dëmtuari. Mbrojtja e të akuzuarve kërkon që kryetari i trupit gjykues ta tërheqë vendimin e vet që i dëmtuari të dëgjohet me videolink pas “mashtrimit” që bëri dhe të merret në pyetje drejtpërdrejt. “E tash unë me tërheq vendimin tem, a?”, pyet gjykatësi. Me ligj gjyqtarit i lejohet që të tërheqë vendimin e vet procedural. Por ky gjykatës nuk i “han” fjalët e veta. Pas rreth një ore të humbur së dëgjuari të dëmtuarin, ai vazhdon ta marrë në pyetje atë sërish nga “kafazi” derisa përfundon orari i punës së gjykatës. Po nga “kafazi” do të vazhdojë ta dëgjojë edhe në seancën e radhës…

* * *

Kjo ngjarje nuk është nga ndonjë “reality show” televiziv. Është seancë nga salla e një gjykate themelore të një qyteti të Kosovës. Ndonëse një seancë gjyqësore i ngjan pak a shumë një pjese teatrale, ku secili aktor e luan rolin e vet gjithnjë duke respektuar rregullat që ia përcakton ligji, seancat e gjyqeve kosovare shpesh kthehen në spektakle tragjikomike. Kjo krejt si pasojë e joprofesionalizmit dhe e mungesës së integritetit të njerëzve që janë të thirrur të ndajnë drejtësi.

Në vitet 1997-1999 kam raportuar në këtë gazetë për gjykimet politike të shqiptarëve në gjykatat e instaluara nga regjimi i Serbisë. Ato gjykime ishin kryesisht procese të montuara politike, që kishin për qëllim të thyenin dhe të demotivonin shqiptarët në përpjekjet e tyre për liri dhe pavarësi. Të krahasosh gjykatat e tanishme të Kosovës me ato të kohës së Milosheviqit është e dhimbshme, sepse të akuzuarve atëbotë u merreshin deklaratat nën presion e dhunë shtazarake gjatë hetuesisë. Por në gjithë atë çmenduri politike gjykatësit serbë gjatë seancave mbanin rend, i ndiqnin me përpikëri procedurat dhe bënin shkelje minimale. Natyrisht, dënimet drakonike që u jepnin shqiptarëve me akuza të mveshura ishin zbatim i direktivave politike.

Gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës sot kanë shumë probleme profesionale. Por mbi të gjitha ata kanë një frikë të pakuptueshme për të zbatuar ligjin, për ç’gjë e kanë pushtetin e pakontestueshëm. Ata janë kapluar nga një psikozë e pashpjegueshme kolektive se mos po krijojnë përshtypje në opinion se janë të korruptuar apo të ndikuar politikisht. Dhe duke iu ruajtur etiketimeve të tilla ata po bëjnë kompromis me ligjin. “E di që i dyshuari nuk e ka kryer veprën penale që i ngarkohet, po nuk mund ta jap pëlqimin për t’ia ndërprerë paraburgimin, se nuk du me rreziku veten e vendin tem të punës kur të shkruajnë gazetat nesër pse nuk u dënu”, citohet të ketë thënë një prokuror para trupit gjykues. Të presësh nga një prokuror i tillë ta luftojë krimin është iluzore.
***

Për rreth dy dekada të funksionimit të gjyqësorit në Kosovën e çliruar nga sistemi hegjemonist serb i drejtësisë, emërimet e gjykatësve (ashtu si edhe të prokurorëve) u bënë kryesisht me direktiva të politikës, lidhjeve familjare e miqësore, pa përfillur kriteret profesionale. Dhe kur morën postin filluan kthimin e favoreve, duke e përdorur çekanin e drejtësisë në dobi të atyre që i sollën aty dhe në kurriz të qytetarëve. Edhe avancimet e tyre në poste udhëheqëse të gjyqësorit shkuan dhe shkojnë njësoj.

Para vendosjes së masave të dhunshme serbe në gjykatat e Kosovës, në vitet ‘80, ngritja në detyrë e gjykatësve ishte sfidë në vete. Pesë deri në tetë vjet përvojë pune i duheshin një gjykatësi për të kaluar nga gjykata komunale në atë të qarkut. 12-15 vjet përvojë pune për të mbërritur në gjykatën supreme. Këtu përfshihej edhe përmbushja e kriterit të lëndëve që gjykatësit i ishin vërtetuar në gjykatat e instancave më të larta, numri i lëndëve që u ishin kthyer në rigjykim e dëshmi të tjera relevante të punës së tyre.

Edhe ligji i tashëm për gjykatat parasheh kritere për avancim, por ato janë vetëm në letër. Mjafton që t’ia vësh syrin një posti dhe të shfrytëzosh lidhjet me politikën dhe jaraninë me vendimmarrësit që të përmbushësh ambicien. Për vlerësim performance dhe përmbushje kriteresh nuk mërzitet kush. Kalon me lehtësi madje nga gjykata për kundërvajtje në atë të krimeve të rënda, siç është avancuar gjykatësi i seancës së përshkruar në fillim të këtij shkrimi, i cili merr vendime qesharake sepse nuk e njeh ligjin.

Ndonëse nuk mund të arsyetohet, frika e gjykatësve për imazhin e tyre publik nuk është e pabazë. Qytetarët kanë humbur besimin në ta. Kjo për fajin e tyre. Ndarja e drejtësisë selektive, joprofesionalizmi, mostransparenca, ndikimi nga politika, dënimet e ulëta për kriminelët dhe të korruptuarit e madje edhe bashkëpunimi me krimin dhe përfshirja e vet gjykatësve në korrupsion është imazhi i gjyqësorit të sotëm.

Janë dhjetëra raste të gjyqtarëve, madje edhe kryetarë gjykatash, të cilët u gjykuan e po gjykohen nën akuzën për korrupsion. Afro 50 gjyqtarë u hetuan dhe u gjetën fajtorë nga Zyra e Prokurorit Disiplinor për ndikim e neglizhencë vetëm brenda dy vjetëve të fundit.

Sistemi kosovar i drejtësisë nuk ka gjasa të këndellet me gjykatës e prokurorë frikacakë. Pasi ilaç kundër frikës nuk ka, ata do të duhej t’ua lironin vendin njerëzve profesionistë, të cilët nuk bëjnë kompromis me ligjin. Sepse drejtësia do guxim.

valbona@koha.net