OpEd

Parlamenti i ooopsave...

Ky parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt, sepse ka kohë që më shumë i ngjan një emisioni bajat humoristik sesa një institucioni ligjvënës ku bëhen politikat e shtetit

Të përfaqësojnë elektoratin, të hartojnë ligje dhe ta mbikëqyrin qeverinë. Këto janë tri detyrat kryesore të deputetit në parlamentin e çdo shteti demokratik. Vetëm deputetët e Parlamentit të Kosovës i kanë katër. Ia kanë shtuar vetes një detyrë jo aq të lehtë: ta zbavitin popullin. Sepse në një shtet sui generis, edhe deputetët duhet të jenë sui generis.

Fjala parlament e ka burimin nga folja latine parlare - të flasësh, që me kohën ka evoluuar në diskutim, bashkëbisedim apo negocim. Por, për shumicën e deputetëve tanë duket se kjo fjalë ka mbetur në kuptimin e saj thelbësor, sepse ata vetëm flasin, flasin e nuk thonë asgjë. E kundërta e tyre është kategoria tjetër e deputetëve: ata që nuk flasin kurrë. Këta të dytët ose nuk e dinë kuptimin e fjalës parlament ose nuk e dinë që e kanë përshkrim të vendit të punës të flasin, ama jo pallavra.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, dëgjohej një anekdotë për një kandidate për deputete e cila e befasuar që kishte marrë mandatin kishte pyetur: “E çka duhet të bëj unë në parlament?!” Për dy vjet sa funksionon legjislatura aktuale ndoshta e ka mësuar, ndoshta s’e ka mësuar. Disa gjëra i ka mësuar sigurt. Si të vjelë mëditjet pa ndenjur në seanca, të shkojë nëpër konferenca, seminare, trajnime e vizita jashtë shtetit, nga të cilat shpesh shmangen për të dalë në shëtitje dhe patjetër të postojë selfie në rrjetet sociale nga vizitat nëpër metropole. Të gjitha me paratë e qytetarit. Atij që ia ka marrë votën, por nuk ia di hallet e as që i intereson t’ia dijë, sepse nuk shkon kurrë ta vizitojë as në lagje, as në vendin e punës.

Shumica e deputetëve të vetmin kontakt me elektoratin e kanë nëpër fushata zgjedhore e t’pame. Edhe ato i kanë me hile. Për t’iu shmangur llogaridhënies dhe ballafaqimit me problemet e qytetarëve, ata u shkojnë qytetarëve në vizita për ngushëllime në rastet e vdekjeve, aty ku për shkak të ndjeshmërisë nuk mund të diskutohen drejtpërdrejt hallet e votuesit. Qytetari i gjorë duhet të vetëmjaftohet me “nderimin” që ia ka bërë deputeti me vizitën në një rast pikëllimi. Sepse deputeti ynë është shumë i “zënë” me seanca ku debatohen punë e çështje të mëdha të popullit. Por jo hallet e vërteta të tij.

Sipas monitoruesve të Parlamentit, raporti i (mos)punës së deputetëve të kësaj legjislature për tri detyrat kryesore mund të përmblidhet me pak rreshta.

Gjatë gjithë vitit të shkuar Kuvendi ka punuar pa plan pune. Legjislatura e pestë ka pasur tendenca që të përfshihet në diskutime të politikave ditore, të cilat kanë qenë të gjata dhe nuk kanë prodhuar ndryshim. Kanë munguar raportimi dhe llogaridhënia, ligje të rëndësishme janë miratuar me procedurë të përshpejtuar, ku ka pasur shkelje të shpeshta të rregullave dhe procedurës.

Mungesat e deputetëve shpesh kanë çuar në mungesë të kuorumit gjatë zhvillimit të seancave dhe takimeve të komisioneve parlamentare. Shumica prej të zgjedhurve të popullit janë shndërruar në “robotë”, që vihen në funksion veç kur shefat i kurdisin për të votuar ndonjë ligj apo rezolutë. Disa nga këto parregullsi janë konstatuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2016.

Sipas këtyre raportimeve, po del se deputetët e kanë marrë seriozisht vetëm detyrën e katërt. Atë të “argëtimit” të popullit.

Seancat e Kuvendit të Kosovës nuk i përngjajnë as pazarit. Termi më i mirë që i përshkruan ato është ai që e ka gjetur Flaka: Qirkuz. As mos të lodhet dikush të kërkojë shprehje më të saktë.

Fjalimet boshe e patetike, të ngjashme me hartimet shkollore, shakatë pa kripë, ofendimet e shprehjet banale që përdorin shumica e deputetëve dëshmojnë se rezultatet e dobëta të testit PISA nuk përshkruajnë vetëm një brez nxënësish kosovarë, por disa breza.

Injorancën dhe neglizhencën ndaj detyrës së vetë deputetët nuk e shprehin vetëm në seanca. Në qirkuz i kthejnë edhe takimet e komisioneve parlamentare, ku shkojnë me duar në xhepa, por kthehen me mëditje.

Kolegët që raportojnë për gazetën nga këto komisione tregojnë se deputetët hynë në mbledhje pa i lexuar projektligjet apo raportet që do të diskutohen. Ka të atillë që madje nuk e dinë as për çfarë janë aty. I mësojnë kolegët se çfarë pyetjesh t’u bëjnë ministrave apo përfaqësuesve të tjerë të institucioneve të ftuar për të raportuar. “Pyete a keni krim në RTK?”, i pëshpërit një deputete e opozitës kolegut të saj gjatë marrjes në pyetje të drejtorit të televizionit publik. “A keni klimë në RTK?”, është pyetja që shtron deputeti. Ooops...!

Qytetari s’po e di më a të qajë a të qeshë gjersa i shikon raportet televizive dhe transmetimet e seancave nga kuvendi.

Këta deputetë e kanë kthyer institucionin më të lartë të shtetit në një emision bajat humoristik. Edhe çështjet e rëndësisë kombëtare e shtetërore i diskutojnë si të ishin në garë patriotizmi e folklorizmi. Kulmin e talljes e mbërritën në fillim të vitit të ri kur u bë e ditur se po planifikojnë rritjen e pagave për veten. Edhe shakaja e ka një kufi.

Nga 120 deputetë sa ka Parlamenti nuk di nëse mund të numërohen shtatë a tetë gra e burra që kanë arritur ta ruajnë integritetin dhe dinjitetin dhe të diskutojnë pa sharë e fyer, por duke dhënë propozime konkrete dhe duke shtruar problemet logjikshëm dhe pa prapavijë politike.

Të tjerët përcjellin agjendat partiake, bëjnë kalkulime politike, shesin dinjitetin për një post, nuk tregojnë vizion as ndjesi që me vendimet e veta mund të dëmtojnë edhe interesat e atdheut. Thuajse gjithë jetën do të jenë deputetë dhe populli do t’ua harrojë bëmat.

Qytetari voton gjithmonë me shpresën se legjislatura e re do të sjellë ndonjë ndryshim për të dhe për vendin. Ka pesë legjislatura që po mashtrohet duke ua dhënë besimin shumë individëve të cilët me vite vegjetojnë në ulëset e Parlamentit dhe janë bërë si makina votimi, pa iniciuar kurrë asnjë debat, pa ndërmarrë asnjë nismë që ia vlen.

Nëse edhe legjislatura e ardhshme do të ketë përbërje të tillë si kjo e tanishmja, atëherë më mirë të mos mbahen zgjedhje fare. Çfarë ndryshimesh i sollën vendit këta deputetë përveç përfitimeve personale?

Ky Parlament duhet të shpërndahet sa më shpejt. Shumica e deputetëve të tij duhet t’u kthehen profesioneve të tyre, po qe se e kanë ndonjë. Nëse nuk shkojnë të vetmen gjë të hairit që do ta bëjnë është t’ia shtojnë edhe më shumë shikueshmërinë Interaktivit me ooopsa...