OpEd

Kujt i duhej ky demarkacion?

 

Siç e tregoi koha, demarkacioni u bë me një ngutje të pashpjegueshme, pa përgatitjet më elementare dhe nën një trysni të fortë politike.

1.

Përcaktimi dhe shënjimi i kufijve mes shteteve është një çështje serioze, dhe kërkon mirëvullnet, kërkon besim reciprok, kërkon angazhim të grupeve të ekspertëve të shumë fushave, kërkon hulumtim arkivash dhe sidomos shumë kohë, gjithë kohën e nevojshme. Kufijtë nuk mund të vendosen kuturu, sepse ky është një investim i përbashkët i dy vendeve për një ardhmëri e paqe të qëndrueshme.

Përsaktësimi dhe shënjimi i kufirit shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte dhe mbetet një çështje tepër serioze, për arsyen e thjeshtë se për këtë kufi është luftuar shumë herë, janë vrarë shumë njerëz, janë përgjakur disa breza. Është një vijë që do të ndajë përgjysmë edhe varre. Për më tepër, ky kufi ka lëvizur shumë herë në saje të rrethanave gjeopolitike dhe të raportit e forcave në mes të dy popujve fqinj, që, gati një shekull, kanë jetuar përdhunshëm në një shtet dhe nën disa regjime.

Mirëpo, siç e tregoi koha, demarkacioni u bë me një ngutje të pashpjegueshme, pa përgatitjet më elementare dhe nën një trysni të fortë politike.

2.

Nënshkrimi, më 25 gusht 2015, në Vjenë, i Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Malit të Zi dhe Kosovës, shkaktoi përplasje të forta politike; Qeveria, që nënshkroi “marrëveshjen”, fillimisht, u përpoq ta kontrabandojë atë në Kuvend, por nuk i eci. Aty e tutje çdo përmendje për ratifikimin e saj përfundoi me konflikte të papara ndonjëherë në jetën modeste parlamentare të vendit.

Ngutjen për nënshkrimin e Marrëveshjes, Hashim Thaçi e Isa Mustafa u përpoqën ta arsyetojnë me gjoja presionin e faktorit ndërkombëtar, meqë Mali i Zi, duke qenë në prag të pranimit në NATO, paskësh nevojë për shënjimin e kufirit. Kjo nuk qëndronte fare, sepse Mali i Zi nuk e kishte të përsaktësuar kufirin as me Kroacinë, anëtare e NATO-s, as me Bosnjë-Hercegovinën. Madje shumë vende të rajonit, anëtare të NATO-s, kishin dhe vazhdojnë të kenë vija kufitare të diskutueshme. Të kujtojmë sagën e pafund për kufirin detar në mes të Shqipërisë e Greqisë…

Pamundësia për ta ratifikuar Marrëveshjen e mosmarrëveshjeve, shkaktoi një debat të gjerë gjithandej në Kosovë. Argumentet e kundërshtarëve të Marrëveshjes ishin dhe vazhdojnë të jenë gjithnjë e më bindëse për pjesën dërrmuese të njerëzve të Kosovës.

Përplasjet shkuan edhe më larg, sepse, sipas të gjitha gjasave, me kërkesën e autoriteteve të Kosovës, konkretisht Hashim Thaçit dhe sejmenëve të tij, Bashkimi Evropian e kushtëzoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës me ratifikimin paraprak të Marrëveshjes për demarkacionin.

Kamxhikun e BE-së, Hashim Thaçi dhe lakejtë e tij, përfshirë këtu edhe disa të ashtuquajtur analistë dhe një lukuni politikanësh kokëbosh a bishtdjegur si dhe shkarravitës gazetash e portalesh, e përdorën dhe po vazhdojnë ta përdorin gjithnjë e më shumë për t’ua mbyllur gojën atyre që po e kundërshtojnë Marrëveshjen problematike.

Kjo trysni shkoi edhe më larg, kur një ministre e Qeverisë aktuale, pas bredhjeve nëpër Evropë kur u kthye deklaroi se BE-ja konsideron se qytetarët kanë të drejtë të organizojnë edhe demonstrata kundër atyre që po e pengonin liberalizimin e vizave. Ky ishte një kërcënim direkt me ndërsymje të turmave kundër Qeverisë, anëtare e së cilës është ajo.

3.

Numrit të vogël të partizanëve të Marrëveshjes u dolën në ndihmë edhe pushtetarët e Tiranës, për motive shumë të çuditshme por që, si duket e siç po pëshpëritet, lidhet me bisedimet supersekrete të tyre me zyrtarë të Serbisë për rivizatim të kufijve. Kufijve të Kosovës, natyrisht. Me gjasë, në këto bisedime Kosova është mbajtur larg, me përjashtim të Hashim Thaçit, i cili ka vetëm rolin e Rosinantit, që, një ditë, do t’i bartë në shpinë edhe kusuret e këtij pazarllëku të pistë.

Por peshën më të madhe të trysnisë e kishte fjala e ambasadorit amerikan në Kosovë, Delawie, i cili tha se Marrëveshja e nënshkruar është në rregull dhe si e tillë, me çdo kusht, duhet të ratifikohet.

Kjo deklaratë e zëshme i dha zemër bllokut pro ‘Marrëveshjes’ që e përtypi dhe e konsumoi maksimalisht. Por, siç ndodhë zakonisht me mendësinë e turmës, aty mungon themelorja;logjika. Sepse SHT, Zoti Delawie përfaqëson dhe mbron në Kosovë interesat SHBA-së. E këto interesa mëtojnë që Mali i Zi të mos bie më aty ku ka qenë që prej themelimit si shtet, në prehrin e Rusisë. Në lojën e madhe gjeopolitike, kjo ka rëndësi shumë të madhe. Por të rrimë shtrembër e të flasim drejt, mosratifikimi i kësaj Marrëveshjeje nuk e rrezikon me asgjë Malin e Zi. Madje, madje për dallim nga raste të tjera të ngjashme, mllefi i kundërshtarëve gjithnjë e më të numërt të Marrëveshjes nuk është i drejtuar me asgjë kundër Malit të Zi, por kundër atij që po përpiqet me çdo kusht ta ratifikojë në Kuvend, pra Hashim Thaçit dhe puthadorëve të tij.

Duhet theksuar gjithashtu se për procesin e dialogut me Serbinë, por edhe për Marrëveshjen e demarkacionit përgjegjësi thelbësore ka edhe LDK-ja, e cila në momente kyç për vendin është bërë repart i disiplinuar i Hashim Thaçit në veprimet e tij shtetrrënuese.

4

Aktualisht Marrëveshja, përkundër një koalicioni të çuditshëm, po kundërshtohet efektivisht, nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si edhe atëherë kur ky ishte në opozitë. Sepse Haradinaj, si njeri i fjalës, punën e parë që bëri shkarkoi Komisionin e mëparshëm dhe e emëroi Komisionin e ri, të përbërë nga personalitete që e kundërshtuan pazarin e Thaçit me vendosmëri për t’u admiruar.

Tani trysnia është përqendruar kundër Haradinajt dhe Komisionit të ri, që të mbarojnë punë sa më shpejt, thuajse problemi më i mprehtë për sigurinë në rajon na qenka një Marrëveshje tepër e dyshimtë e jo agresiviteti i Rusisë dhe vasalëve të saj në Ballkan.

Komisioni ka nevojë për kohë, për kohë të mjaftueshme, që të qëmtojë gjithandej nëpër arkiva dokumentet dhe dëshmitë relevante për këtë kufi dhe jo vetëm për këtë.

Të gjithë ata që duan e dinë se pas vitit 1989, kur u suprimua autonomia e Kosovës dhe sidomos gjatë viteve ‘90, Serbia e Mali i Zi kanë zhdukur, kanë modifikuar dhe kanë fshehur dokumente relevante sidomos lidhur me krimet e tyre, me pronat dhe me kufijtë. Prandaj grumbullimi i dokumentacionit kërkon shumë punë e shumë kohë në mënyrë që të mos përsëriten gabimet si me Komisionin e parë, të cilit, siç po shihet, nuk i janë siguruar as ekipet e nevojshme të ekspertëve të të gjitha fushave, nuk i janë dhënë as mjetet e duhura financiare e sidomos nuk i është lënë koha e nevojshme për t’i shkuar hulumtimeve deri në fund. E fajin për këtë nuk e ka Murat Meha, por Hashim Thaçi.

Prandaj Komisionin e ri duhet ndihmuar me çdo gjë që është e nevojshme, duke angazhuar ekipe plotësuese ekspertësh, përfshirë këtu edhe ekspertë të jashtëm, duhet siguruar mjete të bollshme financiare. Dhe sidomos, duhet ta lënë ta kryejë punën e vet, në qetësi. Deri në fund. Pa presione e shantazhe.

Kjo është jo vetëm në interesin e Kosovës, por edhe të Malit të Zi. Sepse marrëveshjet e dyshimta si kjo e Thaçit, nesër mund t’i rrezikojnë seriozisht marrëdhëniet mes dy vendeve.

5

Ajo që po e “harrojnë” kalemxhinjtë e ndryshëm është se “dialogu” me Serbinë si dhe Marrëveshja për kufirin janë bërë nën hijen dhe trysninë e Gjykatës Speciale, së cilës Hashim Thaçi nuk do të mundë t’i shpëtojë qoftë nëse i nxjerr në pazar edhe fëmijët e tij. Dhe ky fakt nuk e gëzon asnjë shqiptar me mend në krye. Por, gjithashtu dihet se kur do që të dalë nga burgu i Hagës, Thaçi do të ballafaqohet edhe me drejtësinë në Kosovë, sepse deri atëherë këtu nuk do të mundë të mbijetojnë gjyqtarë e prokurorë maskarenj të emëruar prej tij e që çdo ditë dëshmohen si sejmenë të krimit të organizuar.…

Enë ato rrethana do të nxirren para drejtësisë edhe urdhërdhënësit dhe dorasit e vrasjes së Ahmet Krasniqit, Behadin Hallaçit, Ibrahim e Rexhep Nikçit, Ekrem Rexhës, Shaban Manajt, Smajl Hajdarit dhe shumë të tjerëve,por edhe vrasësit e Astrit Deharit, i cili u vra mizorisht nga jeniçerët e Prontomafisë, me qëllim që t’ia vënë flakën Kosovës, si në marsin e vitit 2004, por kësaj radhe jo si atëherë, për ta marrë pushtetin, por për ta shpëtuar lëkurën e tyre të pistë.