OpEd

Partia që mbeti pa karamele

Mësimet që mund të nxirren nga rënia e partive klienteliste

“Unë karamele nuk kam me i dhanë më askujt”, ishte deklaruar kryetari aktual i PDK-së, Kadri Veseli, i pyetur nga mediat se çfarë mendonte për akuzat e një bashkëpartiaku të tij. Në mars të vitit 2015, tashmë i ndjeri Bajram Rexhepi, kryeministri i parë i Kosovës dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme, në një intervistë në “Rubikon” të KTV-së kishte deklaruar se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) së pari kishte kapur PDK-në e pastaj shtetin. Në kohën kur po jepte këtë intervistë, Rexhepi nuk mbante post qeveritar dhe pas pak kohësh iu kthye profesionit të tij të mjekut në institucionet shëndetësore të Mitrovicës. Këto akuza të bashkëpartiakut të tij, Kadri Veseli, i relativizonte si akuza normale të dikujt i cili ka mbetur pa pushtet, ose pa karamele. Veseli po e pranonte se dikur kishte pasur karamele (lexo: mundësi për të ofruar poste), por tash ato kishin filluar të pakësoheshin.

Historiku i PDK-së është historik i një partie e cila ka funksionuar me logjikën e karameleve. Karamelet zakonisht janë poste të ministrave e zëvendësministrave, këshilltarëve politikë, anëtarëve të bordeve, ambasadorë e konsuj, sekretarë ambasadash e ministrish, drejtorë ndërmarrjesh e komunash, certifikata veterani, poste profesorësh, dekanësh e rektorësh. Përveç zyrtarëve partiakë, shijen e këtyre karameleve e shijuan edhe anëtarë të partive të tjera të cilët aderuan në këtë parti, aktivistë të shoqërisë civile e profesionistë të mediave. Që nga ngritja në pushtet në fund të vitit 2007 e deri më tani, PDK-ja nuk ka funksionuar asnjëherë në bazë të një ideologjie të caktuar apo ndonjë parimi qeverisës. Përreth karameleve të PDK-së u bashkuan të djathtët e të majtët, ateistë e fundamentalistë fetarë, liberalë e konservatorë, ballistë e anti-fashistë, industrialistë e ambientalistë.

Në këtë mënyrë, PDK-ja arriti të forconte pushtetin për një dekadë. Kur karamelet kufizoheshin, PDK-ja rriti numrin e ministrive dhe posteve të zëvendësministrave, hapi nga një universitet publik në çdo regjion, themeloi ndërmarrje e agjenci, si dhe propozoi themelimin e shumë komunave të reja. Sot kemi universitete publike të cilat nuk kalojnë standardin minimal të akreditimit. Kemi ndërmarrje fantome, si Aeroporti i Gjakovës në të cilin nuk ngrihet e ateron asnjë aeroplan, apo ndërmarrje trenash me një tren për të cilin nuk ka buxhet që të furnizohet me karburant. Kemi agjenci absurde, si Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, buxheti vjetor i së cilës është mbi katër milionë euro. Kemi ambasada e konsullata të cilat prodhojnë skandale nga më të ndryshmet, siç ishte arrestimi në gjendje të dehur i një përfaqësuesi të Ambasadës së Kosovës në Zagreb, apo edhe arrestimi për trafik me armë e drogë i shoferit të Konsullatës në Nju-Jork. Krejt kjo për faktin se këto institucione nuk janë ngritur për të përmbushur një funksion të caktuar, por për të prodhuar karamele për njerëzit e partisë.

Por, karamelet shterojnë. Kur një parti ngrihet dhe funksionon në bazë të klientelizmit, anëtarësia dhe votuesit mësohen me logjikën e përfitimit personal. Nëse këtë nuk mund t’ia ofrojë partia, atëherë ku është logjika për të votuar një parti e cila nuk qëndron për asgjë, përveç për shpërndarjen e karameleve? Logjika e karameleve la PDK-në pa kandidat për kryetar të Komunës së Skenderajt, bastionin kryesor të kësaj partie. Fillimisht, kryetari i PDK-së i kishte premtuar ish-deputetit Nuredin Lushtaku kandidaturën për kryetar komune në Skenderaj. Në ndërkohë gjykata kishte liruar nga burgu kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pas lirimit shprehu haptas synimet për të kandiduar edhe për një mandat, si shpërblim për kohën që kishte kaluar në burg. Kjo kishte irrituar Nuredin Lushtakun, i cili kishte kërcënuar se do të kandidonte si i pavarur ose do të mbështeste kandidatët e tjerë. Duke parë rrezikun nga përçarja e mëtejshme për një post, PDK-ja vendosi të mos kandidonte askënd për kryetar komune. Në një komunë tjetër, atë të Kamenicës, me gjithë koalicionin formal në mes të PDK-së dhe LDK-së - dy partive që kanë qeverisur përmes karameleve për 17 vjet, qytetarët i dhanë votën një të riu i cili premtoi mënyrë tjetër të qeverisjes.

Rënien e parë PDK-ja filloi ta ndiejë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, kur rezultati zgjedhor e nxori atë si partinë e tretë. PDK-ja vazhdon të jetë pjesë e pushtetit falë aftësisë së nuhatjes së humbjes, duke hyrë në koalicion parazgjedhor, ku pjesën më të madhe të karameleve ia ofroi Ramush Haradinajt. Rënia vazhdoi edhe në dy raundet e zgjedhjeve lokale, ku sipas rezultateve preliminare, kjo parti ka humbur postin e kryetarit në gjashtë komuna. PDK-ja tani qeveris në Komunën e Ferizajt dhe katër komuna relativisht të vogla.

Rënia e PDK-së do të duhej të ishte mësim edhe për partitë e tjera, të cilat synojnë të kenë një jetë të gjatë në skenën politike të Kosovës. Por fatkeqësisht, Qeveria Haradinaj duket se është duke e vazhduar qeverisjen përmes karameleve. Emërimi i mbi 60 zëvendësministrave është vetëm hapi i parë i një serie të gjatë emërimesh, e cila do të pasohet nga emërime në institucione të tjera. Përderisa një metodë e tillë e politikëbërjes mund të jetë e dobishme për partinë në periudha afatshkurtra, ashtu siç e dëshmon edhe shembulli i PDK-së, në aspekt afatgjatë klientelizmi gërryen secilën parti për një arsye të thjeshtë: klientelizmi sjell përfitime të shpejta dhe të mëdha për një rreth të ngushtë njerëzish, në dëm të shumicës së qytetarëve. E hakmarrja e shumicës së qytetarëve është vota. E këtë vit vota e qytetarëve ishte votë ndëshkuese ndaj PDK-së. E tillë do të jetë edhe ndaj partive të tjera të cilat provojnë qeverisjen përmes karameleve.