OpEd

Postet e zëvendësministrave si asistencë sociale për zyrtarët e partive

Me 90 poste ministrore sa janë tani, nuk është larg dita kur Qeveria do të ketë më shumë anëtarë sesa Kuvendi

Na ishte një kohë kur Ekzekutivi përbëhej prej nëntë ministrive dhe nuk kishte poste të zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave. Oferta e partive politike ndaj individëve për t’i hyrë garës zgjedhore ishte shumë e kufizuar. Krejt çfarë mund të të ofronin partitë ishte një vend në krye të listave të mbyllura zgjedhore.

Kjo filloi të ndryshojë që në Qeverinë Haradinaj 1, në fillim të vitit 2005 kur filloi emërimi i zëvendësministrave të parë. Por deri më 2008, për secilën ministri ishte vetëm një zëvendësministër. Postet e zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave filluan të dalin nga kontrolli që në Qeverinë Thaçi 2, kur u emëruan gjashtë zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Këtë rekord të zi e theu Qeveria Haradinaj 2, e cila deri më tani ka emëruar 63 zëvendësministra, pesë zëvendëskryeministra dhe 21 ministra. Mesatarisht janë tre zëvendësministra në secilën ministri, por ka edhe ministri të cilat kanë nga gjashtë zëvendësministra. Asnjë vendim për emërimin e zëvendësministrave nuk është bërë publik në faqen zyrtare të Kryeministrisë.

Për publikimin e këtyre vendimeve u kujdesën vetë ata që u emëruan zëvendësministra, shumë nga të cilët publikuan me mburrje vendimet e nënshkruara nga kryeministri. Procesi i emërimeve ka dalë aq shumë jashtë kontrollit sa filluan edhe të dërgohen njoftime për emërime në adresa të gabuara, ashtu siç ndodhi javën e kaluar kur një zyrtar festoi gabimisht për një ditë të plotë. Rregullorja për fushat dhe përgjegjësitë e Zyrës së kryeministrit dhe ministrive u ndryshua tri herë brenda dy muajve, me qëllim që të akomodoheshin brenda saj ministritë e reja dhe të shtohen postet e këshilltarëve politikë në çdo ministri dhe Zyre të kryeministrit.

Tani, partitë politike, përveç një vendi në listat e hapura zgjedhore apo në garën për kryetar/e komune, mund të ofrojnë edhe garanci në rast dështimi në zgjedhje. Kjo garanci vjen në formën e një posti të zëvendësministrit, anëtar bordi në njërën nga ndërmarrjet publike, anëtar bordi në njërën nga të ashtuquajturat institucione të pavarura, apo edhe post ambasadori, konsulli, apo në fund të fundit edhe këshilltar politik. Zëvendësministri, anëtari i bordit, konsulli, zakonisht janë pozita të cilat ushtrohen nga burrat, andaj e kotë që këto pozita të shkruhen në të dy gjinitë.

Kostoja financiare nuk është e vogël. Në mungesë të një ligji për pozitat e zyrtarëve të lartë publikë, nuk kemi një dokument zyrtar i cili shpalos nivelin e pagave dhe të kompensimeve për postet e ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë. E vetmja mënyrë për të nxjerrë këto të dhëna është përmes formularëve të deklarimit të pasurisë. Nëse bazohemi në formularët nga vitet e kaluara, atëherë del se paga e kryeministrit sillet rreth 17.300 euro në vit, paga e një ministri sillet deri në 15 mijë euro në vit, pagat e zëvendësministrave deri në 10 mijë euro, pagat e këshilltarëve politikë deri në 8.000 euro, pagat e nëpunësve të kabineteve deri në 4.140 euro dhe pagat e vozitësve deri në 2.040 euro.

Çdo ministër ka të drejtë të shpenzojë deri në 6.000 euro në vit në dreka zyrtare, kurse zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë deri 2.400 euro, respektivisht 1.200 euro. Përveç kësaj, çdo ministër ka të drejtë të shpenzojë deri në 4.800 euro në vit për telefoni mobile dhe fikse, zëvendësministrat deri në 3.000 euro në vit dhe shefat e kabineteve deri në 3.500 euro. Nuk ka ndonjë kufizim për shpenzimet për karburante për vetura.

Kur llogariten të gjitha këto, atëherë del se brenda një mandati qeverisës, për të gjitha postet ministrore shpenzohen deri në 21.5 milionë euro në një mandat qeverisës. Duke marrë parasysh se gjysma e ministrive janë ministri të panevojshme si dhe dy të tretat e të gjitha posteve të zëvendësministrave dhe këshilltarëve, atëherë rreth 15 milionë euro do të mundë të kurseheshin vetëm nga eliminimi i posteve të panevojshme ministrore. Sa për krahasim, buxheti vjetor për ndihmat sociale të 30 mijë familjeve është 27 milionë euro në vit.

Emërimi i zyrtarëve publikë në pozita të paarsyetuara nga aspekti qeverisës, përveç kostos financiare ndikon edhe në uljen e besimit në qeverisje dhe vështirësi në koordinim. Një zyrtar publik i cili merr pagë të pamerituar, njëkohësisht ndikon edhe në disponimin e zyrtarëve të tjerë publikë, të cilët janë dëshmitarë të mospunës dhe të dëmit financiar të personave që sillen me kravatë, japin urdhra, shpenzojnë buxhetin për dreka, kërkojnë të kenë asistente, voziten me vetura zyrtare, e më irrituesja për zyrtarët në ndërtesat shumëkatëshe të Qeverisë: thirrja e ashensorit me urgjencë.

Përmes kartelave speciale, ministrat dhe zëvendësministrat mund të thërrasin ashensorin, i cili nuk ndalet në asnjërin nga katet e ndërmjetme, dhe me urgjencë dërgon dhe largon nga zyrat e tyre ministrat dhe zëvendësministrat, duke i lënë të presin të gjithë zyrtarët e tjerë publikë të cilët kanë një punë për të kryer. Sjellja e papërgjegjshme e zëvendësministrave ndikon edhe në humbjen e besimit të qytetarëve në qeverisje. Në jo pak raste, qytetarët kanë qenë dëshmitarë se si zëvendësministrat me veturat e tyre zyrtare kanë kryer pazaret e shtëpisë apo edhe i kanë prirë dasmave me ato vetura, kanë përdorur kartelat zyrtare të kreditit (të destinuara vetëm për përdorim jashtë vendit gjatë udhëtimeve zyrtare) për të blerë mall për shtëpi në supermarkete, e madje edhe për të paguar pushimet verore jashtë vendit.

Numri i posteve të zëvendësministrave mund të rritet edhe më tej pas zgjedhjeve të raundit të dytë në nivel lokal, kur edhe një seri e humbësve mund të marrë strehimin në Qeveri. Me 90 poste ministrore sa janë tani, nuk është larg dita kur Qeveria do të ketë më shumë anëtarë sesa Kuvendi. Kësisoj, postet e zëvendësministrave janë shndërruar në strehë për humbësit politikë; në një lloj asistence të kushtueshme sociale. Pavarësisht asaj se është obligim kushtetues, Ligji për Qeverinë ende nuk është aprovuar. Të gjitha qeveritë deri më tani kanë dëshmuar se pa ndonjë kushtëzim nga jashtë, nuk janë të interesuara që të shtyjnë përpara çështje me rëndësi, si është Ligji për Qeverinë, Ligji për pagat e zyrtarëve të lartë publikë, luftimi i korrupsionit, ndryshimi i ligjeve të rëndësishme zgjedhore. A duhet që gjithçka në këtë vend të shtyhet përpara vetëm duke e bërë pjesë të kushtëzimit për liberalizim vizash?