OpEd

Serbia dhe përbindëshi nga Banati

Kush është, pra, gruaja “mbeturinë” (sipas “Telegrafit” serb), që e keqpërdori mikpritjen e Beogradit (“Politika”) dhe – siç shkruajnë pak a shumë të gjitha gazetat – e ofendoi Serbinë?

Të dielën u mbyll Panairi i 62-të i Librit në Beograd, ndërsa bilanci i tij pak a shumë tingëllon kësisoj: kryeqytetin e Serbisë e vizitoi një përbindësh. Kjo përshtypje, sipas të gjitha gjasave, do të duhej t’u imponohej konsumatorëve të mediave serbe. Përbindëshi, sipas tyre, e ka emrin Herta Müller – e rritur në Rumaninë fqinje dhe fituese e çmimit “Nobel” për letërsi. 

Zonja Müller sivjet ishte mysafire nderi e Panairit të Librit në Beograd, e për ta prezantuar atë te banorët e “Qarkut të Dyshit” në fillim të këtij manifestimi tradicional u organizua një panel në Teatrin Jugosllav të Dramës. 

Kjo mbrëmje e la në hije – me të drejtë apo jo, kjo tash është një çështje tjetër – pjesën e mbetur të Panairit. Kush është, pra, gruaja “mbeturinë” (sipas “Telegrafit” serb), që e keqpërdori mikpritjen e Beogradit (“Politika”) dhe – siç shkruajnë pak a shumë të gjitha gazetat – e ofendoi Serbinë?

Herta Müller u lind dhe u rrit në një fshat gjerman në pjesën rumune të Banatit. Si rioshe kaloi në Temishvar, ku studioi dhe punoi. Kur pas maltretimeve shumëvjeçare prej anës së shërbimit të zbulimit të Ceausescut “Sekuritatee”, më 1987 më në fund iu lejua ta braktisë Rumaninë dhe të vendoset në Berlin, ajo ishte në mes të tridhjetave. Përvojat nga parajsa e errët e varfërisë së Rumanisë komuniste e shënuan jetën dhe letërsinë e saj. 

Herta Müller – e keqtrajtuar prej “Sekuritatee”, e marrë në pyetje, e dëbuar nga shoqëria, e kërcënuar me arrestim dhe vrasje sepse refuzoi të bëhej spiune – këtë përvojë të dhunës e bart me vete si një lloj lëkure të dytë të vetën. Bëhet fjalë për një përvojë që e ka shënuar edhe marrëdhënien e saj me politikën. 

Ajo nuk është pacifiste 

Mülleri nuk është pacifiste. Po që besimi i saj në fuqinë e brohoritur të fjalëve vlen vetëm përbrenda letërsisë së vet, vetëm se me gardhe. Në librin “Mein Vaterland war ein Apfelkern”, botuar më 2014, Herta Müller shpalos një botëkuptim më të gjerë të brendshëm në 230 faqe: për jetën e saj dhe estetikën. Aty figuron një pasazh i rëndësishëm: Këtu, në Gjermani, shumica mendojnë se të folurit ndihmon shumë dhe prandaj duhet folur për gjithçka. E krejt derisa flasim me njeri-tjetrin, mbase, luftë nuk do të ketë. Në këtë nuk besoj. 

Të njëjtin botëkuptim autorja e konkretizon në një intervistë për të përditshmen gjermane “Die Welt””, të marsit të 2015-s: “Kur mbërrita në Gjermani, jo rrallë jam përballur me bindjen qëllimmirë se duhet bashkëbiseduar mjaftueshëm gjatë me njeri-tjetrin dhe prapë jo rrallë me atë se duhet kuvenduar që gjithçka të shkojë më së miri”. Përveç kësaj, këtu është shprehur edhe qëndrimi: “Për aq kohë sa bisedohet, nuk do të shtihet” – sikur njëra e nënkupton tjetrën.

Kushdo që e ka të ditur këtë deklaratë nuk do të befasohet nga pozicionimi i Herta Müllerit për sa u përket luftërave në Ballkan. Më 1995, në “Rovolt”-in e Hamburgut u botua një përmbledhje e eseve “Uria dhe mëndafshi”, e cila përfshin dhjetëra tekste politike të kësaj autoreje. 

Mülleri tani sigurt do të protestonte dhe të thoshte se të gjitha tekstet e saj janë politike. Kjo është e vërtetë, por në “Uria dhe mëndafshi” është ruajtur forma e teksteve që nuk janë as rrëfime e as romane, por fjalime, artikuj gazetash dhe paraqitje nëpër simpoziume. 

Në dy prej këtyre teksteve Herta Müller merret me luftërat në Jugosllavi. I pari u botua më 1992 në “Die Tageszeitung” të Berlinit, një e përditshme majtiste e Gjermanisë. Nëse dikujt i është tekur që të gjejë “skandal” në tekstet e saj për Jugosllavinë, atëherë ai sigurt edhe do ta gjejë këtu. Përveç shumë vështrimeve adekuate, autorja në një pjesë i shkruan edhe këto fjali për opozitën kundër Slobodan Milosheviqit: “Kushdo që në biografinë e vet nuk e ka përvojën me diktaturën, ai te studentët serbë të mbledhur në rrugët e Beogradit sheh vetëm demonstratë të inspiruar nga paqja, e mendon se flasin vetëm për frikën e tyre se izolimi do t’i privojë nga produktet e konsumit. Dhe as edhe një fjalë për luftën nuk e kanë shqiptuar”. 

Kjo me të vërtetë është një shuplakë e padrejtë për të gjithë ata që qysh nga fillimi e kundërshtuan politikën luftarake të Slobodan Milosheviqit dhe bandës së tij, e të cilët më në fund e rrëzuan më 5 tetor të 2000-s. Fare nuk duhet ta njihni Serbinë për të kuptuar se pretendimi se në Serbi më 1992-n ekzistonin vetëm mbështetësit e Milosheviqit apo opozitarët e orientuar kah konsumi, nuk është i saktë. 

E njëjta vlen edhe për një tjetër fjali në këtë tekst, që thotë: “Shteti i Titos ishte i definuar nga nacionalizmi, e në aspektin nacional ishte gjithnjë serb”. Kushdo që shkruan diçka të tillë, ose as që e njeh kushtetutën e 1974-s ose as nuk mund të konsiderohet realisht i informuar për vendin – apo nuk ka kuptuar. 

Nga ana tjetër, në këtë tekst të parë ekzistojnë edhe pasazhe që janë kryesisht të sakta apo të paktën interesante për debatim: “Edhe sa kohë do të flitet për ‘taborët armiqësore’ me qëllim që të projektohet fajësia e dyanshme?”, pyet Mülleri më 1992 dhe thotë: “Kroatët, myslimanët dhe serbët janë në të njëjtën masë të përfshirë krejtësisht pamendësisht, në mënyrë katastrofale dhe verbëruese, në vrasje, masakrime dhe tortura. E meqë të gjitha këto ndodhin në territorin e Kroacisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës, meqë në pasditet verore të Beogradit njerëzit rrinë nëpër kafene dhe lexojnë në gazetat serbe lajme për fitore, sikur të bëhet fjalë për rezultate sportive, e në prapavijë nuk dëgjohet asnjë e shkrepur dhe asnjë fytyrë nuk duhet të shpërfytyrohet nga frika e vdekjes, (...) të gjitha këto mbulohen me vellon e fjalës”.

Edhe në esenë e saj të dytë për Jugosllavinë, më 1994, fituesja e mëvonshme e “Nobelit” për letërsi, fatkeqësisht, i ngatërron vrojtimet e mençura dhe tërbimin e arsyeshëm moral me gjykime të padrejta: “Kjo popullatë civile, që në Beograd shëtit nëpër rrugët e paprekura ndonëse nga pak të shkreta, prej kohësh e ka përjashtuar fjalën ‘civile’”, shkruan ajo për shoqërinë serbe, ndërsa vazhdon: “Nuk ka opozitë serbe kundër kësaj lufte”. Dëm që atëherë nuk ishte asnjë redaktor, i cili këto fjalë të Herta Müllerit do t’i përjashtonte prej tekstit, duke e pasur parasysh faktin se sa dëm i shkaktojnë besueshmërisë në pasazhet e tjera të saj. 

Jetoja gjatë të nëntëdhjetave të shekullit të shkuar në Rusi, kështu që Serbinë e Milosheviqit e njoh vetëm nga rrëfimet. Por aq shumë raporte kam lexuar dhe aq shumë dëshmi kam dëgjuar saqë besoj se ato vite – të cilat, në fund të fundit, as në Rusi nuk ishin shumë më ndryshe – mund t’i kuptoj. 

E kishim shtetin serb, i cili në shtetet fqinje kreu apo mbështeti krime të tmerrshme, por kreu dhunë edhe kundër vetë popullatës së vet: derisa nëpër rrugët e qyteteve serbe pushtetin e kishin demat gjysmëanalfabetë e pompozë të veshur me tuta – po ashtu edhe nga rrethi i shefit të sotëm shtetëror, Aleksandar Vuçiq – qytetaria modeste e vendit rrinte e heshtur dhe e pafuqishme nëpër banesa, mbijetonte me paga dhe pensione prej rreth dhjetë markash gjermane. Dhe i duhej të duronte që të sundohej prej njerëzve, të cilët, në shtete dhe kohëra normale, për arsye të shumta do të vendoseshin nëpër burgje apo qendra adekuate psikiatrike. Për të tillë njerëz në greqisht ekziston shprehja “Ochlocracy”, që e ka kuptimin e sundimit të vrullit, masës, mbeturinës. 

Eseja e 1999-s dhe buja e 2017-s

E çfarë është tjetër përpos “Ohlokracisë” vendi në të cilin sundon Milosheviqi, ku Vojislav Shesheli e luan rolin e shefit të opozitës, ndërsa televizionet e transmetojnë dasmën e një psikodelikuenti mega-kriminel dhe një këngëtareje provinciale të turbofolkut? Psikopati më pas u pushkatua, e emri i këngëtares, tani, nuk më bie ndërmend, por lexuesve më të moshuar sigurisht se do t’u kujtohet. 

Mirëpo, shikuar nga rrethanat e tilla, konstatimi, si ai i Herta Müllerit, se nuk ka ekzistuar kurrfarë opozite serbe kundër plaçkitjes morale dhe financiare të shtetit serb dhe të krimeve të saj të luftës në Bosnje, Kroaci apo në Kosovë, është jo fer dhe i gabuar. 

Nga ana tjetër, Herta Müller, me këndvështrimin e saj të ashpërsuar në Rumuni karshi regjimeve diktatoriale, megjithatë i ka vënë me plot elokuencë shumë gjëra në vendin e vet. Kështu e ka kritikuar Kishën Ortodokse, e cila njëkohësisht edhe e nxit e edhe e ushqen urrejtjen, kështu që qysh më 1994 ka parashikuar: “Milosheviqi dhe Karaxhiqi nuk do t’i lihen vetvetes. Së shpejti bota do të flasë edhe për Kosovën dhe për Maqedoninë. Tash bota po flet për Bosnjën”.

Në esenë e tretë dhe më të gjerë për Jugosllavinë, të cilën më 1999 e publikoi “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), Mülleri përveç të tjerash e konstaton me korrektësi atë që shumica sot tashmë e kanë harruar: lufta e NATO-s nuk e kishte për synim rrëzimin e Milosheviqit. Sikur aleanca më e fuqishme ushtarake e botës të donte ta vriste prijësin e një shteti të vogël, herët apo vonë do ta eliminonte lehtësisht me një sulm nga ajri. Synimi i sulmeve të NATO-s ishte që nga Kosova ta dëbonte soldateskën serbe, të cilën gjë edhe e arriti. Për Millosheviqin, Herta Mülleri më 1999 shkroi se me të assesi nuk duhet pasur bisedime: “Kushdo që brenda nëntë vjetësh bën katër luftëra, kushdo që me aq pragmatizëm ndërton varre derisa të tjerët ndërtojnë rrugë, kushdo që e ka një shprehi të tillë që të vrasë – sikur vrasja e njeriut të jetë e njëjta gjë sikur të pish një gotë ujë – atij nuk mund t’i zihesh për fjalë e as nuk është i denjë të vizitohet nga njerëz të mëdhenj”. Më 1999 Müller shkroi edhe: “Derisa bombat bien, në televizionin shtetëror emitohet ‘Lista e Schindlerit’, ndërsa shikuesit serbë identifikohen me hebrenjtë në kampet e përqendrimit. Me poshtërsinë e paparë, zyrtarët e televizionit shtetëror nga vuajtjet e hebrenjve qepin kostum të viktimës për serbët”. 

Me këtë deklaratë të Herta Müllerit mund të pajtoheni apo jo – por a nuk duhet debatuar për të në një shtet të lirë?

Kush është ai që debatin për këtë gjë do ta mbysë me “argumentin” se Herta Mülleri i ofendoi “serbët”? Kush krenohet të vendosë, e lë të dalë ku të dalë, se “të gjithë serbët” duhet dhe do të jenë të ofenduar?

Të gjitha ato që Herta Mülleri i tha për Kishën Ortodokse Serbe atë natë në Teatrin Jugosllav të Dramës, ishin dukshëm më të padëmshme se rreshtat e saj në esenë e 1999-s, por prapëseprapë shkaktuan bujë në Serbinë e 2017-s. Përveç tjerash, ajo aty tha se “beson” (jo se e di) që Kisha Ortodokse ka qenë “tepër shumë e përzier” në “ngjarjet” e viteve nëntëdhjetë. A është ky skandal? A është kjo deklaratë aq ofenduese sa nuk ia vlen as të mendohet nëse ndoshta është edhe e vërtetë?

Reagimet që ringjallin Milosheviqin 

Sonja Biserko, e cila ishte zotuar për të drejtat e njeriut derisa të tjerët ishin zotuar për krijimin e Serbisë së Madhe, ka thënë se Kisha Ortodokse serbe “gjatë luftës, nëse asgjë tjetër, ka pasur rol kundërthënës, veçanërisht në Bosnje, më saktësisht në Republikën Serbe. Një prej shembujve të rolit kundërthënëse të Kishës në luftërat e viteve ‘90 është rasti i murgut Gavrilo nga Shidi, i cili i bekoi “Akrepat”, luftëtarët me uniforma dhe me armë. Pjesëtarët e njësitit “Akrepat” jo shumë kohë më pas kryen krime lufte kundër myslimanëve të ngujuar në rrethinën e Srebrenicës”.

Shembulli i dytë është fotografia e famshme, në të cilën peshkopi Pavlle më 1995 mban një meshë në Sokoc për Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mladiqin. Sigurisht: ka ende serbë të cilët shohin te Mladiqi një serb të ndershëm, i cili e përmbushi besnikërisht obligimin e vet – mbrojtjen e serbizmit. Edhe pse ky obligim në Srebrenicë – fatkeqësisht, fatkeqësisht! – ishte përmbushur me pushkatimin e disa mijëra boshnjakëve. Është shumë për keqardhje, por ndonjëherë për Atdhe duhet, ja, të jeni edhe paksa më konkretë – e kush di ta bëjë këtë më mirë se ne, gjermanët. Për njerëzit, të cilët kështu mendojnë, ajo që tregon rasti i Pavlles, si kryebekues shpirtëror i Karaxhiqit dhe Mladiqit, nuk është skandal. 

Por, kur është puna te të tjerët po: a i ka ofenduar vërtet Herta Mülleri me deklaratat e saj Kishën dhe serbët, siç mund të lexohet në shumë media serbe – si dhe në malin e postimeve në të ashtuquajtura rrjete sociale? A mos mbase ajo vetëm i quajti kryerësit e atëhershëm dhe jatakët ashtu siç edhe janë? 

Shumë serbë u janë aq besnikë ligjeve saqë as në trolejbusë nuk do të hynin e të mos e paguanin biletë, e lëre më të mbështesin krime lufte – a i ka ofenduar Herta Mülleri serbët e tillë? Apo ndoshta pikërisht ata, të cilët edhe sot e kësaj dite pretendojnë se serbët në gjithë këtë histori kanë qenë vetëm viktima, e kurrë kryerës? Mund ta merrni me mend: populli, i cili gjithnjë ka qenë viktimë, që prej shpikjes së rrotës, përgjatë lindjes së Krishtit e deri më 1999: është e qartë se kushdo që gjatë historisë ka përjetuar aq shumë përvoja të këqija, herëdokur bëhet lëkurëhollë. 

“E çfarë ndodh me krimet ndaj serbëve, për shembull masakrën në Kravice më 1993 dhe keqbërjet e tjera të njerëzve si Naser Oriqi, në të cilat disa qindra serbë janë vrarë në mënyrë shtazarake. Pse nuk flitet për to?”, pyesin patriotët e nënçmuar dhe të ofenduar, sa herë që të përmenden krimet serbe. E saktë: as klima shoqërore në Zagreb, Prishtinë apo Sarajevë nuk është më e mirë sa herë që tentohet të bisedohet për krimet ndaj popujve të tyre. Edhe aty vlojnë shovinistët, të cilët janë të shurdhër dhe të verbër karshi vuajtjeve të civilëve serbë. Dhe të cilët i vënë në pah pikë së pari vuajtjet e vetë popujve të vet. Por, kush në fakt dëshiron të ketë punë me elemente të tilla, qoftë në Zagreb, Beograd apo në Sarajevë?

Apo mbase synohet krijimi i njëfarë ysti me anë të shembujve të mirë e krimet e kryera në emër të popujve të mund të shikohen në sy, ashtu që të kërkohej më denjësisht pranimi i vuajtjeve personale? 

Kisha, sikur të donte, do të mundë ta luante me këtë rast rolin e prijëses, por ajo zor se do të bëhet e tillë. Rreth rolit të Kishës Ortodokse, Sonja Biserko konstaton: “Kisha ka përfituar hapësirë marramendëse publike dhe mediale pas 5 tetorit. Pritej që ajo ta shpërfaqte shumë më tepër qëndrimin e vet etik karshi së shkuarës jo fort të largët, sepse kjo është pikërisht ajo hapësirë ku bashkësitë fetare janë më të thirrura që të deklarohen publikisht. Këtu problemi qendror është marrëdhënia karshi krimeve të luftës, karshi trashëgimisë kriminale të epokës së Milosheviqit. Fatkeqësisht, Kisha këtu nuk u tregua, ndonëse ka mundur të kishte rëndësi të veçantë, sepse fjala është jo vetëm për dilema ligjore, por edhe për dilema të rëndësishme morale. 

Për fat, nuk ekziston vetëm një Serbi e mbërthyer në mënyrë agresive në petkun e vetëvajtimit, të cilin e përfaqëson Nemanja Kusturica dhe shovinistët e tjerë të talentuar, por edhe ajo Serbi e grave të forta si Natasha Miçiq, e cila e publikoi në “Danas” artikullin me titull: “Pse i duhet Serbisë Herta Mülleri”, e në të cilin thotë: “Milosheviqi e nisi në Gazimestan ciklin e vet nacionalist, luftarak, i cili përfundoi prapa grilave të Hagës, ku vdiq. Sot, bazuar në reagimet ndaj Herta Müllerit, ai është më gjallë se kurrë”. Dhe Miçiq pyet: “E çfarë tha ashtu Herta Mülleri e që nuk ishte e vërtetë?”

Kjo pyetje vërtet u fundos në entuziazmin e gjithëmbarshëm rreth “paraqitjes skandaloze”. Njëra prej frazave kryesore të Herta Müllerit në Teatrin Jugosllav të Dramës thoshte: “Ky shtet i shkaktoi të këqija vetvetes, e edhe serbët vetvetes i shkaktuan shumë të këqija e që sot duhet të jetojnë me to. Kur i shoh gratë nga Srebrenica edhe sot më dhemb zemra”.

Kush mund ta konsiderojë një fjali të këtillë “skandaloze” – atëherë cila pra është normale?

Pritja e nobelistes me thikë 

Pikërisht këtë pyetje e shtron edhe Natasha Miçiq: Çfarë është ajo që shkaktoi dridhje tektonike në opinionin serb kur, me rastin e Panairit të Librit, kjo mysafire u shfaq në Beograd? Pse e pritëm fituesen e “Nobelit” me thikë, të etur për gjakun e saj, duke ia numëruar rruazat e gjakut dhe duke e kontestuar si personalitet, si shkrimtare dhe duke ia sharë nënë e baba? Si u shndërruam, brenda nate, në kasaba që mezi priti ta gjuaje me gurë, pa u menduar fare se sa jemi edhe vetë mëkatarë? E a nuk foli pikërisht për këtë Herta Mülleri, se vetë jemi fajtorët më të mëdhenj për gjithë ato që na gjetën në periudhën e transicionit?”

Për Natasha Miçiqin deklaratat e Müllerit tregojnë “se nuk jemi vërtet të gatshëm as ta dëgjojmë të vërtetën, e aq më pak të përballemi me të. Po, vërtet as këto dy dekada nuk kanë qenë të mjaftueshme që ne vetë, pa njëfarë Herta Mülleri, të pranojmë se si u gjendëm aty ku jemi sot – në pothuajse të njëjtin vend si edhe në fund të shekullit të shkuar”.

Duke e përcjellë gjatë këtyre ditëve këtë debat nuk kam mundur të mos mendoj rreth një fraze të Mirjana Mioçinoviqit. Zonjën Mioçinoviq shpesh e etiketojnë si “të venë e Danilo Kishit”, por kjo nuk është e drejtë për këtë grua, sepse ajo është shumë më tepër sesa një etiketë e burrit të saj të famshëm – ajo është përfaqësuese e Serbisë vërtet liberale, grua që njerëzit nuk i ndan në popuj apo pranime (“ata serbë”, “ata gjermanë”, “ata hebrenj”), sikur të ishin tufa bagëtish. 

Ajo ka shkruar një herë se “inteligjenca serbe është pjesa më e keqe e popullit serb, se i bart në vete të gjitha karakteristikat më të këqija shpirtërore, se është e helmuar me paragjykimet që ua përhap të tjerëve nëpërmjet institucioneve që i drejton (kultura, arsimi, mediat), se është kjo një inteligjencë, që në parim e ka rrënjosur armiqësinë dhe urrejtjen ndaj të tjerëve, prapa së cilës nuk fshihet asgjë tjetër përveçse frika e zhveshur prej atij tjetrit. Sipas gjykimit tim, ajo është më fajtore se kushdo tjetër për këto ngjarje, të cilat shpënë drejt asaj që ajo sot e quan ‘martirizim i popullit serb’”.

Për fat, ky gjykim i ashpër për inteligjencën serbe është vetëm pjesërisht i saktë, sepse pikërisht figurat si puna e Mioçinoviqit dhe të tjerëve janë dëshmia më e mirë që i kundërshton këto teza. 

Deskriditimi me faktet “e nënkuptuara” 

A mundet rrugës të nxirret ndonjë gjë si mesazh nga gjithë ky debat? Nuk e di. Por nga moria e komenteve, që mbinë këtyre ditëve, më duket veçanërisht interesant njëri që vepron me ato metoda, të cilat Herta Mülleri i ka përshkruar aq shpesh në librat e saj për Rumaninë. Në një artikull në “Danas” – të cilën gazetë e çmoj shumë – autori ka shkruar: “Herta Müller nuk e ka merituar assesi që gjatë fjalimit në Teatrin Jugosllav të Dramës t’i ekspozohet një kryqëzimi të tillë moralo-politik” dhe me këtë rast e shtoi edhe dyshimin e tij se dikush – nga bina apo nga publiku – doli t’ia përmendte babanë nazist dhe t’i thoshte se edhe vetë ka lidhje të dyshimta me “Sekuritatee”-në.

Autori ka plotësisht të drejtë në një gjë: Herta Müller nuk meriton që dikush t’i dalë me aludimet se ka qenë bashkëpunëtore e “Sekuritatee”, sepse të gjitha problemet e saj janë krijuar pikërisht pse nuk ka dashur të punonte për shërbimin e zbulimit të Ceausescut. Babai i saj vërtet ishte ushtar i SS-së, mirëpo kjo gjë nuk mund t’i vishet asaj, sepse pikërisht këtë temë jo rrallë e ka trajtuar në librat, esetë dhe intervistat e saj. E meqë është kështu, askush në Teatrin Jugosllav të Dramës nuk i shtroi Herta Müllerit pyetje të tillë, as nga bina dhe as nga publiku – këto pyetje ekzistojnë vetëm në kokën e një autori, i cili shkruan për ngjarjen në të cilën mori pjesë e për të cilën nuk ka asnjë lidhje. Për t’i shmangur keqkuptimet është gjithnjë mirë kur një autor e shkruan atë që mendon. E aq më mirë kur mendon para se të shkruajë çfarëdo qoftë. 

Për Herta Müllerin, thënë haptas, nuk përbën kurrfarë risie fakti se në mënyrë keqdashëse ndërlidhet me “Sekuritatee”-n. Ajo ka shumë armiq në Rumani, e ata tash e një kohë të gjatë po provojnë – deri tani pa sukses – t’ia mveshin këtë lidhje. Sikur ta kishin të paktën një fakt fare të vogël kundër saj, me të cilin do të mundë të dëshmohej se ka qenë spiune e “Sekuritatee”-s, armiqtë e saj qysh moti do t’ia nxirrnin në media. As 28 vjet pas rënies së Ceausescut, armiqtë e Herta Müllerit nuk kanë mundur ta krijojnë këtë lidhje. Në vend të kësaj, në Rumuni ekziston një tjetër metodë për diskreditimin e autores: nëse nuk ke fakte, atëherë nënkuptoji. “Nënkuptimi” është një fjalë shumë finoke që përdoret në vend atyre që e kanë kuptimin e shpikjeve dhe intrigave prej më të ulëtave. 

Dushmanët e saj thonë: po ajo qysh më 1982 ka guxuar ta botojë librin e saj në Rumani, gjë kjo që ishte e mundur vetëm nëse keni pasur lidhje të ngushta me “Sekuritatee”-n. Me këtë ata aludojnë në librin e saj të parë të botuar më 1982, që ishte shkruar dhe censuruar deri në thelb. 

Po ashtu ia mveshin faktin se më 1987 ka guxuar të zhvendoset nga Rumania në Gjermani: “Sekuritatee” ka mundur fare lehtë ta ndalonte, por nuk e bëri. Ajo që këta llafazanë natyrisht se nuk e thonë është: Republika Federale e Gjermanisë ka kërkuar si pagesë për secilin gjerman të Rumanisë, në këmbim të lejes për zhvendosje, një shumë deri në 16.000 marka, që ka vlejtur veçanërisht për rastet e rënda politike. 

Për Ceausescun, shitja e gjermanëve – sidomos atyre me peshë politike, të cilët ka dashur t’i heqë qafe – ishte model i të bërit biznes. 

Shpikje dhe intriga, kur dëshmi nuk ka – për konsumatorët e tabloideve serbe kjo metodë nuk është e panjohur. Nuk do të befasohesha sikur pikërisht këtë metodë, të cilën shkrimtarja e njeh nga Rumania, ta përdornin edhe individët në Serbi. Ata që nuk pajtohen me ato që autorja i mendon dhe i thotë. 

Kur Herta Mülleri nuk mund të sulmohet drejtpërsëdrejti, atëherë do të pretendohet se është agjente e “Sekuritatee”-s. S’ka lidhje që për këtë nuk ka kurrfarë dëshmie – do të ngulitet në kokat e lexuesve. Një dredhi e moçme që gjithnjë funksionon. 

Në fund: ky debat flet shumë më tepër për një pjesë të madhe të shoqërisë serbe sesa për Herta Müllerin. E bija SS-istit ia dhuroi shoqërisë serbe një pasqyrë. Individët, të cilët u shikuan në të, e panë fytyrën e tyre të shëmtuar. Atë të cilën e zëvendësuan me të Herta Müllerit. 

(Michael Martens është korrespondent i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe ishte njëri prej moderatorëve të panelit me Herta Müllerin në Teatrin Jugosllav të Dramës në Beograd. Botohet me lejen e autorit. Përktheu: Nita Lleshi)