OpEd

Të aplikohet vetëm në kafshë

Për paranë publike, e cila shpenzohet në aparat masazhe për pushtetarë, kurse në rëntgen kafshësh për qytetarë

Në fillim të muajit mars të vitit 2013, në kohën kur Komuna e Kamenicës po hynte në vitin e fundit të qeverisjes nga z.Shaip Surdulli (LDK), komuna shpalli tender për ndërtimin e një objekti të ri të qendrës së mjekësisë familjare. Ky objekt do të ndërtohej në fshatin Roganë, një ndër fshatrat më të mëdha të kësaj komune. Sipas dosjes së tenderit, punimet duhej të kryheshin brenda një viti.

Përveç ndërtimit, kompania punëkryerëse obligohej që të pajiste qendrën edhe me një rëntgen. Hartuesit e dosjes së tenderit, kërkonin një punëkryerës, i cili kishte njohuri nga ndërtimtaria, por njëkohësisht duhej të kishte njohuri edhe në aparaturat mjekësore. Për ta specifikuar se çfarë rëntgeni kërkohej, kryetari Surdulli, një matematikan me profesion, kishte printuar një fotografi të një rëntgeni marrë nga interneti dhe të njëjtën e kishte dërguar tek Zyra e Prokurimit që të përfshihej në dosjen e tenderit. Pasi që ishte përzgjedhur rëntgeni nga një matematikan dhe ishte përzgjedhur kompania ndërtimore, e cila përveç çimentos do të furnizonte QMF-në edhe me aparate mjekësore, punët mund të fillonin.

Pas një viti, qendra e mjekësisë familjare ishte ndërtuar. Në përfundim të punimeve nuk ishte Shaip Surdulli që të presë shiritin e inaugurimit. Vendin e tij e kishte zënë Begzad Sinani (PDK), i cili doli fitues në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Për t’u kompletuar me sukses punimet, mbetej që kompania ndërtuese të sillte edhe rëntgenin. Dhe e kishte sjellë një të tillë. Komuna kishte kryer obligimet financiare ndaj punëkryerësit, duke e përmbyllur me sukses këtë investim.

Kur personeli mjekësor po bëhej gati të fuste në përdorim rëntgenin e ri, vënë re se rëntgeni ishte për kafshë. Në të shkruhej “For veterinary use only”, të përdoret vetëm për kafshë. Edhe pse asnjë institucion publik i shëndetësisë në Kosovë nuk ofron kujdes për kafshë, Komuna e kishte pranuar një rëntgen të tillë.

Ky skandal u bë i ditur për publikun vetëm gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti, kur kandidati i Vetëvendosjes për kryetar e ngriti këtë si shqetësim në njërin nga debatet televizive. LDK-ja dhe PDK-ja filluan akuzat ndaj njëra-tjetrës se kush është fajtorë që qytetarëve të Kamenicës i është servir një rëntgen për kafshë. PDK akuzonte LDK-në se nuk e kanë specifikuar në tender se çfarë rëntgeni nevojitej, kurse LDK-ja e akuzonte PDK-në përse e kanë pranuar një rëntgen të tillë. Në fund, pas raundit të parë të zgjedhjeve, në Natën e Halloween, këto dy parti paralajmëruan koalicionin para balotazhit, me synimin për të vazhduar qeverisjen e përbashkët edhe për katër vjet, pas 17 vjet qeverisjeje me rotacion.

***

Për këto 17 vjet korrupsioni në Kosovë ka marrë format më të çuditshëm. Vite më parë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës u dënua për korrupsion, ngase kishte përdorur buxhetin shtetëror për të vendosur dhëmbët e porcelanit dhe për të blerë syzet me dioptri. Në çdo fundvit, organizata të ndryshme buxhetore shpenzojnë buxhetin për blerjet më absurde të mundshme. Në prag të festave të fundvitit 2016, kompania rajonale “Pastrimi” kishte blerë 40 shishe “Whisky Ballantine’s” në vlerë prej 10.30 eurosh për shishe dhe 40 lapsa në vlerë prej 11.20 eurosh për copë. Ministria e Integrimit Evropian kishte paguar 17.5 euro për një çadër. Ministria për Komunitete dhe Kthim kishte shpenzuar 1.500 euro për blerjen e një aparati për masazh, kurse Divizioni për Prodhimin e Qymyrit në KEK kishte blerë 2.464 bluza për punëtorët. Më e keqja, krejt këto shpenzime hyjnë në kategorinë e shpenzimeve legjitime, për aq sa për to ka proces të hapur tenderues.

***

Sipas të dhënave të fundit për varfërinë në Kosovë, mbi 316 mijë persona jetojnë nën kufirin e varfërisë, apo me vetëm 1.82 euro në ditë; kurse afër 100 mijë prej tyre jetojnë me më pak se 1.30 euro në ditë apo në varfëri ekstreme. Nëse parat e shpenzuara për “Whisky Ballantines” do të përdoreshin për zbutjen e varfërisë, dy qytetarë të Kosovës do të largoheshin nga varfëria ekstreme për një vit.

Por, kjo nuk është logjika e funksionimit të institucioneve qeverisëse. Institucionet të cilat me tender angazhojnë gjahtarë për vrasjen e qenve endacakë, po ato shpenzojnë me mijëra euro për blerjen e rëntgenit për kafshë për të trajtuar qytetarët. Rreth 7 mijë banorë të fshatit Roganë dhe fshatrave përreth, të cilët që nga 2014-a do të duhej që shërbimet e rëntgenit t’i kryenin në qendrën e mjekësisë familjare, detyrohen që të njëjtat t’i kryejnë në klinika private ose të udhëtojnë me kilometra deri tek qendra tjetër më e afërt e mjekësisë familjare.

Një pushtet i cili u shërben qytetarëve rëntgen për kafshë, nuk do të duhej të kishte hise në qeverisje në asnjë komunë të Kosovës. Një qeverisje e tillë do të duhej të ishte “for veterinary use only”.