OpEd

Sfida e kryetarit për të punësuar djalin e Gafurrit

Punësimi në sektorin publik si një formë tjetër e asistencës sociale

Komuna e Hanit të Elezit hyn në mesin e komunave të vogla. Si komunë e re, ajo ka rreth 10 mijë banorë. Është komuna e vetme e cila që tri mandate qeveriset nga një kryetar i cili nuk bën pjesë në asnjë parti politike.

Ata që e njohin nga afër, tregojnë se kryetari i njeh pothuajse të gjitha familjet në territorin e komunës, e cila përbëhet nga qyteza dhe dhjetë fshatra. Përveç kësaj, gjatë tërë këtyre viteve të qeverisjes, z.Suma gjithnjë ka mbajtur një afërsi me qytetarët, duke mos lejuar që statusi i kryetarit të ndikojë në krijimin e një distance më të madhe me të qeverisurit, ashtu siç ka ndodhur me çdo kryetar tjetër, në të gjitha komunat. Gjithashtu, kryetari Suma nuk e ka përdorur buxhetin e komunës për të rritur luksin personal.

Telefoni i tij mobil nuk është i trendëve më të fundit, vetura e tij zyrtare nuk përdoret për kryerjen e punëve personale, e as kartela e kreditit e cila i takon çdo zyrtari të lartë publik nuk përdoret nga ai. Madje, me humor, z.Suma e pranon se rrogën e tij e tërheq përnjëherë në fillim të muajit në bankë, duke mos dashur të ketë punë me bankomat. Këto veprime të tij kanë bërë që z.Suma të zgjidhet për mandatin e tretë qeverisës. Madje, dy zgjedhjet e fundit i ka fituar pa balotazh, duke mos zhvilluar asnjë ditë fushatë.

Por qeverisja e kryetarit Suma nuk është e përkryer, ashtu siç mund të lërë përshtypjen përshkrimi i mësipërm. Gjendja e rëndë sociale e familjeve të Komunës së Hanit të Elezit, sidomos familjet e dëshmorëve bëjnë që punësimet në sektorin publik në Han të Elezit të bëhen në bazë të statusit social, e jo në bazë të meritës.

Në një debat televiziv gjatë fushatës zgjedhore, një ndër kandidatët për kryetar komune e akuzoi z.Suma se nuk ka treguar mjaft kujdes për gjendjen ekonomike të familjeve të dëshmorëve. Kryetari u përgjigj se ka punësuar nga një anëtar të secilës familje të dëshmorëve. “Djemtë e Gafurrit, a janë të punësuar?”, pyet kundërkandidati i z.Suma, duke mos i besuar asaj që thoshte kryetari. Kryetari Suma ia kthen se e ka punësuar njërin nga djemtë e tij, por ai ka lënë punën. Kjo përgjigje nuk e kënaqi kundërkandidatin për kryetar komune, i cili disa vite më herët ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për vjedhje të votave, duke e kritikuar z.Suma se përse nuk ka tentuar që ta punësojë atë person pesë herë!

Ky debat i zhvilluar në njërin nga televizionet nacionale, nuk shpërfaq kulturën e politikëbërjes vetëm në Komunën e Hanit të Elezit, por është mënyrë se si bëhet politika “këndej pari”. Zgjedhjet e 2013-s për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i fitoi duke premtuar punësimin e një anëtari nga çdo familje. Njëra ndër partitë e koalicionit qeverisës në nivel qendror, partia NISMA, garoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të qershorit 2017 me premtimin kryesor se do të punësonte një anëtar nga çdo familje. Madje, ky premtim ka gjetur vend edhe në Programin Qeverisës 2017-2021, si pjesë e objektivave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Premtime si këto tregojnë më së miri se si fitohen zgjedhjet në Kosovë, dhe se punësimi në sektorin publik është vetëm një formë tjetër e asistencës sociale.

Pjesa më e madhe e mbi 7.000 kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë të kuvendeve komunale, kanë zhvilluar një fushatë zgjedhore e cila bazohet në kryerjen e favoreve personale: më ndihmo të zgjidhem kryetar komune ose këshilltar në Kuvend komunal, të ndihmojë me gjet një punë në administratë apo në ndonjë shkollë. Pas debateve televizive, kandidatët për kryetarë komunash zbathin këpucët dhe ulen këmbëkryq nëpër oda.

Partitë, të cilat kanë rrjet të shtrirë në çdo fshat, e kanë më së lehti që të organizojnë këto takime në çdo lagje. Edhe më tej, LDK-ja dhe PDK-ja janë partitë me shtrirjen më të gjerë në nivel vendi. Këto dy parti kishin edhe numrin më të madh të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë të kuvendeve komunale. PDK-ja kishte 30 kandidatë për kryetarë komunash dhe 967 kandidatë për këshilltarë në kuvendet komunale; kurse LDK-ja kishte 28 kandidatë për kryetarë dhe 898 kandidatë për këshilltarë.

Këto parti, në strukturat e tyre kanë edhe “pleqtë e katundit”, ose familje të cilat kanë një autoritet joformal mbi bashkëvendësit e tyre. Edhe pse jo e menduar ndoshta në këtë mënyrë, kjo është metoda më e mirë e marketingut. Ashtu siç e ka shpjeguar mjaft mirë Malcolm Gladwell në librin e tij “The Tipping Point”, mënyra më e mirë për të përhapur mesazhin dhe për të fituar mbështetje është duke bërë aleatë ata që njihen si “connectors”, apo ata që “ju shkon fjala”. Edhe pse gjithnjë e më shumë të rinj po e shfrytëzojnë të drejtën aktive të votës, prapë se prapë Kosova është në një stad të bërjes politikë odash.

Madje këtë formë të fushatës e shfrytëzon edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka anëtarësinë më të re në krahasim me çdo parti tjetër. Deputeti i kësaj partie, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore publikoi një video-incizim të gjatë, i cili pasqyronte fushatën këmbëkryq në oda. E kërkesa e elektoratit të odave janë kërkesa personale dhe familjare: punësimi i një anëtari të familjes si mirëmbajtës në një shkollë, shtrimi i rrugës së lagjes, ndarja e një burse për një student të familjes, futja e dikujt në listat e ndihmës sociale.

Shteti modern karakterizohet nga qeverisja jopersonale e joklanore. E qeverisja në Kosovë ende nuk ka arritur në këtë nivel. Kosova më shumë i ngjan një shteti “neo-patrominal”, të cilin Francis Fukuyama e definon si shtet i cili nga jashtë duket si shtet modern, ngase ka administratë, institucione gjyqësore, organizon zgjedhje, por në realitet ky lloj shteti nuk arrin asnjëherë të largojë personalen dhe klanoren nga qeverisja. Punësimi i të gjithë personave të aftë për punë duhet të jetë objektiv i çdo partie e çdo Qeverie në nivel lokal e qendror. Por kjo nuk mund të arrihet me metoda të asistencës sociale, por të përgatitjes profesionale.