OpEd

Krim(b)i në Polici

Kjo nuk është Policia e besimit qytetar. Është e frikës. Këta që keqpërdorin pozitën dhe milionat e buxhetit të Policisë nuk janë policët. Janë kriminelët brenda saj. Policët janë ata që rrezikojnë jetën për çdo ditë e nuk kanë as sigurim shëndetësor

Para vitit 2000 s’ka dashur kush t’i dalë punë me uniformën e policit. Pas këtij viti ajo qe tjetër hesap. U pati dashur kohë bile që njerëzit të mësoheshin me realitetin e ri - që një polic të ta zgjasë dorën për të ndihmuar e jo për të goditur. Për vite të tëra Policia e Kosovës gëzoi nivelin më të lartë të besimit të qytetarëve, krahasuar me institucionet e tjera. Por, vetëm brenda vitit të fundit kjo besueshmëri u përgjysmua. Trendi i rënies nisi disa vjet më parë.

Sot Kosova numëron rreth 10 mijë policë. Për shumicën e qytetarëve ata janë adresa e parë që i drejtohen kur janë në telashe. Janë gratë e burrat që dhanë betimin si mburoja të rendit në shtetin e ri, e të qytetarit të dalë prej një lufte ku policët rrihnin e vrisnin.

Policia e Kosovës qe një dëshirë e plotësuar.

Shumë pjesëtarë të saj dhanë jetën në detyrë. U vranë për shkak se ndoqën njerëz të ngritur mbi drejtësinë, e sepse shkelën në tokën ku udhëheqësit e politikës kosovare nuk ia dolën ta shtrinin shtetin. Janë heronjtë mbi gjakun e mundin e të cilëve sot shkelet. Janë ata që ndërtuan besueshmërinë, të cilën e keqpërdorin strukturat e interesit përbrenda vetë Policisë.

Arsyet e rënies së besimit qytetar në polici nuk janë të veç një natyre. Aty gjenden forma e lloje nga më të ndryshmet të dallavereve e keqpërdorimeve.

Policia tronditi qytetarët më 2009, kur u plaçkit përbrenda dhe nuk e zuri kush hajnin. Nuk u vodh dhoma e dëshmive, sa besimi në të. Nuk shkoi shumë e u plaçkit sërish. Në Pejë. Përgjegjësit që nuk u kujdesën për dhomën u identifikuan dhe ata ende vazhdojnë punën në polici.

Pasuan skandalet e tenderëve. Më 2011 u zbuluan dallavere në tenderin për importin e armëve dhe municioneve. Askush nuk dha përgjegjësi. Aktakuza ndaj tre zyrtarëve të Policisë e dy biznesmenëve u hodh poshtë, pasi Prokuroria nuk u ishte përmbajtur afateve ligjore të hetimit. Zyra e Auditorit më 2012 pati konkluduar se edhe tenderi për furnizim me autoblinda ishte i kurdisur. U raportua edhe për ngritjen e çmimit të tenderit për uniforma nga 6 në 13 milionë, më 2014. Në pyetje kishin qenë specifikat e tenderit, p.sh. 8 në vend të 6 vjegëzave të pantallonave, që e ngritën çmimin për 7 milionë. Parregullsi pati pasur edhe në tenderin për këpucë. Hetime nisën edhe për tenderë të ndërtimit të objekteve e riparim të poligonit për gjuajtje me armë zjarri. Ndërkohë tenderë iu dhanë kompanive e personave të dyshimtë që paraprakisht kishin qenë të përfshirë në mashtrime. Përfshirë njerëzve të afërt të biznesmenit që mashtroi Policinë me topin e ujit më 2009, kur në vend të automjetit specifik ua bëri gati një kamion transporti me një top uji të modifikuar në të. Bëhet fjalë për miliona euro.

Sivjet doli në shesh edhe skandali i disa zyrtarëve policorë pa shkollë të mesme, por me fakultet. Njëri nga ta vazhdon të punojë në Polici. Raportime në media e reagime të shoqërisë civile nxiti edhe fakti që një numër i madh zyrtarësh të Policisë, madje ata në pozitat më të larta, nuk e kaluan testin e verifikimit nga Agjencia e Inteligjencës. Nuk u bë e qartë se në çka kanë qenë të përfshirë që AKI-ja të mos ua japë dritën e gjelbër, por gjykata u doli në përkrahje dhe të tillët, sot e asaj dite, vazhdojnë ta drejtojnë forcën që qytetarët mbajnë shpresa në të.

Kohëve të fundit, ndonëse gjasat janë që ka nisur kaherë, janë ngritur shqetësime për presionin që hetuesit policorë e bëjnë duke keqpërdorur pozicionin e vet për interesa të personave e klaneve të caktuara. Zyrtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit, që njihet si Gjykata e Tenderëve, publikisht kanë thënë se janë nën presion të vazhdueshëm nga Policia e cila, sipas tyre, është instrumentalizuar nga kompani të caktuara private. Një denoncim publik bëri edhe Universiteti i Prishtinës të mërkurën, kur në mesin e atyre që u bëjnë presion në vendime të karakterit akademik e futi edhe Policinë. Pa dyshim skandali më i madh, të cilin e zbuloi muaj më parë gazetarja e “Kohës Ditore”, mbetet ai i dyshimit për përfshirje të drejtorit të Krimeve Ekonomike në një rast të mbylljes së hetimeve me para. Bëhet fjalë për 100 mijë euro në shkëmbim të burgut. Ndonëse është në hetime, ai ende punon në Policinë e Kosovës. Zëdhënësit e Policisë kanë thënë se ndaj tij është zbatuar ndëshkueshmëri dhe madje duke ia ndërruar sektorin. Nga mbi 1 300 ankesa që vitin e kaluar i ka shqyrtuar Inspektorati i Policisë së Kosovës, vetëm 55 raste kanë dalë të kenë elemente korruptuese apo keqpërdorim të detyrës zyrtare. Rastet nuk bëhen publike, por ka pasur të tilla që kanë rrjedhur në media e që është zbuluar afërsi mes udhëheqësve të Inspektoratit e zyrtarëve që hetohen.

Për keqpërdorimin e pozitës zyrtare nga hetues policorë ka alarmuar edhe shoqëria civile. Instituti i Kosovës për Drejtësi ka folur për dy lloj praktikash. Njëra e përpilimit të dosjeve të mëdha e pa përmbajtje për persona të caktuar me qëllim të ngritjes së kallëzimeve penale dhe “aktakuzave persekutuese” ndaj tyre. E tjetra, sipas IKD-së, shkatërrimi i provave dhe dëshmive për të amnistuar politikanë, kolegë të tyre, apo biznesmenë të fuqishëm.

Kjo ka çuar në fenomenin e dështimit të shumicës së kallëzimeve penale pasi janë proceduar në prokurori. Vitin e kaluar rreth 60 për qind e kallëzimeve penale të Policisë janë hedhur poshtë nga prokurorët. Këtë vit përqindja ka arritur në më shumë se 70.

Nuk janë veç mediat e shoqëria civile që ngrenë zërin për Policinë. Javën që shkoi ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, e ka kritikuar atë për mungesë të bashkëpunimit në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Sa ka qenë kryetar i Gjykatës ka treguar se 80 për qind e lëndëve janë vjetërsuar për shkak se Policia nuk ua ka sjellë personat e kërkuar.

“Nëse ke defekte në Polici, është e pamundur që të luftohen krimi i organizuar dhe korrupsioni, për faktin se aty prishen provat, aty çorientohen hetimet”, ka thënë ai.

Kjo nuk është Policia e besimit qytetar. Është e frikës. Këta që keqpërdorin pozitën dhe milionat e buxhetit të Policisë nuk janë policët. Janë kriminelët brenda saj. Policët janë ata që rrezikojnë jetën për çdo ditë e nuk kanë as sigurim shëndetësor.

brikenda@koha.net