OpEd

Mbi transformimin në ushtri

Kosova natyrisht duhet të lëvizë vetë gurët e vet. Pra pa pritur shumë. Kosova duhet të sillet si e pjekur, të jetë proaktive e jo reaktive. Dhe proaktivitet është inicimi i bërjes së ushtrisë, të sjelljes së agjendës sonë në tavolinë. Po qe e tillë, e sinqertë dhe pa hile kalkuluese, natyrisht

-1-

Bërja eventuale, përfundimisht, e ushtrisë, do të ishte një lajm shumë i mirë në këtë kohë. Ushtria, si akt e si formë, do të plotësonte një pjesë të rëndësishme të bërjes së shtetësisë sonë. Në fakt, do të përbënte atë më të rëndësishmen, të sigurisë e të ruajtjes së sovranitetit tonë.

Plotësimi i shtetësisë, natyrisht, do të duhej të shihej dhe nga partnerët ndërkombëtarë si një akt i domosdoshëm. Mbi të gjitha, si akt jo i negociueshëm me kundërshtarët e shtetësisë sonë. E në negocim, për tri vitet e fundit, partnerët ndërkombëtarë kanë kaluar kohë. Ideja e bindjes së Beogradit, për të bindur më pas Listën Serbe në Kosovë, ishte shterur me kohë. Beogradi, si për shumë gjëra të tjera që lidhen me progresivitetin në Kosovë, s’ka asnjë interes të negociojë. Nëse ka, do të negociojë për një kosto që tejkalon përfitimet eventuale të shtetësisë. Si, për shembull, bërja e një njësie të veçantë e të pavarur komanduese, me karakter regjional për Veri, brenda formacionit ushtarak të Kosovës, diçka që në thelb ushqen autonominë e separatizmin në Veri.

Këtë javë kosovarët u gjendën përballë një situate të paprecedentë. Komandanti suprem i Forcave të Kosovës, presidenti pra, duke anashkaluar secilin kanal qeverisës, secilin ministër e vet kryeministrin, kishte dorëzuar te kryeparlamentari draftin e një ligji për transformim, draft që, nga shumë ekspertë të fushës u quajt dhe amator.

Reagimi i parë ishte i partnerëve të koalicionit, të cilët s’kishin as më të voglën ide se çfarë po ndodhte. Të zënë në mes të përkrahjes dhe mospërkrahjes, herë e përkrahën, herë e kundërshtuan atë. Në fund s’folën gjë. Por folën të tjerët, ndërkombëtarët rend. NATO-ja dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet dy ambasadave në rajon – Kosovë e Serbi – kundërshtuan këtë nismë. Vuçiq tha se qau me lot, kur kuptoi se sa shumë kanë ndryshuar balancat në rajon – në favor të Serbisë e tha. Presidenti ynë, ndërsa, theksoi se kthim prapa s’ka.

-2-

Tri vjet më parë transformimi i FSK-së mund të bëhej me Kushtetutë. Për këtë kosovarët duhej të sakrifikonin edhe një mandat të vendeve të rezervuara për komunitetin serb. Në retrospektivë gjërat ndoshta dhe duken të llogaritura keq. Në retrospektivë pakkush do ta ketë menduar regresin politik të minoritetit serb e ardhjen e një Liste Serbe që nëpërmjet mekanizmave kushtetues për mbrojtjen e pakicës, promovon rrënimin e mosndërtimin e Republikës. Në fakt, është pikërisht kjo qasje e tyre që do të bëjë të pakapërcyeshme përplasjen në të ardhmen. Sot, ushtrisë, mund t’i bëjmë dhe kapërcim për ndërtim. Por kapërcim s’mund t’i bëjmë secilit proces tjetër shtetndërtues që kërkon aprovimin minoritar, aprovim që u është dhënë në mirëbesim për ndërtim të Republikës, jo për rrënim të saj.

Plani i dytë gjithnjë ka qenë amendamentimi i ligjit ekzistues, nëpërmjet të cilit do t’i shtoheshin kompetencat mbi sovranitetit Forcës aktuale të Sigurisë. Pra, propozimi i nisur rishtazi nuk është alien e i panjohur për kosovarët e ndërkombëtarët njëtrajtësisht. Ka qenë, gjithmonë, alternativë.

Ky amendamentim do të bënte gjithë formacionin aktual të FSK-së, në karakter tipik ushtarak – pa që, emri, që ka fare pak rëndësi, s’do të përkonte me karakterin klasik të emërtimit “ushtri”. Jo pak formacione ushtarake botërore – me nam madje – mbajnë emërtime jokonvencionale. Izraeli, për shembull, që ka ndër formacionet më të fuqishme në botë, mban emërtimin “Forcat Mbrojtëse të Izraelit”. Kur jemi tek emri, s’kam se si të mos rikujtoj axhamillëkun tonë të politikëbërjes provinciale. Vite më parë kur ishte paraqitur ideja e emërtimit ”Forcat e Armatosura të Kosovës”, kritika më e madhe – madje edhe nga komandantë e gjeneralë tanë, që natyrisht do të duhej t’i dinin këto gjëra si hiçgjë – nuk ndërlidhej me karakterin e forcave, por me idenë se ky formacion s’e ka emrin “ushtri”, “ushtri e Kosovës”, madje kërkonin specifikisht. Kaq dinin të shkretët. S’dinin të shkretët se sot, pothuajse të gjitha forcat e vendeve të NATO-s, përfshirë dhe ato të SHBA-së e Britanisë, mbajnë emrin jo “ushtri”, por “Forca të Armatosura”. Për këtë kisha shkruar gjerësisht – në kohën e diskutimeve – vite më parë në këtë rubrikë.

Sidoqoftë, emri, s’ka hiç rëndësi. Rëndësi kanë dy gjëra. E para, bërja e saj, e dyta, mbajtja e saj. Ndonëse bërja e saj ka konsumuar kohë të paarsyeshme e të pashpjegueshme tash e nëntë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, përfundimi i aktit do të hapte betejën e mbajtjes së saj. Mbajtja e ushtrisë është e kushtueshme. Kërkon mjete financiare buxhetore, që Kosova s’i ka, dhe mbi të gjitha, kërkon partneritet ndërkombëtar me forcat garantuese të sigurisë rajonale – me SHBA-në dhe NATO-n në plan të parë.

Dhe këtu vjen, gjithmonë, domosdoshmëria e koordinimit ndërkombëtar gjatë fazës transformuese. Secili transformim, pa mbështetje të aleatëve tanë kyç rrezikon në thelb funksionimin e secilit mekanizëm mbrojtës tonin.

-3-

Transformimi pa ndryshime kushtetuese ka qenë gjithnjë në agjendë të aleatëve kyç të Kosovës. Jo patjetër të NATO-s. Për shkak të vendeve jo njohëse të Kosovës, NATO-ja në vazhdimësi ka refuzuar ndryshimin e mandatit të FSK-së. Madje, ka kërcënuar se secili ndryshim do të pasonte me ndërprerje të programeve mbështetëse për FSK-në. Si alternativë e një mbështetjeje të tillë, në agjendën e shteteve sponsorizuese të ndryshimit, ka qenë gjithmonë ndërtimi i relacioneve bilaterale me shtetet individuale.

Pra, sjellja e NATO-s ka qenë e pritshme. E papritshme, dhe madje skandaloze, ka qenë dhe deklarata e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Soltenberg, i cili u bënte thirrje “autoriteteve të Kosovës që për këtë çështje të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”. Një qëndrim i tillë, nga një sekretari i Aleancës, s’përkon me asnjë qëndrim të asnjë vendi që ka njohur Pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Diskutimi i çështjes së ushtrisë me Beogradin është ekuivalent me diskutimin e shtetësisë sonë me ta – të vet Pavarësisë. Rrjedhimisht absurd.

I papritshëm është, gjithsesi, qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit. Dhe këtu gjërat fillojnë të komplikohen. Nëse nisma e kosovarëve është bërë pa pëlqimin amerikan; dhe nëse kjo nismë rezulton me ndërprerjen e mbështetjes amerikane për forcat e ardhshme, atëherë llogaritja jonë është bërë tmerrësisht keq. Sepse, pa një mbështetje të tillë, forca e re e krijuar do të jetë krejt e pavlerë.

Kjo s’do të thotë që Kosova duhet pritur përherë rendet e jashtme për të bërë një element thelbësor si ushtria. Shihni ku na sjellin rendet e jashtme, sikurse kjo deklarata e tmerrshme e sekretarit të NATO-s për koordinim me Beogradin për ushtrinë. Kosova natyrisht se duhet të lëvizë vetë gurët e vet. Pra pa pritur shumë. Kosova duhet të sillet si e pjekur, të jetë proaktive e jo reaktive. Dhe proaktivitet është inicimi i bërjes së ushtrisë, të sjelljes së agjendës sonë në tavolinë. Po qe e tillë, natyrisht.

-4-

Po qe e tillë, natyrisht, e jo hile politike, e njerëzve që për arsye vetjake janë në gjetje e të gatshëm të rrezikojnë gjithë fatin e vendit tonë.

Nëse ky proces është bërë për të ngritur popullizëm e ndarje me partnerin qeverisës, për të bërë pra një aset për zgjedhje, atëherë ne kemi futur asetin tonë më të çmueshëm në zare partiake. Diçka e pafalshme për ne. Kosova nuk e ka luksin e konfrontimit me SHBA-në e NATO-n, përkundrazi, Kosova e ka për domosdoshmëri mirëmbajtjen e kësaj lidhjeje para Serbisë.

Nëse ky proces është bërë për të ndezur flakë, qoftë për shkak të ndonjë ndjekjeje speciale, të Gjykatës Speciale, qoftë për shkak të agjendave destabilizuese në vend, atëherë jemi edhe më keq. Jemi në fatin e qejfeve të disave, të gjithë bashkë.

Nëse ky proces është bërë në mënyrë amatoreske, pavarësisht motivit, dhe rrezikon hedhjen e ligjit poshtë nga Kushtetuesja, atëherë kemi djegur përherë letrën alternativë të SHBA-së për formimin e ushtrisë – vetë ligjin. Një ligj i hedhur poshtë nga Kushtetuesja do të mbyllë përherë një derë të lënë çelur.

Prandaj, është e domosdoshme, që elita politike kosovare të sigurohet për dy çështje. E para, për sinqeritetin e vendimmarrësve në këtë moment, dhe e dyta, për nivelin e mbështetjes për këtë çështje që ka, përtej deklaratave publike natyrisht. Ne mund të mbijetojmë pa ndonjë mbështetje programore afatshkurtër të NATO-s, në fund të ditës, përderisa kemi në prapavijë sponsorizimin e SHBA-së. Por s’mund të mbijetojmë, në asnjë mënyrë, të vetëm e pa asnjërën. Do të ishte vetëvrasje.

Komuniteti ndërkombëtar, duhet përfundimisht të ofrojë një rrugë të qartë. Kosova mund dhe të presë shkurt pjesëmarrjen serbe në këtë rrugëtim, por s’mund të presë e të tolerojë në pafundësi refuzimin e qartë e publik të serbëve në Kosovë. Në një situatë të tillë, s’mund të ketë anim nga refuzuesit e shtetësisë. Nëse pritja është e pafundme, atëherë kosovarët s’kanë për të pritur pafundësisht.

abdixhiku@facebook.com