OpEd

Krenarë me kriminelë lufte

Para syve të botës Serbia lartëson kriminelët e luftës si Vladimir Llazareviqin. Autoritetet e Kosovës heshtin – ose llomotisin për pajtim.

Në Nish, rreth 100 kilometra afër kufirit me Kosovën, të dielën, u mblodhën një bandë kriminelësh të luftës, një prijës i Kishës Ortodokse Serbe, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-ushtarë të Armatës së Serbisë, të cilët në vitet 1998/99 kanë lënë gjurmë të llahtarshme në Kosovë. U tubuan jo për të shprehur keqardhje për krimet e tyre, por për t’u lavdëruar me vrasjen e mijëra civilëve shqiptarë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili me vite të tëra ka hyrë e dalë nga Kosova si në bahçe të babës, tha se Serbia me asgjë nuk e ka provokuar “agresionin e NATO-s” dhe “kurrë nuk ka shkaktuar luftëra”: “Pikërisht për këtë Republika e Serbisë, ushtarët e saj, populli i saj vetëm mund të jenë krenarë për rolin e tyre në gjithë këto vite. Vetëm mund të jenë krenarë për më të mirët, për njerëzit që sot janë në Nish. Armata e Tretë, gjenerali Llazareviq, si dhe të gjithë ata që s’janë më me neve apo ata që janë diku larg kanë arsye të jenë të shënjuar dhe të dalluar si më të mirët në mesin e më të mirëve. Si më trimat mes kryetrimave”.

Nikolla Selakoviqi, sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “është kënaqësi e vërtetë të jesh i rrethuar me njerëzit që para 19 vjetësh kanë qenë në detyrë në të cilën i dërgoi shteti, në detyrë për të cilën janë përsosur, kanë mësuar dhe punuar gjatë gjithë jetës profesionale”.

Ndërsa po thuheshin këto fjalë, në publik i qeshte fytyra gjeneralit Vladimir Llazareviq. Ju kujtohet gjenerali Llazareviq? Një ekzistencë e mjerë që drejtonte Korpusin e Prishtinës të Armatës Serbe në fund të viteve ’90, në ditët e muajt më të errët të historisë së re të Kosovës, atëherë kur vetëm të qenit shqiptar i mjaftonte pushtetit dhe armëmbajtësve serbë për të të vrarë – në rrugë, në shtëpi, në dyqan, në kafene.

Në këtë “tubim veteranësh të vitit 1999” fjalën e mori edhe Llazareviqi. Ai tha: “Të pranishëm në numrin më të madh janë pjesëtarët e Korpusit legjendar të Prishtinës dhe të Armatës së Tretë heroike, komandantët e batalioneve të mëvetësishëm, brigadave, kolegjiumet e komandantëve të korpusit dhe të komandës së armatës. Për kënaqësinë tonë me neve janë edhe përfaqësuesit e shtetit tonë, dhe miqtë tanë biznesmenë, të cilët gjatë luftës ushtrinë e kanë përjetuar si të tyren dhe e kanë ndihmuar. Qëllimi dhe motoja e këtij tubimi është që të mos harrohet, të kujtohet, që ta lëmë kujtimin amanet për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme. E gjithë kjo me një qëllim konkret, sepse vitin e ardhshëm planifikojmë që Armata e Tretë të ketë një përkujtimore në formë të kishës, ku do të shënohen emrat e të gjithë pjesëtarëve të vrarë të Armatës së Tretë në mbrojtje të vendit”.

Në vitin 2009 Llazareviq u dënua me 15 vjet burgim për krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve të luftës dhe vepra të tjera johumane. Bashkë me të u dënuan edhe Nebojsha Pavkoviqi, komandant i Armatës së Tretë në vitin 1999, Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Jugosllavisë së cunguar, Dragolub Ojdaniq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe dhe Sreten Llukiq, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Në aktgjykimin e Tribunalit të Hagës, mes tjerash, thuhet se “në jug të Deçanit, në qytetin e Gjakovës, që nga fillimi i fushatës së bombardimeve të NATO-s forcat policore dhe Ushtria Jugosllave (në fakt serbe, v.j.) krijuan atmosferën e terrorit të përgjithshëm. Këto forca filluan të plaçkitin në mënyrë selektive dhe të djegin objektet, ndërsa forcat e Ministrisë së Brendshme të Serbisë vranë qytetarët shqiptarë të Kosovës, përfshirë edhe grupin prej 20 grave dhe fëmijëve në fillim të prillit në një bodrum në rrugën Millosh Giliq. Për këtë arsye një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës u arratis nga qyteti dhe shkoi në drejtim të kufirit shqiptar. Gjatë udhëtimit forcat e Ushtrisë Jugosllave dhe të Ministrisë së Brendshme ua morën dokumentet personale. Banorët shqiptarë të Kosovës nga fshatrat e Komunës së Gjakovës, po ashtu, në prill 1999 u dëbuan prej shtëpive të tyre nga forcat ushtarake dhe policore, sidomos gjatë operacionit të përbashkët në fund të atij muaji në rajonin e luginës së Rekës. Në kohën e atij operacioni pjesëtarët e policisë dhe Ushtrisë Jugosllave vranë një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve të Kosovës, dhe trupat e 287 njerëzve që në atë kohë u zhdukën nga Meja dhe rrethina më vonë u gjetën në varrezat masive në Batajnicë, afër Beogradit”.

Pasi vuajti dy të tretat e dënimit gjenerali Llazareviq në vitin 2015 u kthye në Serbi. Qeveria serbe dërgoi një avion në Hagë për ta marrë kriminelin e luftës – dhe në avion ishin ministri i Mbrojtjes dhe ai i Drejtësisë, ndërsa në aeroportin e Nishit ai u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, nga dinjitarët e Kishës Ortodokse Serbe, nga kryetari i qytetit të Nishit dhe nga udhëheqja e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit.

Në vitin 2017 Serbia vazhdon të jetë krenare me krimet dhe me kriminelët e luftës. Ata shihen si heronj, ndërsa krimet e shtetit serb në Kosovë mohohen nga zyrtarët më të lartë të Beogradit. Në të njëjtën kohë politikanë të ndryshëm të pushtetit në Kosovë flasin (më saktë: llomotisin) mbi pajtimin me Serbinë, pajtimin mes popujve, pajtimin mes shoqërive, shërimin e plagëve të luftës... Kjo retorikë po merr përmasa absurde. Pajtim mund të ketë vetëm nëse pala tjetër, në këtë rast Serbia, tregon gatishmëri minimale për t’u shkëputur nga e kaluara dhe për të mos i trajtuar si heronj ata që janë kasapë të popullsisë civile shqiptare në Kosovë. Kjo nuk po ndodh. Shembulli i tubimit në Nish është ndër më eklatantët. Ka akuza edhe ndaj shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe për krime në Drenicë, por ai vazhdon të qëndrojë në post. Përderisa vazhdon të mbretërojë ky mentalitet në Serbi, politikanët në Kosovë vetëm do të bëhen edhe më qesharakë me konferencat e tyre të shpifura për pajtim.