OpEd

Politika e improvizimit

Se demarkacioni është problem në Kosovë, e konfirmoi shefi ynë i diplomacisë Pacolli, në Podgoricë, ku autoritetet malazeze i luti për “mirëkuptim dhe durim”. Për çka saktë duhet të kemi durim – jo vetëm Podgorica, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët me vite po e paguajnë çmimin e politikave të improvizimit – kjo mbetet e paqartë

Për shumëkënd në Prishtinë mbetet e paqartë se çka kërkoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, këtë javë në Podgoricë. Të dëgjojë homologun e tij Srgjan Darmanoviq si i thotë se demarkacioni për Malin e Zi, është çështje e mbyllur? Po i njëjti, ky Darmanoviqi ia tha të njëjtën gjë këtij të njëjtit Pacolli vetëm disa ditë më parë, kur ata u takuan në New York, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara! Siç mund të paramendohet me siguri se i njëjti Pacolli ia shpjegoi të njëjtit Darmanoviq atë, që ministri i Jashtëm i Malit të Zi ka kohë që e di: se rreth ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit mes dy vendeve në Prishtinë po thyhen shtizat politike deri në atë masë sa që është pothuaj e pamundur të votohet në favor të një marrëveshjeje të tillë.

Natyrisht, është e qartë edhe që kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk mundet që brenda natës të ndërrojë qëndrim rreth kufirit, me gjithë faktin që ai tani është në koalicion me ata që edhe e nënshkruan atë marrëveshje para dy vjetësh. Nuk mundet, sepse pikërisht ai është kundërshtari kryesor i Marrëveshjes së nënshkruar, që insistoi se me të Kosova humb rreth 8.000 hektarë territor, dhe se kufiri i vërtetë është në Çakorr dhe Kullë – një gjë kjo, të cilën ai, si kryeministër, vazhdon ta thotë.

Sigurisht, mund të ndodhë që Haradinaj kurrë mos të ndërrojë qëndrimin, dhe që i gjithë rrëfimi rreth demarkacionit të mbetet i pazgjidhur deri sa të jetë ai në pushtet, e me të edhe qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të presin në radhët e gjata para ambasadave evropiane për viza. Përveç, nëse Mali i Zi nuk e ndërron qëndrimin e vet, apo nëse BE-ja nuk vendos se nuk është e drejtë që demarkacioni të jetë kusht për liberalizim vizash. Por një gjë e tillë momentalisht është në domenin e fiksionit.

E realiteti është diç krejt tjetër.

* * *

E gjithë kjo ka qenë e ditur apo ka qenë e pritshme edhe para se të votohet Qeveria e re e Kosovës. Ajo që për shumëkënd nuk është e qartë, është arsyeja pse Haradinaj qysh në ditët e para pas ardhjes në krye të Qeverisë vendosi të hapë demarkacionin, si temën e tij kryesore politike, duke thënë se gjërat do të rinegociohen me Podgoricën, dhe se e gjithë kjo do të përmbyllet për pak muaj, andaj dhe vendimi i parë i kabinetit të tij ishte të shkarkojë Komisionin e deritanishëm për demarkacion me Malin e Zi, dhe një javë më pas të emërojë një Komision të ri.

Duke e ditur qëndrimin e pandryshuar të Malit të Zi, por edhe të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, këto lëvizje nuk ishin logjike. Natyrisht, ratifikimi i demarkacionit është kushti i papërmbushur i Kosovës për liberalizim vizash. Por nuk është i vetmi. Secili diplomat evropian edhe publikisht do ta thotë se rezultatet e prekshme në luftë kundër korrupsionit janë kushti shumë më i rëndësishëm për heqjen e vizave me vendet e zonës Schengen, andaj dhe ka shumë që pyeten pse demarkacioni është prioritet, ndërsa lufta kundër korrupsionit jo?

Apo ndoshta pushtetarët tanë dinë diçka që askush tjetër nuk e di?

Nuk jam shumë i sigurt për këtë. Më parë do të jetë se bëhet fjalë për një improvizim politik.

* * *

Me tashmë disa vite prej se merremi me diç që në fakt nuk është dashur të shndërrohet në problem. Së pari, Qeveria e mëparshme e Kosovës e nënshkroi Marrëveshjen, me gjithë paralajmërimet nga opozita që mos ta bëjë këtë pa arritjen e konsensusit, dhe më pas ajo Marrëveshje u mbajt larg syve të publikut, deri sa problem nuk u shndërrua në një krizë të brendshme politike, e cila ishte edhe shkaktari i drejtpërdrejtë për rënien e Qeverisë, në maj të këtij viti, dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, me ndihmën e të cilave Haradinaj erdhi në maje të pushtetit. Dhe tani ky qark, të themi vicioz, po mbyllet ashtu që sot në pushtet janë bashkë edhe kundërshtarët e demarkacionit me në krye Haradinajn, edhe ata që e nënshkruan atë dhe publikisht flisnin se marrëveshja duhet të ratifikohet – Partia Demokratike e Kosovës dhe presidenti i shtetit, Hashim Thaçi.

Ngjashëm është puna edhe me opozitën – Lidhja Demokratike e ish-kryeministrit, Isa Mustafa edhe sot insiston që demarkacioni i nënshkruar është i saktë, derisa partia më e madhe parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, paralajmëron pushtetin që të mos e sjellë rastësisht demarkacionin për ratifikim, sepse ashtu vetëm se do të fitojë një reprizë të ngjarjeve nga vjeshta e vitit 2015, kur deputetët kosovarë derdhnin lot nga gazi lotsjellës në Parlament.

Të gjitha palët gjatë gjithë kohës i janë mbajtur pozicioneve të veta, duke lejuar që të kalojnë shanset për zgjidhje me kohë të problemit, andaj dhe sot jemi aty ku jemi: demarkacioni është punë e kryer për Podgoricën, por edhe për Washingtonin, Brukselin dhe qendrat e tjera të bashkësisë ndërkombëtare. E Mali i Zi, në ndërkohë, është bërë dhe shtet-anëtar i NATO-s.

E atë, që demarkacioni është problem në Kosovë, e konfirmoi askush tjetër pos shefi ynë i diplomacisë Pacolli, gjatë vizitës në Podgoricë, ku autoritetet malazeze i luti për “mirëkuptim dhe durim”.

Për çka saktë duhet të kemi durim – jo vetëm Podgorica, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët me vite po e paguajnë çmimin e politikave të improvizimit – kjo mbetet e paqartë. Sepse, sikur edhe në çdo improvizim – qartë vërehet se kur ai nis, por kurrë nuk dihet se kur dhe si përfundon.

Posaçërisht nëse improvizojnë amatorët.

(Ky koment i kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në gazetën “Vijesti”, të përditshmen kryesore të Malit të Zi).