OpEd

Viktimat e milionave

Skandalet menaxheriale të QKUK-së dhe përfshirja e personave të tjerë të interesit, qoftë ndonjë mjek apo biznesmen, nuk kanë të bëjnë me vetëm keqmenaxhim. Janë rezultat i rrjeteve kriminale për zhvatjen e 80 milionëve në kurriz të pacientëve e madje edhe të mjekëve

Viktimat e sistemit të shëndetësisë, të shtatorit të këtij viti, qenë disa numra. Së pari u raportua për katër, pastaj për tri, dikur u tha që është edhe një. Për gjashtë ose për pesë të tjerë u tha se ishin në gjendje të rëndë. Të gjithë pësuan nga gazi mjekësor që iu shtua oksigjenit me të cilin u trajtuan derisa po u nënshtroheshin operacioneve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Si numra ata edhe humbën nëpër sensacionet e emrave të rinj që mbushën Qeverinë e porsakrijuar. Askush nuk e zuri në gojë rrëfimin pas këtyre vdekjeve. Kë e lanë pas dhe si e lanë. Askush nuk gjeti guximin t’i klasifikonte këto si vrasje, të dyshimta ose jo, të qëllimta ose jo. QKUK-ja madje me të shpejtë ua dha trupat familjeve dhe ata u varrosën pa u vërtetuar fare shkaku i vdekjes. Kishin vdekur në operacion, e në operacion mund të vdesë çdokush!

Pak ditë më vonë u ngritën dyshime, dhe këto, anonime. Trupat e tyre u zhvarrosën e iu bë autopsia. Familjarët u desh të varrosnin për herë të dytë të dashurit e tyre. Edhe ky rrëfim u tret në sensacionet e krijimit të Qeverisë së re.

Rastet e tjera kur pacientët pësojnë, qoftë nga gazi mjekësor apo nga ndonjë preparat tjetër, nga mungesa e barnave ose prishja e qëllimshme apo e paqëllimshme e aparaturave, nga neglizhenca apo joprofesionalizmi, nuk janë më as numra. Ato zhduken nëpër fletoret e muhabetet e inspektorateve dhe komisioneve të shumta etike e profesionale të Ministrisë së Shëndetësisë apo të QKUK-së. Zhduken para se të mbërrijnë te sistemi i drejtësisë, e edhe nëse ndonjë arrin deri aty, zhduket në joseriozitetin e këtij sistemi.

Ekziston një dallim i madh se si e shohin shëndetësinë qytetarët e si pushteti, si e shohin QKUK-në pacientët e si politika. Dhe, arsyeja e kaosit shëndetësor në Kosovë qëndron pikërisht te ky dallim.

Pacientët e shohin QKUK-në si shpresë për jetë. Politika e sheh si 80 milionë. Mbi shpresën për jetë, është më lehtë të nxirret diçka. Të blihet një ampulë “Noradrenalinë” 22 euro edhe nëse ajo kushton 2.78 euro; të servisohen aparatura për 300 mijë euro edhe nëse e reja kushton 270 mijë euro; të blihet material për stenta mbi një milion euro, e vetëm pesë pacientëve t’u vendosen stentat. E nëse keqpërdorimet zbulohen, kryesisht nga mediat, gjenden pastaj plot arsye për ta pajtuar drejtësinë dhe asnjë për të pajtuar qytetarët, sepse, siç kanë dëshmuar tashmë, ata nuk hidhërohen.

Ndërkohë të njëjtat struktura marrin pushtetin dhe lufta politike për QKUK-në vazhdon. Madje jo mes partive, po, në këtë rast, mes rrymave të vetë PDK-së. S’ka rëndësi a është daja apo axha, me rëndësi është se Qendra Klinike Universitare ka dështuar në menaxhim dhe rrjedhimisht në ofrim të shërbimeve.

Skandali i stentave u desh të fryhej aq shumë, saqë u bë fare e pakuptimtë që të injorohej elefanti midis dhome. Menaxherë, drejtorë e mjekë për vite të tëra ndërtuan rrjetin, i cili jo veç që i rropi pacientët, po edhe ua shkeli dinjitetin. Aq e gjerë u bë lënda, sa doli material që edhe Prokuroria e Shtetit të nxjerrë diçka për vete e të ngrihen dyshime për dallavere në sigurimin e përkthyesve për versionin serbisht të dëshmive të aktakuzës.

Skandalet e tjera që lidhen me skadimin e afatit të përdorimit të materialit shpenzues për stenta, filmave radiologjikë, “Macrogolit” (kontrasti që pihet para filmimeve) e ilaçeve të shumta që janë blerë qoftë për shkak të interesave të kompanive apo keqplanifikimit, janë zhdukur nëpër kohë. Ngjashëm edhe me refuzimin e donacioneve të huaja, e pastaj blerjen e miliona eurove të të njëjtave barna nga buxheti i QKUK-së. Janë zhdukur nga kujtesa e opinionit dhe e drejtësisë edhe vjedhja dhe stërshitja e citostatikëve, e albuminave e materialeve të tjera, përfshirë edhe donacionet. Ngjashëm edhe milionat e humbur në servisimin e aparaturave që edhe ashtu më shumë kanë qenë jofunksionale...

Ka edhe shumë të tjera dëme që i janë shkaktuar QKUK-së, pra pacientëve të saj, nga keqmenaxhimi e keqpërdorimi i pozitave udhëheqëse të kësaj qendre. Dëmi më i ri është humbja e tri jetëve, shkaku i gazit mjekësor, i cili në QKUK ka arritur duke i shpërfillur të gjitha procedurat për sigurimin e tij. Gazi oksidol iu administrua pacientëve të QKUK-së pa qenë fare në regjistrin e Agjencisë Kosovare të Produkteve Mjekësore; pa qenë në Listën Esenciale të barnave; pa kaluar nëpër procedurat e furnizimit përmes Barnatores Qendrore të QKUK-së; nga një kompani që nuk ka licencë për shitjen e tij dhe i blerë nga një prodhues që nuk ka licencë për shitje. Megjithatë, ka kohë që QKUK-ja furnizohet me këtë gaz. Atë e siguron nëpërmjet shërbimit teknik të saj, i cili ka në kompetencë të merret me mirëmbajtjen e ujësjellësit, kanalizimit të brendshëm e autoparkut.

Është dashur të vdesin tre njerëz që të hapet çështja e mospërfshirjes së oksidolit në regjistrat e AKPM-së, e në Listën Esenciale, si dhe çështja e mënyrës së furnizimi të QKUK-së me këtë lloj gazi.

Skandalet menaxheriale të QKUK-së dhe përfshirja e personave të tjerë të interesit, qoftë ndonjë mjek apo biznesmen, nuk kanë të bëjnë me vetëm keqmenaxhim. Janë rezultat i rrjeteve kriminale për zhvatjen e 80 milionëve në kurriz të pacientëve e madje edhe të mjekëve.

Një QKUK e menaxhuar mirë përveçqë do të ofronte kushte më të mira për njerëzit që trajtohen aty, do të ndërtonte një sistem funksional të përgjegjësisë etike e profesionale që i mungon kësaj qendre. Ku pacientët do të kishin pasur dinjitet e mjekët reputacion.

brikenda@koha.net