OpEd

Çmimi i rrymës në Kosovë: Kalkulim teknik apo politik?

E ardhmja e sektorit të energjisë dhe e Kosovës varet nga ekzekutimi, qasja dhe përkushtimi i nevojshëm për të përmbushur objektivat e vendosura. Në të kundërt, do të kemi të tjera pranime të gabimeve, dhe rajoni e bota që përshpejtojnë tranzicionin, do të na mundin!

Në vitin 2022, sektori energjetik i Kosovës u përball me problematika të theksuara e të vërejtshme, për shkak të krizave globale dhe joefikasitetit të brendshëm teknik. Infrastruktura e vjetruar, investimet minimale në burime të ripërtëritshme dhe kostot në rritje të energjisë elektrike të importuar e shtyn Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të propozojë tarifat e rishikuara të energjisë elektrike, duke rikthyer sistemin tarifor me blloqe për të inkurajuar zvogëlimin e konsumit.

Pesë vite më parë, të njëjtit njerëz të cilët kishin mbrojtur heqjen e bllok-tarifave po arsyetonin rikthimin e tyre, thuajse kishin kuptuar thënien e famshme “bota do t’ju mposhtë, deri sa të pranosh gabimin!” 

Procesi i përcaktimit të tarifave, i vitit 2022, nxori në pah edhe ndikimin politik në përcaktimin e kufirit për këto blloqe. Partia në pushtet propozoi ngritje të kufirit për këto blloqe. Ne nga shoqëria civile, që njëherësh kishim qenë ndër të paktë që kishim kundërshtuar heqjen e bllok-tarifave, kërkonim një model më të balancuar të blloqeve, deri në 600, 600 deri 1200 dhe mbi 1200 kw. Në fund, për çudinë e askujt, ZRRE-ja vendosi pikërisht për modelin që e kërkonte politika. Kjo, bashkë me shtypjen e çmimit të rrymës që ka ndodhur për shumë vite, ngre pyetjen nëse tarifat e energjisë elektrike në Kosovë janë të nxitura më shumë nga imperativat ekonomike apo agjendat politike!?

Sistemi i tarifave të energjisë elektrike në Kosovë ka evoluar dukshëm gjatë viteve. Në fuqi që nga viti 2006, bllok-tarifat synonin të diferenconin konsumatorët në bazë të konsumit, duke inkurajuar ruajtjen e energjisë nëpërmjet stimujve financiarë. Pavarësisht ndërprerjes së tyre në vitin 2017, ato u rikthyen në vitin 2022 nga ZRRE-ja, në përgjigje të përshkallëzimit të kostove të prodhimit të energjisë dhe një krize globale energjetike. Kjo krizë u vështirësua si shkak i vjetërsisë infrastrukturore dhe investimeve të pamjaftueshme në energjinë e gjelbër dhe efiçiencën e energjisë. Shteti kishte shpenzuar më shumë se një dekadë në projekte donkishotiane të qymyrit! 

Rritja e propozuar e kufirit të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh nga partia politike në pushtet ishte një lëvizje strategjike për të zbutur pakënaqësinë publike për rritjen e çmimit të rrymës. Një përpjekje e hapur për të balancuar miratimin publik me nevojat ekonomike, por pa marrë parasysh nevojat afatgjate të sistemit energjetik. Ngjashëm, për shumë vite, tarifat e energjisë elektrike janë mbajtur të shtypura, duke penalizuar zhvillimin e sektorit, mirëpo duke u krenuar se kemi çmimet më të lira në rajon e kontinent. Kur sot, rajoni e kontinenti kanë avansuar e janë zhvilluar në sektorin e energjisë, Kosova ende ngec në përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve të saj. 

Për më tepër, në prill të këtij viti, i cili konsiderohet edhe vit zgjedhor në Kosovë, ZRRE-ja informoi publikun e gjerë se do të kemi ulje të çmimeve të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë që tejkalojnë bllokun 800 kWh, dhe për konsumatorët komercialë e industrialë. Thënë të drejtën, kjo ulje e çmimeve do të jetë pak, për mos të thënë fare, e vërejtshme nga ana e konsumatorëve. 

A është kjo një analizë e thellë ekonomike e teknike, e cila do të avancojë tranzicionin, apo që do e penalizojë tutje zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit, ngecjen e investimeve dhe mos arritjen e sigurisë energjetike? Apo, mos është edhe kjo një analizë politike, për të kënaqur interesat politikë të ndonjë partie, e cila tenton që të arrijë paqen sociale duke penalizuar sektorin në tërësi? 

Siç dihet, në sektorin e energjisë, frytet, përgjigjet dhe pjesët e dukshme vërehen vetëm pas disa muajve apo viteve.

Në fund, çmimi i rregulluar i rrymës në Kosovë, edhe pse në teori bazohet në kostot dhe nevojat e vërteta ekonomike dhe teknike, në praktikë gjithashtu ndikohet në mënyrë të konsiderueshme nga nevojat politike. Ndërveprimi ndërmjet këtyre faktorëve e ndërlikon arritjen e objektivave strategjike. Qasja rregullative ku pranueshmëria politike dhe fizibiliteti teknik duhet të balancohen është stagnuese. Për zhvillim të qëndrueshëm, politika duhet të tërhiqet plotësisht nga teknikalitetet. E ardhmja e sektorit të energjisë dhe e Kosovës varet nga ekzekutimi, qasja dhe përkushtimi i nevojshëm për të përmbushur objektivat e vendosura. Në të kundërt, do të kemi të tjera pranime të gabimeve, dhe rajoni e bota që përshpejtojnë tranzicionin, do të na mundin!

(Autori është hulumtues në INDEP (Instituti për Politika Zhvillimore). Ky punim, i prin implementimit të projektit CorrWatch: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë. Përmbajtja e këtij punimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).