OpEd

Serbia ka filluar edhe një fushatë të egër kundër Kosovës në UNESCO

Serbia ka filluar edhe një fushatë të egër kundër Kosovës, tani në prag të kohës së aplikimit potencial të Kosovës për antarësim në UNESCO.

Në një dokumentar të ri të Boris Malagurskit (serbo-kanadez) shqiptarët paraqiten si ISIS-i që shkatërron trashëgiminë kulturore. Propoganda e tillë bëhet pë të nxitur urrejtje të mëtutjeshme mes shqiptarëve dhe serbëve, e më shumë për t'i demonizuar shqiptarët si shkatërrues të trashëgimisë kulturore mbi baza të urrejtjes fetare. Kjo është propogandë perfide.

Turbullira e vitit 2004, imazhet e së cilës përdoren, nuk është hetuar kurrë.

Kjo ngjarje ka qenë jashtëzakonisht e tmerrshme dhe duhet të dënohet si akt i tmerrshëm i dhunës mbi trashëgimi kulturore. Por, duhet të dihet se historikisht shqiptarët kanë qenë gardianë të monumenteve të kultit fetar, pavarësisht fesë. Shqiptarët njihen si mbrojtës të manastireve, dhe kanë mbrojtur manastire si ai i Deçanit, Deviçit, e Patriarkanën e Pejës. Ende ekzistojnë familjet shqiptare të "vojvodëve të kishës" nëpër Kosovë.

Kishat dhe manastiret ortodokse dhe të drejtat e serbëve janë të garantuara në mënyrë speciale me ligje të Kosovës, pas pavarësisë më 2008. Mbi 70% e dëmeve të vitit 2004 janë riparuar dhe Kosova ka siguruar buxhet për 30% e mbetur dhe restaurimim e tyre të plotë, bazuar në hulumtim të pavarur të Këshillit të Evropës.

Ky buxhet nuk pranohet nga Kisha Ortodokse Serbe dhe shkon në deficit çdo vit. Megjithatë, Kosova ka ofruar gjithçka për të siguruar kishat, manastiret e monumentet tjera të kultit për serbët lokalë. Ekziston edhe legjislacion sui generis edhe praktikat e mbrojtjes e ruajtjes që janë sui generis për këto monumente në Kosovë.

Po çfarë duhet të bëjë Kosova?

Elitat politike, administrative e intelektuale duhet të sillen si zot shpie, sepse e gjithë trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë e Kosovës dhe brenda territorit të saj. Pa urrejtje, pa fyerje për objekte kulti, pa zhurma emocionale e patetike. Ata duhet të dalin para bashkësisë ndërkombëtare pa servilitet, pa inferioritet. Prej 2008 e këndej kur shqiptarët drejtojnë shtetin e Kosovës, monumentet serbe të kultit mbrohen, ruhen e madje edhe promovohen nga institucionet e shteti dhe gjithë Kosova. Me fakte, me evidenca, me interpretim për nevojën që Kosova ka për UNESCO dhe që UNESCO ka për Kosovën. Me logjikë të mprehtë.

Hapi i parë që Kosova duhet të bëjë është themelimi i Komisionit Nacional të UNESCO-së (UNESCO National Commission), trup që e kanë të gjitha shtetet e UNESCOs. Gjermania ende pa u anëtarsuar në UNESCO në 50-ta e ka formuar Komisionin e saj dhe ka punuar vite me radhë deri te aplikimi. Dhe kjo është nismë që varet nga Kosova dhe mund të bëhet pa leje nga askush. Ky trup do të kishte energji të koncentruar vetëm në këtë pikë dhe do ta përgatiste aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Kosova do paqe e siguri e jo sherr e pasiguri.

Ky artikull është publikuar në profilin e autorit në Facebook. Qëndrimet janë autoriale dhe jo domosdoshmërisht përputhen me qëndrimet e redaksisë.

[Për më shumë për hapat drejt UNESCOs, shih shkrimin “Trashëgimia kulturore, Kisha Ortodokse Serbe dhe UNESCO (2)”]