OpEd

Anija “Besa” e Jozha Horvatit dhe jetëshkrimi i Vebi Velisë

Çfarë na mëson për historinë një lundrim nëpër botë i një shkrimtari kroat në vitet 1965-1976 dhe jeta e një biznesmeni shqiptar nga Gostivari në Zagreb

1.

Në një ditë gushti të vitit 1965 nga bregdeti i Adriatikut filloi të lundronte një anije me vela. Në anije ndodheshin pesë njerëz. Atyre u printe kapiteni dhe shkrimtari kroat Jozha Horvat. Ky ekip kishte plane të mëdha: dëshironte t’i sillej botës rreth e rrotull. Me anije! Kur Jozha Horvat nisi të fliste për planin e tij, shumë njerëz nuk i besuan. Disa e përqeshën. Jozha Horvat u kundërpërgjigj në mënyrë kreative: anijes së tij ia vuri emrin “Besa”. Dhe pasi lundroi për dy vjet anekënd botës, më 1967 u kthye në Kroaci. E kishte dhënë besën se do të lundronte detet dhe oqeanet e botës dhe do të kthehej. Ashtu ndodhi.

Me fjalën shqipe “Besa”, Jozha Horvat e titulloi edhe ditarin e tij, i cili u botua më 1973. Aty Jozha Horvat shkruan: “Anija ime e bukur, lundro nëpër Adriatikun tonë, lundro në dete e oqeane të largëta, por gjithmonë kthehu fatbardhë në ujërat e atdheut. Mbushi me gëzim ata që nisen me ty. Bëju ballë shtrëngatave dhe stuhive, ruaje jetën e më të dashurve të mi, mbaje me dinjitet emrin me të cilin po të pagëzoj – besa”.

Fjala shqipe “besa” i ishte dukur Jozha Horvatit si më e përshtatshmja. Sepse “besa” është më shumë se fjalë e dhënë, më shumë se premtim, më shumë se obligim që merret përsipër. Në ditarin e tij Horvat shkruan: “Fjalë... fjalë nderi? Përnjëherë më kujtohet – besa! Fjalë e dhënë fuqishëm! Ja, pra, emri për anijen tonë! U futa në librarinë e parë që hasa, e luta shitësen të ma jepte vëllimin e parë të Enciklopedisë së Jugosllavisë. Desha të vërtetoja nëse ka diçka të shënuar për këtë fjalë. E gjeta! Qe çka shkruan: ‘BESA. Fjalë arbërore e nderit, e cila i jepet mysafirit (...) nga mikpritësi për ta mbrojtur. E jep individi, familja, fshati apo fisi. (...) Besa jepet edhe te shqiptarët e Jugosllavisë’”. Besa, vazhdon Horvat, është fjalë e shkurtër dhe e bukur. Në kuptim të përmbajtjes është fjalë thellësisht njerëzore, është fjalë e lashtë burimore ilire. “Emër i duhur për anijen tonë. Besa!” Jozha Horvat u lind më 1915 dhe ndërroi jetë më 2012. Jetoi gati një shekull. Kaloi nëpër shumë furtuna të jetës. Fjalën “besa” e çoi në shumë porte të botës – nga Sicilia e Italisë në Kazablankë të Marokut, pastaj në Afrikën Veriperëndimore dhe në Atlantik, në Kanalin e Panamasë dhe në ishujt Galapagos. Në fund të vëllimit të parë të udhëpërshkrimit apo më mirë të themi detpërshkrimit të tij Jozha Horvat shkruan: marinari është një njeri që ngjitet në anije dhe kur mbërrin në det të hapur ëndërron tokën. Marinari është një njeri që zbarkon në port dhe kur shkel mbi tokë e merr malli për detin.

2.

Jo vetëm në det, por edhe në Zagreb është shkruar një copë e historisë së Kosovës. Nëse shëtisni rrugëve të Prishtinës me siguri mund t’u bjerë në sy një burrë i moshuar, i veshur me elegancë, e quajnë Mujë Krasniqi. Pakkush ndër shqiptarë e di që Mujë Krasniqi ka qenë njëri nga liderët e Pranverës Kroate më 1971, një lëvizje që iu kundërvu unitarizmit jugosllav. Në dokumentet e shërbimit sekret jugosllav të asaj kohe të cilat tashmë janë publike thuhet se: “Me rastin e zgjedhjes së Drazhen Budishës për kryetar të Lidhjes së Studentëve të Zagrebit, Mujë Krasniqi tha: ‘Kush nuk ka jetuar në Kosovë nuk e di si është shtypur populli shqiptar’”.

3.

Kur hapësira e lirisë ka qenë tmerrësisht e ngushtuar në Kosovë, Zagrebi ka qenë një biotop ku shqiptarët e Jugosllavisë mund të shpreheshin më lirshëm. Çdo të diele në Britanski trg shitësit nxjerrin në pazar sende të ndryshme, prej mobileve të vjetra deri te librat, gazetat dhe revistat e dekadave të shkuara. Shpesh e kam vizituar këtë pazar në Britanski trg për të blerë apo shfletuar numra të vjetër të revistës “Danas”. Në fund të viteve ‘80 në këtë revistë kroate botonin shkrime shumë publicistë, shkrimtarë e filozofë nga Kosova. Mbështetës i tyre i madh, jo vetëm financiar, ishte afaristi Vebi Velija nga Gostivari. Në rrugën “Jurišićeva” në qendër të Zagrebit një portë nën një fasadë që duket se e ka hëngër dhëmbi i kohës dhe e kanë dëmtuar pasojat e tërmetit më 2020 të shpjerë te restoranti “Gjirafa” (Žiraffa Mood). Mediat e Zagrebit nuk kanë fjalë të mira për cilësinë e ushqimit të këtij lokali me kuzhinë latino-amerikane. Gazeta “Jutarnji list” me nostalgji kujtonte që në vitin 2008 se këtu, në këtë hyrje që të çon në një bodrum, në fillim të viteve ‘80 biznesmeni shqiptar nga Gostivari, Vebi Velija, hapi të parin restorant kinez në Zagreb. Quhej “Phoenix”. Nga mesi i viteve ‘80 “Phoenix” u shndërrua në restorant argjentinas. Ishte ndër tri restorantet e para të Zagrebit të specializuar për përgatitjen e mishit (Steakhouse).

4.

Vebi Velija ishte shumë më tepër se pronar restoranti në Zagreb. Ai i përkiste shtresës së biznesmenëve shqiptarë të Jugosllavisë që pasurinë e tij e shpërndante me zemërgjerësi për të mirën e përgjithshme, por edhe për t’ua mundësuar personaliteteve të ndryshme një jetë me dinjitet. Në fillim të viteve ‘90 Vebi Velija në qendër të Zagrebit, përballë hotelit “Dubrovnik”, mori me qira një banesë – që aty të banonte Adem Demaçi, i sapoliruar nga burgu. Në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90 në Zagreb vinte për vizitë pothuaj e tërë elita politike e Kosovës. Personalitetet nga Prishtina takoheshin këtu me disidentë kroatë, me politikanë që sapo kishin filluar të merreshin me politikë aktive, me aktivistë për të drejtat e njeriut, me intelektualë që denonconin represionin serb në Kosovë. Vebi Velija ishte në shërbim të tyre, duke hapur zemrën, kuletën dhe kuzhinën e restorantit të tij.

5.

Shuip Ziberi, një inxhinier me prejardhje nga Tetova, i cili prej dekadash jeton e punon në Zagreb, tregon se si pasi ra komunizmi në Shqipëri, për vizitë në Zagreb erdhi një delegacion politikanësh të nivelit të lartë nga Tirana. Ishin të veshur keq. Dhe kjo nuk ishte befasi. Regjimi komunist e kishte shndërruar Shqipërinë në një lloj Koreje Veriore në Mesdhe. Njerëzit ishin të ushqyer keq – dhe hija e mjerimit vërehej jo vetëm në fytyrat e tyre, por edhe në kostumet e tyre ngjyrë hiri që dukeshin si uniforma. Vebi Velija dhe Muzafer Rexhepi, pronar i ëmbëltores së famshme “Zagreb”, ia dorëzuan Shuip Ziberit një qese të mbushur dëng me para dhe i thanë: merre krejt delegacionin e politikanëve nga Shqipëria dhe shko në dyqanin “Varteks” në “Sheshin e Republikës” (sot Sheshi Ban Jelačić). Aty politikanët nga Tirana u veshën me rroba të përshtatshme dhe kështu atyre iu kthye edhe një pjesë e dinjitetit. Sepse rrobat janë pjesë e dinjitetit njerëzor. Kur autoritetet e Beogradit kërcënonin se do të mbyllnin revistën “Koha” që në fillim të viteve ‘90 nisi të botohej në Prishtinë, Vebi Velija e gjeti zgjidhjen: e regjistroi revistën në emër të tij në Zagreb.

6.

Deri para disa vjetëve në sheshin “Ban Jelačić” valonte flamuri i Republikës së Shqipërisë. Aty gjendej Ambasada e Shqipërisë. Ishte një vend reprezentativ të cilin e kishin gjetur pjesëtarët e komunitetit shqiptar të Zagrebit – shqiptarë nga Maqedonia e Kosova. Për këta njerëz të ndershëm ishte me rëndësi që Shqipëria të prezantohej si duhet në qendër të Zagrebit. Që kjo të bëhet e mundshme, komuniteti shqiptar i Zagrebit për disa vjet madje e pagoi qiranë e Ambasadës së Shqipërisë në Zagreb. Restorantet shqiptare gostitnin diplomatët nga Shqipëria me zemërgjerësi të pamatshme. Ambasada e Shqipërisë nuk është më në sheshin qendror të Zagrebit, lokacioni i saj është më pak reprezentativ tani. Vebi Velija, themelues i televizionit Alsat, vdiq më 2009 në moshën 61-vjeçare. U varros në fshatin e tij të lindjes, në Gradec afër Gostivarit.