OpEd

Normaliteti i triumfit të Ylfete Fanajt

Fitorja e Ylfete Fanajt në garën për anëtare të Qeverisë në kantonin e Luzernit tregon etjen për sukses të komunitetit shqiptar në Zvicër. Sa më i madh identifikimi me atdheun e ri, aq më normale do të duken të arriturat

1.

Ndërsa të dielën po shkoja të takoja për kafe një mik timin të dikurshëm, me të cilin na ishte shkëputur kontakti për shkak të angazhimeve të ndryshme dhe me të cilin s’ishim parë me vite, mediat zvicerane gjithandej përhapën lajmin se në raundin e dytë të zgjedhjeve për anëtare të Qeverisë në kantonin e Luzernit në Zvicrën qendrore kishte fituar Ylfete Fanaj. Më erdhi të bërtisja në tren nga gëzimi, por meqë në këtë vend sukseset personale, të miqve apo të komunitetit festohen në mënyrë shumë diskrete, edhe unë u solla si helvetik. E shijova gëzimin në heshtje dhe zbrita nga treni. Takova mikun tim dhe me kureshtje e pyeta se me çka merrej, ku e çka punonte, si jetonte e kështu me radhë. Pyetje të rëndomta që i bëjmë njëri-tjetrit. Kishim mbase mbi 10 vjet pa u parë.

Çfarë kishte ndodhur ndërkohë? Qe një raport i shkurtër: miku im kishte themeluar dy firma, njërën e kishte shitur ndërkohë, tjetrën e mbante ende, kishte ndërtuar një shtëpi në një lagje idilike në periferi të Zürichut, kishte krijuar një mirëqenie stabile. “Kam punuar aq shumë, saqë tani pothuaj jam tërhequr nga firma, ajo funksionon gati vetvetiu”. Shembulli i mikut tim mund të jetë njëri nga mijëra e mijëra raste të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Zvicër. Shqiptarët janë të etur për sukses në Zvicër, ndjekin me këmbëngulje ëndrrat e tyre dhe janë ambiciozë. Në të kaluarën ata nuk kanë pasur një shans për t’u dëshmuar. Kanë luftuar për të siguruar lejen e qëndrimit dhe ekzistencën. Kanë vuajtur nga imazhi i keq si pasojë e delikteve të një pakice. Një pjesë e madhe e të ardhurave, shqiptarët e mërgatës i kanë transferuar në Kosovë kur Kosova ishte nën okupim, por edhe pas luftës për të ndihmuar familjet në rindërtimin e shtëpive. Pavarësia e Kosovës ka pasur efekt çlirues edhe për mërgatën në Zvicër. Njerëzit vazhdojnë t’i ndihmojnë familjet e tyre, por çështja e Kosovës nuk i mban më peng si të në kaluarën.

2.

Fitorja e Ylfete Fanajt në zgjedhjet për kabinetin qeveritar të kantonit të Luzernit duhet parë si ngjarje krejt normale në zhvillimin e komunitetit shqiptar në Zvicër. “E vetmja gjë e rëndësishme është kontributi im. Sa më pak që e bëj temë prejardhjen time, aq më e vetëkuptueshme bëhet ajo”, kështu ka deklaruar Fanaj gjatë fushatës elektorale. Ajo nuk u zgjodh anëtare e Qeverisë së kantonit të Luzernit, sepse është shqiptare, por sepse është politikane tashmë e etabluar, e cila nuk shfaqet nëpër çdo emision mëngjesi nëpër televizionet shqiptare për t’iu treguar kushërinjve sa e suksesshme është në Zvicër. Ka plot të tjerë (jo vetëm politikanë mërgate) që e bëjnë këtë dhe me protagonizmin e tyre shkaktojnë shpesh të qeshura të hidhura te publiku.

Ylfete Fanaj i përket një profili tjetër të politikaneve. Po, ajo nuk e fsheh prejardhjen, por me të drejtë refuzon të reduktohet vetëm në prejardhjen e saj, sepse janë shumë e shumë vlera e kompetenca të tjera që e kanë bërë atë të pranueshme për elektoratin e Luzernit. Karriera e saj tregon po ashtu se politika është maratonë e gjatë: për rreth 15 vjet ajo ka kaluar nga kuvendi i qytetit të Luzernit në kuvendin e kantonit (ku është zgjedhur edhe kryetare), ka drejtuar grupin parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Luzern dhe është shquar për angazhimin e saj social dhe për barazi mes të gjithëve.

3.

“Kur ne shqiptarët bëjmë diçka që na pëlqen, atëherë japim gjithçka nga vetja, madje edhe më shumë”. Kështu e ka përshkuar suksesin e tij Arbër Rama, i njohur si EAZ dhe momentalisht njëri ndër reperët më të njohur të Zvicrës, i cili është duke thyer rekorde në Spotify dhe ka pushtuar edhe hitparadat në Austri dhe Gjermani. Kjo është e pazakonshme për shkak se EAZ këndon në dialektin zviceran, të cilin zor se e kupton kush në Gjermani dhe Austri.

Platforma mediale “Watson” e Zürichut nënvizoi së fundi se EAZ është duke shkruar historinë e muzikës zvicerane. Më e suksesshme është vetëm këngëtarja Ilira (3.8 milionë dëgjues dhe dëgjuese në muaj), e rritur buzë liqenit Brienzersee në kantonin e Bernit. Xherdan Shaqiri para disa vitesh ka deklaruar: “Prindërit e mi kanë punuar shumë. Dhe Zvicra i ka ofruar aq shumë familjes sime”. Shansin për t’u dëshmuar në Zvicër Shaqiri e ka treguar në fushën e gjelbër. Por kjo s’është fusha e vetme, siç tregon suksesi i Ylfete Fanajt. Një gazetë lokale e Zvicrës lindore shkroi të hënën se nëse Fanaj e merr seriozisht moton e bukur të reperit EAZ (“Kur ne shqiptarët bëjmë diçka që na pëlqen, atëherë japim gjithçka nga vetja, madje edhe më shumë”), atëherë ajo ndoshta një ditë do të bëhet ministre në qeverinë qendrore në Bern. Nganjëherë duhet t’u besojmë reperëve. Ata mund të kenë të drejtë më shumë se vëzhguesit profesionistë të politikës.