OpEd

Dështimet nuk mund të fshihen pas medaljeve të xhudos

Politika e ka për obligim, jo të delegojë “paramilitarë” në klube, federata e institucione sportive, e as të mjaftohet se ka rritur buxhetin apo ka krijuar praktikën e shpërblimit për sportistë të dalluar, por t’i japë përgjigje institucionale problemit të infrastrukturës, të pronës së klubeve e impianteve sportive. Ajo duhet të japë shembullin e transparencës publike dhe atë ta krijojë si model pune edhe për organizatat sportive, gjë që deri tash s’e ka bërë as njëra e as tjetra

Bëhen gati tetë vjet kur ishte dhënë ideja që Kosova të shpallet “Shtet i sportit”. Sa tingëllonte bukur, po aq krijonte imazhin e një projekti virtual. Të mos besosh ka qenë më lehtë sesa të besosh në këtë ide. Më shumë dyshimi u shfaqej atyre që vinin nga komuniteti i sportistëve, që gjithmonë kanë parë pak dritë në fund të tunelit.

Shikuar edhe nga perspektiva e tashme, Kosova - Shtet i sportit e kishte dhe e ka shansin të bëhet realitet, për sa kohë që të rinjtë tanë besojnë në të ardhmen e tyre. Shoqëria jonë ka mundësinë t’u ofrojë kushte atyre që të mos e zgjedhin rrugën më të shkurtër “të afirmimit” social, që në përkthim i bie rruga e degjenerimit.

Nëse në Kosovë mendohet se janë diku 50 mijë të rinj (le të jenë edhe përgjysmë më pak) që merren aktivisht me sport, dhe mijëra të tjerë pa dallim moshe që menaxhojnë me sportin, atëherë një strategji ekonomike në këtë sektor do të ishte më e leverdishme sesa hapja e dhjetëra fabrikave, mungesën e të cilave e vajtojmë shpesh. Po qe se organizatat sportive (klubet dhe asociacionet e tjera) rreth të cilave mblidhen sportistët do të kishin më shumë hapësirë veprimi dhe menaxhimi të produkteve të tyre, atëherë shumica e pjesëmarrësve në këtë “lojë” do të kishin siguruar mirëqenie financiare dhe profesionale. Dhe, nëse dy për qind i tyre do të ishte produkt me vlerë për tregun evropian, atëherë përfitimi financiar dhe i reklamës pozitive për shtetin e ri e të vogël do të ishte i pallogaritshëm. Kur do të arriheshin efektet e dëshiruara me gjeneratën e sportistëve të tashëm, Kosova do ta kishte të garantuar të ardhmen edhe për 50 mijë të rinj tjerë të frymëzuar, që do të ngrenë kokën 10 vjet më pas.

Përfitimi më i madh është jo nga 2-përqindëshi që çan kufijtë, por nga këta dhjetëra mijëra që riciklohen ndër vite dhe nuk lënë shumë gjurmë në skenën e sportit. Ata mbase nuk do ta kenë fatin e disa individëve, nuk do të shijojnë as milionat e as famën. Por përtej një suksesi modest në karrierë, të gjithë që janë aktivizuar profesionalisht në klube sportive, do të bashkëjetojnë gjithmonë me sportin. Ata do të jenë armata e njerëzve që do t’i pushtojnë çdo fundjavë stadiumet dhe palestrat sportive. Do të jenë tifozeria që i mungon vendit dhe ata që te komuniteti ku jetojnë do të transmetojnë këshilla mbi edukimin fizik dhe të sportit.

Për ta bërë këtë, Kosova nuk duhet ta përkufizojë interesin e sportit vetëm nga perspektiva e sukseseve “historike”. Janë shumë dobi të tjera që mund të sjellë strategjia nacionale për sportin, para se t’i vijë radha mburrjes me statistikat e medaljeve dhe trofeve të fituara në garat ndërkombëtare.

Si mund të vihen në zbatim idetë e ndryshimeve me potenciale dhe botëkuptime të vjetra në piramidën e skemës së organizimit të sportit në Kosovë, të trashëguar që nga koha e UNMIK-ut. Dhe, a mund t’u besojmë drejtuesve të shtetit dhe kapaciteteve profesionale e morale të njerëzve në ministri, federata, klube e asociacione të tjera.

Nga një matje që dikur u është bërë diskutimeve parlamentare, është thënë se termi “sport” gjatë një viti është përmendur vetëm dy herë në Kuvend. Përmendja e këtij termi është rritur pakëz në ndërkohë nxitur nga suksesi i Majlinda Kelmendit, por nuk ka ndryshuar qasja e vendimmarrësve.

Politika e ka për obligim, jo të delegojë “paramilitarët” e saj në klube, federata e institucione sportive, e as të mjaftohet se ka rritur buxhetin apo ka krijuar praktikën e shpërblimit për sportistë të dalluar, por t’i japë përgjigje institucionale problemit të infrastrukturës, të pronës së klubeve e impianteve sportive. Ajo duhet të japë shembullin e transparencës publike dhe atë ta krijojë si model pune edhe për organizatat sportive, gjë që deri tash s’e ka bërë as njëra e as tjetra.

Pas atyre që kanë përgjegjësinë e krijimit të bazës ligjore e të infrastrukturës vijnë federatat, klubet dhe ekspertët – trajnerët e gjyqtarët. Dhe në këtë kontekst, shpesh e mendoj, jo si jemi ndier ne me suksesin e xhudisteve Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova..., sepse nuk përshkruhet me fjalë, por si janë ndier drejtuesit e federatave, klubeve dhe trajnerët e sporteve të tjera. A janë bërë me turp për mospunën e tyre 20-vjeçare. Çfarë justifikimi kanë ata për fëmijët që i kanë stërvitur, e çfarë për prindërit që ua kanë besuar atyre me vite. Për të gjitha ato paga që trajnerët ua kanë marrë klubeve apo fëmijëve që janë rritur me ëndrrën se një ditë do të jenë si moshatarët e tyre të botës. Si vazhdojnë të duken edhe më tej në stadiume e palestra. A nuk skuqen kur flasin kot në media për politikat e sportit, kur i analizojnë keq ndeshjet ndërkombëtare, kur gjykojnë mbi referimin apo edhe kur ankohen për kushtet e vështira.

Jam i bindur se atyre u është bërë “therë në sy” Federata e Xhudos, sidomos trajneri Driton Kuka, i cili mundi vetë të menaxhojë me klubin, të sigurojë kushte dhe të udhëheqë stërvitjet, të thyejë izolimin dhe t’u hapë rrugë sportistëve të tij që të marrin pjesë në garat ndërkombëtare ende pa u pranuar Federata. Trajneri që nuk u dorëzua, nuk u lodh duke lëvizur nga njëri skaj i botës në tjetrin, me të vetmin qëllim - që sportistët të realizojnë ëndrrën e tyre dhe tonën. Trajneri që nuk u la më vend dembelëve, që gjithmonë gjenin arsye bajate për mosarritjen e rezultateve.

Nga kjo çfarë shihet në terren e që s’do të duhej të zgjaste shumë, suksesi i Kukës në të vërtetë duhet të na shqetësojë. Me miliona euro të taksapaguesve dhe të donatorëve janë shpenzuar çdo vit për dhjetëra federata e qindra klube tjera, për udhëtime të zyrtarëve të tyre jashtë vendit, për kampe e për turne kombëtarë e ndërkombëtarë, për pajisje e rekuizita. E bilanci i tyre ishte dhe ende është zero.

Dhe më kot përpiqemi të fshehim dështimin e sportit e të shtetit pas medaljeve të fituara me djersë nga xhudistët dhe xhudistet. Gjendja në terren konfirmon se përpjekjet parciale për zhvillimin, masivizimin, profesionalizimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit nuk kanë dhënë rezultate. Kosova nuk mund të ecë e sigurt mbi binarë që nuk përballojnë peshën e rëndë. Duhet mobilizim i energjive, dijeve dhe i mjeteve për të ndërtuar binarë të rinj dhe për të vënë në lëvizje “lokomotivën” që për vite rri në një vend. Por këtë nuk mund ta bëjnë njerëzit që e stërkeqen këtë segment deri në degradim. Këtij procesi nuk i duhen menaxherë të përzgjedhur nga politika të ngjashëm me ata që mbështetën dhe projektuan mbrapsht palestra të kushtueshme me miliona euro. Nuk i duhen as të ashtuquajtur ekspertë që për gati 20 vjet janë shfaqur në publik më shumë se çdo kush tjetër, e nuk kanë nxjerrë të paktën një sportist të nivelit evropian. Kosovës i duhet një front i madh dhe një politikë aktive. Një vizion që beson në Kosovën - Shtet i sportit.

Lidershipi i Kosovës duhet të marrë shembull nga presidentit amerikan, Barack Obama, i cili nuk i ka futur duart nëpër klube sportive, por ka marrë mundin dhe ka udhëtuar deri në Kopenhagë për të mbështetur kandidaturën e Chicagos për organizimin e Lojërave Olimpike 2016. Nuk e besoj se liderët tanë kanë agjendë më të ngjeshur seç kishte Obama, apo edhe se presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, që për meritën e tij Olimpiada 2016 u mbajt në Rio de Janeiro.

Një përzierje e politikës në sport si kjo e presidentëve Obama dhe Silva nuk na kishte bërë dëm. Na bën dëm abuzimi me sportin për qëllime politike dhe përfitime financiare, siç ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë.