OpEd

Të mësuarit me dhomën e errët

Procesi i normalizimit mes Serbisë e Kosovës, në masë të madhe, mbështetet te vullneti i palëve për të ecur përpara në rrugën euroatlantike. E palët sot janë pak a shumë në një situatë ku njëra mundet, por nuk është se do shumë, e tjetra mund të dojë shumë, por nuk është se mundet. Kjo është nyja e madhe përpara.

1.

Ka një lloj shpejtësie në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e BE-së që e ka zënë pothuajse tërë një publik, në të dy shtetet, të papërgatitur.

Mbase për nga natyra nuk është vështirë të krijosh shpejtësi me një proces të ri, ngase procesi i kaluar i Brukselit ishte i gjatë dhe i mundimshëm, dhe, nëse duam ta përqeshim, filloi me punë targash e përfundoi me punë targash.

Por, prej momentit kur u arrit marrëveshja e 27 shkurtit (në formën e çuditshme të dakordimit të tërthortë mes dy palëve dhe BE-së) dhe në momentin kur u arrit Marrëveshja në Ohër më 18 mars (në formën e çuditshme dhe me një plan implementimi që ndonjëherë përsërit parimet e jo format operacionale që duhet të merren për t’i bërë realitet) u bë një kalim konceptual, të cilin shumica e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi, e një pjesë bukur e madhe e opinionit publik evropian nuk i janë adaptuar.

Ç’është e vërteta, kalimi konceptual është ecje nëpër territor të pashkelur dhe palët e përfshira- që të tria, me gjithë BE-në, janë në përpjekje e sipër për ta identifikuar të ardhmen sikur personi që hyn në dhomën e errët dhe orientohet duke prekur në zbrazëti a duke goditur muret.

Dhe andaj këtë javë në një takim në Berlin, ku ishin të pranishëm aktivistë e politikanë nga Serbia e Kosova, në pyetjen se si do ta përshkruajnë me një fjalë procesin e normalizimit Kosovë-Serbi dhanë, pa dallime etnike, një sërë përgjigjesh që me përjashtim të njërit (“shpresëdhënës”) ishin në fushën e vëzhgimit të kujdesshëm e kritik: “ndërlikuar”, “gjatë”, “paqartë”, “dykuptimësh” e kështu me radhë.

2.

Gjërat nuk do të jenë menjëherë të qarta, sepse procesi është i dizajnuar ashtu, mbase për shkak se konflikti ka zgjatur aq gjatë dhe mbase sepse përpjekjet negociatore të mëhershme kanë zgjatur gjatë dhe me rezultate tejet modeste.

Por, duke u sqaruar do të sjellin nevoja për të thyer barriera psikologjike, të ndërtuara prej kohësh në të dy shoqëritë e jo pak edhe në shtetet anëtare të BE-së. Njëra prej barrierave më të mëdha është ajo e idesë së barazisë: për Serbinë kjo barrierë ka qenë tradicionalisht e vështirë me popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë e aq më shumë me Kosovën e shqiptarët. Në këtë dimension ky është projekt që tejkalon një proces negociator, është projekt që, nëse ka sot rezultat në hapat politikë, do të kërkojë ndryshim në qasje të tërë një gjenerate.

Dimensioni tjetër që do të kërkojë ndryshim është qasja ndaj serbëve të Kosovës dhe atë çuditërisht nga të dyja palët, shumica shqiptare në Kosovë dhe shumica serbe në Serbi. Shqiptarët e Kosovës do të duhej të ballafaqoheshin me narracionin e krijuar për serbët kosovarë si zgjatje politike e territoriale të Serbisë; një trup i huaj, një lloj kolone e pestë, e cila ka për detyrë që Serbia ta (ri)okupojë Kosovën. Në fakt, ata janë, si qytetarë të Kosovës, në shtëpinë e vet.

Nga këndi tjetër, dhe gati barasvlershëm, Serbia duhet të ballafaqohet me narracionin e vet se serbët në Kosovë janë vija e parë e frontit për ta mbrojtur Serbinë e serbizmit. Në fakt, ata si qytetarë të Kosovës janë në shtëpinë e vet; nuk kanë gjë të mbrojnë, sepse nuk është kush duke e rrezikuar atë shtëpi.

Ky proklamim nuk është për t’u testuar teorikisht, ai në fakt po testohet në praktikë. Zgjedhjet vendore që duhet të mbahen në fund të prillit në katër komunat veriore të vendit me shumicë serbe që tani vënë në sfidë garën për të drejtën e serbëve të Kosovës që të kenë të drejtën e vet autonome për mendim politik. Apo, ilustruar nga një kënd tjetër, janë duke sfiduar të drejtën që një qendër (grupimi politik apo seli qeveritare) të përcaktojë se kush është “tamam serb” (në traditën abrahamike “kosher”, “hallall” etj.).

3.

Procesi negociator ka gjasa të marrë në thua, si çdo proces negociator, në çështje të vogla, apo që duken të vogla e të parëndësishme. Gjatë këtyre viteve është dëshmuar se negociatat mund të vazhdojnë në pambarim për targa automobilistike apo sa do të jetë bankina e rrethrrotullimit në Mitrovicë të veriut. Apo, siç ndodh gjatë më shumë se një viti, a është e drejta e kyçjes (së rrjetit elektrik) dhe ajo e shkyçjes (së rrjetit elektrik) pjesë e një prerogative të një ndërmarrjeje që merret me shpërndarje rryme elektrike. Kam parë vetë se si ish-ministra e ambasadorë me nam merren me gjetjen a mosgjetjen e dallimit mes kyçjes dhe shkyçjes.

Dhe, nuk është se ekzistojnë shumë mjete në duart e BE-së për të detyruar negociatorët që t’i përmbahen një dinamike a një fair-play-i nëse ata nuk duan. BE-ja e ka ankoruar procesin e normalizimit Kosovë-Serbi në kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE dhe në procesin e veçantë të MSA-së. Këto nuk janë armë për një ndërmjetës efikas; për dallim prej atij të BE-së, një ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Francës apo i SHBA-së ka në dispozicion një listë veprimesh unilaterale që detyrojnë apo joshin palët negociatore drejt një qëllimi, pa kaluar nëpër procesin e mundimshëm të arritjes së konsensusit mes 27 shteteve anëtare të BE-së.

Ky proces, në masë të madhe, mbështetet te vullneti i palëve për të ecur përpara në rrugën euroatlantike. E palët sot janë pak a shumë në një situatë ku njëra mundet, por nuk është se do shumë, e tjetra mund të dojë shumë, por nuk është se mundet.

Kjo është nyja e madhe përpara.

4.

Prej javës së ardhshme fillojnë negociatat për të negociuar zbatimin e asaj që mendohet se është negociuar (në Bruksel e Ohër). Kjo mund të rezymojë fazën e ardhshme të procesit të normalizimit. Vetë fjalia që përbën rezymenë është e ndërlikuar. Procesi do të jetë edhe më shumë.