OpEd

Bubullima pas banketit

Zhdukja e bankës Credit Suisse e lëkund ndjeshëm edhe identitetin e Zvicrës. Mbi një vend në kërkim të orientimit

1.

Friedrich Dürrenmatt (1921-1990) është njëri nga shkrimtarët më të njohur të Zvicrës. Romanet e tij kriminalistike janë përkthyer edhe në shqip, drama e tij “Vizita e zonjës plakë” është luajtur në skenat e teatrit shqiptar. Këto ditë, pasi banka zvicerane Credit Suisse për pak falimentoi dhe nga kjo hata e shpëtoi banka konkurrente UBS (duke e blerë), Dürrenmatt është rikthyer me veprat e tij si piktor. Dürrenmatt ka qenë një autor me shumë talente. Në mediat dhe në rrjetet sociale është duke u botuar piktura e tij “Kuvendi i fundit i përgjithshëm i Bankës Federale” të Zvicrës. E punuar më 1966, piktura ka fituar një aktualitet të madh pas ngjarjeve të fundit lidhur me Credit Suisse. Rreth një tavoline të madhe shihen një grup burrash, disa ulur, të tjerët në këmbë, ndërsa ia mbajnë vetes revolet në zverk. Nën tavolinë qëndrojnë të shtrirë kryq e tërthor disa burra, në prapavijë tri shtylla të llambave dhe në to të varur disa burra. Një banket i bankave të Zvicrës.

2.

Për 167 vjet Credit Suisse ishte pjesë e identitetit të Zvicrës. Në fund më shumë vlerë pati një kapelë e Credit Suisse e popullarizuar në vitet ‘70 dhe ‘80 sesa një aksion i kësaj banke. Për rreth 80 orë u zhduk nga historia një bankë e lidhur ngushtë me përparimin e Zvicrës. E themeluar nga industrialisti Alfred Escher, kjo bankë ka luajtur rol në modernizimin e Zvicrës, në ndërtimin e sistemit hekurudhor, në financimin e ndërmarrjeve përmes kredive etj. Më 1940 banka hapi filialin e parë në New York. Me internacionalizimin e bankës, depërtoi edhe një kulturë tjetër menaxheriale: kultura e rrezikimit përmes fondeve të investimit. Menaxhimi i keq, aventurat financiare, dështimet, mentaliteti grabitës i menaxherëve, humbja e besimit te klientët – të gjitha këto e çuan Credit Suisse drejt humnerës. Në fund ndërhyri shteti, garantoi likuiditet me miliarda dhe i detyroi drejtuesit që bankën t’ia shesin UBS-it, bankës tjetër të madhe të Zvicrës. Kush del nga stacioni i trenit në Zürich dhe niset drejt Bahnhoftstrasse, rrugës më të famshme dhe më të shtrenjtë të Zvicrës (dhe më gjerë), së pari i bie në sy përmendorja e Alfred Escherit. Çfarë do të thoshte ai sot për falimentimin e bankës? Një gazetë e Zürichut e ka pyetur: duke zhvilluar një intervistë fiktive me të.

3.

Në dramën “Romuli i Madh” të Friedrich Dürrenmattit gjendet edhe ky dialog: “Rea: A nuk do të duhej ta donim atdheun më shumë se çdo gjë tjetër në botë? Romuli: Jo, duhet ta duam më pak se njeriun. Para së gjithash duhet të jesh skeptik ndaj atdheut. Askush nuk bëhet më lehtë vrasës se atdheu”. Dürrenmatt ishte vizionar. Çfarë ndodhi me Credit Suisse është pikërisht çfarë e kishte parashikuar te drama “Romuli i Madh”: atdheu e vrau një bankë. Sepse kjo ishte e keqja më e vogël. Nacionalizimi i bankës, shpëtimi i pjesës së saj në Zvicër dhe falimentimi i filialeve të Credit Suisse jashtë Zvicrës do të kishte shkaktuar tërmet në tregun financiar dhe nxitur reagime të ashpra sidomos nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Presioni nga këto shtete duket të ketë qenë i madh. Ministrja e Ekonomisë e Zvicrës tha se kishte qenë “në kontakt të ngushtë” me ministrat e financave të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe. “Urime, e shpëtuat botën!”, kështu citohet t’i ketë thënë një ministër financash koleges së tij zvicerane. Komentues të tjerë medialë cituan ekonomistin amerikan Allan Meltzer: “Kapitalizmi pa falimentim është si feja pa mëkat. Nuk funksionon”.

4.

Zvicra është kritikuar me të drejtë, sepse ka qenë një lloj bunkeri për fshehjen e parave të diktatorëve. Më 1979 ministri i drejtësisë Kurz Furgler (demokristian) deklaroi se “nuk kemi arsye të jemi të turpëruar kur në mëngjes shikojmë veten në pasqyrë derisa jemi duke u rruar”. Më 1984 një bankier zviceran tha se paratë e despotëve në bankat zvicerane janë pjellë e fantazisë. Por, më 1986 ndodhi e papritura: Zvicra bllokoi paratë e diktatorit të rrëzuar filipinas Ferdinand Marcos. Nga mesi i viteve ‘90 Zvicra u ballafaqua me kritika të ashpra sidomos nga SHBA-ja për shkak se bankat kishin fshehur paratë e shumë viktimave të Holokaustit dhe nuk i kishin informuar pasardhësit e tyre. Magazina amerikane “Time” shkroi se “bankierët zviceranë duhet të kuptojnë se ka disa forma të falimentimit, por falimentimi moral është më i keqi”. Zvicra zyrtare u ballafaqua me këtë kapitull të errët, një komision historianësh shkroi një raport të hollësishëm, bankat paguan 1.25 miliardë për pasardhësit e viktimave të Holokaustit. Megjithatë, Zvicra vazhdoi të ngulë këmbë në sekretin bankar që kishte hyrë në fuqi më 1934 dhe nënkuptonte refuzimin për të ofruar informata palëve të treta për xhirollogari me para të dyshimta. Presioni nga SHBA-ja dhe BE-ja ishte i madh. Më 2008 ministri i Financave, Hans-Rudolf Merz, në adresë të shteteve që i bënin presion Zvicrës tha: “Ju keni për t’i thyer dhëmbët në sekretin bankar të Zvicrës”. Ndërkohë Zvicra është dorëzuar, sekreti bankar i takon historisë.

5.

Në fillim të marsit Zvicra u ballafaqua me dy lajme të pakëndshme, të cilat prekin po ashtu identitetin e vendit. Një gjykatë amerikane ua lejoi blegtorëve amerikanë që djathin e prodhuar ta shesin me emrin Gruyère, një rajon zviceran që prodhon djathin e njohur me këtë emër. Beteja juridike e Zvicrës qe e pasuksesshme. Në SHBA nuk do të ketë mbrojtje gjeografike të djathit zviceran. Lajmi tjetër ka të bëjë me çokollatën e famshme: Toblerone. Në paketimin e kësaj çokollate shihet kodra e famshme zvicerane Matterhorn. Firma amerikane Mondelez, e cila është pronare e Toblerones, ka njoftuar se do ta zhvendosë prodhimin nga Zvicra në Sllovaki. Ligji për mbrojtjen e markave të Zvicrës (i njohur si “Swissness” dhe i miratuar më 2017) rregullon se kush mund të reklamojë prodhime me simbole zvicerane – për shembull me kryqin e bardhë. Çokollata Toblerone nuk hyn më në mesin e këtyre artikujve meqë do të prodhohet në Sllovaki. Për shkak të luftës në Ukrainë gjendet nën kritikë të ashpër edhe neutraliteti zviceran. Ambasadori i SHBA-së në Zvicër tha këto ditë në një intervistë se Zvicra gjendet në krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. «Kriza mund të jetë gjendje produktive. Duhet vetëm t’ia heqim shijen e katastrofës». Nuk e ka thënë Friedrich Dürrenmatti. E ka thënë Max Frisch. Shkrimtar zviceran. Më 1933 ka qenë në Kosovë. Por, kjo është një histori tjetër.