OpEd

Kerofobia kolektive Kosovë-Serbi

Reagimet e opozitës në Kosovë e Serbi ndaj draft-planit të normalizimit mes dy vendeve mund të reflektojnë diçka më të thellë në shoqëritë e të dy vendeve: frika nga transformimet që mund të sjellin ndryshime pozitive në jetët tona

1.

Qe njëra prej atyre koincidencave që tërheqin vëmendjen. Opozita në Kosovë dhe opozita në Serbi - dhe këtu po flas për ato parti të mëdha apo tradicionale që kanë qenë një kohë edhe në pushtet - që të dyja u përputhën në refuzimin e draft-planit evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dhe, refuzimi u bë, në mënyrë të përputhshme me tri qëndrime.

I pari madje u formulua disa herë, qoftë në shqip apo serbisht, me një diçka si parullë “Po japim gjithçka e nuk po marrim kurrgjë”. Në shqipe kjo do të thoshte se Kosova po e jep Asociacionin e komunave me shumicë serbe e nuk po e merr njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Në gjuhën serbe kjo do të thoshte se Serbia de facto po e njeh pavarësinë e Kosovës, por nuk po merr Asociacion të komunave serbe (apo, për ata më ambiciozë, anëtarësim në BE). Diçka në këtë ligjërim nuk është në rregull, apo më mirë thënë, pak gjë në këtë ligjërim është në rregull. Nuk është e mundur që Asociacioni edhe të jetë, edhe të mos jetë rezultat i kësaj marrëveshjeje, dhe nuk është e mundur që njohja të jetë e të mos jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje.

2.

Pika e dytë e konsensusit mes opozitës në Kosovë dhe asaj në Serbi – dhe e derivuar prej të parës - është se negociatorët nuk arritën objektivat kombëtare e shtetërore. Kosova, sipas opozitës së saj, nuk arriti të marrë njohjen e Serbisë, anëtarësimin në OKB dhe heqjen nga rendi i ditës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia nuk arriti ta mbajë Kosovën në rendin e vet juridik, të pengojë mundësinë e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe të themelojë një autonomi territoriale që do të përmbledhë të gjitha komunat me shumicë serbe.

Edhe këtu vështirë se mund të ketë logjikë që i bashkon këto kundrime që shikojnë me aq dallim diametral realitetin.

Por, me një rrjedhë logjike vetjake arrihet prej pikës së parë te e dyta dhe tash e treta, e cila është: nuk do ta përkrahim në Kuvend Planin evropian. Pra, kurdo që të nënshkruhet dhe sido që të arrijë në parlamentet respektive të të dyja vendeve, opozita po premton se nuk do ta përkrahë atë.

3.

Rrjedha logjike e të tria pikave opozitare është në fakt mosnjohja konceptuale e thelbit të draft-propozimit evropian. Ai nuk është i dizajnuar me parim transaksional (ti jep këtë dhe merr këtë), por përdor transaksionin (e nevojshëm në çdo negociatë) për të vendosur një parim, e ai është i relacionit të barazisë mes Kosovës dhe Serbisë. Në bazë të këtij parimi nuk është e mundur arritja e objektivave shtetërore siç janë dizajnuar sot (për Kosovën njohja eksplicite e Serbisë dhe anëtarësimi në OKB, për Serbinë ruajtja e Kosovës brenda sistemit juridik kushtetues apo/dhe përfshirja e një pjese të territorit të Kosovës në rendin kushtetues-juridik të Serbisë).Por, në bazë të këtij parimi të barazisë është e mundur që Kosova dhe Serbia të përpiqen hap pas hapi të krijojnë marrëdhënie të mira fqinjësore duke ruajtur njëkohësisht jo vetëm interesat e tyre legjitime në Kosovë e Serbi, por edhe duke aspiruar integrimet euroatlantike apo evropiane, sipas disponimit vetjak.

Dhe, se si do të duket kjo ardhmëri e marrëdhënieve do të varet gjithsesi prej marrëveshjes që arrijnë të dy vendet; sa më shumë saktësi në zbatim aq më mirë për normalizim. Por edhe po të mbërrihet marrëveshja më e mirë mes dy vendeve, normalizimi do të marrë muaj e vite dhe do të kërkojë negocim të vazhdueshëm - për ligje, marrëveshje, vendime nënligjore që duhet të rregullojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Opozitat e dy vendeve gabojnë kur nuk e identifikojnë këtë marrëveshje (të mundshme) si një platformë të rëndësishme për të arritur te një marrëveshje e përhershme normalizimi mes dy vendeve. Madje, si një platformë pa të cilën nuk bën: dhjetë vjetët e kaluar të negociatave treguan se mungon një kornizë parimesh, pra parimesh që do të definojnë barazinë e palëve në negociata; pa to u shpenzuan dhjetë vjet duke u marrë me targa.

Dhe, prandaj edhe opozitat bëjnë një gabim thelbësor logjik në pikën e tyre të tretë refuzuese, kur thonë se nuk do ta përkrahin marrëveshjen eventuale në Parlament. Si mund të refuzosh një marrëveshje të cilën nuk e di se çka përmban?

4.

Qëndrimi i opozitës mund të përshkruhet nga ana e pushteteve të të dyja vendeve si një oportunizëm politik. Ky lloj ligjërimi është i pranishëm tanimë në debate televizive dhe në ato të rrjeteve sociale, ku përkrahësit e pushtetit, në të dyja vendet, e kanë të gatshme formulën drejtuar opozitës: “A nuk ishit ju ata që zhvilluat negociata me palën tjetër dhe e sollët gjendjen këtu?”, “A nuk ishin ju ata që në negociata sollët këtë apo atë vendim të dëmshëm për vendin tonë?”.

Një ligjërim i këtillë duket i paevitueshëm dhe me gjasë është pjesë e natyrshme e një rrethi vicioz, në të cilin pushtetet do të përpiqen të tregojnë epërsi ndaj opozitës, të cilën ua japin numrat e përkrahësve në zgjedhjet e kaluara. Në këtë rreth vicioz opozita do të përpiqet të përfitojë duke akuzuar pushtetin për diçka që është evidente në vetë dizajnin e marrëveshjes: ajo nuk jep gjithçka që ka premtuar se do të arrijë pushteti.

Por më duket se ka edhe diçka më të thellë në qëndrimin e opozitës së të dy vendeve, diçka që është për t’u identifikuar më thellë në të dy shtetet dhe shoqëritë, e ajo do të prihet me pyetjen: a janë të gatshme të dy shoqëritë për ndryshim të atillë që t’ua bëjë jetën më të mirë?

Përgjigjja do të duhej të ishte e natyrshme, kush nuk është i gatshëm t’ia hapë derën të mirës?

Por, në psikiatri, ekziston një përshkrim që mbase i hyn në punë analizës kolektive të gjendjes shpirtërore të Kosovës dhe Serbisë, e ajo quhet kerofobi. Në përkthimin e fjalëpërfjalshëm ky termin përshkruan gjendjen e frikës nga gëzimi. Është, pra anksiozitet që përshkruan gjendjen shpirtërore të atij/asaj që frikësohet nga gëzimi, mes të tjerash, sepse frikësohen që pas gëzimit mund të vijë pikëllimi.

Në një kuptim më të gjerë, kerofobia është gjendja e refuzimit të rasteve që mund të sjellin ndryshime pozitive në jetë, nga frika se diçka e keq mund ta pasojë atë. Nga ky përshkrim diagnostik bëhet më e kuptueshme pika e tretë e refuzimit të opozitës, ajo që thotë se do ta refuzojë marrëveshjen ende të panegociuar, ende të paparë.

Kjo gjendje më duket se i tejkalon kufijtë e opozitës. Kosova dhe Serbia, me konflikt të papërfunduar dhe me gjeneratë pas gjenerate që e trashëgon konfliktin, mund të kenë ndërtuar brenda vetes këtë anksiozitet, këtë kerofobi kolektive e cila ka forcën e një refleksi kolektiv.

Ndërsa hyjmë një javët e ndjeshme të një procesi negociator që mund të ketë dimensionin e një kthese të madhe drejt paqes, elitat politike e intelektuale të të dy vendeve do të sfidohen me këtë frikë nga kalimi prej një gjendjeje të njohur të konfliktit (të papërfunduar) drejt një rruge (të pashkelur) të paqes.