OpEd

Ndëshkimi kapital i së majtës

Një pjesë e problemit është se shumëkush nga e majta i kundërshton ende ideologjikisht tregjet. Shkaku që e shohin kapitalin si abuziv, ata e shikojnë pushtetin politik si mjet për t’i kufizuar ato. Por politikanët e majtë, si Petroja dhe AMLO-ja, nuk arrijnë të kuptojnë se kjo logjikë pashmangshmërisht do të prodhojë kundërefekt. Meqë investimet e reja janë progresive, pritshmëritë për shtrëngimin e qeverisë do ta bëjnë kapitalin më të rrallë dhe më të kushtueshëm. Për të garantuar që mund t’i përmbushin në mënyrë adekuate nevojat për rrymë të ekonomive të tyre në kontekstin e tranzicionit të energjisë, shumë vende, përfshirë Argjentinën, Kolumbinë dhe Meksikën, kanë shumëçka për të fituar nga hapja e investimeve private në gjenerimin e energjisë dhe në rivendosjen e kredibilitetit të tyre në vendosjen e rregullave të qarta të lojës dhe të fuqizimit të rregullatorëve të pavarur për zbatimin e tyre

Në dallimin tradicional (dhe disi të dalë mode) mes të majtës dhe të djathtës, partitë e krahut të majtë i përfaqësojnë punëtorët, përderisa ato të krahut të djathtë, pronarët e kapitalit. Kur e majta ndodhet në kryesim, bazuar në këtë këndvështrim, synon që ta përdorë fuqinë e saj për ta reduktuar hisenë e të ardhurave kombëtare që i shkon kapitalit, qoftë nëpërmjet rritjes së taksave të korporatave apo me anë të tatimeve mbi fitimet personale të kapitalit.

Disa politikanë të krahut të majtë, megjithëkëtë, përpiqen ta minimizojnë hisenë e kapitalit duke i rregulluar apo nacionalizuar industritë që i japin shtysë kapitalit, siç janë energjia elektrike dhe infrastruktura. Për shembull presidenti kolumbian, Gustavo Petro, së fundi shpalli se nuk do t’i përmbushte kushtet e koncesioneve për rrugë dhe t’i ngrinte tarifat. Megjithëkëtë, duke i pasur parasysh kushtet e kontratës, kjo e detyroi Ministrinë e Financave që t’i kompensojë investitorët dhe i la në dijeni investitorët e ardhshëm. Petro njoftoi njashtu për synimin e tij që të marrë përgjegjësi për vendosjen e faturave të shërbimeve shtëpiake larg rregullatorit të pavarur, në mënyrë që ai personalisht të mund t’i shkurtonte kostot e energjisë elektrike.

Në Meksikë presidenti Andrés Manuel López Obrador (i njohur gjerësisht si AMLO), e nisi një ristrukturim të tregut të energjisë elektrike që do ta betononte monopolin e Komisionit Federal de Electricidad (CFE) të drejtuar nga shteti dhe t’i zhbënte në mënyrë efektive reformat e mëhershme pro-tregut të miratuara nga pararendësi i tij, Enrique Peña Nieto. Për pasojë, investimet private në sektorin meksikan të energjisë kolapsuan.

Petroja dhe AMLO-ja duhet të nxjerrin mësime nga Afrika e Jugut dhe Venezuela, ku përpjekjet për të betonuar monopolin shtetëror të energjisë elektrike shpien në shembjen e rrjeteve dhe në ndërprerje masive të energjisë elektrike. Për ta kapërcyer katastrofën, që u bë edhe më sfidues si rrjedhojë e nevojës për të kaluar te energjia e pastër, të dy shtetet do të duhet të ndryshojnë shtegun dhe ta rifitojnë besimin e investitorëve.

Joefikasiteti i monopolit shtetëror në Afrikë të Jugut mbi energjinë elektrike u bë i dukshëm më 2007, kur kapaciteti i pamjaftueshëm shpiu drejt ndërprerjeve të kudondodhura të energjisë elektrike dhe e detyroi Qeverinë ta fillonte racionimin e energjisë. Rezistenca ideologjike, bashkë me korrupsionin e shfrenuar përbrenda administratës së presidentit Jacob Zuma dhe në ndërmarrjen shtetërore Eskom, e penguan qeverinë në liberalizimin e gjenerimit të rrymës deri para shtatë muajsh, kur veçse ishte tepër vonë për të parandaluar katastrofën. Më 10 shkurt, presidenti Cyril Ramaphosa shpalli gjendje kombëtare të katastrofës, duke njoftuar për ndarjen e një pakoje shpëtimi prej 13.9 miliardë dollarësh për Eskomin dhe duke e zotuar për përshpejtimin e projekteve të reja private të energjisë.

Në Venezuelë vendimi i Hugo Chavezit për ta nacionalizuar sektorin e energjisë elektrike më 2007 shpiu në ndërprerje të shpeshta dhe në gjenerimin e reduktuar të prodhimit të energjisë elektrike deri në vitin 2009, duke kulmuar me një ndërprerje mbarëkombëtare njëjavore të rrymës në marsin e 2019-s. Pavarësisht transfertave masive të kapitalit publik, prodhimi i energjisë në vend është ende nën nivelet e vitit 2007.

Energjia elektrike, rrugët, mungesa e baterive si dhe energjia diellore dhe e erës janë industri që e stimulojnë kapitalin, që do të thotë se bizneset duhet të shpenzojnë majmë në asetet fikse dhe më pas të rikuperojnë investimin e tyre përbrenda periudhave të gjata kohore. Kjo u jep shtysë qeverive për të bërë premtime joreale për t’i joshur investitorët dhe më pas të përpiqen që t’i shpronësojnë asetet e tyre apo rrjedhën e tyre pozitive të keshit nëpërmjet nacionalizimit apo kontrollit të çmimeve. Në të këtilla kushte, investitorët do të kërkojnë kthime më të larta të kapitalit me qëllim që të mbrojnë veten, por kjo thjesht do t'u japë qeverive edhe më shumë shtytje për shpronësime. Tregjet nuk mund të funksionojnë mirë nën të këtilla kushte.

Por siç tregojnë rastet e Afrikës së Jugut dhe Venezuelës, mbështetja në monopolet shtetërore mund të shpie drejt krizave energjetike të përmasave historike. Kontrolli i qeverisë e krijon iluzionin e çmimeve më të ulëta, por me koston e lënies së kompanive pa burimet e nevojshme financiare për modernizimin dhe zgjerimin e rrjeteve të tyre, si dhe për ngritjen e kapitalit të ri, duke gjeneruar mungesa kronike dhe nevojën për pako fiskale të shpëtimit. Për më tepër, ndërmarrjet shtetërore priren të jenë vatra të korrupsionit.

Kjo katrahurë mund të zgjidhet duke ua mundësuar kompanive private që të rrisin hisenë e tyre të gjenerimit të rrymës dhe me anë të fuqizimit të rregullatorëve të pavarur për mbikëqyrjen e tyre. Duke ia besuar fuqinë e çmimeve dhe mbikëqyrjen e rregullatorit një bordi të pavarur, në vend të zyrtarëve të zgjedhur, përmirësohet llogaridhënia dhe hapet rrugë për rezultate më të mira afatgjata.

Justifikimi ekonomik është i ngjashëm me atë që qëndron në themel të pavarësisë së Bankës Qendrore. Kur investitorët blejnë obligacione shtetërore në afat të gjatë, ata i humbin paratë sot, në pritje për t'i rikthyer me kalimin e kohës, me interes. Por kjo u jep qeverive një shtysë për ta gërryer vlerën e pagesave të ardhshme nëpërmjet inflacionit më të lartë. Në pritje të kësaj tregjet do të kërkojnë norma më të larta interesi, duke i ngritur pritjet inflacioniste dhe duke e pasqyruar tregun si joefikas. Por duke i fuqizuar bankat qendrore të pavarura, qeveritë shpresojnë që ta fitojnë besimin e tregut duke e siguruar kësisoj stabilitetin e çmimeve dhe duke i ulur kostot e huamarrjes.

Kombinimi i ofruesve privatë të energjisë elektrike dhe i mbikëqyrjes së pavarur rregullatore ndihmoi Kilin, Kolumbinë dhe Perunë që të kapërcejnë krizat e mëparshme energjetike. Duke i bindur tregjet se rreziku nga shpronësimi ishte i ulët, Kolumbia siguroi investime masive dhe rrymë më të lirë. Por tani, Petroja është duke kërcënuar që ta zhbëjë progresin e arritur nga pararendësit e tij.

Një pjesë e problemit është se shumëkush nga e majta i kundërshton ende ideologjikisht tregjet. Shkaku që e shohin kapitalin si abuziv, ata e shikojnë pushtetin politik si mjet për t’i kufizuar ato. Por politikanët e majtë, si Petroja dhe AMLO-ja, nuk arrijnë të kuptojnë se kjo logjikë pashmangshmërisht do të prodhojë kundërefekt. Meqë investimet e reja janë progresive, pritshmëritë për shtrëngimin e qeverisë do ta bëjnë kapitalin më të rrallë dhe më të kushtueshëm. Për të garantuar që mund t’i përmbushin në mënyrë adekuate nevojat për rrymë të ekonomive të tyre në kontekstin e tranzicionit të energjisë, shumë vende, përfshirë Argjentinën, Kolumbinë dhe Meksikën, kanë shumëçka për të fituar nga hapja e investimeve private në gjenerimin e energjisë dhe në rivendosjen e kredibilitetit të tyre me në të vendosjes së rregullave të qarta të lojës dhe të fuqizimit të rregullatorëve të pavarur për zbatimin e tyre.

Mjerisht, siç pati vërejtur dikur ekonomisti indian Montek Singh Ahluwalia, besueshmëria rritet po aq ngadalë sa një pemë kokosi dhe bie po aq shpejt sa një kokos. Derisa qeveritë e majta të adoptojnë qasje më miqësore ndaj kapitalit, siç bëri Uruguai, tregjet e kapitalit do të vazhdojnë t'i ndëshkojnë ato.

(Ricardo Hausmann, ish-ministër i Planifikimit i Venezuelës dhe ish-kryekonomist në Bankën Ndëramerikane të Zhvillimit, është profesor në Shkollën e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit dhe drejtor i Laboratorit të Rritjes në Harvard. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).