OpEd

Marrëveshja që shënon kthesë, por nuk i normalizon tërësisht raportet Kosovë-Serbi

Nëse Kosova dhe Serbia e pranojnë edhe zyrtarisht të hënën në Bruksel propozimin evropian, atëherë do të duhej që të nisë një fazë e re e raporteve mes tyre. Ato gjithsesi do të ishin më normale sesa deri më tash. Por të gjitha palët, përfshirë edhe BE-në, duhet që pa hile të zbatojnë obligimet e tyre. Nëse pas kësaj marrëveshjeje, për shembull, pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën vazhdojnë të bëjnë pengesa për marrjen e statusit të kandidatit, nëse nuk e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, atëherë do ta fundosin dialogun dhe do ta bëjnë rolin e BE-së të pakuptimtë. Po ashtu, edhe Serbisë duhet t’i bëhet me dije se nuk do të tolerohet loja e saj për ta penguar arritjen e subjektivitetit të plotë ndërkombëtar të Kosovës

Gjithmonë të drejtën dhe obligimet që të vendosin në emër të shtetit e kanë ata që janë në pushtet. Pra, subjektet politike që kanë aktualisht shumicën në Kuvend. Në rastin e Kosovës, kjo është Vetëvendosja dhe aleatët e saj. Pra, për secilin veprim të tyre është legjitime që të ketë kritika nga ana e opozitës. Kritikat e opozitës janë edhe më legjitime kur ato rikujtojnë qëndrimet që pushtetarët e sotëm i kanë pasur kur kanë qenë në opozitë. Prandaj, nuk duhet t’u shihet për të madhe atyre partive politike të cilat sot rikujtojnë energjinë me të cilën Vetëvendosja e kundërshtonte dialogun e Brukselit dhe sidomos disa marrëveshje të arritura në të, përfshirë edhe atë për formimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Krejt kjo sjellje e opozitës është normale, logjike, legjitime dhe është në të drejtën e tyre.

Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Edhe Qeveria e sotme ka të drejtë t’i rikujtojë veprimet dhe qëndrimet e opozitës së sotme, kur ajo ishte në pushtet. Të rikujtojnë se si ishin PDK-ja, LDK-ja dhe të tjerët që me ta ndanin pushtetin, ata që e pranuan obligimin për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Pra, bazuar në këtë, qeveria e sotme nuk do të duhej të kishte kundërshtim në Kosovë nga ana e opozitës për pranimin e obligimit që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. E në BE na thanë qartë se me pranimin e propozimit evropian për “marrëveshjen bazë”, pranohet edhe krijimi i Asociacionit.

Nuk ka dyshim se Vetëvendosja ka marrë një leksion të mirë se sa dallon mundësia e veprimit kur je në opozitë nga ajo kur ke përgjegjësi në kohën kur je në pushtet. Dhe nuk është as e para, e as e fundit që e merr këtë leksion. Për më tepër, sot Vetëvendosja është shndërruar në subjektin që duket se e mbron më së shumti pakon e Ahtisaarit, ndaj së cilës kishte protestuar. Sepse tash ka rrezik që Kosova të japë më shumë sesa që kërkonte ky propozim i ish-presidentit të Finlandës. Por, në anën tjetër, edhe partitë që kishin pushtetin më herët morën obligime në emër të Kosovës. Nuk i zbatuan, e tash i mbetet Vetëvendosjes që t’i zbatojë. Një prej tyre është krijimi i Asociacionit.

Krejt kjo duhet të jetë një mësim për të gjithë në Kosovë se proceset në të cilat ndodhet shpesh shteti janë mbipartiake. Qeveritë shkojnë e vijnë, e obligimet shtetërore dhe shtetndërtimi vazhdojnë. Këto janë procese që shkojnë shumë përtej cikleve qeverisëse dhe zgjedhore.

Opozita në Kosovë sot duhet të jetë e lumtur nëse vlerëson se Vetëvendosja ka lëvizur drejt pranimit të obligimeve që ata i kishin marrë në emër të Kosovës, kur ishin në pushtet. Sikur që dikush tjetër duhet të zbatojë një ditë atë që Qeveria e sotme pranon në emër të Kosovës. Sepse legalistët nuk mund të mendojnë se shteti nis me ta dhe çfarëdo që dikush para tyre ka marrë si obligim në emër të shtetit nuk vlen më. Më së miri i ka ilustruar obligimet dhe opsionet e Qeverisë Kurti, lideri i LDK-së, Abdixhiku. Duke rikujtuar se Kosova e ka nënshkruar këtë marrëveshje, atë e ka ratifikuar Kuvendi me shumicën e kërkuar, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë udhëzimet se si të zbatohet dhe tash qeveria i ka dy mundësi: ta zbatojë apo të mbledhë shumicën për ta anuluar në Kuvend.

Në këtë moment, të gjithë duhet të mendojnë mirë se çfarë sjell marrëveshja për të cilën duket se do të pajtohen Kosova dhe Serbia në takimin në Bruksel. Natyrisht se do të ketë interpretime të ndryshme të asaj që ajo është dhe të asaj që ajo nuk është. Secila palë do të nxjerrë atë që i konvenon, Qeveria për t’u lavdëruar e opozita për ta kritikuar qeverinë.

Shikuar nga këndi neutral, këto janë disa fakte. Marrëveshja nuk përfshin njohjen e ndërsjellë. Marrëveshja përfshin obligimin e Kosovës për formimin e Asociacionit. Marrëveshja, si e tillë, nuk e obligon BE-në në asgjë konkrete. As nuk i obligon vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. Njohja e ndërsjellë nuk është pjesë e as në thelb të marrëveshjes, sepse kjo marrëveshje nuk është finale. Por marrëveshja do të thotë de facto njohje. Sepse Serbia pranon se do të ndërtojë raporte me Kosovën mbi parimin e të drejtave të barabarta, se do të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore dhe se nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovën në organizatat ndërkombëtare. Si e tillë, nëse zbatohet, marrëveshja vërtet do të çojë në një nivel të ri raportet mes Kosovës dhe Serbisë, që do të jenë më normale sesa që kanë qenë deri më tash, por nuk do të mund të quhet krejtësisht normale.

Kosova edhe në këtë rast është bindur se në raportet ndërkombëtare nuk vlen parimi i korrektësisë. E dimë se nuk ka qenë korrekte të na mbajnë kaq shumë pa liberalizim vizash, po ja se na kanë mbajtur. Dhe, nëse do të jetë nevoja, prapë do ta bllokojnë liberalizimi nëse vlerësojnë se kjo do të ndihmojë për ta kushtëzuar Kosovën në dialog. E dimë se marrëveshja për Asociacionin nuk është e mirë. Lehtë është të dëshmohet se ajo nuk është as në frymën evropiane. Sepse është diskriminuese. Por e dimë se të gjithë kërkojnë që ajo të zbatohet, e dhe SHBA-ja. Dhe Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër.

Por në anën tjetër, gjasat janë që Kosova të përfitojë edhe falë këtyre lëvizjeve që çuan deri te propozimi për “marrëveshjen bazë”. Do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, do të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave, do të nisë së paku procedura e dhënies së mendimit për statusin e kandidatit. Dhe të gjitha këto janë diçka që qeveria e stome do të mund të thotë se është meritë e saj. Sepse të tjerët u munduan, por nuk ia arritën. Por në anën tjetër, duhet të përballet edhe me sfidat e pranimit të obligimeve që nuk janë të lehta për Kosovën.

Krijimi i një uniteti në Kosovë do të ndihmonte shumë. Sepse edhe ndaj miqve ndërkombëtarë Kosova do të dukej më serioze dhe më pak e lëndueshme kur do të refuzonte diçka. Nuk ka mundësi të mos pranosh marrëveshjen dhe me këtë refuzim të mos i irritosh miqtë ndërkombëtarë. Pra, “mos na prishni me Amerikën” si thirrje automatikisht është edhe thirrje për pranimin e Marrëveshjes dhe për zbatimin e Asociacionit. Dhe thirrja “mos e pranoni Asociacionin” nuk mund të jetë ndryshe pos thirrje që të vështirësohen raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Italinë.

Kosova duhet të shikojë se çfarë mund të nxjerrë në këto rrethana. Dhe fuqia e Kosovës për të imponuar një zgjidhje dhe një njohje nga Serbia nuk ekziston në këtë koment. E thënë të drejtën, nuk kemi parë as në vitet e kaluara se ka pasur ndonjë trysni të vërtetë nga Shtetet e Bashkuara apo vendet e BE-së që Serbia ta njohë Kosovën. Kjo është thënë vetëm formalisht aty-këtu, por nuk është mbështetur në asnjë veprim.

Kosova, bazuar nga përvoja e së kaluarës, duhet të insistojë që gjithçka të jetë e shkruar qartë në letër dhe që obligimet të merren seriozisht nga të gjithë.

Të gjitha palët, përfshirë edhe BE-në, duhet që pa hile të zbatojnë obligimet e tyre. Nëse pas kësaj marrëveshjeje, për shembull, pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën vazhdojnë të bëjnë pengesa për marrjen e statusit të kandidatit, nëse nuk e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, atëherë do ta fundosin dialogun dhe do ta bëjnë rolin e BE-së të pakuptimtë. Po ashtu, edhe Serbisë duhet t’i bëhet me dije se nuk do të tolerohet loja e saj për të penguar arritjen e subjektivitetit të plotë ndërkombëtar të Kosovës.