OpEd

Luftëra janë të disallojshme

Tashmë e kemi thënë sa herë, se jemi ku jemi në këtë proces negociatash për shkak të paaftësisë dhe gabimeve trashanike të atij që e përfaqësoi Kosovën në negociata, Hashim Thaçit. Porse kot e kemi t’u kthehemi emrave të përveçëm. Duhet t’i kemi në mendje ato gabime, ashtu që të mos përsëriten apo që të mos thellohen edhe më. Nuk na duhen heronj, e as “heronj”. Na duhen njerëz të dijshëm dhe të përbashkuar rreth një kauze

Dje u mbush viti i plotë nga nisja e agresionit rus mbi Ukrainën. Si popull që e kemi vuajtur represionin shumëvjeçar, e më pas edhe agresionin në trajtë lufte, dëshmuam një solidaritet, së paku figurativ fundja, të cilin nuk e besoj ta kenë pritur edhe vetë ukrainasit.

Pavarësisht faktit se Ukraina nuk e ka njohur Kosovën, ne e kemi njohur vuajtjen e një populli, i cili u sulmua nga një fashist, në bazë të argumenteve të ngjashme që një fashist tjetër i përdori para 25 vjetësh: se populli rus (lexo serb në rastin e Kosovës) i nënshtrohet abuzimit dhe gjenocidit nga regjimi i Kievit (lexo “terroristët shqiptarë” në rastin e Kosovës) dhe për ta demilitarizuar dhe denazifikuar Ukrainën (lexo për ta spastruar "tokën serbe" nga shqiptarët, në rastin e Kosovës).

Ne e dimë më së miri se si është të të vriten civilët e të të shkatërrohet shteti, sepse mjetet që i kanë pasur në dispozicion për t’u mbrojtur kanë qenë të pakta dhe jo mjaftueshëm të fuqishme. Ne e dimë se çfarë është të bësh një luftë me artileri të rëndë, e së cilës i përgjigjesh me një “gulinov” të shkretë. E dimë edhe çka është të të dëbojnë prej shtëpisë e tokës tënde, e të jesh refugjat në tokë të huaj. E dimë edhe çfarë do të thotë kur dikush ta zgjat dorën e të ndihmon, e edhe kur ta kthen shpinën dhe nuk çan kokë.

E dimë se sa e keqe është lufta. E dimë edhe se çfarë domethënie ka kur shtetet më të fuqishme në botë të shpëtojnë nga asgjësimi. Në fund, e dimë gjithashtu se çfarë gëzimi sjell çlirimi, me gjithë humbjet e pësuara.

Uroj që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt. Lufta është e keqe. Sjell shumë vuajte, dhimbje e mjerim për shumicën. Sjell shumë para e pasuri për pakicën. E kjo e fundit nuk ia vlen sakrificën e të pafajshmëve.

                                                                                                                                         * * *

S’di a t’i quaj “të pafajshëm” votuesit e Kosovës, ngaqë duhen ta vuajnë sallamadinë, papërgjegjësinë dhe pafytyrësinë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndër njerëzit më të paguar nga paratë e taksave tona, vazhdojnë të marrin rroga të majme duke mos u përpjekur së paku ta kryejnë një copëz pune të tyre si duhet: të shkojnë në sallën plenare dhe të ulen në vendet e veta. Edhe pse nuk do të duhej të ishte ashtu, mund edhe të mos i lexojnë ligjet, edhe të flasin budallallëqe gjithë ditën e lume, por minimalja që duhen ta sigurojnë është pjesëmarrja në seancë dhe krijimi i kuorumit për të shqyrtuar e votuar ligje.

Për një Kuvend të këtillë irritues, përgjegjësinë kryesore e mban lista e pushtetit. Është fakt se një votë ia ka marrë LDK-ja, porse, asnjëherë nuk duket të jetë në gjendje t’i mbledhë bashkë ata 58 deputetë që i ka e t’i mbajë në sallë. Është për turp që një seancë ku duheshin ratifikuar ca marrëveshje ndërkombëtare nuk kishte as kuorum të thjeshtë (se lëre më të kualifikuar) për t’i zhvilluar punimet. Turp!

Të nesërmen u sigurua kuorumi dhe plasi një fjalosje mes një deputeti të PDK-së dhe ministres së Drejtësisë. Deputeti, i cytur nga një konferencë për shtyp e deputetit të pakënaqur të Vetëvendosjes një javë më parë, i cili e rihapi çështjen e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit. Deputeti Hiseni tha: “Janë dy parakushte për ta zbardhur vetëvrasjen apo vrasjen e Astritit. Parakushti i parë për me u zbardhë vrasja apo vetëvrasja e Astritit është zbardhja e rastit terrorist në Presidencë dhe në objekte të Qeverisë. Por rastin e sulmeve terroriste ndaj institucioneve të Kosovës nuk pres ta zbardhni, sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin tuaj. Dhe, parakushti i dytë është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbënorit, cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje?”

Ministrja bërtiti diçka si “ia kisha ndaluar me ligj këtij deputeti të flasë” – një absurd i cili më së paku do të duhej të dëgjohej të vinte nga shefja e këtij dikasteri. Fjalën e lirë, e sidomos të një deputeti, nuk mund ta ndalojë askush, pos nëse del nga rendi i ditës, dhe këtë diskrecion e ka kryesuesi i seancës. Meqë fjala nuk iu ndërpre, Haxhiu nisi ta godiste tavolinën. Shembullin e saj e ndoqën bashkëpartiakët e saj. Hiseni s’mundi të vazhdonte dhe më pas, me sms, kërkoi përkrahje nga deputetët e GP të PDK-së, por nuk e mori dhe këtu përfundoi ky episod.

Do të mund të thuhej se deputeti u nis për të shkaktuar fesat: gjykata tashmë ka vendosur se ata të cilët u mbajtën në burg apo në arrest shtëpiak (sic!) si të akuzuar për terrorizëm, u liruan të pafajshëm. Që po i bie se edhe u akuzuan të pafajshëm. Përderisa të gjithë iu kthyen shtëpive të tyre, Dehari doli prej burgut në arkivol. Fakti është se Dehari vdiq në kohën kur në krye të Qeverisë ishte koalicioni PDK-LDK dhe kur ministre e Drejtësisë ishte Dhurata Hoxha e PDK-së. Deputeti mundet edhe t’i harrojë detajet, por arkivi nuk i harron.

Rasti që nga fillimi ka qenë tejet i komplikuar. Nisi me rrjedhjen e xhirimeve nga burgu që lehtë kanë mundur të manipuloheshin. Më pas, me deklarata kontradiktore për çastin e vdekjes. Vijuan dy autopsi që dolën të jenë kundërthënëse. U kërkua një studim i pavarur, i cili ndodhi shumë më vonë dhe në mungesë të shumë dëshmive që kanë mundur të asgjësoheshin me kalimin e kohës. Rasti vazhdon të jetë i pazgjidhur dhe tashme edhe me komplikime shtesë - me zhdukjen e mostrave (nuk dihet cilat) të tij.

Është për shumë keqardhje që rasti i Astrit Deharit të nxirret në shesh orë e çast për kusuritje politike, pa e pasur as më të voglën konsideratë për familjen e tij. Për më keq, është për keqardhje që rasti më tej të bëhet temë “analizash”, sharjesh e akuzash nëpër studio televizive, për shkak të një deputeti që ka humbur privilegjet brenda partisë, e që me çdo kusht e do të gjithë vëmendjen të kthyer nga ai.

                                                                                                                                       * * *

E vëmendja megjithatë, do të jetë e kthyer nga Brukseli të hënën. Pas pranimit, nga të dyja palët, të dokumentit franko-gjerman, Borrelli i ftoi Kurtin e Vuçiqin që të takoheshin në Bruksel. Se a do të jetë ky rasti ku do të parafohet një marrëveshje parimesh të cilën të huajt e etiketuan “merre ose lëre”, nuk është se dihet. Tashmë u mësuam se në këtë proces negociator të nisur prej 2011-s, e që tash merr trajtë të re, më së paku ka pasur transparencë.

Do të detyrohemi të mjaftohemi me komunikatat nga kryeministria sikur ajo që doli dje, në të cilën tregohej për një bisedë telefonike ndërmjet Kurtit dhe Cholletit, këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit: ‘’Gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare. Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht”.

Ky proces i ri, që tash e ka shtytjen amerikane, gjasat janë se mund ta sjellë një marrëveshje përmbajtjesore, e cila do të ishte mirë të mos ishte e përkohshme për shumë arsye. E përkohshmja mund të harrohet shpejt, sidomos kur ka ndërrime pushtetesh në shtetet e fuqishme e të mëdha, nga të cilat, e deshëm ose jo, jemi të varur.

Kjo është një arsye më tepër që pushtet e opozitë të bëhen bashkë, e që së bashku t’i gjejnë në favor të Kosovës formulat më të mira në këtë proces, sepse gjasat janë që një rast i këtillë nuk do të kthehet më.

Tashmë e kemi thënë sa herë që jemi ku jemi në këtë proces negociatash për shkak të paaftësisë dhe gabimeve trashanike të atij që e përfaqësoi Kosovën në negociata, Hashim Thaçit. Porse kot e kemi t’u kthehemi emrave të përveçëm. Duhet t’i kemi në mendje ato gabime, ashtu që të mos përsëriten apo që të mos thellohen edhe më. Nuk na duhen heronj e as “heronj”. Na duhen njerëz të dijshëm dhe të përbashkuar rreth një kauze.

E kauzë më e madhe sesa Kosova e pavarur e sovrane në të gjithë territorin e saj, nuk ka.

flaka@koha.net