OpEd

Platforma evropiane e Kosovës karshi asaj joevropiane të Marrëveshjeve të Brukselit

Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës lejojnë që komunat me shumicë serbe të themelojnë një bashkësi që do të merret me, për shembull, çështjet e avancimit të arsimit në gjuhën serbe. Ky është filli i rrugëdaljes nga rrethi vicioz

1.

E drejta e komunave të Kosovës, pra edhe e komunave me shumicë serbe, për bashkëpunim/asociim/bashkësi është një e drejtë evropiane. Rrjedhimisht, edhe dalja nga rrethi vicioz i Marrëveshjeve 2013/2015 qëndron te rruga e respektimit të vlerave evropiane.

Karta Evropiane për Vetëqeverisje lokale përcakton qartazi në Nenin 10 se:

“Autoritetet vendore kanë të drejtë në ushtrimin e kompetencave të tyre, të bashkëpunojnë dhe, brenda kornizës ligjore, të krijojnë konsorciume me autoritetet e tjera vendore për kryerjen e detyrave me interes të përbashkët”.

“Do të njihet në çdo shtet e drejta e autoriteteve vendore për të bërë pjesë në një Asociacion për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta dhe t'i përkasin një Asociacioni ndërkombëtar të autoriteteve vendore”.

Karta Evropiane për Vetëqeverisje lokale, ndonëse Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, është pjesë e Kushtetutës së Kosovës në letër e frymë. Neni 123 i Kushtetutës thotë se “Republika e Kosovës merr parasysh dhe zbaton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale në masën e kërkuar nga vendi nënshkrues. Rrjedhimisht, e drejta e komunave me shumicë serbe për asociim nuk është vetëm e drejtë parësore kushtetuese si për çdo individ/subjekt (të garantuar me Nenin 44, Liria e Asociimit), por pjesë e një të drejte të përcaktuar në veçanti për autoritetet vendore, në përputhshmëri me standardet evropiane.

2.

Qasja evropiane dhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Marrëveshjen e 2015-s përputhen në një pikë të rëndësishme (të përsëritur nga Gjykata mbi njëzet herë) e ajo është se e drejta (liria) e asociimit bëhet brenda Kushtetutës, rrjedhimisht ligjit. Ndërkaq, krejt e kundërt është qasja e Marrëveshjeve 2013/2015, duke udhëzuar se Asociimi është një detyrë sipërore e cila duhet t’i imponohet Kushtetutës, rrjedhimisht ligjit.

Pra, për të dalë prej rrethit vicioz duhet kaluar prej një zgjidhjeje joevropiane (Marrëveshjet 2013/2015) në një zgjidhje evropiane.

Për të gjetur zgjidhje evropiane, e për nevoja të këtij shkrimi, të marrim një shembull, në dy shtyllat e veta. E para, janë nevojat e komunitetit serb, ashtu siç artikulohen në diskurs publik, përfshirë edhe diskursin lidhur me Marrëveshjet e Brukselit. Shtylla e dytë është Karta evropiane për vetëqeverisje lokale e zbërthyer në ligjet e Kosovës.

Fillimisht shtylla e parë. Po të përmblidhen në formë të reduktuar perceptimet (e jashtme) për nevojat e veçanta të komunitetit serb të themi se numër një është arsimi në gjuhën serbe, si një çështje parësore për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të qytetarëve serbë si dhe të ruajtjes së lidhjes me Republikën e Serbisë (përfshirë edhe në aspektin financiar). Kjo çështje (si dhe shumë të tjera) janë trajtuar me përfaqësuesit e Serbisë dhe komunitetin serb të Kosovës gjatë procesit Ahtisaari dhe janë gjetur zgjidhjet brenda Kushtetutës së Kosovës, në formën e asimetrisë së pushteteve komunale, ku disa komuna me shumicë serbe kanë kompetenca shtesë. Por, fakti se sërish paraqiten në narracion tregon se këto zgjidhje janë per se (vetvetiu) të pamjaftueshme.

Diskursi i zhvilluar prej vitit 2013 e këtej, pra, është se zgjidhjet e Pakos së Atisaarit janë të pamjaftueshme dhe se duhet shkuar një hap më tutje. Në interpretimin liberal të kontekstit të Marrëveshjes 2013/2015 do të mund të dilte se ka nevojë që kompetencat shtesë të komunave me shumicë serbe të përbashkohen. Pra, duhet të ketë një lloj trupi i cili merret me arsimin serb të të gjitha komunave me shumicë serbe.

3.

Tash shtylla e dytë. Kushtetuta e Kosovës njeh shprehimisht se “komunat kanë të drejtë për bashkëpunimin ndërkomunal dhe për bashkëpunimin ndërkufitar, në pajtim me ligjin”. Për këto nevoja Kosova ka dy ligje, atë për Vetëqeverisje lokale dhe për Bashkëpunim ndërkomunal, me të cilat jepen garanci ligjore për të drejtën e asociimit të komunave të Kosovës, pra edhe të komunave me shumicë serbe.

Ekziston, pra në Kosovë e drejta evropiane, e kodifikuar në Kushtetutë dhe ligje, e komunave me shumicë serbe për bashkëpunim/asociim. Nuk ekziston, siç po pretendohet me Marrëveshjet 2013/2015 një obligim evropian që detyron komunat të bashkëpunojnë/asociohen mes vete. Rrjedhimisht, bashkëpunimi/asociimi duhet të rrjedhë nga vullneti i lirë i komunave që duan të bashkëpunojnë/asociohen, siç është kodifikuar në ligjet e Kosovës.

Format dhe procedurat e bashkëpunimit ndërkomunal janë të përcaktuara në formë të detajuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe në Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal. Procedura fillon thjesht, jo me diktat të autoriteteve qendrore apo të bashkësisë ndërkombëtare, por me iniciativën në komunë, qoftë të banorëve të saj, qoftë të përfaqësuesve politikë. Dhe kjo iniciativë shkon tutje me rrugën e vet ligjore. Korniza e tanishme ligjore ofron mundësinë e formave të ndryshme të bashkërenditjes së forcave e resurseve të komunave, përfshirë ndërtimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale.

Përgjigjja evropiane që mund/duhet të jepet në Kosovë do të ishte fillimisht në këtë përmbledhje konstatime premisash:

Kosova konsideron se Kushtetuta dhe ligjet e saj ua njohin të drejtën e bashkëpunimit ndërkomunal komunave me shumicë serbe.

Format e bashkëpunimit ndërkomunal përfshijnë format si ajo e grupit të përbashkët punues, organit të përbashkët administrativ, institucionit të përbashkët publik, ndërmarrjes së përbashkët publike, partneriteteve të përbashkëta publiko-private. Këto në thelb janë të drejta për kompetenca të përbashkëta administrative e institucionalizim të bashkëpunimit. Pra, edhe të drejtën për Asociacion të komunave me shumicë serbe për çështje të arsimit.

E drejta për bashkëpunim ndërkomunal rrjedh nga vullneti i komunave, i shprehur në formë demokratike e brenda procedurave të parapara ligjore.

Qeveria e Kosovës ka obligim që ta ndihmojë këtë proces kur një gjë e tillë i kërkohet apo identifikohet si çështje që kërkon vëmendjen e organeve të pushtetit qendror.

4.

Një përgjigje evropiane e Kosovës mund të vihet lehtë në testim, karshi qasjes antievropiane të Marrëveshjeve 2013/2015. Në konceptin e Marrëveshjes 2013/2015 duhet të themelohet Bashkësia e komunave me shumicë serbe si rrafsh i tretë i pushtetit në mënyrë që, mes tjerash, të ndihmohet (përkrahet, administrohet, mbikëqyret) arsimi në gjuhën serbe. Kjo qasje, tashmë u shpjegua, është kundër Kushtetutës dhe disa herë u përsërit nga diplomatë amerikanë (në veçanti) se nuk është pjesë e qëllimit të negociatave për normalizim Kosovë-Serbi.

Por, në konceptin evropian të përmbajtur në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, mund të themelohet Bashkësia e arsimit të komunave me shumicë serbe që do të trajtonte formën më të mirë për ndihmë (përkrahje, avancim, bashkadministrim, mbikëqyrje) të arsimit në gjuhën serbe që zhvillohet në këto komuna.

Dallimi mes të dyjave nuk është vetëm ai konceptual mes asociacionit si “obligim” dhe atij “si liri”, e të faktit se njëri koncept ndërtohet prej së larti poshtë e tjetri prej poshtë-lart. Dallimi thelbësor, rrjedhimisht, është se koncepti evropian ka për pikënisje nevojën, në këtë rast nevojën që pushteti vendor të trajtojë një çështje me interes të përbashkët, arsimin në gjuhën serbe, diçka që ndan me komunat e tjera me popullatë shumicë serbe. Dhe, ndërton strukturë bashkëpunimi rreth kësaj çështjeje të interesit të përbashkët brenda kontekstit të ligjeve në fuqi.

Ja filli i rrugës për dalje prej rrethit vicioz të Asociacionit/Bashkësisë.


Pjesa e parë: Rrethi vicioz i Asociacionit dhe si të dilet prej tij

Pjesa e dytë: Implanti i rrafshit të tretë të pushtetit

Pjesa e tretë: Prej decentralizimit të shtetit, te centralizimi etnik

Pjesa e katërt: Pika Zero dhe rrugëdalja evropiane