OpEd

Shkenca e tokës për planetin e uritur

Për shkencëtarët bujqësorë si puna ime, asnjë çështje tjetër që ndërlidhet me gjeneratat e ardhshme nuk është më e rëndësishme sesa siguria e ushqimit. Lajmi i mirë është se, derisa ne po kërkojmë mënyra të reja për t’i shtyrë bimët të japin më shumë, teknologjitë më premtuese janë ato që i ofron vetë natyra e që flenë thellë nën këmbët tona, duke pritur që të zbulohen

Auburn, Alabama – Sipas Kombeve të Bashkuara, dikur rreth vitit 2050, popullata e planetit do të numërojë afro dhjetë miliardë njerëz, shifër kjo që do t’u shkaktojë telashe shumë prej sistemeve më të rëndësishme të botës, sidomos bujqësisë. Si do të arrijnë bujqit – përfshirë kultivuesit e varfër në shtetet në zhvillim – ta rrisin prodhimin e të korrave për t’i bërë ballë kërkesës në rritje për ushqim?

Sigurimi i ushqimit të mjaftueshëm për botën nuk do të jetë punë e lehtë, pasi që shoqëruar nga ndryshimet klimatike, konfliktet e dhunshme dhe mungesa e ujit të pastër do t’i komplikojnë edhe më shumë gjërat. Teknikat e reja bujqësore që përdorin të dhëna dhe dronë për monitorimin e shëndetit të të korrave do të ofronin ndihmesë. Mirëpo një prej metodave më të fuqishme për rritjen e qëndrueshmërisë së prodhimit buron prej baraspeshimit të asaj që aktualisht është mbjellë në tokë.

Mikrobet që gjenden në tokë ndihmojnë në shëndetin e të korrave dhe e përmirësojnë prodhimin e bimës. Mirëpo menaxhimi i tokës së varfër mund të shpjerë drejt humbjes së përmbajtjes mikrobiale. Me anë të mbushjes së tokave të varfëruara me këta organizma të dobishëm, prodhimi bujqësor mund të rritet, pa pasur nevojë për mbështetje në produkte të kushtueshme, si plehrat dhe pesticidet, me të ndihmuar kësisoj në përballimin e sfidës madhore të të ushqyerit të popullatës gjithnjë më të shumtë duke e mbrojtur njëkohësisht edhe ambientin.

Disa kompani fillestare tanimë po punojnë në shfrytëzimin e fuqisë së mikrobeve. Kompania me seli në San Francisco “Biome Makers”, për shembull, po e shfrytëzon renditjen e AND-së për t’u ndihmuar verëbërësve përfitime nga mikroorganizmat që e përmirësojnë kualitetin dhe prodhimin në vreshta. “Indigo”, një kompani “e teknologjisë bujqësore” me seli në Boston, krijon produkte mikrobiale që i ndihmojnë bimët t’u bëjnë ballë kushteve atmosferike me thatësi. Dhe në Florida, “Pathway Biologic” po zhvillon produkte mikrobiale për përdorim në të gjithë sektorin bujqësor.

Edhe kompanitë e mëdha po ashtu po i hidhen kësaj pune. “Bayer Crop Sciences”, për shembull, shet një mori produktesh me bazë mikrobiale, përfshirë edhe atë që raportohet se e përmirëson prodhimin e misrit për më tepër se 15 për qind. Shumë kompani të tjera po zhvillojnë produkte të tilla që pritet të arrijnë së shpejti në treg.

Natyrisht edhe Universitetet po marrin pjesë aktivisht në kërkimet mikrobiale. Në Universitetin e Auburnit, për shembull, unë jam pjesë e një ekipi hulumtues që teston ndikimin e mikrobeve të tokës në rritjen dhe aftësinë ripërtëritëse të misrit dhe bimës së pambukut. Siç e kam parë në vetë punimet e mia, bimët e misrit që rriten në toka të mbushura me baktere të caktuara zhvillojnë një sistem rrënjësh trefish më të madh sesa në bimët që rriten në toka të patrajtuara. Po ashtu kam parë se këto baktere i mbrojnë të korrat nga thatësira; në një eksperiment, ne e ndamë ujin prej një grupi bimësh të trajtuara me mikrobe dhe një grupi tjetër. Pas pesë ditësh pa ujë, bimët e trajtuara qëndronin ende të freskëta dhe të fuqishme, derisa ato të patrajtuara u dobësuan dhe u vyshkën.

Një prej shkaqeve kryesore pse bujqit i shohin si joshëse produktet mikrobiale është ajo se ato krijohen prej organizmave që gjenden në natyrë dhe nuk i bartin të njëjtat rreziqe si kemikatet sintetike. Vlera aktuale në treg e këtyre produkteve është 2.3 miliardë dollarë, ndërsa pritet të rritet deri në 5 miliardë dollarë gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Rëndësia e përfitimeve prej trajtimit mikrobial të tokës me qëllim të produktivitetit bujqësor është e pamundur të mos vihet re, veçanërisht në botën në zhvillim, ku rritja e prodhimit të të korrave është çështje mbijetese për fermat e vogla. Kjo gjë vlen veçanërisht për bujqit në Afrikë.

Sot, përafërsisht 65 për qind e tokës bujqësore të Afrikës është degraduar shkaku i mungesës së lëndëve ushqyese dhe jetës mikrobiale për mbështetjen e shëndetit të një bime. Bujqit afrikanë shpenzojnë 68 miliardë dollarë në vit për t’i konservuar këto mungesa, kryesisht nëpërmjet përdorimit të plehrave kimikë. Zgjidhjet me bazë mikrobiale mund, kësisoj, të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së tokës në mënyrë më të qëndrueshme sesa me anë të mjeteve tradicionale, duke u mundësuar bujqve afrikanë që t’i rrisin të korrat e domosdoshme për ta ushqyer popullatën e Kontinentit.

Mirëpo kërkimi për mikrobet tokësore të Afrikës mbetet i kufizuar, pasi që shumica e zgjidhjeve mikrobiale po zhvillohen për tregjet perëndimore. Kjo gjë duhet të ndryshojë. Investimet shtesë mund t’u mundësojnë shkencëtarëve zbulimin e burimeve të reja mikrobiale për zhvillimin e prodhimit bujqësor.

Më shumë investime në kërkimet e tokës mund, po ashtu, edhe t’i përhapin përfitimet për ekonominë afrikane. Me zbulime të reja që shpënë drejt patentimeve dhe licencimeve, kërkimet rezultuese mund të hapin rrugën për formimin e bizneseve të reja bujqësore dhe industrive të ndërlidhura me bujqësinë.

Personalisht mund ta garantojë fuqinë e përfitimeve në fusha të tjera nga një lloj i tillë kërkimi. Vetë punimet e mia në mikrobet e tokës në Auburn hapën rrugën në sigurimin e tri patentave amerikane, ndërkohë që edhe disa kompani të tjera bujqësore po kërkojnë të drejta për tregtimin e prodhimeve me anë të teknologjisë. Kërkesa shtesë për patenta, si produkt i kërkimit tim, janë paraqitur edhe nga shtetet e tjera, përfshirë Argjentinën, Bolivinë, Paraguain, Uruguain dhe Venezuelën. Kur të jepen, patentat mund t’u sjellin përfitime miliona bujqve dhe të hapin rrugën për produkte komerciale që gjenerojnë burime të reja fitimprurëse të të ardhurash.

Përmbushja e kërkesave për ushqim në planetin me popullatë gjithnjë e më të madhe do të kërkojë produkte të reja bujqësore, teknologji dhe praktika që e rrisin prodhimin. Zgjidhjet që burojnë prej mikrobeve të dobishme do të jenë esenciale për këto inovacione.

Për shkencëtarët bujqësorë si puna ime, asnjë çështje tjetër që ndërlidhet me gjeneratat e ardhshme nuk është më e rëndësishme sesa siguria e ushqimit. Lajmi i mirë është se, derisa ne po kërkojmë mënyra të reja për t’i shtyrë bimët të japin më shumë, teknologjitë më premtuese janë ato që i ofron vetë natyra e që flenë thellë nën këmbët tona, duke pritur që të zbulohen.

(Esther Ngumbi, shkencëtare në Universitetin Auburn në Alabama, është mentore universitare për bujqësi në Iniciativën Globale Clinton më 2017 dhe anëtare e re e iniciativës për siguri të ushqimit në Institutin Aspen. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).