OpEd

Gjasat janë të vogla për marrëveshje Kosovë-Serbi këtë vit

BE-ja dhe SHBA-ja janë në një situatë që duhet të përshëndesin “uljen e tensioneve“ në Kosovë dhe atë që e quajnë shmangie të konfliktit. Deklaratat e presidentit të Serbisë më shumë i ngjajnë përgatitjes për luftë sesa krijimit të rrethanave për marrëveshje me Kosovën. E propozimi evropian apo “franko-gjerman”, edhe nëse ndodh ndonjë mrekulli e pranohet nga të dyja palët, do të jetë vetëm një status quo i ri, e jo marrëveshje finale për normalizimin e plotë. Prandaj, duket tepër optimiste të besohet se këtë vit mund të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë

Në një prej intervistave të rregullta që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka dhënë për mediat e tij të preferuara, që gjithmonë quhen si “drejtim historik kombit“, duke komentuar njoftimet se Serbia në afërsi të kufirit me Kosovën ka vendosur topa dhe artileri të rëndë, ka thënë se „nuk kanë qenë 6, por 18“ dhe se, me to “për gjysmë orë do të bëheshin rrafsh me tokë bazat e tyre“. Me “bazat e tyre“ ka menduar me gjasë në bazat e FSK-së apo të njësive policore të Kosovës, apo ndoshta edhe të NATO-s. Këtë nuk e ka sqaruar. Krahas kësaj ka folur edhe për përqindjen e madhe të “vullnetarëve“ që i janë përgjigjur thirrjes për ngritje të gatishmërisë luftarake në Serbi, që sipas tij, ka qenë “shumë më e madhe sesa e shqiptarëve në Kosovë“. Në një intervistë tjetër ka paralajmëruar se pjesëtarët e njësive speciale të ushtrisë së Serbisë “do të kenë së paku 2000 euro rrogë“ dhe se njësitë speciale do të kenë jo më vetëm 1500, por 5000 pjesëtarë. Krahas thirrjeve të njëpasnjëshme “nuk ka dorëzim“ dhe se “nuk i bëjmë hesap forcat e Kosovës“ atmosfera që është krijuar në Serbi më shumë i ngjan një përgatitjeje për luftë sesa një përgatitjeje të terrenit për arritjen e ndonjë marrëveshjeje me Kosovën.

E gjithë kjo ndodh në kohën kur janë paralajmëruar aktivitetet të shtuara ndërkombëtare të BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë, për ta arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Është paralajmëruar se, sapo të kalojnë festat e fundvitit, e ato përfundojnë më 14 janar kur serbët ortodoksë festojnë Vitin e Ri sipas kalendarit Julian, do të ketë takime të shumta dhe runde të dialogut, në mënyrë që të arrihet marrëveshja. Sipas këtyre paralajmërimeve “të gjithë duan marrëveshje“, sepse shumica e problemeve që krijohen në terren dhe nxisin tensione, janë pasojë e raporteve politike dhe mospajtimeve, të cilat palët mes vete nuk i kanë zgjidhur as pas 11 vjetësh dialog në Bruksel. Vetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se mosbesimi mes palëve asnjëherë nuk ka qenë më i madh. Ai ka përmendur si ideal vitin 2024 si afat për arritjen e marrëveshjes dhe ka tërhequr vërejtjen se, nëse nuk do të zgjidhen deri atëherë, pastaj do të jetë vështirë që të zgjidhen ndonjëherë fare.

Nuk është e çuditshme pse Lajçak, i cili deri më tash, gjithmonë ka thënë se në dialog “nuk duhet të ketë afate artificiale“ përmend vitin 2024 si afat për arritjen e marrëveshjes, sepse këtë vit përfundon edhe mandati i tij. Edhe viti 2014, ishte përmendur si “afati i duhur për marrëveshje gjithëpërfshirëse“ nga ana e ish-përfaqësueses së lartë Catherine Aghton. Sepse atë vit, asaj i skadonte mandati. Ndërkaq vitin 2019, madje edhe me çmimin që marrëveshja të jetë për shkëmbin territoresh dhe ndarje të Kosovës, ishte përmendur si “viti kyç për marrëveshje“. Edhe kjo ishte e lidhur me mandatin e përfaqësueses së lartë, Federika Mogherini. Tash përmendet viti 2024, vit kur edhe përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajçak u skadon mandati.

përderisa afatet e përmendura si “kyç“ kanë ardhur dhe shkuar, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë keqësuar, e kjo ka ndikuar edhe në ngritjen e tensioneve në mes të serbëve të Kosovës dhe autoriteteve shtetërore. Ka mundësi që tensionet të ndikojnë ndoshta edhe në përshpejtimin e procesit. Sepse alternativa e arritjes së marrëveshjes është edhe status quoja e dëmshme e në variantet më pesimiste edhe rritjes e tensioneve. E me uljen e tensioneve muajve të fundit merren më së shumti BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tashmë praktikës së mësuar, ata që nxisin tensione, e më pas ndihmojnë që të tejkalohen, marrin lëvdata e jo kritika. Në vend që të qortohen si zjarrvënës ata lavdërohen si zjarrfikës. “Ka mundur të jenë edhe më keq“ është fjalia me të cilën BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kënaqën kur arrihet ndonjë aranzhim për heqjen e barrikadave apo për kalimin e kufirit, e asgjë nuk ndodh drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse, për të cilën është thënë tash e 11 vjet se po zhvillohet dialogu.

BE-ja dhe SHBA-ja janë në një situatë që duhet të përshëndesin “uljen e tensioneve“ në Kosovë dhe atë që e quajnë shmangie të konfliktit. Deklaratat e presidentit të Serbisë më shumë i ngjajnë përgatitjes për luftë sesa krijimit të rrethanave për marrëveshje me Kosovën. E propozimi evropian apo “franko-gjerman”, edhe nëse ndodhë ndonjë mrekulli e pranohet nga të dyja palët, do të jetë vetëm një status quo i ri e jo marrëveshje finale për normalizimin e plotë. Prandaj duket tepër optimiste të besohet se këtë vit mund të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë

“Marrëveshja bazë“, që u është propozuar Kosovës dhe Serbisë, e tekstin e së cilës e ka botuar “Koha Ditore”, vërtet do të sillte shumë zgjidhje të çështjeve praktike. Do të mund ta hapte rrugën për integrimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare. Ndonëse nuk kërkohet nga Serbia të njohë Kosovën, që është një koncesion Serbisë dhe 5 vendeve të BE-së, ajo nuk do të duhej të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Por ai tekst prapë do të jetë shumë i hapur për interpretime. Prapë do të ketë nevojë që, krahas asaj “marrëveshjeje bazë“ të arrihen marrëveshje të tjera për zbatimin e marrëveshjes bazë. Përvoja nga marrëveshjet e deritashme si dhe manipulimi me interpretime të tyre nga palët, nuk japin shumë arsye për të besuar se mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë së shpejti ndonjë normalizim i raporteve. Pos nëse vërtet bashkësia ndërkombëtare, e këtu mendohet para së gjithash, në SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, ndryshon po ashtu qasjen dhe angazhohet për ta finalizuar normalizimin e raporteve.