OpEd

Në emër të popullit

Ligji i pashkruar i mosndëshkimit është goditja më e madhe që e kanë pësuar qytetarët e Kosovës prej pasçlirimit. Nga njëra anë, me qindra serbë mbetën madje edhe të pagjykuar për shkak se nuk ditëm as kallëzime penale të bëjmë. Nga ana tjetër, krimi i organizuar që lulëzoi në Kosovën e pasluftës jo që nuk u ndoq e ndëshkua kurrë, por madje edhe u cyt me mosveprimin e institucioneve

Pa dyshim lajmi i javës është dënimi i ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa-Cali me 26 vjet burgim për krime lufte. Ky është aktgjykimi i parë me këtë përmbajtje lëshuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Është i shkallës së parë, pra që mund të atakohet në shkallën e dytë, sidomos për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike.

Në njërën pikë të arsyetimit të gjykatës, Cali është akuzuar direkt për vrasjen e dikujt nga forcat serbe, me supozimin se ky person ka mundur të shpëtonte, po qe se do të lirohej nga kampi para se të ndodhte sulmi. Për të pasur bazë për një supozim të tillë, duhet pasur prova që rrjedhin nga ekspertiza kriminalistike e besa edhe psikologjike që do të duhej t’u bëheshin edhe të akuzuarve, por edhe vrasësve. Vështirë e realizueshme nëse flitet për një ngjarje që ka ndodhur thuajse para një çerekshekulli.

Nuk do mend se avokatët mbrojtës do ta shqyrtojnë secilën shkronjë të aktgjykimit në kërkim të fakteve që do ta zhbënin apo edhe zvogëlonin një dënim të këtyre përmasave, që hiq dënimin me burgim të përjetshëm, duket të jetë më i larti i shqiptuar për krime lufte në ish-Jugosllavi, kur krahasohen me dënimet e shqiptuara nga Tribunali i Hagës. Por për dallim nga Tribunali, ky aktgjykim u shqiptua në “emër të popullit”. Popullit të Kosovës.

* * *

Çështja e Gjykatës Speciale u ngrit që nga çasti kur doli Raporti Marty. Menaxhimi i situatës pasi u shfaq raporti pati qasje te gabuar – në vend se të punohej në kontestimin e përmbajtjes së saj qysh atëherë, Thaçi u kërcënua se do ta padiste senatorin zviceran. Gjë e cila nuk ndodhi kurrë.

Në vend se atëherë të merrej nisma për krijimin e një prokurorie të veçantë për krime lufte, që mbase do të mund të përcillej nga një odë e veçantë për krime lufte në Gjykatën Supreme – duke e replikuar një gjë që tashmë, nën trysninë e madhe ndërkombëtare, e kishte bërë Serbia, me mendjelehtësi çështja iu la në duar faktorëve ndërkombëtarë që të vendosnin edhe për këtë çështje. Fuqia e miratimit të ligjeve ishte në duart e Kuvendit të Kosovës pavarësisht faktit se EULEX-i ishte aktivisht i inkuadruar në gjyqësi. Ngase gjykimet kryheshin në bazë të ligjeve të Kosovës.

Pra, po të kishte pasur pak largpamësi, po të ishin analizuar gjërat profesionalisht dhe duke u mbështetur në precedencat e vendosura në shtetet e rajonit, tash në vend do ta kishim një degë të gjykatës që do të merrej me krime të luftës dhe një prokurori e cila do të përqendrohej ekskluzivisht në çështjet e krimeve të luftës të kryera në Kosovë. Do të mund të quhej speciale, por selinë do ta kishte në Prishtinë.

Nuk ka asnjë dyshim që do të kishte shumë më tepër angazhim edhe të pushtetit, por edhe të OJQ-ve dhe individëve në ngritjen e kallëzimeve penale për krimet e kryera gjithandej Kosovës, që nuk do të lejonin që kjo çështje të lihet mënjanë dhe në duart e një grupi grash shumë aktive të Gjakovës që ka vite dorëzojnë kallëzime penale për krimet e kryera në komunën e tyre.

Politikanët e të gjitha partive kanë mundur, meqë e kanë pasur fuqinë e dalë nga vota, që të vendosin që aktgjykimet eventuale për këto raste të nxirreshin në Kosovë, nga gjykatësit kosovarë, në emër të popullit. Të Kosovës.

* * *

Se përse u insistua që gjykata speciale të formohej jashtë Kosovës dhe në të punësoheshin vetëm të huajt, mbase edhe nuk është vështirë të dihet.

Sistemi gjyqësor i Kosovës ka qenë mbase hallka më e dobët që nga çlirimi.

Fillimisht me menaxhimin e keq të UNMIK-ut, e më pas me mentorimin katastrofik të EULEX-it, që as nuk i arrestoi e gjykoi peshqit e mëdhenj dhe as nuk u kreu gjykimet me kohë dhe si duhet. Mbikëqyrja e mëvonshme që iu bë gjykatësve kosovarë ishte vetëm formalitet sa për t’i arsyetuar rrogat e majme që i merrnin për punën e pabërë. Qysh atëherë dihej se gjykatave në Kosovë nuk është se mund t’u besohet shumë. Dhe problemi sot është se ende nuk mundemi t’u besojmë.

Pra, gjyqësia është mbushur me jo pak njerëz që u kanë shërbyer njerëzve të fuqishëm në pushtet. Vetë fakti se me qindra lëndë e posaçërisht me dhjetëra lëndë të profilit të lartë thuajse kryesisht përfundonin të parashkruara dhe pa dënime tregon shumë.

Pra shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova nuk ishte në gjendje të tregonte se mund ta kishte një gjyqësi krejtësisht të pavarur dhe të pandikuar politikisht. Mënyra se si zgjidheshin gjykatësit për t’i gjykuar rastet tregonte për një shabllon të cilin mbikëqyrësit e EULEX-it e përkufizonin kështu: “posa e sheh emrin e gjykatësit, e di se vendimi i shkallës së parë do të prishet, dhe do të kthehet në rigjykim apo edhe do të refuzohet i tëri”. Kjo natyrisht se nuk e amniston EULEX-in. Përkundrazi. Por EULEX-i këtu nuk është fajtori i vetëm. Fajtore është politika që për interesat e veta të ngushta zgjedh njerëzit që do të vendosin në emër të popullit.

* * *

Në emër të popullit vendosën edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës më 3 gusht 2015. Paraprakisht, më 26 qershor 2015, amendamenti kushtetues që e mundësonte themelimin e Speciales u hodh në votim. Nuk kaloi, kryesisht për shkak se 10 deputetë të PDK-së votuan kundër ose abstenuan. Deputetët opozitare të VV-së, AAK-së dhe NISMA-s vetëm qëndruan në sallë por nuk votuan. E kundërshtuan fare idenë e themelimit të një gjykate të këtillë.

Dhe po atë ditë qershori, pas votimit, në cilësinë e shefit të PDK-së dhe zëvendëskryeministrit, Thaçi deklaroi me sa vijon: “Dua të vlerësoj me përgjegjësinë më të lartë, edhe morale e edhe politike e kombëtare, se me votimin kundër që pamundëson themelimin e kësaj gjykate, Kuvendi i Kosovës apo ata që kanë votuar kundër, kanë bërë dëmin më të madh aktualisht që mund t’ia bëjë dikush shtetit të Kosovës, dhe lirisht mund të them se është bërë një shërbim për oponentët e pavarësisë së Kosovës, me ose pa vetëdije. Ne do të procedojmë përsëri dhe unë dua të shpresoj në guximin qytetar, në përkushtimin kombëtar të njerëzve që votojnë, dhe deputetët kanë legjitimitet qytetar për të marrë vendime në interes të shtetit dhe jo të interesave politike ditore, flas për deputetët e çdo subjekti politik që kanë votuar kundër”.

Ia doli t’i bindë disa nga deputetët e tij që të votonin. Me 32 vota të PDK-së, 33 të LDK-së, 17 të minoriteteve u mblodhën 82 vota dhe amendamenti kaloi. Pesë deputetë të PDK-së votuan kundër, një abstenoi.

* * *

Ligji i pashkruar i mosndëshkimit është goditja më e madhe që e kanë pësuar qytetarët e Kosovës prej pasçlirimit. Nga njëra anë, me qindra serbë mbetën madje edhe të pagjykuar për shkak se nuk ditëm as kallëzime penale të bëjmë. Nga ana tjetër, krimi i organizuar që lulëzoi në Kosovën e pasluftës jo që nuk u ndoq e ndëshkua kurrë, por madje edhe u cyt me mosveprimin e institucioneve.

E krimi duhet të ndëshkohet. E mu kjo mungesë e ndëshkimit e ka mundësuar edhe dhunën e edhe veprimet kriminale, dëshmitarë të të cilave jemi. Pra, krimi duhet të ndëshkohet, pavarësisht se kush e ka kryer atë. Dhe shkenca juridike e shpjegon se dënimi duhet të jetë meritor dhe proporcional me peshën e krimit.

Te rasti i Calit gjykata thotë se ka kryer krime lufte dhe se për këtë duhet kaluar 26 vjet në burg. Dhe ky aktgjykim është ende jopërfundimtar. Pra mund të ketë edhe epilog të kundërt. Se a është dënimi në proporcion me peshën e krimit të përcaktuar nga gjykata, do ta vendosë shkalla e dytë me gjithë gjasë.

Porse do të ketë qenë mu kjo shifër ajo e cila me gjasë do ta ketë shtyrë Saranda Bogujevcin që të shkruante në Twitter: “Kur Sasha Cvjetan u dënua për masakrimin e familjes sime, na pyetën po qe se u arrit drejtësia. Përderisa nuk ka drejtësi kur të masakrohet familja, patëm shpresuar se së paku disa mësime do të nxirreshin nga kjo. Për fat të keq ky ishte iluzion.

Mbrëmë më informuan se para një jave Cvjetani ishte arrestuar në Athinë, si një nga bosët e një karteli droge. Policia jo vetëm që i konfiskoi drogat, por edhe eksplozivë dhe armë të tjera.

Nga fillimi i vitit, Cvjetani kishte qenë mysafir i nderit i Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, në një ceremoni në Srebrenicë.

Cvjetani kishte qenë anëtar i njësisë Shkorpioni që i kishte masakruar me mijëra djem e burra në Srebrenicë, po e njëjta njësi (që nuk është grup paramilitar, por njësi rezervë brenda SPB-së të Serbisë) e masakroi familjen time. Ata vranë gra, fëmijë e pleq. Prej 21 anëtarëve vetëm katër kushërinj dhe unë kemi mbijetuar. Cvjetani u dënua me 20 vjet burgim por më 2018 e lëshuar tre vjet e gjysmë më herët, për “sjellje të mirë”. Tash e kanë arrestuar për më shumë aktivitete kriminale. Vrasësi i fëmijëve u la i lirë të endej rrugëve të Evropës...”

Cvjetani u dënua nga Gjykata e Qarkut në Beograd, para se të themelohej dega për krime lufte. Dhe u gjykua për shkak se Saranda dhe katër të tjerët ishin tash nën mbrojtjen e shtetit britanik. E zgjatën procedurën aq sa mundën dhe në fund e dënuan. Në emër të popullit.

Se a ishte ky dënim proporcional me krimin e kryer? Nuk e besoj se duhet menduar shumë për ta gjetur përgjigjen.

flaka@koha.net