OpEd

Dhunë dhunuese

Nuk po jam e sigurt se si është përllogaritur përqindja e rasteve të paraqitura, sepse nëse kjo që e thotë këshilltarja është e vërtetë, atëherë del se në Kosovë, në dhjetë muajt e sivjetmë kanë ndodhur mbi 118 mijë raste dhune në familje apo 389 raste në ditë. E po qe se vërtet kanë ndodhur, janë shumë, tepër shumë, dhe tregojnë se e kemi një problem kompleks dhe shumë serioz në shoqëri. E edhe nëse numri i lartpërmendur nuk është i saktë, megjithatë raportimi i mesatarisht nga 8 raste dhune në familje në ditë është prapë shumë për një vend që ka 1.8 milionë banorë

Mëngjesi i djeshëm agoi me një lajm tepër tronditës: në Prishtinë, burri vrau bashkëshorten e vet me sakicë dhe më pas u vetëdorëzua në Polici.

Mëngjesi i djeshëm nuk agoi për një grua fatkeqe, e cila humbi jetën në formën më makabre dhe më të tmerrshme të mundshme, e besoj, e goditur me sëpatë nga njeriu me të cilin kishte krijuar familje dhe me të cilin kishin bërë jetë bashkë kushedi sa vjet.

Raporti shabllon i Policisë në të cilin thuhet “motivet nuk dihen” lë shije tepër të hidhur. Çfarë motivi do të mund të ketë dikush për ta vrarë gruan e vet, madje, në këtë formë kaq shtazarake? E tmerrshme, gjithsesi, dhe mbi të gjitha shumë e pakuptimtë.

Natyrisht se do të gjenden të tillë që do të thonë se është gjendja shpirtërore e vrasësit ajo që ka ndikuar që ta marrë këtë veprim. Natyrisht se njeriu nuk duhet të jetë mirë mendërisht kur vret, pa pasur arsye për vetëmbrojtje. Por më parë se gjendje shpirtërore, nuk kam se si t’i shmangem bindjes që dhuna që ndodh mes çifteve dhe familjeve në Kosovë është problem i mentalitetit patriarkal, i cili ende e sundon këtë vend.

Është mentalitet që ushqehet në familje, në shkollë dhe në shoqëri – dhe është çështje e cila nuk mund të eliminohet as me një fushatë e as me një grusht njerëzish që do ta ngrenë zërin kundër të këqijave dhe pozitës së pabarabartë të grave që e krijon në këtë shoqëri.

* * *

Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë mund e vite janë dashur që të hiqej ferexheja, si simbol i cili ia cungonte të drejtën e gruas për të vendosur për vete. Në këtë periudhë, zyrtarisht në Kosovë, 62,5% e popullatës ishin analfabetë, kurse kjo përqindje te gjinia femërore ishte 78,4%. Pra ishte shkollimi ai i cili do të duhej të ndikonte në ngritjen e vetëdijes dhe ndryshimin radikal të mentalitetit të një shoqërie ku ishte krejt normale që vajzat ta braktisnin shkollën e të martoheshin para moshës madhore.

E kjo praktikë nuk është se u eliminua krejtësisht edhe në dekadat që do të pasonin. E kushdo që do të ketë pasur mundësi të punonte në terren, do të mund ta ketë parë me shembuj të pamohueshëm se patriarkalizmi ishte punë që do të merrte shumë kohë për t’u çrrënjosur.

Kështu kisha fatin që nga fillimi i të ‘90-ave ta përcillja aktivitetin e shoqatës “Motrat Qiriazi” në Has. Së bashku me aktivistët e fshatit Gjonaj ia kishin dalë që ta hapnin një shkollë të mesme, të vendosur në një shtëpi private në fshatin më të madh të Hasit të Prizrenit. E besoni ose jo, ajo shkollë e ka pasur madje një kompjuter, kur nuk ka pasur as internet te ne, e kur shumëkush nuk ka ditur të punonte në të.

Gjimnazi në Gjonaj, për katër vjet pune sa kishte bërë deri në kohën kur e pata vizituar, u kishte mundësuar mbi 50 vajzave hasjane ta kryenin maturën. Më shumë se në 50 vjetët paraprakë në të gjithë rajonin. Këto vajza nuk u martuan pa i mbushur 18 vjet. Madje një pjesë as nuk u martuan menjëherë pas shkollës, por i vijuan studimet.

E për të ardhur deri te kjo pikë u deshën aktivistë të një OJQ-je e të fshatrave, si dhe vullnetarë që u ofruan konak vajzave derisa i vijonin mësimet, ashtu që të mos detyroheshin të udhëtonin prapa në fshatrat e tyre në kohët e represionit të shtuar policor në Kosovë.

Pra vullneti dhe vizioni i një grupi njerëzish me ndikim në rrethin prej nga vinin bëri që disa tabu të thyheshin. Shkollimi për shumë vjet kishte qenë tabu për shumë nga vajzat e asaj treve. Kurse arsimimi dhe njohuritë e fituara hapnin horizonte të reja për një brez të tërë.

* * *

“Që nga janari i këtij viti deri në fund të tetorit kemi 2364 raste të raportuara nga dhuna në familje dhe kryesisht janë gratë dhe vajzat. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuara me fenomenin që po zhvillohet çdo ditë. Kemi të bëjmë me diskriminimin dhe shtypjen ndaj grave dhe vajzave. Thirrja jonë është të raportohen sa më shumë dhuna në familje, pasi vetëm 2 për qind e rasteve raportohen” – kështu thotë këshilltarja e ministres së Drejtësisë, Nazlie Bala.

Nuk po jam e sigurt se si është përllogaritur përqindja e rasteve të paraqitura, sepse nëse kjo që e thotë këshilltarja është e vërtetë, atëherë del se në Kosovë, në dhjetë muajt e sivjetmë kanë ndodhur mbi 118 mijë raste dhune në familje apo 389 raste në ditë. E po qe se vërtet kanë ndodhur, janë shumë, tepër shumë, dhe tregojnë se e kemi një problem kompleks dhe shumë serioz në shoqëri.

E edhe nëse numri i lartpërmendur nuk është i saktë, megjithatë raportimi i mesatarisht nga 8 raste dhune në familje në ditë është prapë shumë për një vend që ka 1.8 milionë banorë.

Të gjithë e dimë se jemi shoqëri që ka kaluar prej një represioni të rëndë në luftë, prej së cilës kemi dalë të traumatizuar, kush më shumë e kush më pak nga, ndër të tjera, humbjet, vuajtjet e frika e përjetuar. E dimë gjithashtu që paslufta e mbyti solidaritetin, i cili na kishte mbajtur gjallë për shumë vjet dhe e nisi luftën për pasurimin e pacipë të shumëkujt, duke i lënë në mjerim plot të tjerë. Jo vetëm mjerim material, por edhe edukativ, shëndetësor e çka mos tjetër.

* * *

Dhe do të ketë plot që do të thonë se dhunë në familje ka në të gjithë botën, pra s’jemi të vetmit, dhe se dhunë ka pasur gjithherë, por për të nuk është folur, ngase është marrë si diçka “normale” dhe “standard i pranueshëm” për shoqërinë. E dhuna as nuk është normale, e as nuk është e pranueshme për shoqërinë.

Dhuna ekziston për shkak të shumë faktorëve, e në rrafshin shoqëror, ajo ekziston, e besoj, edhe për shkak të edukimit familjar, për shkak të arsimimit jo të mirë dhe për shkak të sundimit të keq të ligjit. Jam më se e sigurt se sociologët do të jepnin shpjegim shumë më të thuktë dhe përmbajtjesor për shkaqet, porse një vështrim sipërfaqësor, kujtoj, do t’i vërtetonte tri nga arsyet e përmendura.

Përderisa bëhet dallimi i fëmijëve për shkak të gjinisë dhe njërës gjini, meshkujve u jepen të gjitha përparësitë (siç ka qenë shkollimi në rastin e Hasit) dhe kjo qasje kultivohet brenda në familje, fëmijët do të rriten me bindjen se djemtë janë superiorë, për pasojë edhe të vetmit me fuqinë për të vendosur për gjithçka.

Përderisa vajzat që nga adoleshenca “përgatiten” me idenë se “patjetër duhen martuar” për shkak se “ashtu duhet”; përderisa u thuhet “të jenë të dëgjueshme” dhe “të mos bëjnë zë” edhe nëse gjërat nuk shkojnë mirë; dhe përderisa besohet se “një vajzë e mirë” është vetëm ajo e cila i kryen krejt punët e shtëpisë, thuajse ato janë vetëm të sajat – zor se mund të ketë përparim në statusin e gruas në shoqëri. Sepse gruaja mundet dhe këtë e ka dëshmuar, edhe t’i kryejë krejt punët, edhe të shkollohet, edhe të martohet, edhe të lindë fëmijë e edhe të punojë, nëse ashtu vendos vetë. Por për fat të keq, te ne ende dikush tjetër vendos për shumë syresh.

“Filozofinë” e përshkruar më lart duhet ta korrigjojë arsimi. Së paku ishte dashur ta korrigjonte.

Por është problem kur në mesin e atyre që duhen t’i arsimojnë fëmijët ka të tillë që udhëhiqen nga e njëjta filozofi. Sepse të gjithë rrjedhim nga e njëjta shoqëri, me dallimin se ka vise e familje që janë çkapur nga patriarkalja, sikundër që ka vise që, lërë se nuk kanë dalë nga ajo, por për më tepër bëjnë çmos që ajo të mbisundojë.

Pra, reforma e arsimit e aq kërkuar nuk ka të bëjë vetëm me profesionalizimin e mëtejmë të arsimtarëve dhe ndryshimin e sistemit të nxënies. Ka të bëjë, edhe shumë bile, me përmbajtjen që u duhet ofruar nxënësve.

E se pse dhuna është aq e gjithëpërhapur, nëse mbështetemi në shifrat e këshilltares së ministres, shpjegohet edhe me faktin se trupat e sundimit të ligjit janë mbushur me njerëz po aq patriarkalë që më parë do t’i thonë një gruaje “kthehu n’shpi, se pa dajak nuk bën” sesa që do ta merrnin dhunuesin në burg dhe do ta procedonin rastin deri në fund, kur një rast dhune raportohet.

Po të kishte pasur dënime ekzemplare, të mbështetura në ligj, natyrisht; po të kishte procedim urgjent të rasteve të këtilla; po të kishte pasur dënime edhe më të rënda për recidivistë – mbase edhe paraqitja e rasteve do të ishte më e madhe, për shkak se viktimat e dhunës do të dinin se dikush, megjithatë, do t’i marrë seriozisht.

* * *

Nuk e di nëse gruaja që humbi jetën dje ka qenë viktimë e dhunës edhe më herët. Por e di se atë e humbi në një mënyrë të tmerrshme, që nuk mund të arsyetohet assesi.

Nuk e di se çfarë do të jetë vendimi i organeve të ndjekjes, e as nëse ky rast do ta mbërrijë epilogun në gjyq. E di se një grua, e cila për pak kohë do ta kishte moshën për pensionim, ku do ta gëzonte pushimin e merituar pas kushedi sa vjetësh pune, nuk është më, sepse iu shua dhunshëm e drejta për të jetuar.

flaka@koha.net