OpEd

Nuk duhet të ketë profilizim etnik të krimit, por largimi i shqiptarëve është shqetësues

Të gjithë shqiptarët do të kishim dashur që britanikët të na identifikojnë me Dua Lipën, Rita Orën apo Granit Xhakën. Por ja se as shoqëria britanike nuk është e përsosur, është e manipulueshme dhe bie pre e stereotipave dhe nuk reziston t’i identifikojë pjesërisht shqiptarët edhe me krimin e organizuar

Ishim javën që lëmë pas në Tiranë me disa qindra gazetarë nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, me disa zyrtarë të Komisionit Evropian, disa aktivistë të shoqërisë civile dhe të fondacioneve të huaja. Në mesin e tyre kishte shumë që asnjëherë nuk kishin qenë në Shqipëri. Dhe, siç ka ndodhur me shumë të tjerë para tyre, ata dolën të befasuar për të mirë. Tirana iu duk shumë qytet vibrant, me lokale të shumta dhe të llojllojshme. Edhe çmimet, sado që ishin rritur shumë, iu dukeshin të arsyeshme krahasuar me kryeqendrat e tjera evropiane. Për ata që kanë qenë edhe më parë në Shqipëri, por kanë kaluar shumë vjet prej kur ishin atje, ndryshimet dukeshin marramendëse. Hotel “Tirana Internacional”, që në mesin e viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar ishte ndërtesa më e lartë në Tiranë, e me gjasë në tërë Shqipërinë, dukej tash si një xhuxh krahasuar me rrokaqiejt e ndërtuar përreth sheshit “Skënderbe” apo në ndërtim e sipër. Askush nuk kishte më dyshim se, në pamje të parë, Tirana ishte një qytet dinamik evropian.

Por ata për dy apo tri ditë nuk ishin në gjendje të vërenin anën tjetër të Shqipërisë dhe problemet që këtë vend dhe këtë komb e përcjellin që nga fillimi i rënies së komunizmit, që nga koha kur me gomone qindra mijëra njerëz kalonin detin për të ikur nga vendi. Në TV ata që nuk flisnin shqip shikonin në CNN apo BBC rezultatet e zgjedhjeve për Senat dhe Kongres amerikan. Sikur të dinin shqip dhe të shikonin kanalet shqiptare do ta shihnin edhe anën tjetër, atë më pak pozitive të Shqipërisë. Do të shihnin vazhdimin e konfliktit politik në Kuvend, akuza dhe kundërakuza për korrupsion në projekte të mëdha siç është ai i Portit të Durrësit. Do të shihnin se si opozita përgatitej për protestën, që si gjithmonë e quante “të madhe” kundër Qeverisë. Dhe do të shihnin se edhe në Londër shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe po bëheshin gati të protestojnë. Jo për apo kundër dikujt në Shqipëri, por për të kërkuar respektimin e dinjitetit të tyre. Këtë dinjitet e kishin shkelur disa media dhe një ministre duke i etiketuar shqiptarët dhe duke përdorur termin “kriminalët shqiptarë”.

Dhe të gjitha këto zhvillime në mënyrë paradoksale flasin për realitetin shqiptar. Flasin se Shqipëria është zhvilluar, është ndërtuar, ka përparuar, por jo për të gjithë. Flasin se akoma Shqipëria vazhdon të jetë një prej shteteve, nga i cili më së shumti në Evropë njerëzit duan të largohen. Jo vetëm se janë larguar dhe vazhdojnë të largohen drejt vendeve perëndimore, por nga fshatrat dhe qytezat janë larguar edhe drejt kryeqytetit, Tiranë. Prandaj derisa Tirana i është afruar numrit prej 1 milion banorësh, duke u bërë një lloj metropoli, me përjashtim deri diku të Durrësit, Vlorës, Elbasanit dhe Shkodrës, zonat e tjera pothuajse janë boshatisur.

Sa është i madh largimi i shqiptarëve tregojnë shifrat se vetëm në Britani të Madhe deri tash këtë vit kanë shkuar ilegalisht më shumë se 13.000 shtetas të Shqipërisë. Shqiptarët përbëjnë gjysmën e atyre që me gomone kanë kaluar prej veriut të Francës në Britani të Madhe. Pra, edhe pas tridhjetë vjetësh kur ndodhi eksodi përmes gomoneve, ato vazhdojnë të jenë fati i shumë shqiptarëve. Kësaj radhe jo për të kaluar Portën e Otrantos, grykën ku është hyrja e Adriatikut drejt Italisë, por për të kaluarën përmes Kanalit të La Manshit nga “Evropa kontinentale” në ishullin britanik.

Nuk ka dyshim se kjo dyndje është problem serioz. Është problem për Britaninë e Madhe, e cila nuk ka arritur të menaxhojë si duhet dyndjen e tillë. Është problem edhe për Francën, sepse veriu i saj është bërë një zonë e mbushur me emigrantë ilegalë që presin të kalojnë në Britani. E nuk mund të injorohet si problem as për Shqipërinë, sado që është i kuptueshëm edhe arsyetimi se “nuk mund t’ua ndalojmë njerëzve largimin nga shteti siç kishte ndodhur nën izolimin komunist”.

Një prej arsyeve të vendimit të të rinjve për t’u larguar është edhe skena politike. Jo pak të rinj me të cilët bisedonim në Tiranë përmendnin pikërisht mosbesimin dhe zhgënjimin ndaj strukturave politike si motiv për t’u larguar nga vendi. Dhe kjo vlente si për Qeverinë e tashme, e edhe më shumë për opozitën, e cila për shumë vjet ka qenë në pushtet. Një i ri kështu sqaroi se pse ai mendon se do të largohet së shpejti. “Nëse dikush ka motiv për largim sepse nuk është i kënaqur me Qeverinë Rama, kur shoh se alternativë mund të jetë Berisha, atëherë nuk ka më dyshim, por është i sigurt se duhet të largohet”.

Shumë politikan në Evropë nuk e kanë të qartë se pse aq shumë shqiptarë duan të largohen në këtë kohë kur më nuk janë të izoluar, kur mund të lëvizin pa viza dhe kur në Shqipëri, siç shihej edhe në lokalet e Tiranës ku kishte shumë shpallje se kërkojnë punëtorë, ka mundësi, po ashtu, për të gjetur vende pune. Aq më pak është i kuptueshëm largimi aq i madh, edhe më i madh se nga vendet ku ka konflikte.

Këto probleme duhet të adresohen nga të gjithë. Britania e Madhe nuk duhet të kërkojë arsyetim për dështimet e saj te kriminelët. Sepse kriminelët atë qëllim kanë. Shqipëria nuk ka faj se dikush mund të vijë në Britani ilegalisht dhe të zhduket nga radari i organeve të rendit. Por as Britania nuk ka faj se aq shumë të rinj duan të largohen nga Shqipëria.

Ajo që është e palejueshme është profilizimi etnik i krimit. Dhe kjo shpesh ka ndodhur me shqiptarët, pa dallim se a janë nga Shqipëria apo Kosova, apo nga ndonjë vend tjetër. Deri vonë edhe organizatat ndërkombëtare kanë përdorur termin “grupet kriminale shqipfolëse”. Por edhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se ka një numër relativisht të madh kriminelësh nga “rojat tona” që, krahasuar me numrin e banorëve, është shumë i madh dhe nuk mund të injorohet.

Të gjithë shqiptarët do të kishim dashur që britanikët të na identifikojnë me Dua Lipën, Rita Orën apo Granit Xhakën. Por ja se as shoqëria britanike nuk është e përsosur, është e manipulueshme dhe bie pre e stereotipave dhe nuk reziston të identifikojë pjesërisht shqiptarët edhe me krimin e organizuar. Kjo është e padrejtë, e patolerueshme dhe nuk jep një pamje të mirë as për shoqërinë ku paraqiten fyerje të tilla.

E Shqipëria vazhdon të jetë vend i kontrasteve. Vazhdon të jetë shtet nga i cili tepër shumë njerëz largohen dhe bëhen barrë e shteteve të Evropës. Vazhdon të jetë shtet ku grindjet politike janë të pafundme. Por në të njëjtën kohë vazhdon të bëjë progres në rrugëtimin drejt BE-së, është shtet serioz anëtar i NATO-s dhe pas dy javësh do të mirëpresë në një samit liderët e Bashkimit Evropian dhe të rajonit, në pa dyshim takimin e nivelit më të lartë që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Dhe pamjet nga Tirana se si atje kuvendojnë njerëzit më të mëdhenj të Evropës për të ardhmen e tërë kontinentit, do të shkojnë paralelisht me pamjet e gomoneve që bartin shqiptarë nëpër valët e detit të veriut apo pamjet e të rinjve duke bredhur rrugëve të qyteteve veriore të Francës në pritje të trafikantëve për t’i çuar drejt Britanisë.