OpEd

Frikë apo shpresë në COP27?

Udhëheqësit globalë që do të mblidhen gjatë këtij muaji në COP27 as nuk duhet t’i ndrydhin duart në dëshpërim dhe as të deklarojnë gëzueshëm se fitorja është afër. Përkundrazi, duhet të ekzaminojnë me kujdes se çfarë duhet të transformohet dhe çfarë do të nevojitej që të kapërcehen kthesat thelbësore. Ky është momenti kur duhet të krijojmë kushte që do t'i bënin ndryshimet më pozitive si të parezistueshme, ashtu edhe të pandalshme. Kjo do t'i bënte të gjitha ato fluturime që emetojnë karbon drejt Sharm El-Sheikhut, t’ia vlejnë

Pyetni dy ekspertë të ndryshëm të klimës në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Egjipt (COP27) që t’i karakterizojnë ndjenjat e tyre për të ardhmen dhe mund të hasni në përgjigje krejtësisht të ndryshme. “Po shohim më shumë përparim sesa kemi imagjinuar ndonjëherë”, thotë njëri, përderisa tjetri ankohet se po ecim pjerrtas sipër kodrës sikurse brenjtësit. Nuk mund të kenë që të dy të drejtë, apo jo?

Ç’është e vërteta, të dy kanë goxha prova në anën e tyre dhe vetëm nëpërmjet baraspeshimit të të dy këndvështrimeve do ta përmbledhim ndjesinë e urgjencës që e kërkon kriza klimatike.

Për të frymëzuar shpresë, eksperti i parë mund të aludojë se kostoja e energjisë diellore ka rënë për 99 për qind qëkur presidenti Jimmy Carter, vendosi panele në çatinë e Shtëpisë së Bardhë më 1979, dhe se 2022-shi po formësohet të një vit rekord për burimet e rinovueshme. Shitja e veturave elektrike po rriten aq shpejt, saqë motori me djegie të brendshme tashmë është në rënie të përhershme. Në Indonezi, shkalla e humbjes së pyetjeve parësorë ka rënë për të pestin vjet radhazi, falë një partneriteti inovativ midis qeverisë, biznesit, shoqërisë civile dhe ekspertëve të teknologjisë.

Për më tepër, pothuajse 100 shtete – që përfaqësojnë mbi 75 përqindëshin e emetimeve globale – janë zotuar të arrijnë zero emetime deri në mesin e shekullit. Ndërsa Shtetet e Bashkuara sapo bënë një paradhënie masive për të ardhmen e tyre të gjelbër me Aktin e Reduktimit të Inflacionit, i cili mund të mobilizojë rreth 800 miliardë dollarë apo më tepër në investime të ndërlidhura me klimën.

Por që të mos mendojmë se jemi pothuajse jashtë rrezikut, eksperti ynë me vizion të zymte do të aludojë se me një ngrohje prej vetëm 1.1°C, ndryshimet klimatike po gjeneron tashmë kosto të pashembullt. Përmbytjet katastrofike përreth Pakistanit gjatë kësaj vere e lanë një të tretën e vendit në ujë, ndërsa Amerika e Veriut jugperëndimore po vuan nga thatësia më të rëndë në 1200 vjet. Në Kinë, thatësia ka dëmtuar prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe i shtrëngoi fabrikat në mbyllje. Barriera e Madhe tani ka pësuar gjashtë ngjarje masive që nga viti 1998. Ndërkaq, në Antarktidën Lindore, ku temperaturat gjatë një dite të këtij vit ishin 38.5°C mbi normalen, një copë masive akulli porsa është shembur – ngjarje kjo e para e këtillë në të paktën një gjysmëshekulli.

Që gjërat të bëhen edhe më keq, lufta e Rusisë në Ukrainë ka nxitur përplasje për lëndët djegëse fosile teksa korporatat, bankat dhe qeveritë po e kanë më të vështirë sesa që pritej t’i përmbushin zotimet e tyre për klimën. Ne ecim në shtegun drejt rritjes së temperaturave bukur përtej atyre të pragut të dakorduar prej 2°C të marrëveshjes së Parisit. Një planet kaq i nxehtë do të ishte zor i dallueshëm për ne sot.

Një raport i ri i rëndësishëm nga Systems Change Lab – një nismë e organizuar nga Instituti Botëror i Burimeve, Bezos Earth Fund dhe partnerët e tij – u hedh dritë të dyja këtyre realiteteve dhe e vë në dukje një mënyre të re të të menduarit për ndryshimin. Në aspektin pesimist, raporti tregon se asnjë prej 40 transformimeve sektoriale të kërkuara për adresimin e krizës klimatike këtë dekadë nuk është ende në rrugën e duhur.

Për shembull, heqja e qymyrit duhet të përshpejtohet gjashtëfish – një ekuivalent ky i shuarjes së 925 impianteve të qymyrit me madhësi mesatare çdo vit. Po kështu, shkalla vjetore e shpyllëzimit duhet të bjerë 2.5 herë më shpejt, ndërsa rritja e fundit në rendimentet e të korrave duhet të përshpejtohet për pothuajse shtatëfish gjatë kësaj dekade për ta ushqyer një popullsi në rritje pa i shkelur zonat pyjore. Të gjitha këto transformime varen nga financimi global i klimës, i cili në vetvete duhet të rritet tetëfish nga nivelet aktuale.

Por raporti shpjegon njashtu se ndryshimi rrallëherë është linear dhe se përparimi eksponencial - një përshpejtim i papritur i “shkopit të hokejit” - është i mundur kur ushqehet nga një udhëheqje e guximshme dhe politika mbështetëse. Në një interval kohor prej vetëm dy vjetësh, nga viti 2019 deri më 2021, gjenerimi diellor u rrit për 47 për qind globalisht ndërsa energjia e erës për 31 për qind, duke i tejkaluar në mënyrë dramatike parashikimet e analistëve. E midis viteve 2013 dhe 2021, hisja globale e shitjes së autobusëve pa karbon u rrit nga 2 në 44 për qind - një rritje kjo prej 20-fish në më pak se një dekadë.

Për më tepër, ne e dimë se disa sisteme mund të shtyhen drejt kthesave pozitive - të tilla si barazia e çmimeve midis burimeve ekzistuese të karburanteve fosile dhe burimeve të rinovueshme - pas të cilave ndryshimi bëhet i pandalshëm. Duhet të bëjmë çmos për t’i arritur këto kthesa sa më parë që është e mundur. Duke pasur parasysh se sa pak nga buxheti i karbonit të njerëzimit ka mbetur, ne nuk e kemi më luksin që t’i ndjekim vetëm opsionet me koston më të ulët. Kemi nevojë për ndryshim të sistemeve në të gjitha domenet e aktivitetit njerëzor – nisur nga mënyra se si e rrisim ushqimin tonë dhe si i furnizojmë me energji shtëpitë tona e deri tek mënyra se si i ndërtojmë qytetet tona dhe si me çfarë e bëjmë transportin për vete dhe për mallrat tona.

Përshpejtimi i tranzicionit në një ekonomi neto zero do të kërkojë një ndryshim në shtysa, rregullime dhe ligje të reja, ndryshime në sjellje, inovacion dhe udhëheqje të palëkundur. Jemi gati që ta fillojmë vitin e katërt të dekadës vendimtare për shmangien e ndryshimeve katastrofike klimatike. Duhet t’i lëvizim malet, pavarësisht kostos.

Udhëheqësit globalë që do të mblidhen gjatë këtij muaji në COP27 as nuk duhet t’i ndrydhin duart në dëshpërim dhe as të deklarojnë gëzueshëm se fitorja është afër. Përkundrazi, duhet të ekzaminojnë me kujdes se çfarë duhet të transformohet dhe çfarë do të nevojitej që të kapërcehen kthesat thelbësore. Ky është momenti kur duhet të krijojmë kushte që do t'i bënin ndryshimet më pozitive si të parezistueshme ashtu edhe të pandalshme. Kjo do t'i bënte të gjitha ato fluturime që emetojnë karbon drejt Sharm El-Sheikhut që t’ia vlejnë.

(Andrew Steer është kryetar dhe themelues i Fondit Bezos Earth. Kelly Levin është shefe e Shkencës, të Dhënave dhe Ndryshimit të Sistemeve në Fondin Bezos Earth. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).