OpEd

Misione të reja për Amerikën Latine

Tani më shumë se kurrë nevojitet qartësia strategjike për të përballuar si krizën e menjëhershme të kostos së jetesës, ashtu edhe sfidat strukturore afatgjata të rajonit. Për fat të mirë, ka një ndjenjë në rritje të urgjencës dhe qëllimit brenda qeverive progresive të Amerikës Latine dhe Karaibeve. Me një qasje të orientuar nga misioni, ato mund të fillojnë ta ridrejtojnë rritjen drejt një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Shpresoj që raporti të ndihmojë për ta trasuar rrugën

Lufta në Ukrainë dhe kriza globale e kostos së jetesës po e godasin fort Amerikën Latine dhe Karaibet (LAC). Rritja në rajonin, që e mori veten nga COVID-19, për të arritur një normë mesatare prej 6.8% më 2021, do të bjerë në vetëm 1.8% sivjet, me efekte gjymtuese për njerëzit më të cenueshëm. Krahasuar me vitin 2021, shkalla e varfërisë në Amerikën Latine do të rritet me 0.9 pikë përqindje, në 33%, dhe varfëria ekstreme do të rritet me 0.7 pikë përqindje, në 14.5% më 2022.

Megjithatë, shumë vende kanë mundësi për të ripërcaktuar politikat e tyre ekonomike. Dhe, ndërkohë që asnjë vend në rajon nuk është i ngjashëm, ato përballen me një grup të përbashkët sfidash strukturore, duke përfshirë varësinë nga burimet natyrore, produktivitetin e ulët, kapacitetin e dobët të sektorit publik dhe hapësirën e ngushtë fiskale.

Trajtimi i këtyre sfidave strukturore do të kërkojë qeverisje progresive dhe fokus në objektiva të qarta ekonomike, si krijimi i vendeve të punës, rritja e produktivitetit, ulja e varfërisë, mbyllja e ndarjes digjitale dhe përshpejtimi i tranzicionit të energjisë së pastër. Për ta mbështetur këtë agjendë, qeveritë do të kenë nevojë për një narrativë të re që e vendos rritjen e udhëhequr nga inovacioni përpara dhe në qendër. Kjo nuk do të thotë se vendet e LAC-it kanë nevojë për inovacion përçarës mes tyre. Por, ata kanë nevojë për inovacion të qëllimshëm për të zgjidhur probleme konkrete, të vjetra, si ndarja digjitale në rritje dhe emetimet në rritje të gazrave serrë.

Kështu, në një raport të ri për Komisionin Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Amerikën Latine dhe Karaibe (ECLAC) - Ndryshimi transformues në Amerikën Latine dhe Karaibe: Një qasje e orientuar nga misioni – synim është ofrimi i një plani të zbatueshëm për krijimin e pasurisë në të gjithë rajonin. Në vend që të përvijojë një rrugë përfundimtare për t’i ndjekur të gjitha qeveritë, raporti ofron një fjalor dhe kornizë të re për politikëbërësit dhe identifikon llojet e politikave, mjeteve dhe institucioneve që nevojiten për të fuqizuar rritjen e udhëhequr nga inovacioni.

Për të arritur një ekonomi gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme të prosperitetit të përbashkët, propozoj që qeveritë e LAC-it të miratojnë strategji industriale të orientuara nga misioni. Kjo qasje do të vendoste më pak theks në politikat e provuara dhe të testuara – si ato të dizajnuara për të forcuar zëvendësimin e importeve ose për të arritur konkurrencën e çmimeve – dhe më shumë theks në rimendimin e rolit të shtetit.

Shteti nuk duhet parë si një pengesë për rritjen, por si një formësues tregu, i aftë dhe i sigurt, që është i pozicionuar në mënyrë unike për të sjellë ambicie dhe guxim për të përballuar sfidat më të mëdha të një vendi. Por, që shteti të ketë sukses në këtë rol, qeveritë duhet të përcaktojnë objektiva të qarta dhe të demonstrojnë vullnetin për të përdorur të gjitha instrumentet që kanë në dispozicion, nga prokurimi deri te kreditë. Kjo është mënyra e vetme efektive për të katalizuar eksperimentimin nga poshtë-lart, në shumë sektorë të ekonomisë.

Qeveritë mund të fillojnë me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe më pas të krijojnë misione për të nxitur një mobilizim kolektiv, ndërsektorial, në ndjekje të secilit. Siç e bën të qartë raporti, kjo do të kërkojë një strategji të qartë për të forcuar aftësitë dinamike të sektorit publik, duke përdorur mjete dhe politika të reja të orientuara drejt rezultateve dhe duke ndërtuar institucione të reja të orientuara nga misioni.

Një qasje e orientuar nga misioni kërkon njohjen e kohës që mund të marrin tranzicionet e mëdha, me ndikim të gjerë – për shembull, nga një ekonomi fosile në një ekonomi të qëndrueshme.

Raporti shqyrton tetë raste nga vende të ndryshme të LAC. Merrni parasysh problemin e varësisë nga burimet natyrore, i ilustruar nga “Trekëndëshi i Litiumit”. I vendosur midis Argjentinës, Bolivisë dhe Kilit, ky rajon, së bashku me Perunë, mbajnë rreth dy të tretat e rezervave të litiumit në botë. Por, teksa litiumi është vendimtar si për nxitjen e digjitalizimit ashtu edhe për tranzicionin global të energjisë, Kili, Bolivia dhe Argjentina kanë luftuar për të siguruar qeverisjen e duhur të zhvillimit të rajonit, sepse ato kanë lejuar nxjerrjen e burimeve për të nxitur rritjen pa drejtim.

Duke pozicionuar një burim natyror si litiumi në qendër të një misioni specifik – për të dekarbonizuar ekonominë, për shembull – politikëbërësit mund të riformësojnë sistemin e stimulimit. Në vend që të inkurajojnë shfrytëzimin e pamend të burimeve natyrore, ata mund të sigurojnë që qiratë të riinvestohen në aktivitete më inovative dhe shpërblyese. Nëpërmjet kësaj lloj qasjeje strategjike, ndërsektoriale, Argjentina, Bolivia dhe Kili mund ta shndërrojnë mallkimin e tyre të burimeve në një mundësi për përparim të shpejtë social dhe mjedisor.

Po kështu, vendet e Karaibeve kanë një mundësi për të gjelbëruar sektorin e turizmit në të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga transporti te ndërtimi. Duke miratuar ruajtjen e oqeanit dhe shtratit të detit si një mision politik ambicioz, qeveritë mund të nxisin inovacionin dhe investimet në shumë sektorë, duke ndjekur shembullin e vendosur nga Barbados nën kryeministren e tij frymëzuese, Mia Mottley.

Në fund të fundit, raporti i LAC-it ka të bëjë me farkëtimin e një kontrate të re sociale midis shtetit, biznesit, punës së organizuar dhe qytetarëve të thjeshtë. Një shtet më i guximshëm dhe më i aftë mund të jetë një partner më i mirë për biznesin, duke hapur rrugën për partneritete të reja publiko-private, që do të maksimizojnë përfitimet publike dhe jo vetëm fitimet private. Një element thelbësor i qasjes së orientuar nga misioni është që shteti i ri i fuqizuar të mbajë përgjegjësi nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve.

Tani më shumë se kurrë nevojitet qartësia strategjike për të përballuar si krizën e menjëhershme të kostos së jetesës, ashtu edhe sfidat strukturore afatgjata të rajonit. Për fat të mirë, ka një ndjenjë në rritje të urgjencës dhe qëllimit brenda qeverive progresive të Amerikës Latine dhe Karaibeve. Me një qasje të orientuar nga misioni, ato mund të fillojnë ta ridrejtojnë rritjen drejt një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Shpresoj që raporti të ndihmojë për ta trasuar rrugën.

(Autorja, drejtoreshë themeluese e Institutit për Inovacionin dhe Qëllimet Publike, UCL, është kryetare e Këshillit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Ekonominë e Shëndetit për të Gjithë. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Sindikate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).