OpEd

Rikthimi i WB6-s

Kosova dhe Serbia kanë një shans që prej javës së ardhshme ta shohin një kontekst më të favorshëm dhe shtytës për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Konteksti është sfida më e madhe e deritanishme: normalizimi i tërë Ballkanit Perëndimor

1.

Munguan balonat, confetti dhe shampanja, por javën e kaluar ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u pajtuan që shefat e tyre, shefat e qeverive apo shteteve, në Berlin, më 3 nëntor, të nënshkruajnë tri marrëveshje të quajtura “të mobilitetit”. Në Samitin e Procesit të Berlinit, tashmë nën kryesimin e kryeministrit Olaf Scholz, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të duhej të nënshkruanin tri marrëveshje - atë të lëvizjes së lirë me letërnjoftime, të njohjes së diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale. Në fjalët e ministres gjermane Analena Baerbock, këto marrëveshje do të thonë që qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnjë-Hercegovinës mund të udhëtojnë te njëri-tjetri me letërnjoftime, se të diplomuarit në Shqipëri mund të vazhdojnë studimet e tyre pasuniversitare në Maqedoninë e Veriut, dhe se një arkitekt i Serbisë mund të punojë me licencën e tij në Mal të Zi.

Dhe, në fund të takimit të shefave të diplomacive, ajo gjermane lëshoi një komunikatë në të cilën pas shumë kohësh u rishfaq emërtimi i këtij grupi që nënshkruan apo pritet ta nënshkruajnë zyrtarisht më 3 nëntor, WB6, shkurt për Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor. Për shumëkë kjo është simbolikë e rëndësishme; fakti se përmendet Gjashtëshja (e shteteve apo partnerëve apo entiteteve - t’i quajë kush si të dojë) përcakton barazinë e pjesëmarrësve në të.

Por, më duket se në këtë moment gjeopolitik, të një Evrope dhe bote të çrregulluar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, WB6 si denominim ka një peshë tjetër të veçantë, e ajo qëndron në konceptin e tërësisë dhe atë të dyfishtë. Nga njëra anë, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor përbëjnë një tërësi shtetesh që ende nuk i kanë rregulluar marrëdhëniet mes vete - pra në përshkrimin e fjalorit të BE-së ende nuk jetojnë brena një zone të “katër lirive evropiane” (të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve). Nga ana tjetër, kjo tërësi nuk mund të jetë pjesë e “katër lirive evropiane” të BE-së nëse këtë nuk mund t’ia sigurojë vetes.

2.

Koncepti i tërësisë së dyfishtë mund të duket si pjesë e ezoterikës ballkanase, ku një grup i vogël njerëzish të interesuar në shkenca politike kënaqen duke shpikur emra të rinj për procese ende të padefinuara.

Por tashmë jemi në fazën e prekshmërisë, ku, për shembull, letërnjoftimet bëhen ilustruese të shpejtësisë dhe lehtësisë për të zgjidhur probleme të tjera që dukeshin të pazgjidhshme vetëm para disa muajve. Pra, nëse letërnjoftimi i cilitdo prej gjashtë autoriteteve qeveritare është i vlefshëm brenda tërësisë, atëherë çdo gjë tjetër që ka një standard të përbashkët e të matshëm evropian (targat automobilistike, institucioni që vlerëson ushqimin, autoriteti që përcakton denominacionin e origjinës së verës) do të ketë vlefshmëri dhe respekt ligjor. E kjo do të thotë që speci i Tetovës të mund të kalojë të gjithë kufijtë pa kontroll plotësues, që targat e Republikës së Serbisë të mos marrin stickerë në kalimet kufitare të Kosovës, dhe që vera e Rahovecit të mund të shitet lirisht në Nish.

Në këtë kontekst, Kosova dhe Serbia, për shembull, kanë instrumente të fuqizuara përkrahëse që do ta bëjnë normalizimin jo vetëm mes tyre, por brenda tërësisë së WB6. Dhe kjo do të mund të jetë lehtësues i madh që të mos i lidhin këmbët, si deri më tani, me negociata disavjeçare rreth çështjeve si letërnjoftimet apo targat.

3.

Në fakt, letërnjoftimet janë ilustrim i mirë i dallimit kontekstual. Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar negociata që nga viti 2011 lidhur me lirinë e lëvizjes dhe hiç më larg se gjatë verës së vitit 2022 ndodhi cikli i radhës i krizës dhe i ndërmjetësimit amerikan dhe atij evropian për të shtendosur situatën rreth një çështjeje (në dukje) banale, siç ishte letra përcjellëse për bartësit e letërnjoftimeve të Kosovës. Por, me një diplomaci të heshtur dhe negociata diskrete, Qeveria gjermane, nëpërmjet të dërguarit të vet të veçantë, Sarazzin, arriti të zhbllokojë një draft-marrëveshje të hartuar para gati dy vjetësh dhe të sjellë rreth tryezës pajtimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pse qe e mundshme tash e jo gjatë mbi një dhjetëvjetëshi? Nëse përjashtojmë lodhjen me zvarritjen e një procesi joproduktiv negociator siç ishte ai i Brukselit, dy janë elementet e rëndësishme të ndryshimit. Njëri është caku. Ideja e katër lirive të WB6-s është dakorduar në Samitin e Sofjes më 2020 me cakun që më 2024 Ballkani Perëndimor të ketë tregun e përbashkët regjional. Një gjendje e këtillë do të bënte që vendet e tërësisë së Ballkanit Perëndimor të jenë të afta për integrim në BE si tërësi, me kutin matës të BE-së. Elementi i dytë dallues është ai i diplomacisë së determinuar brenda cakut. Pra, në vend të një dhjetëvjetëshi kalimi prej një teme në tjetrën pa ndonjë hartë rruge që duhet të shpjerë në cak, diplomacia gjermane tregoi se mund të japë atë ndihmën e nevojshme për të kaluar pengesat një nga një.

4.

Edhe mund të ndodhë që prej ditës së parë të post-marrëveshjes të dalë ndonjë problem në zbatimin e marrëveshjeve. Por kjo nuk duhet të dekurajojë. Përkundrazi, zgjidhja e problemeve në zbatim vetvetiu do të tregojë investimin diplomatik dhe nevojën për më shumë përkushtim në marrëveshjet e ardhshme. E ato janë aq ambicioze sa mund të jenë transformimi më i madh që ka pasur regjioni i Ballkanit Perëndimor ndonjëherë. Në javët dhe muajt në vijim, siç paralajmëroi edhe vetë shefja e diplomacisë gjermane, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtojnë tërësinë e tyre nga kuti i së paku dy sfidave të sigurisë. WB6 do të ketë përpara detyrën e Agjendës së Gjelbër për këtë regjion, që në formë të shpejtuar duhet që nëpërmjet investimeve në energji të ripërtëritshme njëkohësisht duhet ta mbrojë ambientin e kësaj hapësire dhe të krijojnë pavarësi prej thëngjillit dhe naftës e gazit. Dhe, WB6 do të ketë para vetes një detyrë që, po ashtu, tashmë ka trokitur si sfidë sigurie: si të mbrohen të gjashtë vendet nga sulmet kibernetike, të cilat si në Shqipëri apo Mal të Zi paralizuan gjatë një periudhe shërbimet publike?

Është tashmë e ripërsëritur thënia, e cila supozohet se është e Einsteinit, se nëse nuk mund ta zgjidhësh një problem duhet ta zgjerosh kontekstin për zgjidhjen e tij. Kosova dhe Serbia, por edhe tërë regjioni, prej javës së ardhme mund të gjenden në një kontekst më të favorshëm për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

Sfida është shumë më e madhe se para dhjetë vjetësh: tashmë flitet për normalizimin e tërësisë së Ballkanit Perëndimor.