OpEd

Fjalët dhe varrat në fyt

Shkrimtari ukrainas Serhij Zhadan dhe beteja e tij për liri, pavarësi dhe kulturë

Të dielën shkrimtari ukrainas Serhij Zhadan u nderua me Çmimin e Paqes të librarëve gjermanë. Ky është njëri prej çmimeve më të rëndësishme kulturore në Gjermani, i cili ndahet në fund të Panairit të Librit në Frankfurt.

Përveç shkrimtar, Zhadan është muzikant, humanist dhe aktivist për lirinë e Ukrainës. Por të gjitha këto pak më vonë në këtë tekst, tani një citat pak më i gjatë nga fjalimi i Serhij Zhadanit:

“Si do të duket gjuha jonë pas luftës? Si do t’ia shpjegojmë gjërat njëri-tjetrit? Para së gjithash, duhet t’i shqiptojmë emrat e të vdekurve. Emrat duhet të shqiptohen. Ndryshe, brenda gjuhës krijohet një mëdyshje e thellë, një zbrazëti mes zërave, një thyerje e kujtesës. Do të na duhet shumë forcë dhe besim që të flasim për të rënët tanë. Sepse nga emrat e tyre do të krijohen fjalorët tanë. Por po aq forcë, vetëbesim dhe dashuri do të na duhet që të flasim për të ardhmen, ta kthejmë atë në muzikë, ta gjuhësojmë, ta përshkruajmë. Gjithsesi duhet të rikrijojmë ndjenjën tonë për kohën, ndjenjën tonë për perspektivën, ndjenjën tonë për kohëzgjatjen. Jemi të nëmur për të ardhmen, po, madje jemi përgjegjës për të. Ajo tani po krijohet nga vizionet tona, nga bindjet tona, nga gatishmëria jonë për përgjegjësi. (...) Të gjithë ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin përmes gjuhës sonë. Edhe nëse për një çast duket se mundësitë e gjuhës janë të kufizuara apo të pamjaftueshme, ne, deshëm apo jo, duhet të përdorim mjetet e saj që na japin shpresë se në të ardhmen mes nesh të mos mbesin gjëra të pathëna dhe keqkuptime. Nganjëherë gjuha na duket e dobët. Por shpesh është gjuha që na jep forcë. Ndoshta gjuha për një çast distancohet prej teje, por ajo nuk të tradhton. Kjo është e rëndësishme dhe vendimtare. Për aq kohë sa e kemi gjuhën tonë, për aq kohë kemi shansin e vogël që të shpjegojmë, ta themi të vërtetën tonë, ta rendisim kujtesën. Për këtë arsye po flasim dhe s’po pushojmë. Madje edhe nëse fytet tona na bëhen plot varra nga fjalët. Madje edhe kur ndihesh i braktisur nga fjalët dhe i zbrazët. Zëri ia jep të vërtetës një shans. Është me rëndësi ta shfrytëzojmë këtë shans. Ndoshta kjo është më e rëndësishmja që mund të na ndodhë”.

Serhij Zhadan është njëri nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë dhe jetës publike të Ukrainës. Krahas çmimit që mori të dielën, ai është shpërblyer sivjet edhe me Çmimin Hannah Arendt për mendim politik dhe me Çmimin e Lirisë të Fondacionit Frank Schirrmacher, i cili ka qenë shef i rubrikës së kulturës i “Frankfruter Allgemeine Zeitung” dhe njëri nga intelektualët më të rëndësishëm publikë të Gjermanisë.

Serhij Zhadan u lind më 1974 në zonën e Luhanskut në Ukrainën Lindore. Studioi gjermanistikën dhe doktoroi mbi futurizmin ukrainas. Që nga pavarësimi i Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në fillim të viteve ‘90, Serhij Zhadan i përket skenës kulturore të Harkivit, qytetit të dytë ukrainas për nga madhësia, pas Kievit. Deri më tani ka publikuar 12 vëllime me poezi dhe 7 vepra me prozë. Vepra e tij e fundit e botuar në gjermanisht mban titullin “Qielli mbi Harkiv”: këtu janë të përmbledhura postimet e tij në Facebook që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt. Zhadan raporton mbi përditshmërinë në një qytet të goditur nga agresori, mbi aktivitetet e tij humanitare, koncertet e tij në metro (Zhadan është edhe muzikant), ndihmën që u ofron mbrojtësve të Ukrainës.

Në romanin “Shpikja e xhazit në Donbas”, Zhadan e përshkruan një dizajner i cili duhet ta menaxhojë pikën e karburantit të vëllait të tij, i cili është zhdukur pa gjurmë diku në cep të stepës. Trevën industriale të Donbasit, Zhadani e shndërron në një çerdhe nomadësh ku përzihen realiteti dhe fantazia dhe humbin gjurmët e anarkistes dhe kompozitores amerikane të xhazit, Gloria Adams. BBC-ja e ka shpallur këtë roman si “libër të dekadës“.

Në mesin e kritikëve dhe lexuesve të hapësirës gjermanishtfolëse më shumë është pëlqyer romani “Internati” (ose konvikti), një rrëfim mbi një aksion aventurier shpëtimi: ndërsa katastrofa shihet në horizont (lufta në Ukrainën lindore), një mësues përpiqet ta shpëtojë nipin e tij 13-vjeçar. Edhe këtu Serhij Zhadan përzien në mënyrë brilante mitin me absurdin dhe atmosferën teatrale me acarin e luftës.