OpEd

Propozimi franko-gjerman si një mundësi paralele e dialogut të Brukselit

Duke e marrë si referencë propozimin franko-gjerman që ka shëtitur nëpër media, ajo që mund të vihet në theks është që kemi të bëjmë me një proces paralel me atë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si në përmbajtje, në qasje, përfshirje, mundësi për palët, por edhe në afatizim. Të stërlodhur nga diplomacia e butë (soft-power) e BE-së, që nuk prodhoi rezultate të pritshme për më shumë se një dekadë, Franca e Gjermania po duan të sjellin rezultate konkrete, të prekshme dhe të shpejta, edhe pse rreziqet mbesin.

Të lodhur nga ngathtësia, paaftësia e pafuqia disavjeçare e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, e të trembur nga një luftë shkatërrimtare që po zhvillohet në lindje të Evropës, binomi Francë-Gjermani me mbështetje të SHBA-së ka marrë një iniciativë të furishme diplomatike për të qëndisur një marrëveshje “të shpejtë” mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse e paqartë në përmbajtjen e saj, e cila nuk po prezantohet zyrtarisht, ekzistenca e këtij propozimi nuk po vihet më në pikëpyetje pothuajse nga asnjë palë. Pa zbuluar detaje, në një intervistë për Kanal 10, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndër të tjerash përmendi javët si mundësi për arritjen e një marrëveshjeje dhe nënvizoi se SHBA-ja e përkrah iniciativën e partnerëve evropianë.

Duke e marrë si referencë propozimin franko-gjerman, që ka shëtitur nëpër media, ajo që mund të vihet në theks është që kemi të bëjmë me një proces paralel me atë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si në përmbajtje, në qasje, përfshirje, mundësi për palët, por edhe në afatizim.

Të stërlodhur nga diplomacia e butë (soft-power) e BE-së, që nuk prodhoi rezultate të pritshme për më shumë se një dekadë, Franca e Gjermania po duan të sjellin rezultate konkrete, të prekshme dhe të shpejta. Derisa nën lidershipin e emisarit Miroslav Lajçak, Brukseli përpiqej ta formësonte kornizën e çështjeve në atë mënyrë që palët të vendosnin për temat që ishin të interesuar/donin t’i diskutonin, iniciativa franko-gjermane sjell një model më konvencional të diplomacisë evropiane - atë të imponimit të propozimeve dhe jo një model të hapur, ku palët sjellin propozimet, i shqyrtojnë dhe në fund pajtohen ose jo për çështjet.

Jo vetëm në qasje, por edhe në përmbajtje, gjithnjë nëse e njëjta realizohet, propozimi franko-gjerman sjell diçka të re në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por edhe përtej, ndonëse mbart edhe rreziqe. Me theks të veçantë, forma e zbatimit të marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të bëhet pengesa kryesore dhe kundërshtia e kryeministrit Kurti. Tashmë veçse kanë filluar të qarkullojnë drafte rreth mënyrës së zbatimit të një kreature, e cila nga jo të paktë shihet si një minim i sovranitetit të Kosovës.

Një tjetër shqetësim është propozimi që njohja nga Serbia të mos jetë pjesë e ujdisë e që Kurti vështirë do ta kishte që ta kapërdinte, duke qenë se njohja në qendër është trumbetuar për një kohë të gjatë dhe jo vetëm nga Kurti, por edhe nga qeveritë e kaluara e edhe vetë amerikanët.

Përmendja e mundësisë së njohjes së Kosovës nga pesë vendet jonjohëse të BE-së, mundësia e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, mundësia reale dhe afatizimi i integrimit evropian të të dyjave vendeve e instrumente të tjera shtesë ekonomike padyshim i japin një epërsi propozimit franko-gjerman kundruall një dialogu steril që e ka udhëhequr Brukseli për një kohë të gjatë. Ndonëse është vështirë të mendohet se si Franca e Gjermani do t’i bindin Greqinë, Rumaninë, Qipron, Sllovakinë e sidomos Spanjën për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Për më tepër, ideja e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara mbetet një iluzion në këto rrethana ndërkombëtare edhe nëse, në rastin më të mirë, Serbia nuk do ta kundërshtonte ulësen për Kosovën në OKB. Kush mund të jetë garantues që Rusia apo Kina nuk do ta bllokonin Kosovën në rrugën drejt sigurimit të një ulëseje në OKB.

Ka shumë mundësi që në ditët a javët në vazhdim do të qartësohet se kjo marrëveshje nuk është finalja. Se nuk është marrëveshje e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Siç tha diplomati Escobar: “Kjo është rrugë e ecjes përpara”. Por jo asisoj siç është folur gjatë.

Prandaj, plani franko-gjerman duket të jetë një zgjidhje provizore, e shpejtë dhe përpjekje për t’i evituar tensionet dhe rrezikimin e sigurisë në Ballkan dhe jo një zgjidhje afatgjate apo gjithëpërfshirëse. Si argument shtesë, emisari Escobar e shtroi po ashtu një kërkesë gjatë vizitës së tij në Kosovë, duke i kërkuar Kurtit që ta shtyjë për 10 muaj zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave ilegale me ato RKS, ani se në të njëjtën kohë tha se ujdia mes Kosovës e Serbisë mund të arrihet brenda javësh.

Kjo nuk është një kontradiktë logjike siç duket në shikim të parë, ngase ndërmjetësimi i çështjeve të vogla Kosovë-Serbi nga BE-ja do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Një marrëveshje edhe mund të arrihet, por normalizim i raporteve duket se ka para vetës edhe një rrugë të gjatë për të përshkuar dhe se Lajçaku do të merret me këtë edhe për një kohë. Tingëllon e zymtë dhe mbase edhe cinike, por duke parë ritmin dhe rezultatet që ka arritur në këto vite dhe duke qenë që diplomati sllovak është afër të gjashtëdhjetave, pensionimin ai mund ta ketë të siguruar në pozitën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.