OpEd

Një rrugë me 1001 mina

Diçka që është nisur keq, kurrë s’përfundon (shumë) mirë: mbi «draftin gjerman» për bashkësinë e komunave serbe dhe rrugëdaljen e mundshme nga qorrsokaku.

Propozimi nga qarqet perëndimore për statutin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë tashmë është bërë publik. Qarkullon prej javësh me titullin «drafti gjerman». Herë quhet «propozim jozyrtar», herë «model pune», herë «bazë për negociata mes palëve».

Duket se dokumenti kryesisht është vepër e një fondacioni të një partie politike gjermane që drejton qeverinë në Berlin. Në këtë dokument djalli është në detaje.

Në shikim të parë problematike janë jo vetëm institucionet parashtetërore të kësaj bashkësie (presidenti, nënpresidenti, flamuri e simbolet e tjera). Edhe më problematike është lista e fushave të cilat do t’i «mbikëqyrë» asociacioni i komunave serbe, i cili, sipas dokumentit, nuk mund të shpërbëhet nga institucionet e Kosovës.

Asociacioni mund të vetëshpërbehet me dy të tretat e votave të «kuvendit të asociacionit». Nuk duhet nënçmuar rrezikun që përmes «draftit gjerman» të montohet brenda institucioneve të Kosovës një bombë me sahat. Formulimi se gjithçka do të bëhet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës mund të merret seriozisht nëse nuk ndërrohet Kushtetuta.

Nëse për të «akomoduar» asociacionin kërkohet të ndryshohet pikërisht Kushtetua dhe të miratohen ligje përkatëse për asociacionin, atëherë formulimi se gjithçka do të bëhet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës është vetëm lojë fjalësh. Pastaj, vërtet gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, por jo me këto që janë në fuqi tani. Jo e parëndësishme është edhe pyetja se kush e financon këtë asociacion: komunat me shumicë serbe apo financohet nga buxheti qendror i Kosovës, gjë që do të ishte edhe një ngarkesë e madhe për qytetarët e Kosovës? Kjo është njëra anë.  Ana tjetër është kjo: çka merr Kosova si kundërshpërblim?

Duket se njohja direkte nga Serbia nuk është në tavolinë. Nuk flitet për «marrëveshje finale». Aludohet më shumë në një marrëveshje për «këtë etapë» si hap për të hyrë «në një proces politik», i cili mund të jetë afatgjatë, ndoshta edhe një 10-vjeçar i ri. Fundja, a s’është quajtur edhe marrëveshja e vitit 2013 «historike»?

Historike janë vetëm rrënojat e saj me të cilat ballafaqohet Kosova. Vitin tjetër bëhen 10 vjet nga nënshkrimi i asaj marrëveshjeje. Nëse kalon «drafti gjerman» mund të ketë (ndoshta) njohje nga disa vende të BE-së që s’e kanë pranuar Kosovën. Tepër me rëndësi do të ishte pranimi i Kosovës në NATO, por kjo tani për tani nuk duket se është temë thelbësore. Po ashtu as hyrja në OKB për shkak të vetos ruse.

Duket iluzore që Moska të lëshojë pe për hyrjen e Kosovës në OKB pa kërkuar nga fuqitë vendimmarrëse në OKB që të pranojnë «rezultatet e luftës» së Vlladimir Putinit në Ukrainë. A ka modele të tjera për anëtarësimin e Kosovës në OKB duke shmangur veton ruse? Për këtë mund të japin mendime të vlefshme ekspertët e të drejtës ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Neni 4 i Kartës së OKB-së thotë se një shtet mund të pranohet në OKB me «rekomandim» të Këshillit të Sigurimit përmes vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kosova ndodhet në një qorrsokak politik dhe për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë akterët politikë. Asnjë zgjidhje nuk është e lehtë dhe çdo veprim i pamatur ndaj hisedarëve të pavarësisë së Kosovës mund të ketë pasoja afatgjata, sidomos duke pasur parasysh kontekstin gjeopolitik. Ka vite e vite që politika e brendshme e Kosovës është shndërruar në politikë të jashtme.

Dhe për këtë përgjegjësinë dhe fajin e bartin të gjitha partitë politike. Loja shumëvjeçare se kush kujt po ia lë «kopilin te dera» tash mund të rezultojë si faturë për të gjithë dhe Kosovën si tërësi. Por vajtimi për të kaluarën nuk sjell asnjë dobi. Tash është koha për vendime të vështira dhe largpamëse. Dhe largpamësia matet me ruajtjen e partneritetit me ata që garantojnë shtetësinë e Kosovës.

Kryeinsistimi i Kosovës duhet të jetë integrimi me proces të përshpejtuar në NATO. Anëtarësimi në  Këshillin e Europës. Statusi i kandidatit për hyrje në BE. Heqja e regjimit ndëshkues të vizave. Anëtarësimi në Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare, pra shpërthimi i bllokadës serbe. Nëse arrihen të gjitha këto, a mund ta gëlltis Kosova «draftin gjerman»? Për këtë duhet të vendosin ata që kanë marrë besimin e qytetarëve përmes votës. Dhe fjalën e fundit duhet ta ketë Kuvendi i Kosovës si organi më i lartë legjislativ i Republikës.