OpEd

Arrogancë në tri variante

... apo rrëfimi për avokatin drejtor, një kryeministër arrogant prej kohësh dhe një kryeministër me arrogancë në ardhje...

Në këndin e poshtëm të ekranit shihet një kokë. Bën një lëvizje të rrëmbyeshme, e hap sirtarin, nxjerr një revole dhe e drejton nga tre veta të veshur me uniforma të kuqe që i qëndrojnë përballë. Janë në brendinë e një pompe benzine. Shkrep arma. Rrëzohet njëri nga të uniformuarit.

Gjatë ditës do të kuptohet se i qëlluari me armë ka vdekur. Ka qenë punëtor i pompës, kurse ai që kishte shtirë mbi te, i biri i pronarit të pompës së karburanteve.

Aktakuza u ngrit më 2019, kurse i gjithë procesi u zvarrit një vit të tërë për shkak të përjashtimit të avokatit mbrojtës dhe refuzimit të një numri avokatësh që ta mbrojnë të akuzuarin sipas detyrës zyrtare. E edhe refuzimit të Odës së Avokatëve që avokati i familjes së të akuzuarit të zëvendësohej me ndonjë koleg – në emër të mbrojtjes së etikës profesionale.

E avokati i përjashtuar nga seanca është i njohur edhe për nga fakti se mban titull drejtori në së paku tri kompani: të sigurimit fizik, të argëtimit dhe ahengjeve dhe të një portali (me status pasiv në ARBK). Sipas Ligjit për Avokatinë, avokati nuk mund ta ushtrojë këtë veprimtari po qe se themelon marrëdhënie pune. Nuk e di se çfarë ka nënkuptuar ligji me marrëdhënie pune, porse titull drejtor në së paku tri kompani, në kushte normale, do të nënkuptonte punësim me orar të plotë apo të shkurtuar.

Gjykata mori vendimin dje. Meqë seanca qe publike, në sallë dje u gjend edhe avokati i përjashtuar. Trupi gjykues e dënoi të pandehurin me shtatë vjet e gjysmë burgim për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje. Në arsyetim u tha se prokuroria nuk kishte sjellë prova me të cilat do të vërtetohej se bëhej fjalë për vrasje të rëndë.

E prova më e fuqishme u bë publike nga babai i viktimës vjet, punë që e ktheu gjykimin në pikën zero. Prova qe video-incizimi që e përshkrova në fillim të kolumnes. Interpretimin e asaj që shihej aty e bëri gjykata ashtu siç e bëri.

Avokati i përjashtuar tha se u bë drejtësi. Familja e të vrarit, përfshirë edhe dy fëmijët e mitur që dje qëndronin në gjykatore, nuk u deklaruan. Jam e bindur se rasti nuk do të mbyllet këtu.

* * *

Është një rast tjetër, mjaft i moçëm të cilin refuzon ta mbyllë Edi Rama. Ka të bëjë me Rezolutën për Raportin Marty, i cili cyti themelimin e Gjykatës Speciale, për shkak të përshkrimeve të krimeve të supozuara të kryera në Kosovë gjatë luftës. Krimet janë monstruoze, kurse kryerësit janë shqiptarë – kështu pretendonte Dick Marty dhe këtë pretendim e miratoi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në janar të 2011-s edhe me votat e deputetëve shqiptarë. Argumentimi i Shqipërisë që atëbotë udhëhiqej nga Sali Berisha qe se me këtë votë përkrahej hetimi, në kërkim të zbardhjes së plotë të së vërtetës.

Para tri ditësh, Edi Rama mbajti fjalim të gjatë në AP të KiE. Qëllimi kryesor i këtij fjalimi ishte të përçonte porosinë dhe nismën se ky trup do të duhej ta nxirrte një Rezolutë të re me të cilën do ta pranonte gabimin për kohën kur kishte marrë të mirëqenë për hetim pretendimin se në Kosovë e Shqipëri, shqiptarët ua kishin marrë organet viktimave të tyre dhe i kishin trafikuar.

Por derisa erdhi tek ajo pikë, ngrehu një paralele mes luftërave në Kosovë e Ukrainë – pra dy shteteve viktima të regjimeve diktatoriale. U tha parlamentarëve se Kosovën do të duheshin thirrur Kosova e jo Kosovo dhe në fund u tha se Bashkësia Ndërkombëtare ishte treguar hipokrite dhe se nuk kishte ndërmarrë asgjë që të ndalonte luftërat në Kosovë e Ukrainë – por kishte reaguar vetëm pasi u kryen krimet e llahtarshme aty.

Natyrisht se rrugës e përmendi Ballkanin e Hapur, si nismën për heqjen e kufijve dhe, edhe njëherë, e arsyetoi Serbinë për mosvënie sanksionesh ndaj Rusisë, duke e thënë edhe këtë: se Vuçiqit e kishte mik.

Paraqitja e tij qe impresive dhe imponuese. Sjellja e tij qe cinike dhe arrogante: foli aq sa deshi dhe tha atë që deshi. I përbuzi deputetët që i bënin pyetje apo i komentonin, porse zgjodhi të tregonte se mund të fliste me ta edhe në anglisht e edhe në frëngjisht.

Megjithatë, paraqitja e tij ishte në vetvete kundërthënëse dhe në disa pika, nuk dëshmon të ketë logjikë të shëndoshë:

Nga koha kur është miratuar Rezoluta për Raportin Marty, kanë kaluar më shumë se njëmbëdhjetë vjet e gjysmë.

Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë që nga 2013-a. Pse është dashur të pritej kaq gjatë për të reaguar? Përse tash, e jo para tre vjetësh, kur tashmë ishte më se e qartë se do të ngriheshin aktakuzat ndaj eprorëve të UÇK-së, ngase ishin marrë në pyetje?

Rama përmendi themelimin e Gjykatës Speciale si pasojë e këtij raporti. Nuk e kërkoi shuarjen e gjykatës në formë eksplicite, por la të kuptohej se në fakt ky ishte qëllimi: sepse gjykata ishte ngritur mbi bazën e një rrene: trafikimi i organeve.

Porse do të kujtojmë se ishte Edi Rama ai i cili i dha vetes mision (apo mbase e ftuan), më 2015-n, që t’i bindte ata që nuk bindeshin se gjykata duhej themeluar. Erdhi në Kosovë në korrik, Gjykata u votua në gusht. Do të kujtojmë se për të votuan 32 nga 37 deputetët e PDK-së, pas presionit shumë të madh të vetë Thaçit.

Në fjalim Rama tha se Hashim Thaçi ishte paraburgosur pa pasur aktakuzë, që nuk është e vërtetë. Vetë Thaçi kishte thënë se po qe se do t’i ngrihej aktakuza do të jepte dorëheqje.

Rama tha se nuk kishte vend në botë që kishte parë se si i arrestohej kryetari i shtetit, për akuza për krime lufte. Kishte. Serbia dhe Millan Millutinoviqi. Po ky për dallim nga Thaçi, ky nuk dha dorëheqje, por priti ta përfundonte mandatin.

Rama me të drejtë i quajti regjime, fashiste do të shtoja unë, edhe atë të Millosheviqit e edhe këtë të Putinit. I akuzoi për krime dhe për shkaktimin e vuajtjeve popujve në Kosovë e në Ukrainë.

Por anëtarin jo pak të rëndësishëm të atij regjimi të parë, ministrin e Informacioneve të atij diktatori, Alleksandar Vuçiqin, e quajti mik. Dhe shtoi, edhe njëherë, se nuk duhet bërë presion për punë sanksionesh ndaj Rusisë. Tash, ose je parimor ose nuk je.

Meqë tashmë e ka kaluar Rezolutën në Kuvendin e Shqipërisë për të kërkuar anulimin e Rezolutës Marty në KiE, e besoj se do të bëjë çmos për ta futur në rend dite. Por nuk e besoj se kjo do të ndodhë, pavarësisht faktit se Rusia nuk është më aty. Mbase nuk do të ndodhë për shkak se diplomacia e politika rrallë e durojnë arrogancën kaq flagrante.

* * *

Arrogancë, sado që më të vogël se kjo e Ramës, na shpërfaqi edhe kryeministri Kurti gjatë javës që lëmë pas.

Nuk e di se kush po e këshillon apo nëse është gjë që po e bën kokë më vete, por ato porositë me video që po i xhiron e po i poston më pas në FB janë një kotësi e paparë. Prej videove më pas po kalon në mbledhje ku nis me një sërë deklamimesh vetëlavdëruese për punën e Qeverisë dhe të famshmin krijim të vendeve të punës. Kësaj here u përmendën 45 mijë vende të reja pune, të cilat, sinqerisht, nuk e di se kah i numëron.

Nëse janë formalizuar 45 mijë kontrata pune të atyre që tashmë kanë punuar por pa kontrata – ky është hap për të uruar, gjithsesi. Por kësaj nuk mund t’i thuhet krijim i vendeve të punës, për shkak se kjo nuk është e vërtetë. Kjo është lojë shifrash me statistika, ashtu siç ia bënte Thaçi dikur: stimulohej hapja e universiteteve dhe kolegjeve, regjistroheshin me mijëra njerëz nëpër to, dhe hiqeshin nga lista e të papunëve. Kështu papunësia zyrtarisht përherë qëndronte nën tridhjetë e diçka për qind.

Thuajse kjo nuk i doli boll, e shkroi një status me një fjali ama bash hiç spirituoze, nëse këtë e ka pasur qëllim: “...Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”.

Koment krejtësisht i panevojshëm me tipare mizogjinie. Po pyetem a do të ishte i njëllojtë reagimi po ta ndiqte ndonjë gazetar nëpër ara për ta pyetur për Lajçakun? Apo atij do t’ia jepte përgjigjen, pa pasur nevojë t’i qasej traktoristit për ndihmë? Thoshte babai im: gjëja më e keqe është kur të hyn uji n’vesh. Uroj që kryeministri ta gjejë një pompë shpejt.

Ky vend nuk ka nevojë as për video, as për lavdërime, as për një opozitë inerte dhe përsëritëse. Ka nevojë për veprime që do t’i sjellin mirëqenie këtij vendi. U lodha duke përsëritur që skemat sociale krijojnë parazitë. Duhet gjetur mënyrë më të mençur për të krijuar vende pune jashtë administratës, ku do të zhvillohet një konkurrencë e mirëfilltë tregu dhe ku njerëzit do të ndiejnë se çmohen për punën që e bëjnë. Pa i futur paratë në qarkullim, pra ato 600 e fiu milionë, punësimi i madje pesëmijë vetave do të jetë ëndërr e largët.

flaka@koha.net