OpEd

Rruga drejt ardhmërisë kalon nëpër portën e së vërtetës

Drejt ardhmërisë nuk mund të shikohet duke i injoruar faktet e pamohueshme historike. Drejt ardhmërisë nuk mund të shikohet duke i mohuar krimet, duke mos i dënuar kriminelët dhe duke i trajtuar të dyshuarit për krime të luftës si heronj. Kjo po ndodh në Serbi. Aty ku janë gjetur rreth 1000 kufoma të shqiptarëve, në Batajnicë afër Beogradit, pushteti serb nuk lejon të vendoset së paku një pllakë përkujtimore.

Ekzistojnë krime të tmerrshme të cilat nuk mund të falen. As të harrohen. Koha nuk i falë kriminelët. As nuk i amniston shoqëritë nga përgjegjësia, pa marrë parasysh sa kohë ka kaluar nga kryerja e krimeve. Krimet e makinerisë vrastare të Beogradit kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë hyjnë në kategorinë e krimeve të pafalshme.

Krimet e forcave serbe kanë shkatërruar mijëra jetë të njerëzve në Kosovë. Viktima nuk janë vetëm civilët që janë vrarë, por edhe ata që janë plagosur, keqtrajtuar, terrorizuar, poshtëruar, përdhunuar, ata e ato që pushteti serb ua ka shkatërruar përditshmërinë dhe ardhmërinë. Jeta e tyre, shanset e tyre, shpresat e tyre janë të pakthyeshme. Krimet gjakftohta të forcave serbe kanë pasur si cak final zhdukjen e popullsisë shqiptare në Kosovë përmes eliminimit fizik apo dëbimit të përhershëm.

Paragjykimet raciste, ndjenja e superioritetit dhe ambiciet kolonialiste kanë qenë parakusht për fillimin e fushatës shfarosëse të Serbisë ndaj popullsisë së Kosovës. Parakushtet për këtë janë krijuar me vite përmes dalldisë ultranacionaliste në Serbi. Plani për krimet e luftës ka qenë i detajuar, vetëm kështu mund të shpjegohet efikasiteti barbar i forcave serbe për fshehjen e kufomave, djegien e tyre, zhgroposjen e tyre, hedhjen në varreza masive sekondare, bartjen e tyre me kamionë në Serbi.

Vetëm në bazën e policisë në Batajnicë afër Beogradit janë gjetur kufomat e gati 1000 shqiptarëve: aktivistë, arsimtarë, zyrtarë, profesorë, zejtarë – të gjithë kanë qenë në shënjestër të terrorit. Aty ku janë gjetur këto kufoma, pushteti serb nuk lejon të vendoset së paku një pllakë përkujtimore. Synimi i makinerisë së terrorit ka qenë shkatërrimi i boshtit kurrizor të shoqërisë shqiptare të Kosovës, përfshirë edhe dëmtimin e përhershëm të kushteve të jetesës, infrastrukturën dhe degët më të rëndësishme të ekonomisë.

Ky proces kriminal nuk ka filluar më 1999, por më 1989, me hapat e parë për heqjen e autonomisë së Kosovës. Vetëm deri në vitin 1998 si pasojë e diskriminimit institucional janë detyruar të braktisin vatrat e tyre rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës. Në vitet 1998/99 janë dëbuar nga shtëpitë dhe banesat e tyre edhe rreth 1 milionë shqiptarë dhe shqiptare. Faktikisht mbi 80 për qind e popullsisë së Kosovës ka qenë e goditur direkt nga represioni shtetëror i Serbisë.

Fundi i luftës e ka gjetur Kosovën të shkatërruar pothuaj tërësisht. Me industri të bërë rrafsh me tokë dhe me qytete e fshatra të djegura. Drejt ardhmërisë nuk mund të shikohet duke i injoruar këto fakte. Drejt ardhmërisë nuk mund të shikohet duke i mohuar krimet, duke mos i dënuar kriminelët dhe duke i trajtuar të dyshuarit për krime të luftës si heronj. Kjo po ndodh në Serbi. Rruga drejt ardhmërisë kalon nëpër portën e së vërtetës. Asnjë kapitull i errët i së kaluarës nuk mund të harrohet duke përdorur retorika boshe. Këtë duhet ta ketë të qartë çdo politikan shqiptar. Por edhe çdo emisar ndërkombëtar.