OpEd

Grevë me telekomandë

Grevë e telekomanduar një javë para se të zbatohet, në tentativën e dytë, reciprociteti për targa e letërnjoftime lë shije shumë të keqe. Posaçërisht duke ditur se ligji mund të kalojë shumë shpejt dhe me ndryshime substanciale. Dhe, pavarësisht se përsëri do të mund të ndaheshin të pakënaqur, megjithatë vrapi për ta nisur grevën sot për nesër po tregon se pas saj me gjasë nuk janë 100 eurot e pretenduara. Kushdo që e ka telepilotin në dorë do të ketë menduar se edhe kjo grevë do të kalojë asisoj që grevistët do të paguhen edhe kur nuk punojnë. Zbatimi i ligjit mbase do t’ua ndërrojë mendjen shpejt

Pra, siç edhe mund të paramendohej, fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit duheshin patjetër të shënoheshin me një grevë të arsimit. Sepse viti shkollor, sipas kalendarit të Ministrisë, duhet të nisë të enjten, më 1 shtator. Kjo natyrisht, nëse SBASHK-u vendos ta pezullojë grevën të cilën e ka nisur me kërkesën që arsimtarëve t’u jepen edhe nga 100 euro në muaj linearisht, deri në miratimin e Ligjit për Pagat.

Përderisa e kemi të qartë se situata ekonomike në muajt e fundit është rënduar shumë dhe e përcjell trendin e ekonomive botërore me shkallë të lartë inflacioni, megjithatë është jo pak irrituese të shihet se më të zëshmit në lidhje me pagat, kur të gjithë jemi duke u ballafaquar me problemin e njëjtë, janë arsimtarët. Për shkak se ata e kanë lehtë: e kanë shantazhin në duar dhe atë e zbatojnë sa herë iu jepet rasti.

E shantazhi i tyre është i lidhur direkt për fëmijët. Kësaj radhe kanë vendosur që t’i mbyllin çerdhet publike e javën tjetër mbase i mbyllin edhe shkollat dhe e shtyjnë nisjen e vitit shkollor.

Nuk i kam të njohur mekanizmat e veprimit të Sindikatës, as të Këshillit grevist. E di që ligji e parasheh që greva duhet të paralajmërohet së paku 7 ditë para se të ndodhë (nuk e di nëse ky afat është respektuar). Gjithashtu e kuptova, me ta lexuar Ligjin nr. 04/L-119 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-200 për Grevat, i datës 28.9.2012, se me revidimin e nenit 18, pika 1, grevistëve u pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

* * *

Pra, besoj që është e qartë se arsimtarët grevistë me nisjen e grevës e humbin edhe të drejtën në pagesë për aq kohë sa zgjat greva. Që do të thotë se paralajmërimi që doli nga Ministria e Financave pardje e u interpretua gjerësisht si kërcënim paska në fakt bazë ligjore.

Një hulumtim sipërfaqësor se si është rregulluar çështja e grevës nëpër disa shtete perëndimore e jep përafërsisht përgjigjen e njëjtë. Në Amerikë grevisti nuk paguhet nga punëdhënësi. Nëse ekziston fondi sindikal, ky do ta kompensojë mungesën e pagës; në Britani të Madhe nëse grevisti nuk i përmbush obligimet kontraktuale nuk paguhet; në Francë çdo ditë mungese nga puna për shkak të grevës reduktohet me nga një të tridhjetën pjesë të rrogës në ditë...

Pra, shtetet e moçme me traditë të gjatë grevash për realizimin e të drejtave të punëtorëve e kanë rregulluar çështjen e grevës me kushtetutë (aty ku ky është akti më i lartë juridik) dhe/apo me Ligjin e Punës. Dhe, në shumicën e rasteve përjashtohet mundësia e marrjes së pagës derisa punëtorët janë në grevë.

Duket se deri tash kushdo që ka organizuar dhe mbajtur greva te ne ka vazhduar të paguhet nga buxheti, pavarësisht dispozitës së këtij ligji specifik. Nuk e di nëse kjo është kështu, por nëse ligji nuk është zbatuar dhe grevistët janë paguar, atëherë ligjin e paskan shkelur institucionet duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit në të cilin kontribuojmë që të gjithë, e natyrisht, më shumë sektori privat.

* * *

Se kjo grevë duket e teledirigjuar dhe se vjen në kohën më të keqe për fëmijët, sidomos ata që do ta nisin shkollën sivjet, e tregon edhe veprimi i kryetarëve të komunave që kishin vendosur ta padisnin Ministrinë e Arsimit për shkak të moszbatimit të Kontratës Kolektive për sektorin e arsimit. Kryetarët e komunave që nuk iu bashkuan kësaj padie janë të subjektit politik Vetëvendosje.

I menjëhershëm qe reagimi i ministres së Arsimit, e cila tregoi se nga 2014-a ishin nënshkruar tri kontrata kolektive, dhe që të tria në prag të zgjedhjeve. Më tej sqaroi se për asnjërën nga to nuk ishte bërë vlerësimi i ndikimit financiar dhe asnjëra nga to nuk ishte regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi.

Nagavci sqaroi edhe se:

Kontrata e parë në vitin 2014 është nënshkruar në mes të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja, dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atëkohë ishte Qeveria PDK-LDK, kurse ministër i Financave, Bedri Hamza.

Kontrata e dytë e vitit 2017, nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atëkohë ka qenë Qeveria PDK-LDK, kurse ministër i Financave, Avdullah Hoti. (Këtu duhet shtuar se më 2017 Jasharaj, Veseli e Haradinaj e nënshkruan një memorandum mirëkuptimi – që kishte synim të qartë: marrjen e votave të arsimtarëve për ata që premtonin rritje pa kufi), dhe

Kontrata e tretë e vitit 2021. Nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj, dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Ka qenë Qeveria LAN (LDK-AAK-NISMA), kurse ministre e Financave, Hykmete Bajrami.

Përshtypja është se reagimi i ministres zbulon shumëçka e më së shumti atë që e kemi thënë shumë gjatë: se mësimdhënësit paraqesin 20 mijë vota vetë, e me anëtarë familjeje me siguri deri në 50 mijë vota. Prandaj edhe koketimi me sindikalistët, prandaj edhe nënshkrimi i memorandumeve në mes të fushatës, prandaj edhe thirrja për grevë, një javë pasi u paralajmërua miratimi i Projektligjit për Paga, i cili, gjasat janë, do të jetë i pari në rend për shqyrtim, posa të kthehet Kuvendi në sesione të rregullta.

* * *

Instituti “EdGuard” dje bëri publike një tabelë ku tregoheshin vlerat e rrogave bazë sipas ligjit të ri. Po qe se nuk ndryshon gjë deri në proces të miratimit, propozimi i ri rrit ndjeshëm të ardhurat personale të mësimdhënësve. Kështu, rroga bazë aktuale e mësimdhënësve në parashkollore është 393€ e do të bëhet 624€. Paga e mësimdhënësit në fillore është aktualisht 421€ e do të bëhet 672€, kurse e mësimdhënësve në shkollat e mesme aktualisht është 460€ dhe do të bëhet 696€.

Pra, nëse vërtet do të dalin këta koeficientë, atëherë rritja te këto kategori, pa përfshirë drejtorë, pedagogë e psikologë, do të jetë ndërmjet 33% dhe 37% - që në këto kushte është rritje enorme.

Siç e shkrova javën e shkuar, profesioni i mësimdhënësit nuk është fare i lehtë dhe ka shumë përgjegjësi, porse cilësia e arsimit kosovar sot tregon se jo të gjithë arsimtarët meritojnë madje të marrin rrogë. Dhe mu për këtë arsye është absolutisht e domosdoshme që t’i nënshtrohen vlerësimit dhe licencimit. Është fakt shumë i dukshëm dhe i pakontestueshëm se arsimi ynë çalon thellë dhe se prodhon analfabetë funksionalë në seri.

* * *

“Në ueb faqen e SBASHK-ut janë të publikuara 174 buletine mujore të cilat informojnë publikun dhe anëtarësinë për aktivitetet e Sindikatës. Nga gushti i vitit 2014 deri në maj të 2022, në 131 numra të buletinit, SBASHK-u kërcënon me greva, paralajmëron greva ose njofton për mbajtjen e grevave. Arsyet janë të ndryshme: kontrata kolektive, rritje të pagave, ligji i pagave, ligji për arsimtarët e viteve '90, shtesa në paga, shujta...

Pra, nga gushti i vitit 2014, 75% të kohës, arsimi fillor dhe i mesëm ka qenë nën kërcënim të grevave për arsye nga më të ndryshmet”, shkruante dje Agron Demi në FB.

Pra, tetë vjet kjo Sindikatë është marrë kryesisht me greva dhe presion ndaj të gjitha qeverive për rritje rrogash, por shumë pak është marrë me ngritjen e cilësisë së arsimit. Do të ishte e natyrshme që edhe ky segment i fuqishëm social të merrej me përmirësimin e vetvetes. Dhe kjo për shkak të vetë arsimtarëve, por për shkak të efektit të përgjithshëm që ka puna e tyre në shoqëri. Për shkak të fëmijëve (që është e vërtetë se fillimisht duhen pasur edukatë familjare për ta marrë nxënien më vonë), shumica e të cilëve nuk e kuptojnë atë që e lexojnë. Edhe për shkak të faktit se megjithatë janë shtresa e privilegjuar e kësaj shoqërie, meqë janë të vetmit që paguhen edhe kur rrinë nga tre muaj në pushim.

Javën e kaluar shkrova edhe për personelin shëndetësor që gjithashtu do të përfshihet me këtë ligj. Është fakt se nuk e kemi shëndetësinë më të mirë në botë porse, megjithatë, për ta prodhuar një mjek specialist kjo shoqëri duhet të investojë mbi njëzet vjet buxhet. Dhe, mirë t’i kemi këta që i kemi, teksa duhet rregulluar menaxhimin, disiplinën dhe aftësimin e mëtejmë profesional të tyre, sesa të shohim se si kuadrot e gatshme na ikin prej këtu.

Po e përsëris atë që e kisha shkruar javën që shkoi: do të mund të debatonim për peshën e përgjegjësisë së arsimtarit dhe të mjekut, por dallimi është se përderisa në shkollë edhe mund të ngelësh e më pas ta përsëritësh vitin, në mjekësi nuk mund ta kthesh prapa jetën e humbur. Prandaj rritja e rrogave duhet të jetë edhe më e ndjeshme te mjekët dhe infermierët. E pas kësaj, atëherë duhet zgjidhur çështjen e punës së këtyre profesionistëve nëpër institucionet publike e private njëkohësisht.

* * *

Grevë e telekomanduar një javë para se të zbatohet, në tentativën e dytë, reciprociteti për targa e letërnjoftime lë shije shumë të keqe. Posaçërisht duke ditur se ligji mund të kalojë shumë shpejt dhe me ndryshime substanciale. Dhe, pavarësisht se përsëri krejt do të mund të ndaheshin të pakënaqur, megjithatë vrapi për ta nisur grevën sot për nesër po tregon se pas saj me gjasë nuk janë 100 eurot e pretenduara. Kushdo që e ka telepilotin në dorë do të ketë menduar se edhe kjo grevë do të kalojë asisoj që grevistët do të paguhen edhe kur nuk punojnë. Zbatimi i ligjit mbase do t’ua ndërrojë mendjen shpejt.

flaka@koha.net