OpEd

Sot Kosova i ngjan Mbretërisë së Bashkuar të 70-ave dhe Francës së 2019-s

Sot Kosova i ngjan shumë Mbretërisë së Bashkuar të viteve 70-a. Në vitet e 70-a ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar hyri në recesion. Inflacioni arriti në 30%, ndërsa papunësia arriti rekordin 30-vjeçar. Sikur sot, ky ishte rezultati i disa faktorëve të jashtëm, por edhe i ekonomisë joproduktive dhe fuqisë tejet të madhe të sindikatave. Përkundër situatës ekstreme ekonomike, sindikatat kërkonin rritje të pagave. Fuqia e tyre ishte e jashtëzakonshme.

Grevat sindikale rrëzuan dy qeveri, para ardhjes së Thacherit në pushtet. Kur Thatcheri u bë kryeministre, ajo kishte identifikuar sindikatat si pengesë kyç për rimëkëmbjen e Mbretërisë. Ajo madje i etiketoj ata si “armiq të shtetit”. Shumë qytetarë anglezë kishin simpati ndaj kërkesave sindikale, pasi që familjet punëtore angleze ishin duke u përballur me kushte tejet të vështira ekonomike.

Implementimi i reformave ekonomike, privatizimi agresiv, mbyllja e ndërmarrjeve joprofitabile dhe dobësimi i sindikatave rezultonin me papunësi të madhe në mesin e familjeve angleze. Por reformat e Thatcherit, përkundër se ishin jopopullore, ishin të domosdoshme. Ajo do të fitojë tri palë zgjedhje dhe do ta gëzojë besimin e qytetarëve për 11 vjetët të ardhshëm – gjë që ende mbetet rekord i një kryeministri anglez në 137 vjetët e fundit.

Sot Kosova i ngjan edhe Francës së vitit 2019. Në dhjetor 2019, në Paris u mblodhën 1 milion protestues kundër reformës së sistemit pensional. Kjo ishte protesta më masive në historinë moderne të Francës. Sistemi pensional i Francës është i shekullit të kaluar dhe pengesë serioze për produktivitetin ekonomik të Francës. Por njëkohësisht, çfarëdo reforme e sistemit pensional është dëshmuar të jetë varrezë politike për politikanët francezë. Përkundër kësaj, Macroni ka kuptuar se këto reforma, edhe pse jopopullore, janë të domosdoshme. Kësisoj Macroni nuk u dorëzua përballë protestave dhe shtyri përpara reformën e sistemit pensional. Këtë vit ai u bë presidenti i parë francez në 20 vjetët të fundit i cili fiton mandatin e dytë.

Ajo çfarë po tentoj të them nuk është se sindikatat dhe protestat janë të këqija. Krejt e kundërta. Mungesa e tyre është e keqe. Mungesa e protestave është indikacion se nuk ka reforma. Është indikacion se jemi në stagnim. Reformat prishin status-quonë dhe lëvizin shtetin në stade më të avancuara të zhvillimit. Kosova asnjëherë nuk ka pasur protestat sociale, pasi që qeveritë tradicionalisht kanë zgjedhur rrugët më të lehta se sa reformat.

Është me lehtë t’i rrisësh pagat, se të kërkosh llogaridhënie. Kësisoj pak nga pak, duke i rritur pagat gjithkujt, kemi krijuar një monstër në sistemin e pagave publike, ku kriteret janë gjithçka përveç llogaridhënia, cilësia dhe vlera për para. Kjo lloj qeverisjeje ka dëmtuar rëndë kredibilitetin e shërbimeve publike. Prandaj sot ka më shumë spitale private sesa pompa benzine. Prandaj sot sistemi parauniversitar i Kosovës është i fundit në botë. Prandaj sot Universiteti i Prishtinës është i parafundit në botë. Po korrim atë që kemi mbjellë.

Sot nuk e fajësoj SBASHK-un për veprimet e tyre sindikale. Ashtu siç nuk i fajësoj sindikalistët anglezë, apo pensionistët francezë. Çdokush e mbron interesin e vet, në formën që ata mendojnë se është e duhura. Fajësoj partitë politike, të cilat e kanë degraduar këtë sistem arsimor në monstër, i cili është duke u ushqyer çdo ditë nga e ardhmja e mohuar e fëmijëve tanë. I fajësoj për mungesën e guximit për të sakrifikuar pushtetin e tyre për reformat e shtetit. I fajësoj për vendosjen e interesit të partisë, para interesit tonë.