OpEd

BE-ja, në vend të dialogut për normalizim, u shndërrua në organizatore të takimeve për menaxhim të krizave

BE-ja nuk është dashur t’i lejojë vetes që 11 vjet pas nisjes së dialogut, temat kryesore të jenë dizajni i targave të veturave, faturave të energjisë dhe lëshimi i letrave hyrëse për kalimin e kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Sikur dialogu të ishte i suksesshëm, asnjë nga këto probleme nuk do të ekzistonte. Sepse si në fillim të dialogut, ashtu edhe tash, ekziston çështja që i zgjidh të gjitha problemet, ai i përgjigjes në pyetje se a është Kosova shtet apo jo. Serbia edhe një herë dëshmoi se dialogun po e shfrytëzon për të konfirmuar se Kosova nuk është shtet dhe se Serbia duhet të ekzistojë edhe në territorin e Kosovës

Ka hyrë në vitin e tretë mandati i të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Dhe, deri më tash, tri herë janë takuar në kuadër të dialogut kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Po të vazhdojë kjo dinamikë e “takimeve në nivel të lartë”, duhet pritur edhe një vit që të ndodhë takimi i radhës i këtyre dy liderëve. Për të qenë ironia më e madhe, ky takim i tretë i tyre nga një burim i BE-së u cilësua si “më i miri deri më tash”. Kështu u cilësua takimi, i cili nuk prodhoi asnjë rezultat dhe suksesi më i madh u tha të ketë qenë “vet fakti se ata kanë shpalosur pikëpamjet e tyre për marrëveshjen për normalizimin gjithëpërfshirës”.

Kur për një takim që dështon të prodhojë ndonjë rezultat thuhet se ka qenë “më i miri deri më tash”, atëherë ekziston vetëm një sqarim: takimet e mëparshme kanë qenë të tmerrshme. E sa “i mirë” ishte ky takim, u pa nga paraqitjet e presidentit të Serbisë, Aleskandar Vuçiq, të dielën. Foli se si “shqiptarët në Kosovë kanë përgatitur lista për ekzekutim të serbëve”. Foli edhe për “terroristët çeçenë” që i paskan identifikuar në Kosovë. U ankua se “janë vendosur para murit” e shumë e shumë gjëra të tjera përmes të cilave, ai edhe një herë dëshmoi se, përderisa flet për paqe dhe zgjidhje, nuk është aspak i interesuar për stabilitet, por për eskalim të situatës.

Është për t’u habitur se si në opinionin serb teoria e “çeçeneve” në anën e “armiqve të serbëve” vazhdon. Këtë propagandë, serbët e kishin përdorur edhe kur sulmonin Dubrovnikun, duke thënë se “në Dubrovnik në anën e ustashëve janë duke luftuar çeçenët”. Dhe Vuçiqi nuk la pa përmendur se këta “çeçenë” janë kundërshtarë të liderit të tashëm të Çeçenisë, Kadirov, aleatit të fortë të presidenti rus, Putin. Kadirov në fillim të luftës në Ukrainë, në një intervistë për mediat e Serbisë kishte shprehur adhurim pikërisht për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Me apo pa vetëdije, me apo pa qëllim, në këtë mënyrë edhe një herë Vuçiqi ka hapur mundësinë që të jetë në bashkëveprim me propagandën e Rusisë, e cila flet për “qindra luftëtarë nga Kosova dhe Shqipëria” që “janë vrarë duke luftuar kundër rusëve në Ukrainë”.

Vuçiqi së paku tregoi qëllimet kryesore të Serbisë në dialog. Që serbët e Kosovës të mos kenë nevojë të marrin dokumente të Kosovës, që Kosova të lëshojë targa të veturave “neutrale ndaj statusit” dhe që “Serbia të ekzistojë në Kosovë”. Me fjalë të tjera, ai dëshmoi se e konsideron “dhunë” çdo tentim që i njëjti ligj të vlejë për targat dhe për detyrime për pagesën e energjisë. Sepse, siç u shpreh në një konferencë për shtyp, kryenegociatori i Serbisë në dialog, Petar Petkoviq, “serbët duhet të kenë të drejtë të jetojnë në shtetin e tyre në Serbi” duke folur për serbët e Kosovës.

BE-ja nuk është dashur t’i lejojë vetes që 11 vjet pas nisjes së dialogut, temat kryesore të jenë dizajni i targave të veturave, faturave të energjisë dhe lëshimi i letrave hyrëse për kalimin e kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Sikur dialogu të ishte i suksesshëm, asnjë nga këto probleme nuk do të ekzistonte. Sepse si në fillim të dialogut ashtu edhe tash, ekziston çështja që i zgjidh të gjitha problemet, ai i përgjigjes në pyetje se a është Kosova shtet apo jo. Serbia edhe një herë dëshmoi se dialogun po e shfrytëzon për të konfirmuar se Kosova nuk është shtet dhe se Serbia duhet të ekzistojë edhe në territorin e Kosovës,

Serbia e ka përdorur dialogun deri me tash që ta forcojë praninë e Serbisë në Kosovë, e jo që të ecë drejt njohjes së Kosovës si shtet.

Dialogu për 11 vjet ka dhënë disa rezultate. Me disa vështirësi, njerëzit nga Kosova mund të udhëtojnë në Serbi dhe të kalojnë përmes Serbisë. Në veri të Kosovës policët punojnë së bashku (edhe pse ka shumë arsye për të besuar se struktural paralele, apo strukturat e Serbisë nuk janë shuar kurrë). Kosova ka edhe kodin ndërkombëtar të telefonisë mobile, ndërsa tash është dakorduar edhe një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve për energji.

ato, krahasuar me afatin kohor, kanë qenë shumë të vogla. Madje në tri vjetet e fundit jo që nuk ka pasur progres, por ka ndodhur një stagnim, e madje edhe ecje prapa në dialog. Fajin kryesor është e natyrshme t’ua bartin palëve, por as BE-ja nuk mund të amnistohet nga dështimi. Sepse për 11 vjet, BE-ja nuk ka arritur të japë përgjigje se për çfarë është e për çfarë nuk është dialogu. Thënia se dialogu është për “normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese” nuk është përgjigje sa duhet precize, por është më shumë një përshkrim më shumë kuptime. Dhe Serbia e ka shfrytëzuar këtë si dëshmi se “statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur”. Çka i ka ndihmuar në parandalimin e njohjeve dhe madje edhe tërheqjen e disa njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Përderisa të mos ketë përgjigje të prerë edhe nga BE-ja, të cilës edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua kanë dhënë besimin e plotë për ta udhëhequr dialogun, se Kosova është shtet, roli kryesor i BE-së do të jetë menaxhimi i krizave, e jo arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.