OpEd

Fundi i iluzionit të Borisit

David Collinson, profesor i lidershipit dhe organizimit në Universitetin Lancaster, e lidh këtë telash me të menduarit e tepruar pozitiv, ose atë që ai e quan “udhëheqja Prozac”, duke iu referuar antidepresantit të famshëm që premton t’i gëzojë njerëzit pa e rregulluar në fakt atë që është e gabuar në jetën e tyre. “Udhëheqja e Prozac”, shkruan Collinson, “inkurajon liderët të besojnë në narrativat e tyre se gjithçka po shkon mirë dhe i dekurajon ndjekësit të ngrenë probleme ose të pranojnë gabimet”

“Kryeministri i padurueshëm dhe i mashtruar nuk e lëshon pushtetin”, thuhej në ballinën e gazetës “The Guardian”, më 7 korrik 2022. Por a mundet që sjellja e çuditshme e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, të shoqërohet vërtet me ndonjë çrregullim mendor?

Pretendime të tilla të lehta janë shumë të zakonshme në mjedisin e sotëm mediatik. Në rastin e Johnsonit është e vështirë të gjesh mbulim mediatik që nuk ofron një lloj diagnoze psikiatrike. Nëse ka ndonjë debat, ka të bëjë me atë se çfarë sëmundje të veçantë emocionale ai shfaq, jo nëse ka ndonjë shpjegim tjetër psikologjik për veprimet e tij surreale.

Pas valës së paprecedentë të dorëheqjeve ministrore këtë javë, Johnsonit pothuajse iu desh t’i hiqeshin nga duart çelësat e Nr. 10 të Downing Street, aq i vendosur ishte refuzimi i tij për ta pranuar logjikën e dukshme të gjendjes së tij të vështirë. Edhe në fjalimin e tij, që më në fund njoftoi se do të jepte dorëheqje, fajësoi për shkarkimin e tij “instinktin e tufës” mes kolegëve të tij të Partisë Konservatore dhe sugjeroi se është mjaft “ekscentrike” ta ndryshosh liderët tani.

Por a ka “luajtur mendsh” ai? Për psikiatër, ky është term teknik me kuptim të saktë. Viktimat e iluzionit do të kapen pas besimeve që janë qartësisht të rreme, madje edhe përballë fakteve të shumta. Por edhe nëse dikush i plotëson këto kritere, kjo nuk na tregon në të vërtetë atë që duhet të dimë. Ne gjithashtu duhet të pyesim se çfarë e bën personin kaq rezistent ndaj argumenteve të arsyetuara dhe çfarë arsyeton për gabimet e tij/saj serioze në gjykim.

Psikologjia e lidershipit sugjeron që pikërisht të njëjtat elemente që i bëjnë disa liderë të njohur gjithashtu mund të sjellin rënien e tyre përfundimtare. Kështu, psikodrama e liderit të zgjedhur shpesh pasqyron pavetëdijen e një politike: ndonjëherë ne përfundojmë me liderë të mashtruar, sepse ne vetë mund të jemi disi keqgjykues kur votojmë.

David Collinson, profesor i lidershipit dhe organizimit në Universitetin Lancaster, e lidh këtë telash me të menduarit e tepruar pozitiv, ose atë që ai e quan “udhëheqja Prozac”, duke iu referuar antidepresantit të famshëm që premton t’i gëzojë njerëzit pa rregulluar në fakt atë që është e gabuar në jetën e tyre. “Udhëheqja e Prozac”, shkruan Collinson, “inkurajon liderët të besojnë në narrativat e tyre se gjithçka po shkon mirë dhe i dekurajon ndjekësit të ngrenë probleme ose të pranojnë gabimet”.

Në politikë, udhëheqësit e “Prozac” vijnë në pushtet duke ia shitur elektoratit pikëpamjet tepër optimiste për të ardhmen. Kur publiku pranon narrativën e liderit të Prozakut, janë ata që tashmë po i afrohen mashtrimit. Vendi që përfundon me liderë të tillë mund të jetë i vuajtur dhe i mjerë, dëshpërimisht në nevojë për zgjedhje artificiale. Termi i Collinsonit me siguri do të duket se përshkruan Johnsonin, njeri i famshëm për bukurinë e tij dhe gëzimin e pamëshirshëm. Vlen të kujtohet se përpara se karriera e tij politike të lulëzonte, Johnsoni shpesh shfaqej në programet televizive me komedi.

Por askush nuk po qesh tani. Udhëheqësit e Prozakut në mënyrë të pashmangshme bëhen viktima të pozitivitetit të tyre, duke refuzuar të marrin në konsideratë prova që kundërshtojnë vlerësimet e tyre rozë. Edhe kur gjithçka po shembet rreth tyre, ata do të fokusohen te pozitivet, duke bindur veten se ka ende rrugëdalje nga humnera.

Disa mund të kategorizojnë gjithashtu Donald Trumpin si udhëheqës “Prozac”. Kur ai humbi qartë zgjedhjet presidenciale të 2020-s në SHBA, bindi ndjekësit e tij se ata kishin fituar në të vërtetë dhe do të mbizotëronin akoma. Por nëse Trumpi e besonte narrativën e tij se ka ardhur gjithnjë e më shumë në dyshim. Komiteti i Kongresit të 6 janarit ka grumbulluar prova të shumta që tregojnë se ai e dinte mirë se kishte humbur.

Një shembull tjetër i mundshëm është Vladimir Putini, i cili ka ngjallur një lloj bote nostalgjike ëndrrash për ndjekësit e tij dhe publikun e gjerë rus. Ai mund të besojë vërtet se shanset e tij për të pushtuar Ukrainën janë më të mira se sa janë, duke pasur parasysh raportet se ka marrë informacione të këqija nga gjeneralët e tij.

Collinsoni e konsideron pozitivitetin performativ si tipar dallues të kulturës bashkëkohore. Për liderët e korporatave dhe politikës, vetëpromovimi optimist është bërë i rremë. Për mendjen e Johnsonit mund të duket e qartë se njeriu duhet të projektojë forcë, fuqi dhe vetëbesim.

Në të kundërt, në letrën e tij të dorëheqjes, ish-kancelari i Thesarit, Rishi Sunak, ndëshkoi Johnsonin për fshehjen e të vërtetave negative nga publiku.

“Vendi ynë po përballet me sfida të mëdha”, shkruan Sunak. “Ne të dy duam një ekonomi me taksa të ulëta, me rritje të lartë dhe shërbime publike të klasit botëror, por kjo mund të ofrohet me përgjegjësi vetëm nëse jemi të përgatitur të punojmë shumë, të bëjmë sakrifica dhe të marrim vendime të vështira”.

Shumica e njerëzve e dinë se nëse diçka duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë, ndoshta është. Është një gjë t’i thuash publikut se një e ardhme më e mirë është e mundur; është krejt tjetër të pretendosh se arritja te kjo e ardhme do të jetë e lehtë. Shenja e udhëheqësve të Prozakut është se ata kurrë nuk do të lejojnë që e vërteta e tyre të përplaset me realitetin; përkundrazi, ata do t’i shmangen përgjithmonë. Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Johnsoni iu përmbajt besimit se “edhe nëse gjërat ndonjëherë mund të duken të errëta tani, e ardhmja jonë së bashku është e artë”.

Tani i takon publikut britanik që ta kthejë veten në tokë. Pozitiviteti për hir të tij mund ta çojë një vend vetëm kaq larg.

(Raj Persaud është psikiatër dhe autor i “The Mental Vaccine for COVID-19” (Amberley Publishing, 2021). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)