OpEd

Luftimi i gënjeshtrave të mëdha

Si fillim, demokracitë nuk mund të përgjigjen me kundërpropagandën e tyre, që të mos humbasin besueshmërinë në sytë e një publiku tashmë mosbesues. Si të tilla, ato janë të kufizuara në kontrollin e fakteve që ka vetëm efekte të kufizuara

Nga “Protokollet e të urtëve të Zionit” e deri te pretendimet absurde të presidentit rus, Vladimir Putin, se Ukraina drejtohet nga nazistët që po bëjnë gjenocid ndaj rusishtfolësve të vendit, Kremlini ka qenë prej kohësh ekspert në artin e errët të dezinformimit.

Dokumenti i falsifikuar i botuar në Rusi në fillim të shekullit të njëzetë, “Protokollet”, ekspozoi kinse komplotin hebre për të arritur dominimin e botës. Ishte gënjeshtra më e madhe e thënë ndonjëherë dhe u bë shtyllë e antisemitizmit virulent që çoi përfundimisht në shfarosjen e shumicës së hebrenjve evropianë nga Rajhu i Tretë i Hitlerit.

Sa i përket gënjeshtrës së madhe të Putinit, ajo nuk ka mashtruar pothuajse askënd jashtë Rusisë, por mund të ketë nxitur disa nga mizoritë që ushtarët rusë të stërvitur dhe të keqinformuar kanë kryer në Bucha dhe gjetkë. Dezinformimi dhe gënjeshtra mund të vrasin. Ata gjithashtu mund ta kthejnë një vend në anën e gabuar të historisë.

Demokracitë perëndimore përjetuan alarmin e zgjimit në vitin 2016, kur Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në emër të Donald Trumpit dhe në referendumin e BREXIT-it në Mbretërinë e Bashkuar në favor të largimit nga Bashkimi Evropian. Këto dy tronditje alarmuan demokracitë e botës për faktin se shtetet autoritare po shpalosin një lloj të ri të luftës së informacionit kundër tyre. Objektivi është të destabilizojë, të përçajë dhe të dobësojë shoqëritë, politikat dhe institucionet demokratike – duke filluar nga Bashkimi Evropian.

Deri vonë, ne në Francë nuk e kemi menduar kurrë kërcënimin nga ndërhyrjet e huaja në politikën tonë. Mirëpo kjo ndryshoi me zgjedhjet presidenciale të 2017-s, kur e-mailet e vjedhura nga fushata e Emmanuel Macron u publikuan në internet vetëm disa ditë para votimeve. Të përziera me e-mailet e vërteta ishin ato të rremet që tregonin se Macroni kishte llogari bankare jashtë shtetit. Në vitin 2019, sulme të ngjashme “hako dhe publiko” filluan kundër kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe qindra politikanëve të tjerë gjermanë.

Në kohën kur u mbajtën zgjedhjet e Parlamentit evropian 2019, përpjekjet ruse për ndërhyrje ishin bërë rezultat i paramenduar dhe Komisioni Evropian u përgjigj duke përcaktuar planin e veprimit kundër dezinformimit dhe masa shtesë për të mbrojtur procesin zgjedhor. Megjithatë, demokracitë mbeten dyfish më të dobëta përballë ndërhyrjes zgjedhore, manipulimit dhe luftës së informacionit.

Si fillim, demokracitë nuk mund të përgjigjen me kundërpropagandën e tyre, që të mos humbasin besueshmërinë në sytë e një publiku tashmë mosbesues. Si të tilla, ato janë të kufizuara në kontrollin e fakteve që ka vetëm efekte të kufizuara. Për më tepër, demokracitë nuk mund të heqin dorë nga parimet thelbësore, si liria e shprehjes, të cilën Deklarata Franceze e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit të vitit 1789 e përshkruan si “një prej të drejtave më të çmuara”.

Sigurisht, kjo liri nuk është absolute. Njeriu nuk ka të drejtë të cenojë të drejtat e të tjerëve. Dhe, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, shumë vende evropiane kanë ligje kundër gjuhës së urrejtjes. Në Francë dhe gjetkë, për shembull, mohimi i Holokaustit është vepër penale dhe demonstratat e supremacistëve të bardhë do të ishin të papërfytyrueshme.

Ndoshta për shkak të këtyre dallimeve, BE-ja ka bërë shumë më tepër se SHBA-ja për të rregulluar platformat digjitale, të cilat gjithnjë e më shumë pritet të shërbejnë si garantues të integritetit të informacionit. Sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së, i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2023, platformat online do të duhet të plotësojnë kërkesat e reja të transparencës, të tilla si duke shpjeguar se si funksionojnë algoritmet e tyre dhe duke publikuar raporte vjetore mbi përmbajtjen e paligjshme (siç është gjuha e urrejtjes) që kanë hequr nga platformat.

Platformat gjithashtu do të jenë të detyruara të informojnë organet e zbatimit të ligjit për informacione që mund të përbëjnë vepra penale ose të paralajmërojnë kërcënimet serioze për jetën ose sigurinë e njerëzve. Dhe kompanitë që nuk respektojnë DSA-në do të përballen me gjoba deri në 6 për qind të të ardhurave të tyre vjetore globale.

Por teksti i ligjit nuk rregullon në të vërtetë “dezinformimin”, term i krijuar nga sovjetikët në vitet 1920 për të përshkruar instrumentin e tyre të preferuar të propagandës dhe të destabilizimit. Përkundrazi, BE-ja ka të bëjë me “informacionet e verifikueshme të rreme ose mashtruese të krijuara, të paraqitura dhe të shpërndara për përfitime ekonomike ose për të mashtruar qëllimisht publikun”, ose më saktë: “përpjekje të forta dhe mashtruese për të prishur formimin dhe shprehjen e lirë të individëve politikë nga një aktor i huaj shtetëror ose agjentët e një shteti tjetër”.

Në praktikë, teksti i DSA-së e lë dezinformimin për t’u trajtuar përmes kodeve të sjelljes të vetë platformave online. Vitet e fundit kanë treguar se kjo qasje nuk është aspak e kënaqshme. Ligjvënësit duhet të jenë më kreativë dhe të drejtpërdrejtë. Megjithëse nuk duam të krijojmë asgjë si një polici mendimi, ne duhet t’i trajtojmë gënjeshtrat e mëdha për atë që janë: sulme të qëllimshme ndaj shoqërive tona.

Duke sinjalizuar hapin në drejtimin e duhur, Gjykata e Përgjithshme e BE-së hodhi poshtë së fundmi apelin nga RT pas pezullimit të licencës së transmetimit në Francë. Gjykata konstatoi se ekuilibri i interesave midis transmetuesit të kontrolluar nga Kremlini dhe BE-së ra qartësisht në favor të BE-së. Interesat e BE-së, vendosi gjykata, “synojnë të mbrojnë shtetet anëtare kundër fushatave të dezinformimit dhe destabilizimit që do të kryheshin nga media nën kontrollin e udhëheqjes ruse dhe që do të kërcënonin rendin publik dhe sigurinë e Unionit, në një kontekst të theksuar me agresion ushtarak kundër Ukrainës”.

Ky arsyetim nuk duhet të kufizohet në kontekstin e një pushtimi ushtarak. Sanksionet kundër kujtdo që përhap lajme të rreme duhet të hartohen mbi të njëjtën bazë. Tani që Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA ka rënë dakord të ndjekë masa të koordinuara kundër dezinformimit, ka mundësi për të krijuar reagim më efektiv ndaj kërcënimit të luftës autoritare të informacionit.

Për të parafrazuar Clausewitzin, demokracitë e botës duhet të pranojnë se dezinformimi nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i luftës me mjete të tjera. Mbrojtja kundër kërcënimeve të tilla do të kërkojë jo vetëm mjete më të forta logjistike, por edhe mjete ligjore më të forta.

(Nowlle Lenoir është ish-anëtare e Këshillit Kushtetues të Francës, Conseil d'Etat, dhe ish-ministre për Evropën. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)