OpEd

Mësimi për opozitën

Raportet e fundit nga Washingtoni dhe Parisi thonë se Kosova është sot vend më demokratik, më i drejtë dhe më i lirë si asnjëherë më parë, por ka një problem serioz. Kriza ekonomike në vend e ka gjetur Qeverinë diku në mes historisë dhe universit paralel

Raportet ndërkombëtare na lejojnë të shohim pikturën e madhe dhe jo të merremi me detaje të vogla. Falë metodologjive empirike që përdorin, por edhe distancës emocionale ndaj zhvillimeve në vend, këto raporte na japin një pasqyrë më të saktë të vendit tonë sesa përshtypja që krijojmë nën presionin ditor të zhvillimeve, por edhe emocioneve personale që secili nga ne kemi.

Kohëve të fundit u publikuan katër raporte të rëndësishme përkitazi me katër çështje të rëndësishme: lufta kundër korrupsionit, demokracia, liria e fjalës dhe ekonomia. Ato japin një mësim të rëndësishëm për opozitën.

***

Në fillim të këtij viti u publikua Indeksit i Perceptimit të Korrupsionit nga “Transparency International”. Indeksi konkludoi se Kosova ka bërë progres më të lartë vjetor, si dhe rangim të dytë më të mirë historik që nga fillimi i matjeve të Indeksit. Pra, me fjalë të tjera, asnjëherë më parë Kosova nuk ka bërë kaq shumë progres në luftë kundër korrupsionit brenda një viti kalendarik.

Muajin e kaluar raporti “Vendet në Transicion 2022” nga “Freedom House” ka bërë rangimin e 29 vendeve mbi shtatë kriteret vijuese: qeverisja demokratike, procesi zgjedhor, shoqëria civile, liria e mediave, vetëqeverisja lokale, pavarësia gjyqësore dhe korrupsioni. Nga kjo doli se Kosova është i vetmi vend në rajon i cili shënoi përparim krahasuar me vitin e kaluar. Dhe jo vetëm kaq, Kosova arriti rangimin më të lartë për cilësinë e demokracisë në historikun e matjes së raportit. Pra, me fjalë të tjera, Kosova asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq demokratike. Po ashtu, raporti konkludoi se Kosova është i vetmi vend në rajon ku demokracia është në gjendje më të mirë sot se dhjetë vjet më parë.

Këtë javë raporti i fundit i “Reporterëve pa kufij” ka bërë rangimin e 180 vendeve mbi lirinë e gazetarëve dhe mediave. Sipas raportit, Kosova arriti rangimin më të lartë për lirinë e mediave që nga shpallja e pavarësisë. Kjo e bëri Kosovën nënkampione rajonale për lirinë e mediave. Në fakt, mediat në Kosovë janë më të lira se në disa vende të BE-së, siç janë Hungaria, Polonia, Greqia apo Bullgaria.

Raporti i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dha dy lajme për Kosovën. E para, pas rimëkëmbjes së ndjeshme prej pandemisë COVID-19 në vitin 2021, ekonomia e Kosovës këtë vit do të ngadalësojë dhe do të arrijë nivelin më të ulët të rritjes ekonomike në disa vjet të fundit. E dyta, inflacioni këtë vit do të arrijë nivelin rekord, por nga viti tjetër do të vazhdojë trendi i rënies së çmimeve. Sipas raportit, këtë vit Kosova do të jetë kampione e inflacionit në rajon me rritje të çmimeve prej 9.5%. Pra, me fjalë të tjera, Kosova do të këtë në vitin 2022 rritje më të vogël ekonomike dhe rritje më të madhe çmimesh në historinë e saj. Me fjalë të tjera, një lloj pandemie ekonomike e cila vjen pas pandemisë shëndetësore.

***

Janë tri mesazhe që unë i lexoj nga këto katër raporte të fundit ndërkombëtare.

E para, Kosova është sot vend më demokratik, më i drejtë dhe më i lirë si asnjëherë më parë. Progresi i bërë gjatë një viti të mazhorancës së re është njohur qartazi edhe nga organizatat më kredibile ndërkombëtare.

E dyta, këto raporte kanë ekspozuar lëngatën e kritikës së deritanishme të opozitës për ngritjen e autoritarizmit, rikapjen e shtetit dhe sulmet mbi mediat nga mazhoranca. Për shembull, në përvjetorin e parë të Qeverisë Kurti, lideri i LDK-së, z. Abdixhiku, kishte shkruar se Qeveria kishte “kapë borde, kompani publike e institucione të pavarura me të afërm e familjarë” dhe se “tendencat e saja kontrolluese prej pushtetit absolutist janë përcjellë me sulme edhe ndaj mediave e ndaj fjalës së lirë”. Lideri i PDK-së, z. Krasniqi, e kishte akuzuar Kurtin për “tendencat totalitare”. Lideri i AAK-së, z. Haradinaj, e kishte cilësuar Kurtin si “komunist”. Këto mesazhe më pastaj ishin propaganduar me forcë nga media të afërta me opozitën. Por propagandimi për rilindjen e Enver Hoxhës në figurën e Albin Kurtit, rikapjen e shtetit dhe luftën e Qeverisë ndaj mediave u përmbys nga “Transparency International”, “Freedom House” dhe “Reporterët pa kufij”. Ata konkluduan se Kosova është sot më demokratike, më e drejtë dhe më e lirë si asnjëherë më parë.

E treta, këto raporte theksuan se Kosova është në mes të një kataklizmi ekonomik. Sipas FMN-së, Kosova duhet të shpallë një lloj gjendjeje të jashtëzakonshme ekonomike. Këtë vit rritja ekonomike do të bjerë në nivelin më të ulët historik, ndërsa çmimet do të rriten në nivelin më të lartë historik. Nga ana tjetër, Qeveria po jeton diku në mes historisë dhe universit paralel. Me një anë zëvendëskryeministri i Qeverisë, z. Bislimi, thotë se Kosova është i vetmi shtet në Evropë që ka pasur rritjen ekonomike mbi 10%. Kjo edhe mund të jetë e saktë, por kjo është histori e vitit 2021. Nga ana tjetër, z. Bislimi refuzon të pranojë se sot ka krizë ekonomike, duke thënë se “përkundër brengave dhe përkundër dëshirës që të ngjallim një lloj panike te qytetarët për krizë ekonomike, numrat e kundërshtojnë këtë në mënyrë të fuqishme”. Është pikërisht ky lloj i të jetuarit në univers paralel që e ka shtyrë edhe z. Kurti të potencojë dhe të ripotencojë se Kosova ka hapur “25 mijë vende të reja pune”.

***

Nuk u janë dashur qytetarëve të Kosovës raportet nga organizatat ndërkombëtare në Washington dhe Paris për të kuptuar në Prishtinë se Albin Kurti nuk është Enver Hoxha dhe se Qeveria nuk është duke i persekutuar mediat. Këtë qytetarët e kanë ditur. Prandaj edhe kanë qenë të pakuptimta akuzat e opozitës për këto çështje. Por nga ana tjetër, po ashtu, qytetarëve nuk iu duhen raportet ndërkombëtare për të kuptuar seriozitetin e krizës ekonomike nëpër të cilën janë duke kaluar. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse kriza ekonomike duhet të jetë kredoja e opozitës së sotme në Kosovë.