OpEd

Falimentimi moral i pacifizmit gjerman

Për aq kohë sa Gjermania nuk fillon që të veprojë sikurse aleatët e saj, një çarje e madhe politike në Evropë është e pashmangshme. Ukrainasit do të humbasin të gjithë besimin në Gjermaninë, ndërsa pjesa tjetër e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore do të mësonte që përherë të jetë dyshuese për motivet gjermane, pa marrë parasysh se kush është në krye

Pas një shtatzënie të tejzgjatur, Gjermania më në fund e lindi vendimin e saj për të dërguar armatim të rëndë në Ukrainë. Porse foshnja lindi e vdekur: tanket kundërajrore “Gepard” që Gjermania i ofron janë antikitete të cilave u mungon municioni. Prodhuesi ka në dispozicion vetëm 23.000 fishekë. Ministria gjermane e Mbrojtjes që atëherë ka njoftuar se do të kërkojë municion rezervë në vendet e largëta si Jordania, Brazili dhe Katari. Përderisa Rusia hedh mbeturina ndaj fqinjit të saj – duke i vrarë, torturuar dhe përdhunuar civilët – Gjermania mbetet e zhytur në një rrëmujë të papërshtatshme.

Të dy vendet kanë tradita të pasura militariste, duke sunduar si perandori totalitare në shekullin e njëzetë. Shtigjet e tyre u ndanë pas mposhtjes së Hitlerit, porse vazhduan të lëvizin në mënyrë simetrike. Në veçanti, derisa Gjermania e braktisi imperializmin, besimi në një “mision të veçantë” (Sonderweg) në histori e ka ruajtur fuqinë e tij.

Ky besim, i lindur nga pozicioni perandorak i Gjermanisë midis Rusisë autokratike dhe Perëndimit liberal- demokratik, i ka dhënë shkas ngritjes së të gjitha llojeve të rrezikshme dhe të papërgjegjshme në qëndrimet e politikave të jashtme, që nga Drag nach Osteni (“ngasja drejt Lindjes”) i shekullit nëntëmbëdhjetë dhe vizioni i Mitteleuropasit (udhëheqjes gjermane të Evropës qendrore) deri te kërkimi i Hitlerit për Lebensraum (“hapësirë jetese”) dhe Ostopolitiku (afrimi me Gjermaninë Lindore dhe Bashkimin Sovjetik) i kancelarit Willy Brandt. Në mënyrë interesante, Ukraina ishte shpesh në epiqendër të këtyre manovrave.

Në këtë kontekst, të përshkruarit e Gjermanisë së pasluftës si “pacifiste” e nënkupton të përzgjedhurit e një termi më bamirës. Të tjerë do t’ia atribuonin qëndrimin gjerman kundruall politikës së jashtme jo fort si një braktisje të militarizmit sa si lakmi, oportunizëm e cinizëm nga ana e drejtuesve të biznesit dhe politikanëve të saj. Tekefundit, në mesin e mbështetësve më të fortë të dërgimit të armatimeve të rënda në Ukrainë supozohet të jenë të Gjelbrit pacifistë.

Pse nuk mundet Gjermania ta trajtojë Ukrainën në të njëjtën mënyrë sikurse e bëjnë vendet e tjera të Evropës Perëndimore? Refuzimi për të dërguar armë në zonat e konfliktit e barazon agresorin me viktimën. Për disa javë radhazi, politikëbërësit gjermanë, duke refuzuar që ta pranojnë këtë, i bllokuan anëtarët e tjerë të NATO-s në dërgimin e armëve për Ukrainën.

Pse ukrainasit pranuan më shumë armë nga Estonia (gjithsej 240 milionë dollarë) sesa nga Gjermania (gjithsej 130 milionë dollarë), një vend ky me ekonomi mbi 100 herë më të madhe? Edhe në aspektin e ndihmës financiare dhe humanitare, mbështetja e Gjermanisë ishte për turp. Çfarë i ndodhi zotimit “kurrë më”?

Deklaratat dhe vendimet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që nga fillimi i luftës së Rusisë nuk kanë qenë asgjë më pak sesa bizare. Kijeni parasysh konspektin pasues nga Thomas C. Theineri, shef ekzekutiv i një kompanie filmike me seli në Kiev dhe ish-oficer i ushtrisë italiane, i cili i ka dokumentuar deklaratat e Scholzit.

Në fundshkurt, Scholzi e kërkoi listën e armëve të disponueshme nga industria gjermane e mbrojtjes, mirëpo i largoi të gjitha armët kryesore që Ukraina i kërkoi përpara se t'ia dërgonte atë ambasadorit ukrainas. Kur mediat e siguruan listën origjinale, Scholzi pretendoi se armët e hequra nga lista do të kërkonin më shumë kohë për t’u dorëzuar.

Industria e mbrojtjes e mohoi këtë pretendim, porse Scholzi më pas e gjeti justifikimin e ri: Forcat e armatosura ukrainase nuk mund të trajnoheshin në përdorimin e armëve, gjatë kohës së disponueshme. Por ekspertët gjermanë të mbrojtjes e mohuan edhe këtë pretendim, duke aluduar se ukrainasit mund lehtësisht t'i zotëronin këto armë brenda një afati kohor prej 2-3 javësh, njëjtë sikurse kishin bërë me armët nga Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca.

Scholzi më pas e ngujoi vetëm në një gropë akoma më të thellë, duke pretenduar se NATO-ja duhet ta miratojë transferimin e armëve. Kur zyrtarët e NATO-s dhe vetë gjeneralët e Gjermanisë e mohuan këtë, Scholzi u mundua që të argumentonte se asnjë shtet tjetër anëtar i NATO-s apo i BE-së nuk po e furnizonte Ukrainën me armë të rënda. Me ta dëgjuar këtë, zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Rumania, Turqia, Italia, Finlanda, Danimarka, Rumania dhe Holanda i paraqitën listat e armëve të rënda që ia kanë ofruar Ukrainës.

Siç raporton Theineri, Scholz pastaj njoftoi për furnizimin shtesë me pajisje ushtarake prej 2 miliardë eurosh për Ukrainën, por deputetët gjermanë mësuan së shpejti Qeveria në të vërtetë po ndante vetëm 1 miliard euro, dhe se kjo shumë nuk do të ishte e disponueshme për 2-3 muaj. Pasi SHBA-ja, Franca, Polonia, Rumania, Japonia, Britania e Madhe dhe Italia e konfrontuan Scholzin, ai u zmbraps përsëri dhe deklaroi se Ukraina mund t’i pranonte 1 miliard euro menjëherë dhe të porosisë çfarëdo që të dëshironte nga një listë e armëve në dispozicion. Por ambasadori i Ukrainës më pas zbuloi se Scholzi i kishte larguar nga lista të gjitha mjetet që Ukraina në fakt i kishte kërkuar. Scholzi pastaj paralajmëroi se vendet që po e furnizonin Ukrainën me automjete të blinduara do të hapnin veten karshi një sulmi bërthamor rus.

Procesi i evazionit vazhdon.

As Scholz dhe as kritikët e tij të brendshëm duket se nuk po kuptojnë se çfarë ndikimi kanë llomotitjet e tij në vendet si Polonia dhe Republika Çeke, e le të mos e përmendim Ukrainën. Ne në Evropën Qendrore dhe në atë Lindore jemi kujtuar se jetojmë midis dy shteteve, të cilat duan që t’i ndjekin shtigjet e tyre unike. Kjo e nënkupton sugjerimin se Gjermania sot është sikurse Rusia ose se Scholzi është si Vladimir Putini. Përkundrazi, problemi është se pacifizmi i Gjermanisë po e inkurajon militarizmin. Duke refuzuar që t'i kundërvihet agresorit, Gjermania ka shpërfaqur një shkallë të jashtëzakonshme të desensibilizimit moral.

Si e tillë, Gjermania po shkon drejt një tjetër turpërimi të rëndë historik për të cilin do të kalojë vite – nëse jo edhe dekada – duke kërkuar falje dhe duke e korrigjuar vetveten. Por askush nuk do ta besojë se përnjëmend ndien keqardhje, veçmas jo në Evropën Lindore, e cila është partnerja më e madhe ekonomike e Gjermanisë. Parimi qendror i politikës së jashtme të Polonisë është e ashtuquajtura Doktrina Giedroyc: Polonia nuk do të jetë e pavarur pa një Ukrainë të pavarur. Ky parim ishte formuluar kur Polonia e pasluftës i braktisi iluzionet e saja perandorake dhe i pranoi kufijtë e saj lindorë pa Vilniusin dhe Lvivin.

Për aq kohë sa Gjermania nuk fillon që të veprojë sikurse aleatët e saj, një çarje e madhe politike në Evropë është e pashmangshme. Ukrainasit do të humbasin të gjithë besimin në Gjermaninë, ndërsa pjesa tjetër e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore do të mësonte që përherë të jetë dyshuese për motivet gjermane, pa marrë parasysh se kush është në krye.

(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).