OpEd

Një vit magjik

Zgjedhjet në Francë dhe Slloveni konfirmuan dominimin e forcave progresive në BE. Ato ishin rrumbullakim i këndshëm i suksesit të vazhdueshëm që janë duke korrur forcat progresive gjatë një viti të fundit në Evropë

Është e shtunë, ora 01:30 e mëngjesit, dhe jam ulur në ulëset e ftohta të aeroportit “Adem Jashari”. Jam duke pritur fluturimin e hershëm për në Stamboll. Është kohë e çuditshme për të udhëtuar. Është shumë vonë për ta quajtur mbrëmje, është shumë herët për ta quajtur mëngjes. Kjo intermexo kohore e ka zënë edhe aeroportin në suspancë: Aeroporti është mjaft i qetë për të bërë të qartë anomalinë e kohës së udhëtimit, por mjaft i zgjuar për të bërë të qartë se pavarësisht anomalisë jemi të mirëpritur. Përgjumësia e aeroportit vërehet te ndriçimi i aeroportit dhe kafenetë e tij. Në këtë kohë të pazakontë nate për të udhëtuar, ndriçimi në aeroport është më i zbehtë se zakonisht. Aeroportin e ka mbuluar një vello e errësirës së lehtë, e cila sikur na komunikon të gjithëve se aeroporti është duke fjetur. Një pjesë e kafeneve janë të mbyllura dhe në përgjithësi mbretëron një qetësi. Duket sikur të gjithë ne aty prezentë (stafi i aeroportit dhe pasagjerët) kemi bërë një pakt qetësie për të mos zgjuar aeroportin nga gjumi i shkurtër dhe i lehtë i tij.

Kjo qetësi ndërpritet, prej kohës në kohë, vetëm nga rrotat e çantave të pasagjerëve dhe thirrjet monotone të stafit të aeroportit drejtuar pasagjerëve: “tjetri”. Me gjithë monotoninë e punës së tyre, ata nuk dështojnë të shfaqin mirëpritjen për secilin pasagjer. Ky normalitet i sjelljes së tyre, në këtë kohë të pazakontë nate, është rikujtim se koha në aeroport merr kuptim tjetër. Aeroportet krijojnë kohën e tyre, jashtë rregullave dhe ligjeve të botës së jashtme. Këtu 01:30 e mëngjesit nuk është anomali, është thjesht një moment tjetër i rëndomtë në jetën monotone të aeroportit. Këtu anomali e vetme jemi ne: pasagjerët.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse gjatë udhëtimeve të këtilla çdoherë preferojmë të jemi nën shoqërinë e librave. Librat tanë janë një lloj mekanizmi mbrojtës. Ato na mbrojnë nga ftohtësia e aeroporteve duke na mbështjellë me komoditetin dhe ngrohtësinë e ndjenjës së njohur të shtëpisë. Librat janë një pjesë e shtëpisë që marrim me vete për t’u ndier komod në vendet e huaja, sikur aeroporti.

***

Është e shtunë, ora 01:30 e mëngjesit, në Aeroportin e Prishtinës dhe në duar kam librin “Viti i të menduarit magjik”. Autorja Joan Didion është gazetare dhe shkrimtare e famshme amerikane, e cila u dekorua nga presidenti Obama me Medaljen Kombëtare për Artin në vitin 2012. Në fjalimin e tij ai e cilësoi Didion si “njërën nga shkrimtaret më të mira amerikane të gjeneratës...dhe njërën nga komentueset më të mprehta dhe të respektuara të politikës dhe kulturës amerikane”. Libri “Viti i të menduarit magjik” është libër për dhimbjen dhe humbjen personale. Në dhjetor 2003 vajza e vetme e Didionit u hospitalizua me sëmundje të rëndë. Pak ditë më vonë bashkëshorti i saj pësoi infarkt para syve të saj. Ata kanë qenë së bashku për plot 40 vjet. Bashkëshorti i saj ka qenë po ashtu shkrimtar. Kësisoj, ata kanë qenë tejet të lidhur në çdo kuptim të mundshëm të fjalës. Një vit pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Didion ka shkruar memoarin “Viti i të menduarit magjik”. Kjo ishte përpjekja e saj për të shpjeguar çdo emocion dhe ndjenjë që ka përjetuar gjatë një viti pasi që ka humbur bashkëshortin e saj, duke u ballafaquar paralelisht me sëmundje të rëndë të vajzës së saj të vetme. Ishte përpjekja e saj për t’u ballafaquar me realitetin.

***

Të nesërmen e udhëtimit tim për në Stamboll dhe leximit të “Viti i të menduarit magjik” do të zhvilloheshin zgjedhjet në Francë dhe në Slloveni. Në Paris, Macroni fitoi kundër Le Penit, ndërsa në Lubjanë Golob fitoi kundër Janshes. Mendimi i parë që më erdhi në mendje me të kuptuar rezultatet zgjedhore ishte: Ky ishte një vit i mirë. Vit magjik. Rezultatet e zgjedhjeve në Francë dhe Slloveni janë një rrumbullakim i këndshëm i suksesit të vazhdueshëm që janë duke korrur forcat progresive këtë vit të fundit në Evropë. Kjo erë ndryshimi erdhi edhe në Ballkan, respektivisht në Kosovë dhe Mal të Zi.

Para një viti të gjithë ishim në ankth për rritjen e partive antiperëndimore dhe populiste në Evropë: nga Liga e Salvinit në Itali dhe Le Penit në Francë e deri te Babishi në Çeki dhe Jansha në Slloveni. Sot, një vit më vonë, partitë populiste kanë dështuar të marrin apo të ruajnë pushtetin në të gjitha shtetet e BE-së, përveç dy përjashtimeve: Orbani në Hungari dhe Kaczyński në Poloni.

Në Itali, pavarësisht lojërave politike të Salvinit dhe rrëzimit të qeverisë Conte, partia e Salvinit dështoi ta marrë pushtetin. Sot sondazhet e nxjerrin Ligën e Salvinit në nivelin më të ulët historik të përkrahjes në tre vjetët e fundit. Sot Italinë e udhëheq politikani më proevropian që mund të imagjinohet.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar në Gjermani, të gjithë kemi qenë të brengosur për rritjen e partisë ekstremiste Alternativa për Gjermaninë (AfD). Sidoqoftë, ata fituan më pak vota se në vitin 2017. Sot në Berlin kemi qeveri progresive, e cila bën që politikat e Merkelit të duken parokiale. Kësisoj, në veçanti karshi zhvillimeve në Ukrainë dhe në përballje me Rusinë, Gjermania ka thyer një numër të tabuve në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke ndërprerë projektin e gazsjellësit me Rusinë dhe duke furnizuar me armë Ukrainën. Freskia në politikën e jashtme gjermane po ndihet edhe në Ballkan.

Në Çeki për të kundërshtuar keqqeverisjen e Babishit u mblodhën 200,000 protestues. Vitin e kaluar Babishi, i njohur me nofkën “Trumpi çek”, humbi zgjedhjet, ndërsa koalicioni i bashkuar opozitar premtoi se do ta kthejë Çekinë drejt vlerave themelore të BE-së.

Aq shumë skandale ka bërë Boyko Borisov saqë kur u shfaq fotografia e dhomës së tij të gjumit, ku shihen pistoleta dhe dollapë të mbushur me bankënotat prej 500 eurosh – askush nuk u befasua. Ishte konfirmim vizual i asaj që çdokush dinte. Qeverisja e Borisovit ishte e karakterizuar me dyshimet për keqqeverisje, korrupsion dhe lidhje me krimin. Ajo fotografi i përmblodhi të gjitha. Vitin e kaluar Borisovi humbi zgjedhjet, ndërsa qeverinë e formoi 42-vjeçari me diplomë nga Harvardi. Partia e tij fitoi zgjedhjet me moton e ndryshimit, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit. Borisovi u arrestua.

Këtë cikël të fitoreve progresive në Evropë e rrumbullakuan zgjedhjet e dielës së kaluar në Francë dhe Slloveni. Macroni fitoi ndaj Le Penit me dallim më të thellë sesa që është pritur. Pavarësisht rritjes së votës së Le Penit duhet pasur parasysh se kjo rritje është bërë e mundur vetëm falë modernizimit të vazhdueshëm të saj. Me fjalë të tjera, Le Peni e 2017-s nuk do ta njihte Le Penin e 2022-tës.

Në Slloveni, Jansha u shndërrua në një nga shtyllat kryesore populiste evropiane. Gjatë mandatit të tij demokracia shënoi rënie të vazhdueshme, ndërsa qeveria e tij ushtroi ndikim të madh në sistemin prokurorial dhe gjyqësor. Kësisoj ai bllokoi përzgjedhjen e prokurorëve sllovenë në prokurorinë evropiane. Sikur kjo të mos i mjaftonte, Jansha ngriti alarmet në mbarë botën për degradimin e lirisë së mediave me sulmet e tij të vazhdueshme mbi mediat dhe shoqërinë civile. Në fund, kryeministri i një vendi të vogël diku në Ballkan u bë i famshëm kur uroi Trumpin për rizgjedhjen e tij atëherë kur ishte e qartë për të gjithë se Trumpi kishte humbur zgjedhjet. Të gjitha këto marrë së bashku mbushën kupën e qytetarëve sllovenë. Zgjedhjet e dielës së kaluar panë dalje rekorde të qytetarëve për të votuar. Zgjedhjet u cilësuan si referendum për lirinë dhe demokracinë sllovene, dhe rrjedhimisht zgjedhjet i fitoi partia liberale “Lëvizja e Lirisë”.

***

Ky ishte një vit magjik. Zgjedhjet në Itali, Gjermani, Çeki, Bullgari, Francë dhe Slloveni konfirmuan disponimin progresiv dhe liberal të disa vendeve më me ndikim në BE. Kjo është shumë e rëndësishme për neve këtu në Ballkan. Të pasurit në pushtet në kancelaritë evropiane persona populistë, me tipare autoritare dhe antiperëndimore, është e rrezikshme për rajonin tonë. Nëse Le Peni në Francë ka të drejtë të jetë nacionaliste, pse të mos jetë Vuçiqi? Nëse Jansha ka të drejtë të sulmojë mediat, pse të mos i sulmojë Rama? Nëse Borisovi ka të drejtë të ketë lidhje me krimin, pse të mos ketë Dodiku? Pra, forcimi i partive autoritare në BE do të ishte uverturë e forcimit të partive autoritare në Ballkan.

Në Itali, Gjermani, Çeki, Bullgari, Francë dhe Slloveni populistët ishin shumë afër marrjes së pushtetit. Dhe në fakt ende janë. Në Itali, rënia e Ligës së Salvinit është përcjellë me ngritjen e partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”. Tani ata janë në betejë të ngushtë për partinë më të madhe në Itali, Partia Demokratike e Italisë. Në Gjermani, ngadalësimi eventual ekonomik i shkaktuar nga lufta në Ukrainë mund të rrisë konsiderueshëm potencialin elektoral të AfD-së. Në veçanti nëse koalicioni i ri në Gjermani nuk arrin të jetësojë pritjet e qytetarëve. Në Çeki, partia e Babishit ka humbur pushtetin përballë një koalicioni zgjedhor kundërshtar. Si parti politike ata mbesin parti më e madhe parlamentare në Çeki. Në Bullgari, partia e Borisovit është parti e dytë më e madhe në vend dhe ka ndikim të madh në institucionet e Bullgarisë. Kjo u shpërfaq më së miri para disa javësh kur Borisovi u arrestua falë punës së prokurorisë evropiane, vetëm për t’u liruar menjëherë falë ndikimit të tij në prokurorinë bullgare. Në Francë, me gjithë humbjen, Le Peni ka performuar shumë më mirë se në zgjedhjet e kaluara. Në vitin 2027, kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ajo apo pasardhësi i saj do të sigurohen që të mësojnë nga humbja e vitit 2022. Njëjtë siç kanë mësuar nga humbja në 2017. Në Slloveni tani qeveria e re e udhëhequr nga Robert Gollobi duhet të dëshmojë se është e aftë të qeverisë vendin. Partia e tij është parti e re, e cila u themelua para pak muajsh. Ajo nuk ka infrastrukturë partiake, përvojë administrative dhe kapacitetet e dëshmuara njerëzore që kërkohen për qeverisjen e vendit. Njëkohësisht, ata do ta kenë përballë partinë e Janshes, e cila mbetet partia e dytë më e madhe në vend.

***

Viti që lamë pas ishte fitore e demokracisë kundër autoritarizmit. Ishte një vit magjik. Para një viti Evropa ishte në ankth të rënies nën pushtetin e populistëve në vendet më të mëdha evropiane, sikurse janë Franca dhe Italia apo edhe në vendet e vogla, sikur Sllovenia dhe Çekia. Kjo e keqe u evitua. Por e keqja është ende aty. Adresimi i saj do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm të forcave liberale në mbarë kontinentin evropian për të ruajtur kursin progresiv të kontinentit.