OpEd

Si të hartohet fondi i gatishmërisë dhe reagimit ndaj pandemisë

Nuk ka asnjë arsye të mirë pse G20-a nuk duhet të jetë në gjendje të mbledhë 10.5 miliardë dollarë në vit. Është pjesë e vogël e triliona dollarëve të ofruara për të zbutur pandeminë aktuale, për të mos përmendur trilionat që do të humbeshin në rast të një krize tjetër shëndetësore globale

Me mbi dy të tretat e kontinentit afrikan ende të pavaksinuar kundër COVID-19, është e qartë se regjimi global i gatishmërisë dhe reagimit ndaj pandemisë (PPR) mbetet seriozisht i nënfinancuar dhe i munguar në sisteme elastike dhe efektive të shpërndarjes. Teksa Qasja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Përshpejtuesin e Mjeteve të COVID-19 (ACT-A) ka ndihmuar në adresimin e pabarazisë së madhe në qasjen në testime, trajtime dhe vaksina, asaj i mungon mbështetja financiare e nevojshme për të mbështetur në mënyrë gjithëpërfshirëse vendet me të ardhura të ulëta.

Hulumtimet shkencore dhe ekonomike kanë treguar se një pandemi e ardhshme e transmetuar nga ajri mund të vrasë miliona njerëz dhe të shkaktojë kaos ekonomik, veçanërisht në kontekstin e rritjes së urbanizimit dhe intensifikimit të ndryshimeve klimatike. Shfaqja e patogjenit të ri është i pashmangshëm dhe kur vjen puna, mund të përbëjë kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Ashtu si me betejën kundër ngrohjes globale, kostot e mosveprimit janë shumë më të mëdha se kostot e veprimit.

Tetorin e kaluar, Presidenca italiane e G20-s nxori udhërrëfyes PPR për të siguruar që bota të jetë më e përgatitur për sfidën e ardhshme globale të shëndetit. Në ditët në vijim, ministrat e financave të G20-s dhe guvernatorët e bankave qendrore do të marrin raportin e progresit nga Task Forca e Përbashkët e Financave dhe e Shëndetësisë G20, organi i krijuar për të monitoruar performancën.

Një hap tjetër i rëndësishëm është krijimi i Fondit Ndërmjetësues Financiar efektiv dhe të financuar siç duhet (FIF). OBSH-ja dhe Banka Botërore vlerësojnë se ka të paktën një hendek financiar vjetor prej 10.5 miliardë dollarësh për PPR. Ne duhet ta konsiderojmë këtë si shumën minimale të financimit shtesë që kërkohet çdo vit për të mbështetur qasjen e barabartë në vaksina, testime dhe terapi, mbikëqyrje patogjene, kërkime dhe zhvillim, prodhim dhe infrastrukturë shëndetësore.

Nuk ka asnjë arsye të mirë pse G20-a nuk duhet të jetë në gjendje të mbledhë 10.5 miliardë dollarë në vit. Është pjesë e vogël e triliona dollarëve të ofruara për të zbutur pandeminë aktuale, për të mos përmendur trilionat që do të humbeshin në rast të një krize tjetër shëndetësore globale.

Megjithatë, për të pasur sukses, FIF duhet gjithashtu t’i plotësojë katër kushte specifike. Së pari, nuk duhet të financohet nëpërmjet iniciativave të herëpashershme të zotimeve ose rimbushjes, pasi këto janë shumë të pasigurta. Në vend të kësaj, qeveritë duhet të bien dakord për të siguruar pesë vjetët e parë të financimit, duke ndërmarrë hapa për të ndërtuar angazhime financiare ndaj FIF në buxhetet e tyre vjetore.

Ky fond fillestar duhet të promovojë mekanizma financimi novatorë dhe të përzier për të nxitur investimet e FIF-së. Nuk ka nevojë të rishpikësh timonin këtu. Qeveritë, bankat e zhvillimit, filantropët dhe korporatat po krijojnë tashmë partneritete të reja për të arritur qëllimet e emetimeve zero neto. Udhëheqësit e G20-s duhet të krijojnë një grup ekspertësh për t’i identifikuar praktikat më të mira nga modelet e financimit të gjelbër që mund të përdoren për investime në PPR.

Për më tepër, për shkak se vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme përballen me kufizime të forta fiskale, çdo investim shtesë që bëjnë në sistemet e tyre të shëndetit publik dhe PPR duhet të njihet si kontribut në natyrë në FIF (me kusht që ato të jenë në përputhje me objektivat e përgjithshme të fondit).

Së dyti, FIF duhet të ketë mekanizëm vlerësimi, bazuar në metrikat e dakorduara të ndikimit socio-ekonomik të një investimi, për të siguruar përdorimin efikas të këtyre burimeve të reja. Çdo mekanizëm i tillë duhet t’u japë donatorëve besimin se ka një kthim të matshëm në angazhimin e tyre afatgjatë ndaj FIF.

Së treti, financimi i FIF-së nuk duhet të dëmtojë programet që adresojnë nevoja të tjera urgjente të shëndetit publik. Kontributet e vendeve me të ardhura të larta duhet të bëhen si shtesë e asistencës zyrtare ekzistuese për zhvillim për të siguruar që FIF nuk po kërkon mbështetje.

Së fundi, siç pranoi Deklarata e Liderëve të Romës G20, FIF duhet të synojë qasjen universale dhe qeverisjen gjithëpërfshirëse për të siguruar që ajo të ketë legjitimitet në sytë e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Për shembull, inovacioni dhe prodhimi farmaceutik duhet të drejtohen sipas parimit të inteligjencës kolektive, i cili kërkon ndarjen më të gjerë të mundshme të njohurive themelore.

FIF duhet të largohet nga korniza e vjetruar dhe e pabarabartë donator-përfitues. Përfaqësimi brenda strukturës formale të qeverisjes së FIF duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë në vendet me të ardhura të larta, të mesme dhe të ulëta. Duhet të ketë gjithashtu bërthamë të institucioneve zbatuese globale dhe rajonale, të tilla si OBSH-ja dhe Qendrat e Afrikës për Kontrollin e Sëmundjeve, si dhe përfaqësim nga ekspertë të pavarur nga e gjithë shoqëria.

Për t’i shmangur mosmarrëveshjet burokratike midis organeve të qeverisjes globale, FIF duhet të organizohet nga Banka Botërore, me OBSH-në që luan një rol udhëheqës në zhvillimin dhe ekzekutimin e strategjisë. Në të njëjtën kohë, të dyja organizatat duhet të pranojnë se mënyra më e mirë për të ndërtuar ekspertizë dhe kapacitet është të inkurajohet përfshirja më e gjerë e të gjitha palëve të interesuara në partneritete plotësisht transparente.

Presidenca indoneziane e G20-s e këtij viti duhet të sigurojë që FIF të realizohet. Por së pari, ata që mblidhen këtë muaj për takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, duhet të bien dakord për financimin dhe arkitekturën, duke siguruar që FIF-i t’i përmbushë katër kushtet e përshkruara më sipër.

Nëse pandemia COVID-19 na ka treguar diçka, është se ne kemi nevojë për ndryshim rrënjësor në këtë drejtim. Një fond PPR i projektuar mirë dhe plotësisht i financuar është hap vendimtar në rrugën drejt arritjes së misionit të OBSH-së për shëndetin e të gjithëve.

Mariana Mazzucato, profesoreshë në Ekonominë e Inovacionit dhe Vlerës Publike në University College London, është drejtoreshë themeluese e Institutit UCL për Inovacionin dhe Qëllimet Publike, kryetare e Këshillit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Ekonominë e Shëndetit për të Gjithë, dhe autore e Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism (Penguin Books, 2022). Alan Donnelly, ish-anëtar i Parlamentit Evropian, është themelues i Partneritetit të Shëndetit dhe Zhvillimit G20. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).