OpEd

Pak ëndrra, e shumë turp

...për “krijimin masiv” të vendeve të punës, një shigjetë të nisur në drejtim të gabuar, një ambasador që pretendohet se është përfshirë në shpëlarje parash dhe një komision hetimor që duhet themeluar...

Deklarata e javës qe e kryeministrit: “Kemi krijuar 25 mijë vende të reja të punës, me rritje ekonomike prej 10.35 për qind”, e thënë në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri. Përderisa çështjen e rritjes ekonomike e kisha dëgjuar më herët tashmë, këtë të krijimit të 25 mijë vendeve të punës po e dëgjoja për herë të parë.

Dhe menjëherë m’u kujtua deklarata e Besnik Bislimit gjatë Qeverisë Kurti 1, kur kishte deklaruar se ishin krijuar 11 mijë vende të reja pune, në çastin kur i kishin detyruar punëdhënësit t’i regjistronin punëtorët për ta marrë ndihmën prej 170 eurosh nga shteti në kohën kur shpërtheu pandemia. Fakti është se këta njerëz, në atë kohë, e kishin legalizuar statusin e të punësuarit, porse vende të reja pune nuk u krijuan, përkundrazi.

Unë nuk e di se ku janë krijuar këto 25 mijë vende pune, porse e di se kompanitë e mesme nuk kanë mundësi krijimi vendesh pune, për shkak se nuk kanë marrë asnjë, dhe po e nënvizoj, ASNJË ndihmë nga Qeveria Kurti 2 – as në kuptimin e lehtësimeve fiskale, e as në ndihma direkte. Siç po e shoh unë është se rritja ekonomike është siguruar nëpërmjet arkëtimit më të madh të mjeteve nga Dogana dhe ATK-ja – që kanë qenë vrimat e zeza në të kaluarën ku për çdo vit evazioni fiskal është llogaritur të jetë diku rreth 500 milionë euro.

E vendet e punës nuk mund të krijohen përderisa shteti, me konsistencën që nuk eliminohet qe së paku një dekadë, nuk ka para të mjaftueshme në qarkullim.

Asnjë vit sikur ky, nuk ka shënuar ngecje më të mëdha në mbulimin e obligimit të borxheve që kanë palët ndaj partnerëve të tyre komercialë. Kjo, nga ana tjetër, e krijon borxhin e ri të partnerëve ndaj palëve të treta dhe kështu krijohet një qark vicioz nga i cili mund të dilet me futje në borxh edhe më të madh. E këtu nuk ndihmon as përmbarimi – sepse për një borxh të para tre vjetësh, duhet të presësh minimum një vit që lënda të dalë në shqyrtim në gjykatë, për shkak se pala tjetër përherë mund ta kontestojë propozimin për përmbarim. Për një vit shumë gjëra në jetë mund të ndryshojnë, dhe jo domosdo për të mirë.

Nëse ky është vizioni i rritjes ekonomike që ka kjo qeveri, atëherë po e di që fundin e vitit do ta presim me telashe edhe më të mëdha seç janë dhe se në fund mbase gjysma e ekonomisë së Kosovës do të bllokohet nga ATK-ja, për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj shtetit. Për shkak se për punëdhënësin është shumë me rëndësi t’i paguajë rrogat që t’i mbajë gjallë punëtorët dhe familjet e tyre – sepse përndryshe as nuk do të ketë prodhim, e për pasojë as bile një fije rritje ekonomike.

Dhe për fund, rritja ekonomike nuk do të sigurohet nëse sektorit publik i rriten rrogat.

* * *

Veprimi skandaloz dhe i turpshëm i javës ndodhi në tryezën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur?”, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Kosovës. Në çastin kur Natasha Kandiq e mori fjalën, përfaqësuesit e organizatave të familjarëve të personave të pagjetur u çuan dhe e lëshuan sallën.

Shkrova një status në FB për ta shprehur ndjenjën që ma shkaktoi kjo sjellje:

“Marre!

Kandiq, duke qenë serbe, është e vetmja që, me organizatën e saj, i zbardhi krimet që i ka kryer shteti i saj në Kosovë. Madje FDH-ja ka bërë shumë më shumë se institucionet e Kosovës për dokumentimin e krimeve në Kosovë”.

Përderisa shumica e komentuesve në murin tim pajtoheshin me atë që kisha shkruar, mora edhe reagime të tjera sipas të cilave ky veprim nuk do të duhej quajtur i turpshëm. I pari, që këta njerëz janë tejet të traumatizuar dhe se kur e dëgjojnë dikë që flet serbisht e vjen nga Serbia, reagojnë instinktivisht. Pra, është gjendje shpirtërore që duhet arsyetuar.

Një koment tjetër që ndërlidhej me këtë veprim ishte se Kandiqi kishte marrë me miliona euro e dollarë për t’i bërë bashkë shënimet për shqiptarët e serbët, duke u përpjekur ta paraqesë luftën e Kosovës si konflikt civil. Pra, koment nga dikush që nuk e ka lexuar, me gjasë, asnjë raport të FDH-së, e asnjërin përshkrim masakrash që janë paraqitur në to. E me siguri, asnjërin kallëzim penal ndaj personave ushtarakë serbë.

E se nuk ka qenë reagim shpirtëror i cytur nga trauma, porse ka qenë vendim i menduar mirë dhe i arsyetuar më pas nga Ahmet Grajqevci, kryetari i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit, që tha: “thjesht nuk kemi dashur ta dëgjojmë atë”.

Në emisionin “60 Minuta”, Grajqevci tha: “Ne nuk ishim aty që ta dëgjojmë Kandiqin, por që t’u drejtohemi institucioneve të Republikës së Kosovës për kërkesat tona. Ne as nuk e kemi ofenduar Kandiqin, as nuk e kemi fyer, as nuk i kemi thënë diçka të keqe. S’kemi dashur ta dëgjojmë fjalimin e saj. Le ta dëgjojnë ata që i ka themeluar Beogradi në Kosovë. Qendrën Burimore e ke të themeluar direkt prej Velko Odaloviqit. Ne shkurt e trup njëherë kemi thënë që nuk bashkëpunojmë me Natasha Kandiqin dhe me organizata të cilat nuk janë në Kosovë. Çka di Natasha Kandiqi nuk t’i jep sekretet. Vuçiqi dhe Daçiqi hapur e kërcënuan edhe Kandiqin edhe të gjithë dëshmitarët që kemi, se ai që jep dëshmi se ku gjenden varrezat masive, do të dënohet me ligjin më të rëndë të Republikës së Serbisë. Unë besoj që ajo di më shumë, nuk tregon, jo vetëm zonja Kandiq, por edhe shumë të tjerë”.

Fondi për të Drejtën Humanitare e Kandiqit ka zyrë edhe në Kosovë. Sepse po të mos e kishte, shumë zor do të mund t’i mblidhte dëshmitë dhe deklaratat e dëshmitarëve për t’i zbuluar krimet më të mëdha që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Pra, Fondi i saj ka bërë punë monumentale për dokumentimin e krimeve të kryera në Kosovë, gjë të cilën nuk e kanë bërë, për fat të keq, as organizatat e vendit që është dashur ta kryejnë këtë punë në bashkëpunim me organizatat e familjarëve të të pagjeturve, e as institucionet e Kosovës.

Ta akuzosh Kandiqin se e di ku janë varrezat masive, por nuk do që të tregojë, është bajagi absurde, sepse ajo mbledhjen e informatave e ka nisur që nga fundi i luftës, kurse ligji të cilin Grajqevci e përmend, është miratuar tash vonë në Serbi. Pra, po të kishte ditur se ku janë, e besoj se me siguri do të kishte treguar deri tash.

Kandiqi nuk e ka merituar këtë sjellje dhe është personi i gabuar për t’ia zbrazur hidhërimin e grumbulluar me të drejtë. Adresa është te politika.

* * *

Politika është ajo që e mbyll javën me një informatë të botuar në një portal slloven, sipas të cilit ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në një skandal shpëlarje parash të një partie politike sllovene. Gjithnjë sipas portalit, për këtë manovër është përdorur një firmë që merret me energjetikë, përkatësisht dega e saj në Serbi, nëpërmjet së cilës Berishës i janë bartur këste të hollash, të cilat ky më pas i ka tërhequr në të gatshme. Bëhet fjalë për 600 mijë euro – që janë tepër të mëdha.

Ambasadori reagoi menjëherë, duke thënë se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se do ta padiste për shpifje portalin slloven. Në konferencë shtypi dje, Osmani doli e tha se i beson ambasadorit dhe se duhej pritur fjalën e fundit nga gjyqësia. E megjithatë, Berishaj u ftua menjëherë në Prishtinë për sqarime.

Do të ishte lajm jashtëzakonisht i keq për Kosovën po qe se kjo që thuhet del të jetë e vërtetë. Fillimisht për shkak të prestigjit ndërkombëtar, edhe ashtu të nëpërkëmbur, të Kosovës; e dyta, për shkak të raporteve me shtetin nikoqir, në këtë rast Kroacinë, dhe, së fundi, për shkak se sistemi i verifikimit të kandidatëve nëpërmjet të AKI-së dhe vetë MPJ-së paskësh dështuar.

Po qe se del të jetë e vërtetë, nuk ka asnjë arsye që Berishaj të mos shkarkohet. Uroj të mos dalë e vërtetë, sepse Kosovës nuk i vyen t’i shtohet tash edhe një skandal i këtij lloji – ai i shpëlarjes së parave të huaja. Ani pse ky aktivitet nuk është një gjë e panjohur për Kosovën. Nuk vyen shumë njohuri kriminalistike për ta parë trendin e shfaqjes së firmave që këtë punë e kanë arsye parësore të ekzistimit edhe pse kinse merren me veprimtari tjetër.

* * *

Kosova kurrsesi të dalë nga kriza, politike në rend të parë. Opozita po insiston që të themelohet një komision hetimor për energjinë, pushteti po thotë që procedurat nuk e lejojnë.

Mirë do të ishte të gjendej zgjidhja për çështje procedurale dhe të formohej komisioni që të dihet në fund nëse është vepruar si duhet në këtë rast apo jo. Për shkak se pasojat më të mëdha i pësuan qytetarët – me rritjen e faturave të energjisë, si dhe me shpenzimin e parave për blerje rryme e mbulim humbjesh të një firme private.

Kur nisi punën kjo qeveri, u premtua transparenca si themeli i punës së saj. Pra, nëse është premtuar, atëherë duhet zbatuar. Sepse po qe se është vepruar në kundërshtim me ligjin, duhen pasuar ndëshkimet dhe duhet të vendoset shembulli se mund të veprohet edhe ndryshe.

Me mosformimin e komisionit hetimor, pushteti i jep opozitës alibi që të mos i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Ata e kanë luksin, për shkak se veten e kanë rehatuar derisa kanë qenë në pushtet, por sërish, nga mosmiratimi i tyre do të pësojmë sërish ne qytetarët. E për çka? Për një opozitarizëm që kapet për fije kashte dhe për një pushtet që ende vepron mbi arrogancën e numrave.

flaka@koha.net