OpEd

Moralizuesit

E përbashkëta e kritikave të opozitës është se ato vijnë nga ata që e kanë mbajtur pushtetin në Kosovë qe 20 vjet, sa bashkë me UNMIK-un e sa vetë, dhe si të tillë, nuk e kanë as të drejtën morale për të kritikuar. Për shkak se e kanë pasur pushtetin në dorë, nuk e kanë rritur pagën minimale qe 11 vjet dhe kurrë nuk kanë ndarë mjete nga buxheti për të gjithë, por vetëm për disa kategori, ashtu siç iu ka tekë dikujt apo kur i është dashur për ndonjë interes

Që dje pasdite nisi vikendi i gjatë, i dyti nga pesë që do të shënohen në javët në vijim. E pabesueshme është se si, edhe pas 14 vjetësh, ne ende ngrehim pas një ligji absurd për festa shtetërore, sipas të cilit nëse festa bie në ditë pushimi, duhet të zëvendësohet me një ditë pune në fillim a fund të javës.

Dhe kështu, javën e shkuar e festuam 9 prillin më 11 prill; këtë javë do t’i kremtojmë Pashkët katolike të së dielës të hënën më 18 prill; më pas do t’i kremtojmë Pashkët ortodokse të së dielës së ardhshme të hënën më 25 prill e më pas 1 Majin do ta festojmë të hënën më 2 maj, kurse Bajramin e madh, që bie të hënën, e kremtojmë ditën e martë, 3 maj, për shkak se e hëna tashmë është zënë me një ditë pushimi. Sikur kjo të mos mjaftonte, do të festojmë edhe të hënën e radhës, më 9 maj, për shkak se ne e duam Evropën më së shumti në botë.

Kjo situatë edhe një herë veç e vërteton qartë që është thënë kur janë votuar ligjet e pakos së Ahtisaarit: se askush prej atyre që i kanë votuar këto ligje as që i kanë lexuar. U është thënë t’i votojnë dhe ashtu kanë bërë: 100 ligje për 40 ditë, e ndër to edhe ky, i cili bie në kategorinë e ligjeve jetike. Pra të atyre që për t’u ndryshuar e kërkojnë shumicën, që e kërkon edhe ndryshimi i Kushtetutës.

Se a do të vijë dita në të cilën kjo do të ndryshojë, nuk e di. Porse që ligje të këtilla e bëjnë një popull dembel edhe më dembel, nuk ka asnjë dyshim.

* * *

Lajmi i javës qe vendimi i Qeverisë për t’ua ndarë 100 milionë pensionistëve, studentëve dhe thuajse të gjithë të punësuarve. Sipas Qeverisë, nga ky vendim do të përfitojnë 80 mijë familje, si edhe 40 mijë familje në asistencë sociale me pako ushqimore.

Natyrisht se vendimi zgjoi reagime nga më të ndryshmet. Përkrahësit e pushtetit thoshin se paratë e buxhetit për herë të parë po ndaheshin me popullin e nuk po shkonin në xhepat e politikanëve; opozita e cilësoi vendimin si populist dhe më pas, varësisht nga partia, vinin edhe vërejtje se përse u bë kështu e nuk u bë ndryshe, kurse kishte të tillë që ishin shumë të lumtur me këtë vendim dhe të tjerë që ankoheshin për lartësinë e ndihmës.

E mira e kësaj është se ministri i Financave e saktësoi në një konferencë shtypi se ata që e kanë rrogën mbi 1.000 euro nuk do të ishin përfitues të kësaj pagese. Po t’më kishte pyetur kush, unë kisha sugjeruar që limiti të ishte madje edhe më i ulët dhe që ndihma t’u jepej për dy muaj atyre që rrogën e kanë më të vogël madje se 400 euro. Kurrkush s’më pyeti ?, prandaj vetëm mund të vazhdoj të sugjeroj.

Sidoqoftë, reagimet e partive politike opozitare, edhe pse të pritura, ishin ftesë për penallti.

I pari, dhe më i zhurmshmi qe Ramush Haradinaj. Kishte qenë Besnik Tahiri ai që kishte sugjeruar që të gjithë të punësuarve të sektorit publik t’u jepeshin nga 100 euro derisa të mos miratohej Ligji i pagave. Tash pasi që Qeveria përfshiu edhe sektorin privat, Haradinaj u çua dhe tha se “100 euro nuk zgjidhin asgjë”.

PDK-ja e quajti 100-euroshin lëmoshë që “dëshmon paaftësinë e menaxhimit fiskal nga ana e kësaj qeverie”, kurse LDK-ja tha se me 100 euro nuk mund të mbulohen nepotizmi, shkelja e Kushtetutës e Pronto në KEK.

I fundit që iu bashkua valles së kritikave ishte Behgjet Pacolli, i cili tha se me 100 milionë kanë mundur të ndërtoheshin 40 fabrika.

* * *

Pas dy ditësh Qeveria miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallën tatimore në të ardhurat personale, dhe sipas zëdhënësit të Qeverisë paga minimale do të mbërrinte në 264 euro bruto apo 250 euro neto.

Herën e fundit kur ishte caktuar paga minimale kishte qenë 2011-a, dhe kanë qenë dy nivele pagash, 130, përkatësisht 170 euro, varësisht nga mosha. Natyrisht se çështja e pagës minimale ishte komplikuar tej mase me miratimin e Ligjit të veteranëve, pensionet e të cilëve mbështeten mbi nivelin e pagës minimale.

Sidoqoftë, reagimi i opozitës u dëgjua menjëherë. PDK-ja tha se paga minimale nuk do të duhej të ishte nën 300 euro; AAK-ja se do të duhej të ishte 400 euro e për LDK-në nuk e di nëse u deklarua... porse reagimi në këtë segment po vinte nga dikush që kishte qenë në pushtet nga 2011-a (PDK, AAK, LDK) dhe që nuk kishte bërë lëvizje para për ta ndryshuar këtë gjendje. Lëvizjet e vetme që i bënin, sistematikisht, ishte të rriteshin rrogat e sektorit publik sa herë afroheshin zgjedhjet.

Me t’i dëgjuar reagimet e këtyre partive, m’u kujtuan disa nga rastet skandaloze kur paratë e shtetit u zhdukën në vend se të ndaheshin me masën. Te PDK-ja qe autostrada për në Prizren e cila kurrë nuk u ndërtua deri në Merdar, ku një pjesë e rrugës u lidh me atë për Pejë dhe kur kontrata kurrë nuk u bë publike. Çmimi që e paguam në fund qenë mbi 10 milionë euro për kilometër, ta merr mendja e kanë shtruar rrugën me ari.

Tek AAK-ja, pos kravatave e faljes së taksave të ambalazhuesve, më e freskëta doli të ishte falja e rreth 40 milionë eurove Bechtelit për autostradën drejt Shkupit. Përkthyer në rroga minimale bruto që i kërkon Haradinaj janë fiks 100.000 njerëz që do të përfitonin nga kjo po të mos ishin zhdukur këta miliona.

Te LDK-ja, e cila krahas PDK-së më së shumti është njohur për nga nepotizmi dhe “ndrydhja” e ligjeve për t’ia përshtatur vetes, kujt nuk i kujtohen 2.1 milionë eurot e vjedhura nga thesari që ende nuk janë kthyer. 21 mijë pensionistë do të kishin marrë shtesën prej 100 eurosh dje, po të mos ishin hëngër këto para.

E te Behgjet Pacolli, i cili foli për 40 fabrikat që kanë mundur të ndërtoheshin me 100 milionë, m’u kujtua rinovimi i “Rilindjes”, që kushtoi nja 15 milionë euro e që e bëri firma e tij. Lëre që ia ndërroi krejt dukjen nga jashtë, duke e shkatërruar fasadën brutaliste të Georgi Konstantinovskit dhe duke e bërë enterierin sikur të ishim në BRSS. Sidoqoftë, me 15 milionë ka mundur, por nuk i ndërtoi 6-7 fabrika, të cilave mbase edhe ua kishim parë hairin.

* * *

E përbashkëta e këtyre kritikave është se ato vijnë nga ata që e kanë mbajtur pushtetin në Kosovë qe 20 vjet, sa bashkë me UNMIK-un e sa vetë, dhe nuk e kanë as të drejtën morale për të kritikuar. Për shkak se e kanë pasur pushtetin në dorë, nuk e kanë rritur pagën minimale mbi një dekadë dhe kurrë nuk kanë ndarë mjete nga buxheti për të gjithë, por vetëm për disa kategori, ashtu siç iu ka tekë dikujt apo kur i është dashur për ndonjë interes.

Të vetmit që kanë të drejtë për të kritikuar jemi ne qytetarët.

Se a është zgjidhja më e mirë që 100 milionë të shpërndahen në këtë formë, nuk do të mund të thosha se është. Porse e di se kjo shumë e të hollave kur të futet në treg do ta lirojë bile përkohësisht qarkullimin e parasë, që është shndërruar në problem kronik në Kosovë më shumë se një dekadë. E për këtë punë, nuk duhet të jesh ekspert i ekonomisë për ta kuptuar.

Se a kanë mundur të investoheshin këto para në krijimin e vendeve të punës, po, pa asnjë dyshim. Se a kanë mundur të investoheshin në sektorin e teknologjisë informatike, kanë mundur, e se kanë mundur të investoheshin në infrastrukturën e shkollave, edhe kjo është fakt. Porse megjithatë është hera e parë që paratë e buxhetit, në të cilat kontribuojmë të gjithë të punësuarit dhe që ndërtohet nga tatimet e tjera, po u ndahen një numri shumë të madh njerëzish. Uroj që kjo të ndodhë pa keqpërdorime dhe mashtrime.

Ndërkohë uroj që të gjendet dikush që ta marrë nismën e t’ia dalë ta ndryshojë ligjin e festave, se do të mbarojmë duke pushuar.

flaka@koha.net