OpEd

Kundër të pushtetshmëve, në krah të viktimave

Annalena Baerbock ka sjellë një frymë të re në politikën e jashtme gjermane. Kudo ku flet – nga Kosova në New York, nga kufiri me Ukrainën në Berlin – ajo dëshmon se politika duhet të jetë diçka më shumë se disa fraza të thata

Në korrik të vitit të kaluar Annalena Baerbock gjendej në situatë të mjerë politike. Ishte kandidate e të gjelbërve gjermanë për kancelare gjermane, por fushata kishte ngecur, sepse mediat gjermane kishin zbuluar se Baerbock kishte kopjuar për të shkruar një libër. Në kolumnën e botuar te “Koha Ditore” më 6 korrik 2021 nënvizoja: “Zonja Baerbock gjendet para një tribunali publik. Çdo ditë zbulohen detaje të reja. Çdo ditë shfaqen akuza të reja. Baerbock duket se ka marrë paragrafë të tërë nga mediat dhe i ka futur në libër. Po ashtu, me gjasë ka kopjuar edhe nga studimet dhe punimet e institucioneve të ndryshme dhe nga qëndrimet e partisë – pa deklaruar hapur se ku i ka marrë citatet”.

Në anketa popullariteti i saj u përmbys: prej njërës nga politikanet më të popullarizuara, te njëra nga politikanët më të jopopullarizuar. Sikur të mos e kishte shkruar librin e diskutueshëm, Baerbock ndoshta sot do të ishte kancelare gjermane. Në zgjedhjet gjermane të mbajtura në fund të shtatorit 2021, të gjelbrit u renditën si partia e tretë, pas kristiandemokratëve. Të parët, befasisht, dolën socialdemokratët – dhe kandidati i tyre për kancelar, Olaf Scholz, u bë kancelar. Baerbock u zgjodh ministre e Jashtme në koalicionin mes socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve. Në historinë 151-vjeçare të Ministrisë së Jashtme gjermane ajo është gruaja e parë në këtë post.

Pothuaj një vit më vonë, Baerbock është ministrja më e besueshme dhe më e popullarizuar e kabinetit qeveritar gjerman. Disa pyesin: a mos do të ishte edhe kancelare më e mirë në krahasim me Olaf Scholzin, i cili, siç shpotiti një gazetar gjerman, ka mbetur disi politikan lokal nga Hamburgu (Scholz ka qenë dikur kryetar i Hamburgut)?

Popullariteti i Baerbockut është rritur për shkak të qëndrimit të saj të qartë kundër agresionit rus ndaj Ukrainës. Nga mesi i janarit Baerbock vizitoi Moskën. Paraprakisht mediat gjermane paralajmëruan se ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, mund ta poshtërojë ministren gjermane. Lavrov është një ujk i moçëm i diplomacisë, nuk ka ministër të jashtëm në botë që është më gjatë në post se Lavrov. Gatishmëria e tij për ta lakuar të vërtetën (ose për të gënjyer pa iu dridhur syri) është monumentale. Në shkurt 2021 Lavrov e kishte poshtëruar faqe botës kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell. Lavrov hodhi poshtë përgjegjësinë e Moskës për helmimin e opozitarit Aleksej Navalni, i kishte quajtur sanksionet e BE-së kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë si “ilegale”, e kishte akuzuar Perëndimin për “moral të dyfishtë”. Borrell qëndroi si statujë dhe nuk e kundërshtoi Lavrovin me ashpërsinë e duhur.

Atmosferë krejt tjetër mbretëroi në konferencën për media të Baerbock-ut me Lavrovin: ministrja gjermane pati një prezantim të denjë, sinjalizoi gatishmëri për dialog, por nuk ngurroi ta kritikojë ashpër Moskën.

Në fjalimet e saj lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës, Baerbock argumenton në mënyrë intensive, nuk lë asnjë dilemë kush është fajtori (autokrati rus në Kremlin), solidarizohet me viktimat (në një pikë kufitare mes Ukrainës dhe Moldavisë ajo i tha një nëne ukrainase: “Edhe unë i kam dy fëmijë në moshën e fëmijëve tuaj. Kam admirim të madh për ju”), në intervistat për mediat gjermane Baerbock nuk ngurron të shpalosë gabimet e deritanishme të politikës gjermane ndaj Rusisë (një afërsi jokritike dhe të orientuar vetëm nga interesat ekonomike). Fjalimin e saj para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 1 mars ajo e nisi kështu: “Para disa ditësh në një stacion të metrosë së Kievit u lind një vajzë. Kam dëgjuar se quhet Mia. Familja e saj qe e detyruar të kërkonte mbrojtje – si miliona njerëz të tjerë gjithkund në Ukrainë. Mbrojtje nga bombat dhe raketat, nga tanket dhe granatat. Ata jetojnë në frikë, jetojnë me dhimbje. Janë të detyruar të ndahen nga më të dashurit e tyre. Sepse Rusia ka filluar një luftë agresive kundër Ukrainës. Besoj se në votimin e sotëm (për rezolutën e OKB-së kundër agresionit rus, v.j.) bëhet fjalë për Mian. Bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë”. Nga mesi i marsit, Baerbock paralajmëroi në Berlin një strategji të re gjermane të sigurisë – me një “kompas të qartë vlerash në dorë”.

Para se të vizitonte Moldavinë, ajo qëndroi në Sarajevë, në Prishtinë dhe në Beograd. Në kryeqytetin e Bosnjës takoi edhe gratë e mbijetuara të Srebrenicës dhe mbi këtë takim prekës referoi në Parlamentin gjerman. Në Prishtinë ofroi përkrahjen gjermane për transformimin ekonomik të Kosovës (dhe e ritheksoi këtë në një konferencë në Gjermani). Në Beograd ia bëri të qartë presidentit serb se kush synon vlerat evropiane nuk mund të qëndrojë anash në rastin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Baerbock mund të krahasohet deri diku me Joschka Fischerin, ministrin e parë të Jashtëm gjerman nga Partia e Gjelbër. Më 1999, Fischer u ballafaqua ashpër me krahun pacifist të partisë, i cili kërkonte ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Tani Fischer i tha gazetës “Süddeutsche Zeitung”: “Lufta e Putinit do të ketë konsekuenca edhe më të mëdha se vendimi i atëhershëm për Kosovën”. Gjermania, thotë Fischer, pas vitit 1945 ka dashur një “kthesë radikale, nga një popull vrastar - në një komb pothuaj pacifist”. Luftën ua kishte lënë të tjerëve, ushtrinë gjermane e ka shikuar me indiferencë. Ky ka qenë gabim, thotë Fischer. “Është e palejueshme që vendi ynë në qendër të Evropës të thotë se ne s’mund të japim asnjë kontribut për mbrojtje”. Kjo epokë me gjasë po merr fund. Dhe askush nga politikanët gjermanë nuk e kupton këtë më mirë se Annalena Baerbock.